Fjalim në Kuvend, thirrje Manastirliut për dorëheqje për sigurinë e dobët në shkolla dhe gjëndjen e arsimit në vend / 19 dhjetor 2024

Ne sot flasim për smart labs-et, për teknologjinë në shkolla, kur, në fakt, përpara se t’ju flisja për teknologjinë, duhet të përqendroheshim te siguria në shkolla. Dje ishte protesta, marshimi i pestë i qytetarëve, i koalicionit të prindërve përpara zyrës së Ogerta Manastirliut, të cilën kemi rreth një muaj, në fakt, plot një muaj dje, që e ftojmë të reflektojë, e ftojmë të largohet, e ftojmë të marrë përgjegjësi, e ftojmë të reagojë si një prind. Fjalët rrëqethëse të prindërve të Martinit dje do të kishin bërë me turp dhe do të kishin bërë të reagonte çdo njeri të përgjegjshëm që ka një pozicion publik në këtë vend. Me sa duket, në këtë kategori nuk hyn Ogerta Manastirliu. Zonja Manastirliu mendon se do të funksionojë sipas teorisë “çudia më e madhe tri ditë zgjat”, mirëpo në këtë rast nuk funksionon, sepse bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë, bëhet fjalë për një 14-vjeçar që nuk jeton më, bëhet fjalë për një tjetër që është i plagosur, bëhet fjalë për dhjetëra të rinj që çdo ditë rrezikohen në shkollat shqiptare: ngjarja e Kamzës, ngjarja e Cakranit, ngjarja në Vlorë, të gjitha të dala në pah ditët e fundit, si për të treguar skanerin e mungesës së sigurisë në shkolla.  

Ditën kur patëm diskutimin e kësaj projektmarrëveshjeje, marrëveshjes kuadër të huas, të një kredie tjetër, na erdhi zëvendësministrja, ajo që, në fakt, nuk diti t’i përgjigjej asnjë pyetjeje dhe u shkarkua nga ju të nesërmen. Pra, për këtë marrëveshje neve na është përgjigjur një person i shkarkuar, të cilin edhe ju nuk e besonit më: zonja Nina Guga, e njohur për skandalin e saj me manipulimin e bursave, duke vendosur edhe emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ra apo ishte pjesë e një gracke (këtë nuk e zgjidhim dot ne), teksa u premtonte bursa gjimnazistëve shqiptarë. Po çfarë tregoi edhe ai skandal? Përveç se ishte një skandal që tronditi edhe vetë Ambasadën Amerikane, tregoi se sa lehtë mund të hyjë kushdo në shkollat shqiptare, tregoi se sa lehtë mund të aksesohen rrjetet e mësuesve dhe të nxënësve, mjafton një fjalë kyçe: Edi Rama. Mjafton të thuash se jam mbesa e Edi Ramës, jam familjar i Edi Ramës, jam i njohuri i Edi Ramës apo jam i privilegjuari i Edi Ramës dhe akseson shkollat shqiptare. Sa u takon smart labs-eve, patjetër, teknologjia është e ardhmja, zhvillimi i shoqërisë çon në nevojën për të pasur një edukim që reflekton zhvillimet e kohës, mirëpo si i keni përdorur ju, si qeveri, këta 12 vjet paratë që ju janë dhënë nga buxheti i shtetit për të futur teknologjinë në shkolla? Janë 3,5 milionë euro të zhdukura për 5800 tableta në vitin 2015. Ku janë? Janë amortizuar, sipas zonjës Guga. Po mirë, nëse janë amortizuar, ku janë raportet? Ku janë procesverbalet? Si mund të vihet këtu e të kërkohet një kredi 27 milionë euro dhe 10 milionë euro të tjera, kur, përveç atyre 3,5 milionë eurove, janë shpenzuar për digjitalizimin e shkollave plot 18 milionë euro, 18 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, për të mos pasur asnjë rezultat në digjitalizim?! Prova: periudha e Covid-it! Periudha e Covid-it ishte prova e pamundësisë për të zhvilluar nxënësit mësim online, përveçse me teknologjinë e tyre personale.  

