Fjalim në Kuvend për ngërçin e krijuar në moszgjedhjen e Avokatit të Popullit/ 18 korrik 2024

Në fakt, institucioni i Avokatit të Popullit, pa asnjë dyshim, ka raportet më të mira ndër ato që sjellin institucionet e pavarura; është i vetmi raport që nis me rezolutën që ka miratuar Kuvendi dhe i merr një e nga një pikat e rezolutës për të thënë se çfarë ka bërë institucioni i pavarur. Ky, në fakt, duhet të jetë një model për të gjitha institucionet, që rezolutën që ka miratuar Kuvendi të mos e kenë thjesht si një letër për ta mbajtur në sirtar, por si një dokument pune për të cilin do të duhet të raportojnë në vitin pasardhës.  

Zonja Ballanca ka dhe një meritë të veçantë, në fakt, pasi është duke mbajtur një pozicion i cili është lënë në ngërç nga Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka që në datën 30 mars 2022, pra ka 2 vjet e gjysmë që mban peng procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, vetëm e vetëm sepse Avokati i Popullit është vendosur që do të jetë nga opozita, pra një profesionist, që do të marrë pëlqimin, firmat dhe votat edhe të opozitës. Kjo ju shqetëson shumë. E keni shumë problem të zbatoni ligjin dhe traditën parlamentare, kur ky proces është nisur një herë, është mbyllur me dy kandidatura, është rihapur përsëri dhe sot që flasim ju keni 7 kandidatura, që kanë 28 firma nga deputetët, që i kanë kaluar dëgjesat në Komisionin e Ligjeve dhe nuk dihet çfarë ndodh me to. Do të doja të ishte kryetari i grupit këtu, zoti Çuçi, dhe të thoshte se çfarë po ndodh që Shqipëria sot nuk e ka të mundur të ketë një Avokat të Popullit me mandat legjitim.

Kur ishte zoti Balla kryetar grupi, ka deklaruar në atë kohë se i takonte Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe do të duhej që të dyja grupet të negocionin për kandidaturën.

Nëse e keni të pamundur, atëherë sillini të shtatë kandidatët këtu dhe të votohen në seancë plenare. Nuk mundeni ju të mbani në sirtar kandidatët që kanë plotësuar kriteret, që kanë zbatuar rregullat e Kuvendit në dëgjesë, dhe ta lini peng institucionin, ose  (personalisht jam shumë e gatshme) le të votojmë zonjën Ballanca, që të vazhdojë të marrë mandatin, por të paktën të jetë e ligjshme në atë që bën dhe të ketë autoritetin e plotë edhe me punonjësit e vet, edhe në raport me institucionet e tjera, për shkak se ju i keni lënë në një gjendje që nuk është normale në një shtet ligjor, aq më tepër kur kjo i bëhet Avokatit të Popullit.

Pra, Avokatit të Popullit, që e ka të gjithë fokusin te respektimi i të drejtave, lirive, proceseve të shtetit ligjor, ju i bëni pikërisht këtë marifet, duke e lënë institucionin pa legjitimitetin e plotë në raport me atë që parashikon Kushtetuta. Ndaj e ngrita këtë shqetësim dhe uroj që ju ta zgjidhni pa u mbyllur ky sesion, e keni gjithë mundësinë që ta zgjidhni deri në datën 25 korrik dhe që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në bashkëpunim edhe me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, nëpërmjet kryetarëve të grupeve, të arrijnë t’i sjellin seancës kandidaturat që çmohen se arrijnë standardet për të përfaqësuar këtë institucion të rëndësishëm. 

Sa i përket sërish veprimtarisë së institucionit të Avokatit të Popullit, përveç përmbushjes së rezolutës së Kuvendit, dua të them që ka bërë, po ashtu, një proces model për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, të cilën e ndotët dhe e prishët ju si Kuvend i Shqipërisë. Pasi Kuvendi i Shqipërisë kishte vetëm detyra procedurale, pra ta merrte dosjen dhe ta sillte, ju u futët dhe bëtë detyra substanciale, filluat të bënit një proces të ri se kush do të kualifikohej dhe kush jo, duke shpikur akte ligjore që nuk ekzistojnë dhe kompetenca që nuk i keni.  

(Ndërhyrje pa mikrofon

Po, po, e kam lexuar dhe nuk ka asnjë kompetencë Sekretari i Përgjithshëm që të bëjë proces më vete, kundrejt procesit që ka bërë Avokati i Popullit, aq më tepër ta bëjë me preferenca totalisht politike. 

Së fundi, për shkak të kohës së limituar prej vetëm 5 minutash, Avokati i Popullit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në seancat në Gjykatën Kushtetuese, për hartën gjyqësore, për Kodin Civil, për pasurinë kombëtare të Butrintit; ka dhënë një kontribut të çmuar për vendosjen e disa standardeve që lidhen me aksesin në votim të njerëzve me aftësi të kufizuara. Arritjet janë të shumta, sigurisht, edhe koha nuk do të mjaftonte, por fajin duhet ta shikojmë te vetja, duhet ta shikojmë te ky institucion, i cili nuk ngrihet dot në detyrat që i ka dhënë Kushtetuta për të zgjedhur një Avokat të Popullit brenda afateve ligjore. 

Shumë faleminderit!