Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë / 3 Korrik 2025

Në fakt, sot është seanca e fundit, edhe pse Parlamenti duhet të kishte shumë punë të tjera për të vijuar. Përveç projektligjeve, janë pa fund raportimet e institucioneve të pavarura, që ne mund t’i kishim kryer gjatë kësaj kohe. 

Megjithatë, kështu është vendosur dhe unë e ndiej të udhës që, përveç këtij akti normativ, të mbaj një qëndrim edhe për aktivitetin e këtij Parlamenti në këta 4 vjet.  Parlamenti i Shqipërisë është karakterizuar nga forma më e lartë e korrupsionit, evidentuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, ajo që quhet “korrupsion legjislativ”. Është një formë e re, e sofistikuar, e sjellë në jetë nga mazhoranca juaj, që karakterizohet nga ligje me emër, ligje me porosi, porositje të ligjeve për t’u shërbyer interesave të një individi, të një grupi apo të një biznesi. Fatkeqësisht, ky Parlament, gjatë kësaj legjislature të dhjetë, e ka kryer këtë funksion në mënyrë të përsosur, duke bërë kështu korrupsion legjislativ, ligje të cilat vijnë si faturim i nevojave për të fituar më shumë pushtet ekonomik apo ndonjëherë pushtet politik të grupeve të caktuara brenda mazhorancës: ligj me porosi për zonat e mbrojtura, ardhur nga klientët ndërtues të mazhorancës; ligj me porosi për investimet strategjike, ardhur nga të njëjtët klientë, të cilët do t’i realizojnë këto investime strategjike në zonat e mbrojtura; ligj me porosi “Për lojërat e fatit”; ligj me porosi “Për Akademinë e Shkencave”; ligj me porosi “Për sportin”, ligj “Fidelist”, për t’u dhënë pushtet KOKSH-it dhe Fidel Yllit; ligj me porosi “Për koncesionin e Butrintit”, një nga koncesionet më skandaloze që nuk e gjen në asnjë standard të UNESCO-s apo të Bashkimit Europian, për interes të AADF-së, që sot ka rrëmbyer të gjithë trashëgiminë kulturore, duke shërbyer si një krah lobimi për qeverinë “Rama”; ligj me porosi “Për koncesionin e portit të Durrësit”; ligj me porosi “Për shkencën”, teksa ua mori të gjitha kompetencat departamenteve, universiteteve dhe i centralizoi dhe shpalli Edi Ramën kryeshkencëtar. Pra, kjo është një listë e gjatë ligjesh me porosi, të cilat e kthyen këtë Kuvend në noter të dëshirave dhe në zgjatim të paradhomave të Kryeministrit Rama.  

Ndërkohë, po ky Kuvend ka 61 nisma të deputetëve, kryesisht opozitarë, të cilat sot varrosen përfundimisht. Nga shtatori ato nuk janë më nisma legjislative, sipas praktikës parlamentare. Pra, nismat e atyre deputetëve, që nuk do të jenë më deputetë në shtator, nuk u shqyrtuan në komisione, nuk kaluan as për t’u votuar qoftë edhe kundër nga ju.  

Dua të sjell një rast, ndoshta jo shumë i rëndësishëm nga paratë, sepse nuk besoj se ka kosto financiare, por shumë i rëndësishëm për nga simbolika. Të dyja palët ranë dakord dhe kaluan në komision një projektligj të deputetit Eduard Ndreca, deputeti i Partisë Socialiste, për ta bërë 2 marsin festë kombëtare, në respekt të Besëlidhjes së Lezhës dhe të heroit tonë kombëtar, 

Skënderbeut. Çfarë bëri mazhoranca?! Nuk e solli ndonjëherë në seancë, edhe pse ne e kaluam në komisionet parlamentare; edhe pse ne e votuam, nuk e solli në seancë, sepse ishte projektligj i një deputeti dhe, siç duket, nuk kishte marrë leje te “Skënderbeu” që njohin këta, te Skënderbeu që i ngre lavde edhe vetë zonja Kryetare. 

