Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi konstatimin si material “kopje” i projektligjit për mesuesit i sjellë nga PS/ 5 Mars 2026

Në fakt, ky projektligj i zonjës Kushi, vetëm i zonjës Kushi nuk është. Pra, mund të jetë i kujtdo, por vetëm i asaj që e propozon nuk është. 

Projektligji i ardhur në datën 21 nëntor nisi si një propozim nga ana ime, i risjellë kur do të diskutohej në Komisionin për Edukimin, kur duhej ta votonin kundër, më 2 shkurt zonja Kushi ka propozuar të njëjtën gjë dhe, pardje, në seancën e zhvilluar në Komisionin e Ligjeve, ministria ka sjellë disa ndryshime ligjore. Është ndërprerë mbledhja e Komisionit të Ligjeve për të kuptuar se si t’i fusnin këto ndryshime ligjore, se nuk ishte parë ndonjëherë të sillte ministria ndryshime në një seancë komisioni, pasi ministria nuk ka të njëjtat të drejta si deputeti (nëse do të sillte një projektligj, duhej ta fuste në procedurë parlamentare). Më pas, ato që propozoi ministria, i mori dhe i shkroi zonja Kushi. Pra, dy herë plagjiaturë në projektligjin që propozon dhe asgjë nuk e ka të vetën nga ato çfarë thotë.  Për sa i përket pagës së kategorisë së mësuesve, kjo është një çështje që e ka ndërtuar, nga fillimi në fund, mazhoranca. Ata e merrnin pagën e kategorisë të barabartë të gjithë, si ata para sistemit të Bolonjës, si ata pas sistemit të Bolonjës. Ishte kjo mazhorancë, ministrja Ogerta Manastirliu, e cila me një VKM ua hoqi duke u thënë: ju nuk jeni të barabartë me kolegët tuaj, edhe pse keni vite në sistem, edhe pse jepni në të njëjtat klasa, edhe pse jepni të njëjtën lëndë, edhe pse jeni më të vjetrit në sistem (duhet thënë se, ata të cilët e kanë këtë problem, janë edhe më të vjetrit në sistem, pasi kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës). Pra, problemin ua krijuat vetë.  

Zonja Kumbaro tha një mashtrim: ne nuk e rregullonim dot këtë gjë që bëmë vetë, sepse ju ishit në Gjykatën Kushtetuese. Absolutisht, nuk ka lidhje fare!  

E para, kur ishte në Gjykatën Kushtetuese, ishte një VKM. Nuk e ndalonte asgjë të fillonte një proces ligjor, sepse ishte VKM-ja të cilën edhe mund ta kishin tërhequr. I kujtoj qeverisë se për një padi që kanë në Gjykatën Kushtetuese për mbylljen e TikTok-ut, ndërkohë që e shqyrtonte Gjykata Kushtetuese, nxorën një vendim tjetër që ta rihapnin dhe nuk i ndaloi fare gjykimi në Gjykatën Kushtetuese. Pra, nuk ishte kjo.  

Së dyti, mbaroi gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, në korrik, dhe prapë nuk morën asnjë masë. I detyruam ne, deputetët e opozitës (ishte propozimi im që në nëntor), dhe u kujtuan në shkurt të vitit 2026 të sillnin propozimin e vjedhur, me emrin e zonjës Kushi.  

Për të garantuar të gjithë mësuesit dhe për t’u thënë se kjo është një betejë juaja, betejë e sindikatave dhe e deputetëve të opozitës, imponuam mazhorancën që padrejtësinë që u bëri, ta korrigjojë tani, por në mënyrë të pjesshme. Pse i them këto? Sepse plagjiatura të lë gjithmonë të mangët dhe plagjiatura e zonjës Kushi e ka lënë të mangët propozimin, pra ka sjellë një propozim gjysmak. Propozimi im ishte në ligjin për arsimin e lartë dhe ishte i plotë, për të garantuar që të përfitonin të gjithë.  

