Replikë në Kuvendin e Shqipërisë me ministrin Blendi Gonxhe për projektin TID të AADF-s në Durrës / 19 Shkurt 2026

Faleminderit, i nderuar Kryetar! 

Fillimisht prisja nga ministri të mbante një qëndrim në lidhje me projektligjin, meqenëse është një projektligj në fushën e përgjegjësisë së ministrit. 

Sa i përket projektit TID, zoti ministër, e kemi diskutuar edhe në interpelancë, edhe në dëgjesën që kemi pasur në komision dhe keni thënë që do ta rishikoni projektin. Nuk e keni rishikuar. Keni shkuar te banorët për t’u thënë të pranojnë kushtet e dorëzimit dhe diskutimi me banorët ka qenë: hajt t’u japim diçka më shumë! 

Ndërkohë, aty bëhet fjalë pikërisht për identitetin e qytetit të Durrësit, bëhet fjalë për shtëpi në të cilat nuk është vënë një gozhdë, zoti Gonxhe, sepse ishin në zonë konservimi. Pra, ato shtëpi, ku nuk lejohej të vihej një gozhdë pa lejen e qeverisë dhe të Ministrisë, sot do të shemben. Ma shpjegoni dot se çfarë logjike ka kjo, që ato nuk paskan vlera! Si paskan pasur vlera këta 200 vjetët e fundit dhe nuk kanë tani?! Ato nuk janë shtëpi që u ndërtuan tani, nuk janë banesa që nuk përfaqësojnë asgjë, janë identiteti dhe historia e Durrësit. Procesi sigurisht nuk është bërë, sepse unë kam shkresën nga Ministria juaj ku më thoni se keni konsultuar veten, keni konsultuar muzeun, keni konsultuar Institutin që keni në varësi, keni konsultuar Shoqatën e të Verbërve, por nuk është ky procesi i konsultimit. Kur prishen banesat, konsultohen personalisht ata që janë të prekur nga projekti, thuhet në një ligj tjetër që lidhet me shpronësimet për interes publik. Siç i gjetët njerëzit për t’u çuar letrën në shtëpi se do të shembet shtëpia, t’i kishit gjetur ata për t’u konsultuar. Nuk ka ndodhur në ndonjë vend normal apo në ndonjë qytet normal që Bashkia të mos bëjë një plan të përgjithshëm dhe të detajuar vendor, se si do të ndërtohet dhe do të zhvillohet qyteti, por të jetë një organizatë, të jetë një OJF që vendos se si do të organizohet qyteti. Këtë i keni bërë Shqipërisë ju.  

(Bie gongu.) 

Niko Peleshi – Ta mbarojë fjalinë. Ina Zhupa –  Ju e keni përçudnuar çdo gjë dhe çdo ligj, ndaj do t’ju lutesha në emër të banorëve, por edhe në emër të Komisionit të Kulturës, meqenëse aty ka identitet, kulturë dhe histori, ta rishikoni projektin dhe ta bëni atë pikërisht siç i keni vënë emrin, që të shërbejë për turizmin, sepse kështu nuk u shërben fare as turizmit, as Durrësit, as banorëve dhe as interesit publik. 

Faleminderit!