Sot raporti nxënës-kompjuter është 1 kompjuter për 20 nxënës, pra 1 klasë me 40 nxënës ka mundësi të ketë 2 kompjutera në shfrytëzim, dhe bëhet fjalë për kompjuterat në ato shkolla që i kanë, sepse jo të gjitha shkollat në Republikën e Shqipërisë kanë kompjutera. 70% e tyre, për të qenë korrekte 71,5% e shkollave, kanë kompjutera dhe pjesa tjetër nuk ka, pra nuk ka asnjë kompjuter. Nga ky 70%-shi që kanë, 46% për qind e tyre kanë lidhje interneti, ndërsa pjesa tjetër nuk ka lidhje interneti. Çfarë do të thotë që nuk ka lidhje interneti? Do të thotë se ai kompjuter që është në shkollë, zonja Manastirliu, shërben vetëm për save, për word, për exel (nëse arrihen të mësohen edhe këto) dhe nuk shërben për të aksesuar të dhëna, për të bërë mësim online, për të transmetuar në rrjet me njëri-tjetrin. Kjo është gjendja. Vetëm 5% e shkollave në Shqipëri ka lidhje wi-fi, ku mund të ketë rrjet interneti në të gjithë shkollën. Pra, kjo tregon qartësisht që jemi në një gjendje të mjerueshme, dhe sigurisht që do të duhet të investoni në smart labs-e. 

Po pse duhet të merrni 27 milionë euro kredi, plus 10 milionë të tjerë grant, siç thoni ju, kur fare mirë këto mund t’i kishim kaluar me buxhetin e shtetit para dy javësh?  Në 8,2 miliardë euro, pse nuk u gjendën paratë, 27 milionë euro, për fëmijët shqiptarë? Pse nuk i morëm këto para nga inceneratorët? Pse nuk i morëm këto para nga koncesioni i check-up-it? Pse nuk i morëm këto para nga koncesionet e tjera, të cilat vetëm vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen? Sepse aty keni pjesën, sepse aty ka pjesën qeveria, sepse aty zhduken paratë në offshore, sepse aty është parajsa e vërtetë e teknologjisë, ku emri i përfituesit është numra, dhe numrat më pas janë para dhe janë paratë e fshehura nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Këtu po, jeni shumë teknologjikë për të fshehur rrjetin e të ardhurave tuaja dhe për t’i kaluar nga një dorë në tjetrën, për t’i kaluar nga një llogari në tjetrën! Arsimi sot, edhe në teknologji, meqenëse dua t’i përmbahem temës, është në ditën e vet më të zezë. Edhe në teknologji është i prapambetur në krahasim me rajonin, edhe në teknologji, siç e pranoi ish-zëvendësministrja, numri i trajnimeve të mësuesve për të përdorur këto smartlabs-e është shumë i vogël në krahasim me numrin total të mësuesve, sipas saj, 600 mësues në 28 mijë mësues që ka Republika e Shqipërisë, pra një pikë uji në oqeanin e paditurisë, në oqeanin e mungesës së teknologjisë dhe në oqeanin e papërgjegjshmërisë së atyre që drejtojnë arsimin.  

Në vendin tuaj, zonja Manastirliu, sigurisht, do të kishim bërë gjëra të ndryshme, por kurrë nuk do të pranonim të qëndronim në atë karrige, duke dëgjuar thirrjen e qytetarëve, thirrjen e prindërve, thirrjen e njerëzve të ndershëm, punëtorë dhe hallexhinj të këtij vendi, të cilët kërkojnë të largohesh, të japësh dorëheqjen dhe të marrësh përsipër faturën e një dështimi, të cilin e shikon sot çdo shqiptar, siç është ai i sigurisë në shkolla. 

(Bie gongu.) 

Jep dorëheqjen dhe ky do të jetë akti i vetëm për të cilin do të duartrokitesh nga opozita shqiptare! 

Shumë faleminderit!