Më vjen keq që Parlamenti nuk zbaton procedurën parlamentare, por zbaton orekset e drejtuesve të tij dhe të Kryeministrit, që vendos për të. Ndërkohë, po ky Parlament, dhe ky është ndoshta një nga skandalet më të mëdha, ka vendosur një standard të ri të moszbatimit të Kushtetutës, sepse sot, sipas asaj që ju keni ndërtuar këtu, ne nuk mund të heqim, Gjykata Kushtetuese nuk mund të heqë mandatin e asnjë deputeti të mazhorancës, sado që ata mund të marrin fonde publike, sado që ata mund të bëhen investitorë strategjikë, sado që ata mund të bëjnë gjithçka kundër ligjit, sepse është vendosur standardi që vetëm mazhoranca ka të drejtë ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sepse Kuvendi është mazhoranca, shumica është mazhoranca. Në këtë aspekt, duke mos legjitimuar të drejtën e deputetëve të opozitës, qofshin 12, qofshin 28, siç e kërkon Kushtetuta, për ta çuar drejtpërdrejt ose nëpërmjet Kuvendit, ju i keni dhënë mbrojtje antikushtetutshmërisë dhe keni shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe keni dalë mbi Kushtetutën.  Ky Kuvend nuk ka lejuar ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike, nga opozita shqiptare, sipas standardeve që kërkon Rregullorja e Kuvendit, duke mohuar një të drejtë tjetër, të drejtën e llogaridhënies, të transparencës së komisioneve, të cilat hetojnë dhe japin rekomandime për ndryshime ligjore më pas. Vetëm pak arritëm ta kalonim, edhe me mbështetjen ndërkombëtare, këtë “sitën” e ngritjes së komisioneve hetimore, që erdhi edhe falë përpjekjes së opozitës, bllokimit të saj dhe qëndresës së saj për të marrë komisionet hetimore që i takonin. Ne arritëm të ngrinim komision hetimor për inceneratorët, ku unë kam qenë anëtare; arritëm të ngrinim një komision hetimor për sistemin TIMS, që drejtohej nga deputeti Ervin Salianji, i cili ju demaskoi edhe në atë komision dhe patjetër që Edi Rama nuk ia fali as atë dhe më pas e paralajmëroi këtu në sallë për fatin që ai ende vuan sot si i burgosur politik; patëm një komision hetimor për koncesionet në shëndetësi, që drejtohej nga kolegia Vokshi dhe që ju bëtë gjithçka për ta penguar dhe për të mos i lejuar dëshmitarët dhe dëshmitë brenda komisionit hetimor, derisa arritën të intimidoheshin brenda sallës së Kuvendit.

Ky Parlament nuk ka arritur dot të miratojë buxhete të shtetit, që, në fakt, janë detyrë e qeverisë dhe që u shërbejnë qytetarëve: nuk ka arritur dot ta çojë në 5% buxhetin e arsimit; nuk ka arritur dot të japë para për fëmijët, dhe sot, me të dhënat zyrtare, 47% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri ushqimore. Ky Parlament nuk ka arritur dot të ndërtojë standardin e minimumit jetik, një propozim i deputetëve të Partisë Demokratike, të cilin ju, jo vetëm e refuzuat me përbuzje, por në fushatë e përdorët për retorikë, a thua se do ta bënit ju! 

Ja ku jemi: hajdeni ta bëjmë, hajdeni ta miratojmë, hajdeni ta futim në rendin e ditës! Por jo, ishte thjesht një propagandë, sepse, në fakt, nuk keni dhe nuk keni pasur ndonjëherë hallin e qytetarëve në këtë Parlament.  

Ky Parlament sigurisht që nuk e kishte dhe nuk e ka legjitimitetin që t’u shërbejë interesave të qytetarëve me mandatet e prodhuara nga qytetarët, por të deformuara, sepse, fatkeqësisht, ju në rekordet tuaja keni rekordet e atyre deputetëve, që është faktuar tashmë nga organet e drejtësisë se si janë futur në listat e Partisë Socialiste, se si i kanë marrë votat dhe sot nuk janë më deputetë të Partisë Socialiste, duke e çuar listën në nivelin e saj më të poshtëm, në deputetë të tjerë kartoni.  Për ta mbyllur, edhe për shkak të kohës, por edhe për shkak të faktit se Kryetarja është shumë e ashpër me efektin e sekondave, dua të them se Parlamenti shqiptar do të duhej të ishte në interes të publikut; do të duhej të respektonte Kushtetutën; do të duhej të ngrihej në lartësinë e detyrave që ka për t’u shërbyer qytetarëve, por, në fakt, në 4 vjet ka qenë një Parlament që u ka shërbyer pasurimit të qeverisë dhe të oligarkëve, të klientëve të pushtetit dhe shkeljes me të dyja këmbët të Kushtetutës dhe të interesit publik. Shumë faleminderit!