Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Merreni me qetësi, merreni me qetësi, se është çështje e rëndësishme! Faleminderit, e nderuara drejtuese e seancës!
Kam kënaqësinë që pas tre vjetëve të prezantoj nismën ligjore për trashëgiminë kulturore. E kam depozituar këtë nismë që në legjislaturën e kaluar, ju e latë në sirtarët e Kuvendit, dhe tani me legjislaturën e re kemi mundësinë ta prezantojmë.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Të paktën tani do t’i diskutojmë, pavarësisht se ju e keni shpallur që çdo iniciativë të opozitës do ta votoni kundër.
Pse lindi nevoja për këto propozime në ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”?
Ligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” është bërë në vitin 2018, dhe gjatë kohës së diskutimeve për marrëveshjen koncesionare të Butrintit dhe shqyrtimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, zoti Malaj, vumë re se ligji bazë ishte ligj antikushtetues, por afati dyvjeçar 20182020, brenda të cilit mund të shkonim në Gjykatën Kushtetuese për ligjin, kishte kaluar. Kësisoj, ishte e pamundur që Gjykata Kushtetuese të gjykonte mbi antikushtetutshmërinë e këtij ligji bazë. Gjykata, me marifet, edhe me ndihmën e asaj që ju sot do ta çoni në Bankën e Shqipërisë me një votim pesë me katër, ku vota e saj ishte determinuese, e qokën do t’ia shpërbleni sot, pra Gjykata Kushtetuese tha se marrëveshja është në përputhje me ligjin, pavarësisht se ligji vetë është në kundërshtim me Kushtetutën.
Nisur nga ky aspekt, unë kam ardhur të rregulloj ligjin dhe ta bëj në përputhje me Kushtetutën, me qëllim që në fushën e trashëgimisë kulturore të mos kemi më marrëveshje antikushtetuese.
Çfarë thotë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë? Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë deklaron që në preambulën e saj, vetëdijen për historinë tonë, përgjegjësinë për të ardhmen dhe aspiratën e popullit shqiptar për identitetin dhe Bashkimin Kombëtar. Në nenin 3 të saj,
Kushtetuta paracakton se në bazat e këtij shteti, të cilat ka për detyrë t’i respektojë e t’i mbrojë, përfshihet identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare.
Në nenin 4 të saj, Kushtetuta sanksionon parimin e shtetit të së drejtës, një nga parimet më themelore e më të rëndësishme të shtetit e të shoqërisë demokratike, mbi bazën e së cilës duhet të funksionojë i gjithë shteti.
Këto parime të Kushtetutës e detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë, që përgjegjës për trashëgiminë kulturore të jetë vetë shteti.
Ligji aktual i jep mundësi çdo privati, që të jetë mbi shtetin në administrimin e trashëgimisë kulturore. Rasti është Butrinti. Mbi shtetin ADFja, mbi shtetin Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, mbi shtetin çdo privat. Rasti i dytë është BID-i në Durrës, mbi shtetin përsëri ADF-ja. Kjo është e ndaluar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që thotë se garant për identitetin dhe trashëgiminë duhet të jetë vetë shteti.
Në vendimet e saj të mëparshme në lidhje edhe me Teatrin Kombëtar, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar njëzëri se trashëgimia kulturore është pjesë e trashëgimisë së popullit dhe përbën kujtesën e prekshme e të paprekshme të asaj që njeriu ka krijuar dhe krijon për pasardhësit e tij. Gjithashtu, ajo quhet dëshmi materiale që ka vlerën e civilizimit dhe bën pjesë në trashëgiminë kombëtare të një shteti, duke reflektuar jetën e komunitetit, atë që ju doni të shkatërroni në qytetin e Durrësit, historinë, identitetin, si dhe lidhjen e së shkuarës me të tashmen e me të ardhmen. Konsiston në manifestimin e jetës njerëzore, dëshmon vlerat, besimet, historinë, traditat e një vendi, duke u dhënë qytetarëve ndjesinë e përkatësisë në një popull, që më pas lidhet me identitetin kombëtar.
Trashëgimia kulturore, të dashur kolegë, nuk është mall tregu. Kolegët socialistë në Komisionin e Kulturës u shprehën – dhe unë videon e kam bërë publike – se dakord, mund të jetë shteti, por nuk mund t’ia presim rrugën privatit, sepse rast pas rasti mund të jetë privati që të mund të marrë mbi shtetin.
