Fjalim në Kuvend, prezantimi i nismës ligjore për mesuesit, ligji “Për    arsimin    parauniversitar     në Republikën e Shqipërisë”./ 19 Shkurt 2026

Propozimi im ligjor ka të bëjë me një çështje, që prek drejtpërdrejt 11 mijë e 172 mësues të arsimit parauniversitar në Shqipëri.  

Shkurtimisht: të gjithë deputetët që kanë shkuar në zonat e tyre elektorale me siguri janë takuar me mësues, të cilët ankohen për heqjen e pagës së kategorisë, si pasojë e një vendimmarrjeje të qeverisë në qershor të vitit 2024. Këta mësues ishin kualifikuar…  (Ndërhyrje pa mikrofon.) 

Zoti Braçe, ju i tërhoqët vëmendje Meritës kur po flisnit, ndërsa kur flasin të tjerët, jeni i pari që ndërhyni. Kështu që, na lini ta prezantojmë.Ata mësues që ishin diplomuar para sistemit të Bolonjës e përfitonin  pagën e kategorisë njësojsi kolegët që ishin diplomuar pas sistemit të Bolonjës.

Shkurtimisht, më lejoni t’u shpjegoj kolegëve si ishte situata dhe si u transformua ajo nga një vendimmarrje e qeverisë dhe e ministres së asaj kohe, zonjës Ogerta Manastirliu.

Kuvendi ka miratuar në vitin 2012 ligjin nr. 69/2012    “Për    arsimin    parauniversitar     në Republikën e Shqipërisë”. Më pas është miratuar vendimi nr. 175 i vitit 2017 i Këshillit të 

Ministrave “Për trajtimin me pagë dhe shtesa të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”. Në pikën 3 të asaj VKM-je përcaktohej struktura e pagës mujore, e cila përbëhej nga: paga e grupit; niveli arsimor, që varionte nga 10 mijë lekë deri në 14 mijë lekë; shtesa për vjetërsi pune; shtesa për kualifikim; shtesa e pozicionit. 

Në atë moment të gjithë e merrnin pagën e kategorisë në mënyrë të barabartë, pra, si ata që kishin përfunduar studimet para sistemit të Bolonjës, edhe ata pas sistemit të Bolonjës. Madje arsyetimi ishte i tillë: sipas këtij vendimi punonjësit aktualë mësimorë, edukatorë, të cilët zotërojnë diplomë të ciklit të parë të studimeve baçelor ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, deri në datën 1 mars të 2017-ës kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 mijë lekë.  

Këtyre punonjësve arsimorë, me një të rënë të lapsit, në qershor të vitit 2024 me VKM-në nr. 425 “Për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të punonjësve arsimorë dhe punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, iu ul kjo pagë me 4 mijë deri në 5 mijë lekë të rinj. Pra, çdo mësuesi iu hoq çdo muaj 50 mijë lekë të vjetër, ndërkohë që ata vazhdonin të jepnin mësim në të njëjtat klasa, me të njëjtat aftësi pedagogjike si më parë, por trajtoheshin ndryshe nga kolegët e tyre, sepse kështu vendosi qeveria. 

Ndërkohë, ligji “Për arsimin parauniversitar”, ai që citova më sipër, e parashikonte dhe vijon ta parashikojë edhe sot këtë dispozitë. Në nenin 72, pika 6, përcaktohet: personelit mësimdhënës që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta pedagogjike, diploma e përfituar i njihet si arsim i lartë me tetë semestra për efekt page. Gjithashtu, jepeshin edhe sqarimet për mënyrën e ekuivalentimit të kësaj diplome me master shkencash ose me master profesional. 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, por edhe mësuesit shqiptarë dërguan kërkesa dhe ankesa në Ministrinë e Arsimit, e cila asokohe drejtohej nga zonja Ogerta Manastirliu. Ata ndërtuan një urë komunikimi edhe me 

Komisionin e Edukimit, që në atë kohë drejtohej nga unë, ku kërkuan zhvillimin e seancave dëgjimore me ministren për ta zgjidhur këtë situatë. 

Dua ta nënvizoj, kjo situatë u krijua me vullnetin e qeverisë për t’u hequr mësuesve një të drejtë të fituar, nuk erdhi as si pasojë e mungesës ligjore, as për shkak të ndonjë uljeje të profesionalizmit të tyre, as nga ndonjë rregull ndërkombëtar apo europian, por thjesht si pasojë e një vullneti qeveritar për t’u hequr pagesën mësuesve. 

Kërkesat e tyre u injoruan, protestat e tyre u injoruan. Kanë protestuar edhe para Kuvendit, kanë protestuar edhe në rrethet e tyre, kanë protestuar edhe para Ministrisë së Arsimit, por të gjitha u injoruan.  

