Ndërhyrje për procedurë dhe diskutim në Kuvend për fondet e IPARD dhe fermerët / 18 Korrik 2024

Zonja Kryetare, po e sqaroj që në fillim që do të bëj një kërkesë procedurale në fund të fjalë sime. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është nisur nga një shqetësim publik dhe fakti që ju nuk e keni raportin, nuk do të thotë që nuk janë bllokuar fondet e IPARD-it, por sot fermerët janë totalisht të pasponsorizuar dhe në pamundësi për të marrë asnjë lek nga fondet e BE-së. Ishin i vetmi burim oksigjeni, sepse ju, në fakt, për bujqësinë e keni ulur financimin 9% nga viti i kaluar, kur për bujqësinë rezultojnë…

Lindita Nikolla – A ka mundësi t’i referohesh kërkesës procedurale? 

Ina Zhupa – Ja, pra, do të dal. 

Lindita Nikolla – Jo, nuk mund t’ju lë të vazhdoni me ligjëratën tuaj politike. 

Ina Zhupa – Nuk kam deklaratë politike. 

Që kur bujqësia qenka deklaratë politike!? (Ndërhyrje pa mikrofon) 

Lindita Nikolla – Jo, patjetër! 

Ina Zhupa – Nuk është deklaratë politike. Ky është realiteti. 

Lindita Nikolla – Patjetër, kur të merrni fjalën për të folur për çështjen, do të flisni për çështjen. 

Ina Zhupa – Nuk do ta marr fjalën fare. 

Lindita Nikolla – Tani, referojuni kërkesës procedurale sipas nenit 49 të Rregullores së 

Kuvendit, ndryshe do t’jua heq fjalën.  

Ina Zhupa – Zonja Kryetare, ju më thoni: kur të merrni fjalën, flisni për bujqësinë, por ju nuk na e dhatë mundësinë të marrim fjalën dhe të flasim për bujqësinë. 

Lindita Nikolla – A ka mundësi? Keni kërkesë procedurale, apo jo? 

Ina Zhupa – Po, kam! 

Lindita Nikolla – Bëjeni, atëherë!  

Ina Zhupa – Do ta bëj tani, por më dëgjo! 

Lindita Nikolla – Bëje, pra! 

Ina Zhupa – Nuk do ta bëj siç do ti, por do ta bëj siç di unë. 

Lindita Nikolla – Jo, siç e kërkon 

Rregullorja, as siç e do ti, as siç e dua unë. (Ndërhyrje pa mikrofon)  

Ina Zhupa – Unë kam 3 minuta për ta parashtruar kërkesën, nuk kam 100 minuta. 

Tani, nga 10 miliardë lekë, zonja Kryetare, që ishte vlera e masave kombëtare për prodhimin bujqësor të vitit 2023, është planifikuar 7,1 miliardë ose 30% më pak. Pra, edhe i jepni 30% më pak nga fondet tuaja dhe i keni hequr mundësinë e fondeve të BE-së, sepse ministren dhe ish-drejtoren e AZHBR-së ju e keni promovuar dhe e keni bërë këshilltare të Kryeministrit, që të tregojë si të vazhdojnë të vjedhin dhe të zhdukin fondet e IPARD-it.  

Nëse ky Kuvend bëhet noter i vjedhjeve të qeverisë, ky është turp i madh, sepse ne jemi duke kërkuar të merren masa, nuk jemi duke kërkuar t’i bëjmë gjyqin Frida Krifcës, këtë le t’ia bëjë SPAK-u. Ne jemi duke kërkuar se çfarë masash mund të marrim që të përshpejtojmë çlirimin e fondeve të IPARD-it. Kërkesa ime procedurale për ju është të zbatoni Rregulloren dhe të vendosni një datë. Ka deklarata publike nga zëdhënës të Komisionit Europian, të cilët sqarojnë cilat duhet të jenë procedurat që duhet të ndjekë shteti shqiptar për të rihapur fondet dhe ky duhet të ishte shqetësimi i të gjitha palëve. Ju nuk mund të thoni: bëni politikë me bujqësinë, sepse fermerëve, që zonja Denaj dhe unë i kemi në zonë, të Konispolit, të Finiqit dhe të Delvinës, nuk u intereson fare nëse futet në burg apo jo zonja në fjalë, që ka abuzuar, por u intereson të marrin fondet dhe u intereson të kenë mundësi të zhvillojnë bujqësinë në Shqipëri. Kaq e thjeshtë. 

Ky duhet të jetë interesi ynë i përbashkët. 

Faleminderit!