Jo. Kushtetuta nuk zbatohet me raste. Kushtetuta nuk zbatohet part-time, që në disa raste, kur kemi interesa klienteliste ia japim një klienti, një lobuesi të huaj apo shqiptar, ndërsa në raste të tjera do ta respektojmë Kushtetutën.
Ky ligj vendos një standard, që asnjë qeveri nesër, që asnjë ministër nesër, që asnjë interes klientelist nesër të mos e përdorë trashëgiminë kulturore si mall tregtar, për t’ia dhënë një privati, cilido qoftë ai privat. Kushtetuta vendos edhe një detyrim tjetër, të nderuar kolegë. Në nenin 5 të saj vendos që çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar, bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe duhet të zbatohet drejtpërdrejt. Pse e them këtë? Sepse një marrëveshje e ratifikuar nga shteti shqiptar, që përbën detyrim për zbatim, është Konventa e Parisit e vitit 1972. Merreni e shikojini raportimet e qeverisë shqiptare e të Këshillit të Ministrave, të kohës kur keni miratuar ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” në 2018-ën. Nuk e përmend në relacion dhe nuk e ka futur në tabelën e përputhshmërisë Konventën e Parisit. Kjo, sepse ligji nuk ka qenë në përputhje me Konventën e Parisit. Shikojini relacionet, sepse i keni të disponueshme edhe online. Në nenet e Konventës së Parisit thuhet në mënyrë specifike, ndaj më lejoni të citoj nenin 4: “Cilido shtet, palë në këtë konventë pranon se detyra e identifikimit, mbrojtjes, konservimit, prezantimit, transmetimit te brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore e natyrore i përket atij shteti.”
Pra, është detyra e shtetit të mbrojë trashëgiminë kulturore e natyrore.
Në nenin 5 të kësaj konvente parashikohen në mënyrën më eksplicite të gjitha detyrat menaxheriale që duhet të ketë shteti palë: adoptimin e politikave të përgjithshme, integrimin e mbrojtjes së trashëgimisë në programe planifikimi, ngritjen e shërbimit për mbrojtjen, konservimin, prezantimin, pajisjen e tyre me personel, zhvillimin e metodave operacionale, të cilat e aftësojnë shtetin për t’u përballur me rreziqe të mundshme ndaj trashëgimisë.
Po ashtu në nenin 6/3 të konventës përcaktohet roli unik, dhe thuhet se çdo shtet palë zotohet të mos marrë asnjë masë të qëllimshme, që mund të dëmtojë direkt apo indirekt trashëgiminë e vet kulturore.
Ne nenin 29 përcaktohet detyrimi i shteteve palë për të qenë raportuese në UNESCO. Në UNESCO nuk raporton privati, por në UNESCO shkon shteti për të raportuar në lidhje me gjendjen e trashëgimisë kulturore, pasi është detyra e shtetit që duhet të garantojë trashëgiminë.
A e ka Konventa e Parisit, a e ka bota privatin pjesë të ndërthurur të fondacioneve për trashëgiminë? Po, e ka. Konventa i ka parashikuar dhe i njeh fondacionet pikërisht ashtu siç i parashikoj unë në ndryshimet e mia ligjore. Shteti mund të krijojë fondacione, thotë Konventa, thotë edhe projektligji im, por ato duhet të jenë publike. Kjo do të thotë se shteti duhet të ketë të paktën 51% të aksioneve brenda fondacioneve, ndërsa deri 49% mund të jenë pjesë e privatit. Sipas Konventës së Parisit privati mund të ketë çdo masë, po kurrsesi nuk mund ta tejkalojë shtetin.
