Fjalim për antikushtetueshmërinë dhe antinjerëzoren e kësaj mazhorance, 12 dhjetor 2024

Në fakt, kjo seancë, nëse mazhoranca do të kishte skrupuj dhe do të respektonte Kushtetutën, do të duhej të kishte nisur ndryshe, duhej të kishte nisur me një interpelancë me Kryeministrin, por, mbi të gjitha, do të duhej që në rendin e ditës të vendosej mandati i deputetes Olta Xhaçka, me raportin që ky Kuvend duhej t’i dërgonte Gjykatës Kushtetuese, që më pas ajo të gjykonte nëse zonja Xhaçka është apo jo në përputhje me standardin e Kushtetutës. Ajo që ju bëni si mazhorancë, tregon qartë atë që PD-ja e ka thënë me kohë, por që ju e provoni çdo ditë me akte dhe me prova: ne nuk jemi më një republikë demokratike, që funksionojmë në bazë të Kushtetutës, por jemi një narkodiktaturë, një diktaturë, ku, sipas jush, deputeti është mbi Kushtetutën; sipas jush, deputeti nuk e zbaton Kushtetutën dhe mund të votojë edhe në shkelje të Kushtetutës. Pra, na ka lindur një regjim i ri; një regjim që njeh për Kushtetutë mesazhet në Twitter dhe porositë e Edi Ramës; një regjim ku deputetët nuk betohen për Kushtetutën, siç janë betuar në fillim të mandatit të tyre, por betohen për kokën e Edi Ramës; ku deputetët nuk lexojnë Rregulloren, nuk lexojnë opinionin e Komisionit të Venecies, nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por lexojnë mesazhet në Grupin e PS-së. Me këtë që bëni, legjitimoni që çdo deputet i çdo mazhorance nga sot e tutje mund të jetë edhe investitor strategjik, edhe biznesmen, edhe marrës i tokave publike, sepse e vendoska mazhoranca nëse do apo nuk do ta çojë mandatin e një deputeti në Gjykatën Kushtetuese. Pra, nga ky moment çdo deputet mund të shndërrohet në biznesmen, sigurisht, i mazhorancës, sepse ju keni kartonët që ta ndaloni çuarjen në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetit. Ajo që ju i bëni Parlamentit, është një puç kushtetues; është një puç që nuk ka pasoja vetëm sot, por edhe për historinë e Shqipërisë në të ardhmen, sepse krijoni një standard që nuk do ta gjeni në asnjë vend të Bashkimit Europian, ku ne të gjithë pretendojmë të bëhemi anëtarë, që të mos respektohen vendimet e Gjykatës 

Kushtetuese; nuk do të gjeni në asnjë vend të Bashkimit Europian që deputetët të mund të votojnë që të mos zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ku deputetët, me logjikën tuaj, edhe nëse Gjykata Kushtetuese shpall një ligj antikushtetues, paskan të drejtën që ta votojnë të njëjtin ligj njëlloj, sepse nuk jua detyruaka, sipas jush, Gjykata Kushtetuese votën.  Përfundimisht nuk kemi më Gjykatë Kushtetuese, kështu që le ta mbyllim Gjykatën Kushtetuese, le t’ia kursejmë vetes edhe rrogat e gjyqtarëve kushtetues, sepse e vendosni ju nëse një ligj është kushtetues apo jo, nëse ka probleme në ndarjen dhe balancimin e pushteteve; e vendosni ju se si mbahet apo nuk mbahet mandati i një deputeti dhe nëse është apo nuk është në përputhje me Kushtetutën, pra vendosni ju për gjithçka. Diktatura e proletariatit, në këtë rast diktatura e rilindësve, sepse ju nuk jeni më as socialistë, jeni thjesht rilindës, por jo rilindës si ata rilindësit që shisnin pasurinë e tyre e jepnin shpirtin dhe pasurinë për kombin, por rilindës që shesin kombin për pasurinë e tyre. Ky është ndryshimi që keni ju rilindësit e rinj, me rilindësit e vërtetë shqiptarë, sepse ju bëni gjithçka për t’u pasuruar vetë, për të pasuruar shokët, tani edhe për t’i mbrojtur ata dhe veten, mbi të gjitha, liderin suprem, Edi Rama. 