Dëgjesat që bëri Komisioni i Edukimit jo vetëm që nuk sollën zgjidhje, por ministrja e asaj kohe, Ogerta Manastirliu (ftoj kolegët të shikojnë procesverbalin e datës 12.11.2024 të Komisionit të Edukimit), ka ardhur dhe ka mbajtur këtë qëndrim, që ka bërë shumë mirë që ua ka hequr pagesën e kategorisë, sepse kështu mësuesit barazoheshin me nëpunësit e administratës civile. Në këtë mënyrë e mbronte këtë padrejtësi ndaj mësuesve, duke thënë: ne tani u kemi rritur pagat e mësuesve. Ndërkohë, rritja e pagave ishte totalisht në raport të zhdrejtë me fuqinë blerëse që kishin mësuesit dhe me atë që nuk kishin marrë për 13 vjet nga qeveria shqiptare. Në krahasim me atë që merrnin, nuk ishte ndonjë favor i madh për mësuesit, por, përsëri, edhe me këtë rritje, që thoshte qeveria, ata nuk trajtoheshin në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre. Nëse një koleg i tyre, që jepte në të njëjtat klasa paralele të njëjtën lëndë, merrte 850 mijë lekë të vjetër, ai ose ajo merrte 800 mijë lekë të vjetër. Pra, u kishte ulur, pikërisht, pagesën e kategorisë. Kjo gjë atyre u ndikonte jo vetëm në masën e pagës mujore, sepse janë shumë të rëndësishme për çdo shqiptar 50 mijë lekë në muaj, sidomos për mësuesit, por u ndikonte drejtpërdrejt edhe në masën e pensionit që do të merrnin. 

Kini parasysh që këta janë njerëzit më të vjetër në sistem, prandaj janë shkolluar përpara sistemit Bolonjës, shumë prej tyre mund të jenë më me eksperiencë në sistem, madje një pjesë e tyre janë edhe në prag të pensionit; vitet e fundit merreshin si referencë për masën e pensionit. Pra, ti jo vetëm i dëmtove në pagën që merrnin në mënyrë të përmuajshme, por i dëmtove përjetësisht edhe në masën e pensionit, që më pas do të jetë pension referencial për çdo rritje, për çdo indeksim që do t’i bëhet masës së pensionit. 

Të vënë përpara kësaj situate, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, me përfaqësuese kryetaren, zonjën Alma Lame, e mbështetur edhe nga opozita, ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e VKM-së, pasi binte në kundërshtim me ligjin e arsimit parauniversitar. E nënvizoj këtë fakt, sepse qeveria vazhdoi dhe insistoi, shkoi si palë kundër mësuesve në Gjykatën Kushtetuese, e bindur për t’ua marrë domosdoshmërisht ato para mësuesve shqiptarë.  

U zhvillua seanca dhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ishte 4 me 4. 4 me 4 ka qenë luksi i qeverisë dhe i mazhorancës, sepse nuk kanë pasur ndonjëherë shqetësim me 4 me 4, derisa ndodhi çështja “Balluku”, sepse 4 me 4 do të thoshte që rrinin në fuqi ligjet e Parlamentit, VKM-të e qeverisë, dhe ju ishit shumë të lumtur. Edhe në këtë rast, po ashtu, ishit shumë të lumtur që e fituat betejën kundër mësuesve dhe qëndronte në fuqi VKM-ja juaj. Në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese ata i ftonin mësuesit që të advokonin te ligjvënësi, në rastin tonë te ne, për të ndryshuar ligjin e arsimit të lartë dhe për t’i lejuar ata që diploma e tyre jo vetëm të ishte e barasvlershme me sistemin pas Bolonjës, por edhe të kishin mundësi të avanconin në karrierën e tyre dhe të trajtoheshin nga sistemi në mënyrë të barabartë. Pikërisht, këtë rrugë zgjodhën dhe, në konsultim me mua, kemi ardhur te ky projektligj. 

Ky projektligj ndryshon vetëm një nen në ligjin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë, nenin 124, ku pas pikës 4, shtohet pika 4/1 me këtë përmbajtje, që po jua citoj: “Personat e diplomuar në programe studimi të përfunduara para përshtatjes së tyre, sipas parimit të Bolonjës, trajtohen nga ana administrative-financiare sipas nivelit të diplomës që kanë pasur para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo përfshin diplomat e programeve 3-vjeçare, 6 semestra, që njihen si baçelor dhe master profesional me 60 apo 90 kredite, të cilat vazhdojnë të njihen dhe të trajtohen si diploma të nivelit të dytë për qëllime klasifikimi, pagese dhe avancimi në karrierë.”  

Kjo, në fakt, do ta zgjidhte përfundimisht çështjen. Për këtë arsye është zgjedhur nga vetë mësuesit, përmes sindikatës së tyre, që të përdoret ligji i arsimit të lartë, sepse do ta zgjidhte përfundimisht një problem të krijuar jo për fajin e tyre. 

Në Shqipëri ai ka qenë sistemi arsimor; ato kanë qenë kurrikulat më të avancuara për kohën, para sistemit të Bolonjës, dhe mësuesit nuk mund të konsiderohen të ndryshëm, sepse kjo nuk ka ndodhur për faj të tyre, sikur nuk kanë përfunduar ciklet e plota, ndërkohë që kanë marrë arsimin e lartë më të mirë për kohën. 