Të nderuar kolegë, sidomos ju të mazhorancës, ju lutem më gjeni një model në botë, në gjithë botën demokratike ose jo, ku privati dominon mbi shtetin në lidhje me trashëgiminë kulturore. Keni modele shumë të mira të fondacioneve publike, modele të fondacioneve në Itali, modele të fondacioneve në Francë, që administrojnë duke filluar nga Versaja, në Pompei e muze të tjerë, ku shteti është garantor, ndërsa privati është pjesë minoritare e këtyre fondacioneve, për të dhënë donacione, po edhe për të mbikëqyrur paranë që jep vetë. Ky është modeli më i mirë, ku unë ftoj të marrin pjesë në lidhje me trashëgiminë shqiptare jo vetëm ADF-në, por edhe dhjetë fondacione, që patjetër të jenë pjesë e fondacioneve. Por nëse ata do të kenë dhjetë anëtarë në bord, shteti shqiptar duhet të ketë njëmbëdhjetë. Nëse ata do të jenë 200 donatorë, shteti shqiptar duhet të jetë 201. Sepse shteti shqiptar, të nderuar kolegë, jo vetëm që e ka detyrim kushtetues, por edhe po të bëjmë logjikë ekonomike, shteti shqiptar jep pasurinë e vet kulturore, shteti shqiptar futet në këtë ndërmarrje të përbashkët duke dhënë një vlerë të paçmueshme. Kush mund ta krahasojë Butrintin me 10 milionë dollarë? Butrinti është qindra milionë euro, vlera e tij është e paçmueshme, ndërkohë që 10 milionë dollarët që jep fondacioni janë minimale për të marrë shumicën në administrimin e Butrintit. Të njëjtën gjë me Amfiteatrin e Durrësit apo kudo tjetër. Gjithmonë vlera e trashëgimisë kulturore është shumë më e lartë edhe ekonomikisht, sesa vlera në parà që mund të japë donatori. Pra, edhe sipas logjikës ekonomike, privatit nuk i takon të jetë aksioner mazhoritar në fondacione të krijuara për trashëgiminë kulturore. Nga ana tjetër, ky ndryshim i mbyll rrugën një modeli të keqmenaxhimit të parasë publike. Trashëgimia kulturore prodhon edhe parà. Biletat në Butrint prodhojnë parà. Aktivitetet në Butrint prodhojnë parà. Këto parà janë pasuri e popullit shqiptar, sepse kjo është një pasuri publike. Ka një dallim shumë të thellë midis pasurisë shtetërore, të cilën shteti shqiptar e jep edhe me koncesion kur e sheh se e administron pasurinë private dhe pasurinë publike më mirë privati, dhe përfiton më shumë; sa i takon pasurisë publike në rastin tonë, pra trashëgimisë publike, nuk mundet që paratë e prodhuara prej saj, por edhe mënyra se si administrohet, të hiqet nga kompetencat e
Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në momentin kur fondacionet e krijuara për menaxhimin e këtyre trashëgimive kulturore, e këtyre siteve kulturore, kanë dominancë privatin, ty të hiqet menjëherë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo sepse sipas Kushtetutës dhe ligjit Kontrolli i Lartë i Shtetit mund të auditojë ato që janë me shumicë shtetërore. Sot që ne flasim, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk auditon fondet, paratë e Butrintit. Kështu pritet të ndodhë edhe me Amfiteatrin e Durrësit.
Pra, pse për pasurinë tonë kombëtare ato parà të mos shkojnë në buxhetin e shtetit? Pse paratë e pasurisë sonë kombëtare të mos jenë të auditueshme, por të ngelen në dorën e privatit? Tenderat që bën privati në trashëgiminë tonë kulturore, janë po ashtu privatë, të padetyruar për të kaluar nëpërmjet Agjencisë së Prokurimeve Publike, të padetyruar për t’u kontrolluar dhe për të ndjekur rregullat e shtetit, sepse e keni shndërruar pasurinë publike në private.
Nga ana tjetër, për herë të parë me ligjin, që e keni lënë ju me qëllim evaziv për t’i lejuar vetes atë që thoshte kolegu socialist, që ta gjykoni ju rast pas rasti, keni krijuar një absurd, ku administrimi i pasurisë kombëtare bëhet nga një entitet i së drejtës private. Administrimi i një pasurie kombëtare, subjekt i të drejtës publike, kalon në krijimin e një subjekti të së drejtës private, i cili nuk garanton urdhërimin kushtetues dhe as detyrimet e marra përsipër ndërkombëtarisht nga shteti shqiptar, ndaj edhe Konventa e Parisit e ka vendosur në nenin 17 që duhej të ishin vetëm me qëllim mbledhjen e donacioneve dhe financimeve, sepse krijoni një handikap që nuk është dëgjuar ndonjëherë në botë. Për këtë arsye edhe shtetet e tjera nuk e kanë këtë gjë dhe nuk marrin përsipër që të krijojnë modele, të cilat e dëmtojnë drejtpërdrejt identitetin kombëtar. Së treti, të nderuar kolegë, Gjykata Kushtetuese vëren se identiteti kombëtar mbrohet edhe në nenin 14 të Kushtetutës, ku parashikon disa veçori dhe simbole, të cilat përbëjnë identitetin kombëtar dhe janë produkte që duhet të ruhen nga shteti shqiptar.