Sot shëndetësia është rasti më tragjik se si vullneti i një njeriu, vullneti i Edi Ramës, mund të shkatërrojë një sistem të tërë shëndetësor me koncesione, që vjedhin paratë e qytetarëve dhe nuk japin shërbim. Ne patëm një komision hetimor, i cili u shkatërrua me të njëjtën metodë, sepse ju nuk lejonit të zbatohej Rregullorja; ju nuk lejonit të vinin dëshmitarët; ju nuk lejonit të vinte Edi Rama; ju nuk lejonit të vinte Vilma Nushi. Pse?! Jo sepse thuhet në ndonjë rregullore, por sepse ju paskeni kartonët dhe mund të bëni ç’të doni me këtë Parlament. E ka në kontratë Vilma Nushi që duhej të ngrinte një qendër telefonike, call center ku t’i lajmëronte njerëzit për check upin. Çfarë ndodh?! E bëjnë mjekët e familjeve këtë detyrim, dhe jo vetëm që duhet ta bëjnë, por, në rast se nuk arrijnë objektivin për koncesionin e Vilmës, gjobiten mjekët, ndërsa për punën ekstra që bëjnë mjekët për koncesionin e Vilmës, nuk paguhen ekstra. Ky është standardi që keni vendosur ju: mjekun, publikun, taksat e publikut i vini në shërbim të Vilmës ose të ‘vilmave’, sepse kështu janë të gjitha koncesionet që keni bërë. Nuk lejuat që ai komision të kishte një raport që ky Kuvend ta votonte, sepse donit me çdo kusht të fshihnit përgjegjësinë e Edi Ramës, të Ilir Beqajt e të gjithëve me radhë, që nga ish-drejtorët e QSUT-së, të cilët kanë vënë dorën, firmën apo kanë mbyllur sytë në disa raste, kur e dinin se çfarë po bënin me këto dy koncesione.  Në interpelancën e arsimit fola në lidhje me urgjencat dhe mora rastin e urgjencës që ndodhi me të voglin, Martin Cani.

E mora atë rast, sepse është një problem shumë serioz, të cilin ia kërkojmë ministrit ta ndryshojë. Është një urdhër i lëshuar nga zonja Manastirliu, kur ka qenë ministre e Shëndetësisë, që çdo urgjencë duhet të shkojë në Spitalin e Traumës, dhe jo vetëm kaq, zonja Ministre, por edhe për ato urgjenca, larg qoftë të kesh një thikë në zemër, duhet të shkosh prapë në Spitalin e Traumës, edhe pse në këtë spital nuk ka kardiokirurgë. Nëse ti pëson një traumë në zemër, duhet të të dërgojnë në Spitalin e Traumës, ku nuk ka as pajisje për zemër dhe mushkëri, as kardiokirurgë. Kjo nuk është të kesh interesin e qytetarëve; kjo është të marrësh disa urdhra, që janë bërë nga njerëz të paaftë dhe t’i lësh aty pa i ndryshuar, sepse jeni duke u marrë me fushatën. Mos u merrni me fushatën, por merruni me detyrat që keni dhe merrni taksat e shqiptarëve. Po ashtu, ka një urdhër tjetër që lidhet me urgjencat kirurgjikale dhe është vendosur që ditën e hënë do të shkohet në QSUT, ditën e martë tek Trauma, ditën e mërkurë tek Trauma, ditën e enjte në Sanatorium, ditën e premte, të shtunë dhe të diel në QSUT. Nëse ke apendicit dhe je ndjekur me një doktor apo profesionistë të asaj fushe, të cilët janë në QSUT, do të të çojnë në Sanatorium, nëse të ndodh të enjten, sepse kështu e ka vendosur ministrja. A ka mundësi të mos bëni pingpong me jetët e njerëzve? A ka mundësi që shëndetësinë ta merrni si prioritet dhe denoncimet publike, të bëra nga gazetarë kurajozë, por edhe nga përfaqësues të opozitës. t’i merrni parasysh? Nëse këto gjëra nuk i dini apo nuk i keni vënë re si probleme, sepse ju janë dukur si normalitete, të paktën, kur viheni në dijeni, reagoni dhe ndryshojini këta dy urdhra për t’i bërë më efektivë në lidhje me shëndetin e qytetarëve.  

Shumë faleminderit!