Fjala në Kuvend, ndërhyrje për procedurë dhe sqarim në lidhje me nismën ligjore / 19 shkurt 2026

Për aq kohë sa tjetërsohet fjala dhe qëllimi i projektligjit, patjetër që duhet ta sqaroj që, kur të votojnë, të jenë të qartë për atë që po votojnë. Të paktën unë bëj detyrën time, ata të votojnë si të duan.  I gjithë diskursi që mbajti zotëria Kurti, ishte sikur ne po flisnim për ndonjë fabrikë tullash  dhe thoshte: “Fabrika duhet dhënë me koncesion, se privati di të bëjë më mirë marketing, se privati fiton më shumë”. Ne këtu nuk po flasim për mall tregtar; nuk po flasim as për fabrika, as për uzina, por po flasim për trashëgimi, dhe trashëgimia kulturore nuk trajtohet nga Kushtetuta e 

Republikës së Shqipërisë si mall tregtar. 

Jam shumë e lumtur që erdhi zoti Gonxhja, i cili ka qenë në Komisionin e Kulturës dhe ka mbajtur një qëndrim, duke thënë: jam dakord që shteti duhet të jetë garant dhe duhet të jetë mazhoritar në fondacionet publike për menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Atë që e ka thënë me fjalë atje, uroj t’ua thotë sot kolegëve të mazhorancës që të votojnë pro projektligjit, që të jenë gjithmonë fondacione publike, ku Ministria e Kulturës të ketë minimalisht 51% dhe privati të ketë pjesën tjetër.  

Të dëgjojmë këtu retorikë sikur po flasim për ndonjë fushë të sipërmarrjes tregtare, që ne po ndalojmë privatin dhe ne po bëhemi pengesë, kjo është pastaj të vësh duart në kokë! Kushtetuta ka vendosur disa limite, dhe nuk mund të thuash: hajdeni ta japim flamurin me koncesion, se mbase na bën një flamur më të bukur Versace; hajdeni t’ia japim Policinë e Shtetit privatit, se mbase kanë kapacitet për të bërë reklama më të bukura. Pra, ka disa limite që i ka vendosur Kushtetuta. Trashëgimia dhe identiteti është një nga limitet që ka vendosur Kushtetuta. 

Të nderuar kolegë, nëse i keni fjalimet apo qasjen që kontrata, që kanë vendosur në rastin e caktuar Butrintin apo tjetrin, është më e rëndësishme dhe, përderisa neve nuk na ka dalë një problem te kontrata, jemi të lumtur, unë mendoj se nuk mund të ekzistojë asnjë kontratë mbi Kushtetutën, edhe ligji vetë nuk është mbi Kushtetutën. Ndaj ju ftoj që ta çojmë këtë ligj dhe ta bëjmë kushtetues, sepse do të ishte në nderin e secilit prej kolegëve.