Të nderuar kolegë, me konventën kuadër të Këshillit të Europës “Për vlerën e trashëgimisë kulturore për Shqipërinë”, datë 27 tetor 2005, e nënshkruar nga shteti shqiptar më 27.10.2005, në preambulën e saj ka theksuar se vlerat dhe potenciali i trashëgimisë kulturore duhet të përdoren me mençuri nga shtetet, pasi janë burim i një zhvillimi të qëndrueshëm dhe i cilësisë së jetës në një shoqëri në zhvillim të vazhdueshëm, që përbën edhe një nga qëllimet e kësaj konvente. Kjo konventë është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në kohën e Partisë Demokratike në vitin 2005, kur zoti Leskaj ka qenë ministër, dhe një nga qëllimet e kësaj konvente shumë të rëndësishme është respektimi i integritetit të trashëgimisë kulturore, duke siguruar që vendimet për ndryshimet e tyre të merren përmes një procesi gjithëpërfshirës, i cili parashikon edhe shoqëri brenda mënyrës sesi do të administrohet trashëgimia kulturore. Pra, arrihet deri aty, sa nëpërmjet kësaj, madje ka vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që thonë se trashëgimia kulturore hyn tek të drejtat e njeriut, aksesi që ka qytetari në trashëgiminë e vet kulturore, sesi mund ta përdorë trashëgiminë e vet kulturore. Të dashur kolegë, besoj se e dini që, nëse je qytetar i Romës, në muzetë e Romës, në Kolose dhe kudo tjetër hyn pa para, sepse është pasuri e tyre, ndërsa në Butrint jo vetëm qytetarët e Sarandës dhe qytetarët e zonës nuk hyjnë falas dhe as nuk u shkon në mend të hyjnë falas, por as institucionet shtetërore, që me status të veçantë do të duhet ta mbikëqyrin Butrintin, nuk hyjnë dot. A e dini ju, të nderuar kolegë, në çfarë paradoksi jemi ndodhur ne si komision përgjegjës për kulturën kur donim ta thërrisnim dhe e kemi thirrur AADF-në në dëgjesë për projektin “TID”?! AADF-ja na ka kthyer përgjigje që nuk do të vijë. Më thoni çfarë mekanizmi ka Kuvendi i Shqipërisë që ta thërrasë në dëgjesë të detyrueshme për trashëgiminë e shtetit shqiptar një fondacion privat?! Zero, s’ka asnjë mekanizëm! Ne nuk e thërrasim dot për “TID”-in, sepse s’do; ne nuk e thërrasim dot për Butrintin, sepse s’do. Pra, Kuvendi, që ka për detyrë rolin e vet mbikëqyrës, kontrollues; Komisioni i Kulturës, që duhet të jetë komisioni garant për trashëgiminë kulturore, nuk thërret dot ata që e administrojnë; ata që bëjnë projekte; ata që kanë në dorë trashëgiminë tonë kulturore, sepse mendojnë se janë Zot, të paprekshëm, sepse u keni dhënë me ligj prerogativa të çuditshme, të cilat nuk mund t’i marrin dot as në Amerikë, sepse amerikanët (ka kolegë këtu që e lidhën me Amerikën) kanë një model të jashtëzakonshëm të mbrojtjes së parqeve të tyre kombëtare dhe nuk e lejojnë ata. Ata e zbatojnë Konventën e Parisit dhe nuk lejojnë që parqet e tyre kombëtare të jepen me koncesion. Pikërisht këtë model kërkojmë edhe ne: një model të UNESCO-s, të amerikanëve, të europianëve, të italianëve, pra çfarë të doni ju. Ne nuk mund të jemi eksperimenti i botës për interesa klientelistë dhe lobues të Edi Ramës; ne nuk mund të shpikim modele që nuk ekzistojnë; ne nuk mund ta bëjmë trashëgiminë tonë, identitetin tonë, mall tregtar dhe askush të mos ketë mundësi që t’i mbikëqyrë. Nëse një deputet apo komision parlamentar shkon sot në Butrint për të kërkuar dhe për të parë çfarë bëhet me konservimin, çfarë bëhet me restaurimin, çfarë bëhet me planin e gërmimeve, ata të thonë: urdhëro; kush je ti; paguaj biletën; hyr si vizitor, po deshe, dhe kaq, pra s’ke asnjë të drejtë.