Në këtë aspekt, ne mendojmë dhe gjykojmë se, duke u rregulluar ky ligj, ata që sot janë të privuar nga trajtimi financiar dhe avancimi në karrierë, të kenë mundësi të trajtohen njësoj si kolegët e tyre. Në këtë mënyrë ne adresojmë një shqetësim të drejtpërdrejtë të mësuesve, që nuk janë pak, por 1/3-ta e atyre që janë në sistemin parauniversitar, duke marrë parasysh që bëhet fjalë për rreth 30 mijë mësues, nga të cilët 11 mijë e 172 janë prekur nga pagesa e kategorisë. 

Në këtë mënyrë ne do të vlerësonim eksperiencën e tyre të gjatë në edukimin e brezave, kontributin e tyre të çmuar profesional në sistemin arsimor, si dhe do t’i garantonim ata që do të trajtohen në mënyrë të barabartë, jo diskriminuese, me meritokraci dhe do të kishin mundësi të kontribuonin në sistem me dinjitetin që u takon. Kini parasysh se, në të kundërt, nëse ndërhyhet ashtu siç parashikon nisma paralele e zonjës Kushi, dhe më lejoni të ndalem këtu për disa sekonda… Grupi i Partisë Socialiste me sa duket ka marrë vendim që të mos miratojë asnjë nismë të opozitës, çfarëdo nisme që ajo të paraqesë. Këtë ma pohoi me gojën e tij kryetari i Komisionit të Ligjeve, të cilin e vlerësoj për sinqeritetin, pasi ishte i vetmi që u tregua i sinqertë. Ai tha se nuk kishte nevojë për debat në komision dhe nuk lejoi zhvillimin e një diskutimi (në fakt, unë u revoltova pse nuk e lejoi zhvillimin e një debati në Komisionin e Ligjeve), dhe u shpreh se nuk kemi nevojë për debat, sepse projektligji është shumë i mirë, por ne do ta bëjmë vetë. 

Në fakt, sinqeriteti i tij e dëmton parlamentarizmin, sepse parlamentarizmi nuk ka kuptim nëse ligjet i harton vetëm mazhoranca. Atëherë çfarë kuptimi ka e drejta e deputetit për të propozuar ligje? Por të paktën nuk pati hipokrizinë e kolegeve Manastirliu dhe Kushi, të cilat u përpoqën të shpiknin çdolloj gjëje për të thënë se ky projektligj nuk vlente. Atyre u binte në kundërshtim fjalia e parë me të dytën me atë që thoshin. Si përfundim, rezultati ishte i njëjtë me atë të Komisionit të Ligjeve, por nivelet i sinqeritetit ishin të ndryshme. 

Kështu që, në këtë aspekt, mos kini asnjë kompleks për të votuar një projektligj të deputetëve të opozitës, sepse është një projektligj që u shërben mësuesve, sistemit arsimor, por edhe fëmijëve. Mësuesit e motivuar dhe me një trajtim financiar më dinjitoz, janë mësuesit që krijojnë një klimë më të mirë dhe më motivuese për nxënësit shqiptarë. 

Në qoftë se ju sot tërhiqeni dhe dëshironi ta ndryshoni një vendim që e keni marrë vetë, kjo përsëri është meritë e mësuesve dhe meritë e opozitës, sepse, nëse ju do t’ua donit të mirën atyre, nuk do të ishim në këtë situatë, ku na është dashur të kalojmë nëpër protesta, kërkesa, Gjykatë Kushtetuese dhe tani të paraqesim një projektligj, vetëm për shkak të vullnetit tuaj për t’u hequr mësuesve një të drejtë të fituar. Për ta mbyllur prezantimin, ju them me bindje të plotë se projektligji i propozuar synon të mishërojë edhe parimet e Kushtetutës së një shteti të së drejtës dhe të sigurisë juridike, duke siguruar moscenimin e të drejtave të fituara nga profesionistët e sistemit parauniversitar. Ata profesionistë do të marrin një të drejtë që e kishin fituar më parë. Do të ishte në dinjitetin tuaj jo vetëm që ta votoni, por të përgatisni edhe një VKM, që përcakton se nga qershori e deri tani, kohë që ata nuk kanë marrë pagesën e kategorisë, të ripaguhen, në mënyrë që të mos mbajnë kostot e vendimmarrjeve tuaja të pakonsultuara, vendimmarrjeve tuaja antimësues dhe vendimmarrjeve tuaja që nuk i kanë shërbyer kurrë sistemit arsimor në Shqipëri. Ky është rasti që të mbani një qëndrim, duke filluar që sot, duke votuar pro mësuesve. Nuk votoni pro meje; votoni pro mësuesve, votoni pro një sistemi arsimor, që i shërben me dinjitet mësuesve më të vjetër në sistem. 

Shumë faleminderit!