Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi gjëndjen e rëndë të infrastrukturës dhe rrugëve në vend / 2 Mars 2026

Në fakt, kisha bërë një listë rrugësh të Konispolit, të Finiqit, të Sarandës e të Delvinës, por qytetarët më thanë se këtu po bien rrugët nacionale, ndaj s’mund të flasim për rrugët nëpër fshatrat e qytetet tona. Madje disa nga ata ndjeheshin më të lumtur që nuk ishin bërë rrugët, për arsye se do të ishin bllokuar dhe nuk do të kishin kaluar dot, me këtë cilësi punimesh e vjedhjesh masive që bëni ju. Po e anashkaloj këtë, sepse këtu, bashkë me rrëshqitjen e rrugëve rrëshqiti edhe gjysma e qeverisë. Brenda vetëm gjashtë muajve ju iku, ju rrëshqiti gjysma e qeverisë, ndaj të jeni të sigurt se gjashtë muajt e tjerë nuk do të ngelet askush nga ajo qeveria e propaganduar që vinte e fuqishme, me një mazhorancë prej 83 mandatesh, të marra një për një me krimin, drogën dhe paratë e pista. Sigurisht, për të bërë zëvendësimet Kryeministri mori listën e hetimeve të SPAK-ut, gjeti aty ata që hetohen si dorë e dytë e dorë e tretë, ushtarët e klasit të tretë, pasi ushtarët e klasit të parë i kishin rënë në betejë, dhe i vendosi si ministra të rinj. Ju do t’i shikoni kur të vijnë këtu për të mbrojtur ato dosjet e tjera që kanë në SPAK e për t’u bërë mburojë e korrupsionit qeveritar që vazhdojnë të bëjnë së bashku.  

Në fakt, sot është 2 mars, ndaj prisja që socialistët të kërkonin falje, pasi më 11 shtator të vitit 2024 Komisioni i Edukimit, me propozimin e një deputeti socialist, si ish-deputeti i Lezhës, Eduard Ndreca, në atë kohë me mbështetjen e opozitës dhe posaçërisht të dy deputetëve të Lezhës, Agron Gjekmarkaj dhe Kastriot Piroli, e kemi votuar bashkërisht që 2 Marsi i Besëlidhjes së Lezhës të ishte një festë zyrtare, si një simbol që tregon se politika bashkohet kur vjen puna tek identiteti kombëtar, te kujtesa historike e te Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.  

Po çfarë bëri mazhoranca? Në mënyrë të paprecedentë mazhoranca shkeli Rregulloren dhe nuk lejoi të vinte në seancë plenare një projektligj i miratuar në komision, nuk lejoi të votohej 2 Marsi si një festë zyrtare e shqiptarëve. Për juve ka vetëm një Skënderbe, dhe nëse do të lartësonit Skënderbeun, Heroin Kombëtar, sigurisht kishit frikë se mos ia ulnit vlerat Skënderbeut tuaj. Më vjen shumë keq që nuk arritët dot që edhe një konsensus të votuar në komision ta shndërronit në një festë zyrtare. Ideja ishte që kjo gjë do t’i kërkohej edhe Kosovës, që të ishte një ditë e përbashkët për Shqipërinë e për Kosovën. Po për ju ka gjithmonë më shumë rëndësi partia, sesa Shqipëria. 

Në fakt, nesër në Komisionin e Edukimit do të diskutojmë iniciativën për rrogat e mësuesve, për pagesën e kategorisë së mësuesve, që, në fakt, është shembulli konkret se si vazhdoni të bëni propagandë dhe se si e keni të pamundur të votoni iniciativat e opozitës. Tashmë marifeti juaj i ri është: merrni iniciativën e deputetes së opozitës, i vini emrin e deputetes suaj, ndryshoni ligjin nga një ligj te ligji tjetër, dhe merrni atë që do të duhej të ishte rezonanca publike për mësuesit. 

Në fakt, ju jeni ata që keni shkaktuar dëmin, ju jeni ata që i keni lënë që nga qershori i vitit 2024 e deri më sot pa pagesën e kategorisë. Ndryshimin doni ta bëni si një retushim në ligjin e gabuar. 

Nesër ne do të vijmë me amendamente konkrete, dhe nëse e keni vullnetin ta çoni deri në fund, minimalisht kur nuk pranoni dot projektligjin e opozitës, pranoni zgjidhjet e dhëna nga sindikatat, zgjidhjet e dhëna me amendamentet e opozitës, dhe mbajeni emrin e gëzojeni, sepse në fund të ditës do të mbaheni mend si ata që ua hoqët për një vit e gjysmë mësuesve, por që falë betejës së mësuesve, të sindikatës e të opozitës, sot jeni të detyruar të tërhiqeni nga vendimi juaj. 

Shumë faleminderit!