E keni shndërruar Kuvendin e Shqipërisë dhe trashëgiminë kulturore në një mall tregtar dhe në një objekt që i cakton privati. Secilin nga deputetët e mazhorancës, të paktën ata që kanë një lloj ndërgjegjeje, po ta pyesësh personalisht, do të thotë që është turp i madh, por, kur vjen puna për të votuar, votojnë siç u thotë partia; kur vjen puna për të mbajtur qëndrime, nuk mbajnë dot qëndrime, sepse u dhimbset më shumë partia sesa Shqipëria.
Të nderuar kolegë,
Ne partitë i kemi veç e veç, por Shqipërinë e kemi bashkë; atë që do t’u lëmë trashëgimi fëmijëve tanë e kemi bashkë; mënyrën sesi interpretohet historia dhe identiteti e kemi bashkë. Askush nga ne këtu nuk do të pranonte këndvështrimin që ka kryetari i bordit të Butrintit, studiuesi Richard Hodges, duke thënë: Saranda, ky qytet i bukur grek, Butrinti pjesë e trashëgimisë greke, sepse, të nderuar kolegë, në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miq dhe armiq të përhershëm, por ka interesa dhe interesat ndryshojnë nesër; ata që i ke miq mund të bëhen armiq, por detyra e një shteti, sipas Kushtetutës, është që të mbrojë identitetin e vet, historinë e vet dhe të jetë krenar për të. Këto janë bazat e një shteti. Nëse ju nuk e keni moralin që të ngriheni mbi partinë dhe të zgjidhni që të paktën tek elementet e trashëgimisë kulturore të qëndroni për Shqipërinë, dhe është fatalitet e turp i madh, nëse nuk e tejkaloni dot as për këtë. Unë e kuptoj që është e rëndë e gjithë kostoja që ka korrupsioni i ministrive, i secilës prej ministrive më vete, por me një menaxhim të mirë, sa do e vështirë të jetë, mund të rikuperohet çdo kosto ekonomike ndaj Shqiptarëve, mund të arrihet një bum ekonomik për Shqipërinë nën qeverisjen e Partisë Demokratike, por në trashëgiminë kulturore, nëse ju i bëni këto dëme që planifikoni të bëni, ato nuk zhbëhen më; nëse ju i keqinterpretoni gjetjet, nuk zhbëhen më; nëse ju nuk bëni plan të duhur për konservimin dhe restaurimin, nuk zhbëhet më; nëse ju prishni peizazhin natyror, ku Parkut Kombëtar të Butrintit i keni hequr pjesë për të bërë komplekse vilash, ato pikat e vogla të Mirela Kumbaros, që, në fakt, është kumbare e kësaj marrëveshje, nuk zhbëhen më; në qoftë se e dëmton trashëgiminë kulturore, nuk e zhbën dot më. Ndaj, ky është dëmi më i madh që mund t’u bëni Shqipërisë, fëmijëve tanë. Të nderuar kolegë,
Shoh që ata që kanë qëndruar, çatojnë me njëri-tjetrin e janë të painteresuar për trashëgiminë, kurse shumica tjetër nuk është fare. E kuptoj që për ju trashëgimia dhe Shqipëria janë të fundit në listën e halleve, sepse hallin më të rëndësishëm keni se si të merrni ndonjë llokmë të Shqipërisë.
Për ta mbyllur fjalën time, dua t’ju them që ky propozim ligjor ka vetëm tri nene dhe kërkon, asgjë më shumë e asgjë më pak: t’i japë të gjithë mundësinë trashëgimisë kulturore që të përfitojë nga privati, t’i japë të gjithë mundësinë trashëgimisë kulturore që t’i marrë të gjitha fondet nga privati, por gjithmonë, në çdo rast, pa asnjë përjashtim, shteti shqiptar të jetë garant për trashëgiminë e vet kulturore, në çdo rast të jetë shteti shqiptar garant për historinë e Shqipërisë, në çdo rast të jetë shteti shqiptar garant i asaj që u transmetohet brezave të ardhshëm.
Sot vendosni, të paktën një herë në jetën tuaj, për Shqipërinë dhe harrojeni partinë dhe urdhrin politik!
Shumë faleminderit, e nderuar nënkryetare dhe të nderuar kolegë të opozitës, të vetmit që më dëgjuat!