Në propozimin që keni sjellë ju sot dhe na kërkoni ta votojmë, keni disa probleme.  Së pari, ju kërkoni të përfitojnë vetëm ata që janë punësuar deri në vitin 2017 (pra, para vitit 2017). A ma sqaroni dot se çfarë ndodh kur një mësues, i cili ka mbaruar para sistemit të Bolonjës dhe, për shkak të mbylljes së klasave, ngelet pa punë (sepse ju e dini që shpopullimi ka bërë që shumë klasa të mbyllen dhe shumë mësues të dalin pa punë, ndërkohë që duhej të ishin në punë, dhe ngelen në sistem si mësues, me një kontratë të përkohshme ose si mësues në kërkim të punës), pra kur del nga sistemi dhe rifutet në sistem me një datë tjetër punësimi, sepse do të punësohet në vitin 2026, nuk e përfiton më atë, sepse data e punësimit është e ndryshme nga ajo e mëparshmja? Kjo është njëra kategori. Dhe janë të shumta klasat që mbyllen tani, sepse shpopullimi është drama më e madhe që ka Shqipëria. 

Po në rast se një mësues kalon, bie fjala, nga një ZAV e Elbasanit, në ZAV-në e Durrësit, për shkak të transferimit të tij edhe për shkaqe familjare, edhe për shkaqe vendbanimi e të tjera, dhe data e re e kontratës, e ndërtuar në ZAV-në e re, do të jetë një datë e mëpasshme nga viti 2017, pra mund të jetë 2026-a, 2025-a apo kur e ka bërë, pse nuk mund të përfitojë?  

Keni vendosur me kontratë të plotë çdo mësues (nuk di ku e keni gjetur këtë), pra çdo mësues që ka mbaruar sistemin para Bolonjës, do të ekuivalentohet, nuk ka rëndësi, me kontratë të pjesshme, me kontratë të plotë, të përkohshme, para 2017-s, pas orës 10, para orës 10…! Këto bëhen vetëm që ju t’ua ngushtoni gamën e të drejtave, që mësuesit shqiptarë i kanë fituar.  

Ndaj edhe ky projektligj, ndryshe nga sa korrigjonte projektligji im, nga 11 172 të prekur, korrigjon vetëm 6000, duke i lënë përsëri 5000 mësues pa ua rregulluar problematikën. Pse? Sepse janë mësues që kanë këtë problemin e kontratave, janë mësues të punësuar pas vitit 2017 për problematika të ndryshme, janë edhe të gjithë ata që shërbejnë në kopshte dhe në çerdhe, të cilët, po ashtu, janë mësues të arsimit parauniversitar, me diplomë para sistemit të Bolonjës, por ju nuk i përfshini. Nuk i përfshini, se harxhoni paratë e buxhetit të shtetit, se doni t’i vidhni paratë dhe nuk doni t’i çoni te mësuesit!  

Të gjitha këto janë bërë qëllimisht, për ta ngushtuar dhe për të përfituar sa më pak mësues apo për t’u hedhur hi syve e për t’u thënë: ja, ne jua miratuam; për të qetësuar gjysmën e kategorisë së prekur, për të bërë atë urimin fasadë: gëzuar 7 Marsin! Këtë urim mësuesit e duan me dinjitet, me ligje që u shërbejnë dhe me paga që reflektojnë punën dhe vështirësinë e tyre! Mbarimi i shkollës para sistemit të Bolonjës dhe mbarimi i shkollës pas sisstemit të Bolonjës nuk duhet të jetë as penalizim për avancimin e tyre në karrierë, por, përsëri, duke e korrigjuar te ligji për arsimin parauniversitar, ju nuk e zgjidhni këtë problem, sepse secili nga ata nuk mund të ketë të drejta të barabarta me ata që kanë mbaruar pas sistemit të Bolonjës, se ju nuk i quani të shkolluar! 

Por ç’faj ka mësuesi, që, kur është shkolluar dhe kur ka mbaruar shkollën, ka qenë ky sistem?! Ç’faj ka mësuesi, a është kurrikula e njëjtë apo aftësia e njëjtë? Kjo është detyra juaj, detyra e universiteteve, për të thënë: po, kjo ekuivalentohet, sepse aftësitë janë të njëjta. 

Sot u keni krijuar probleme mësuesve për licensën dhe përsëri do të vijmë këtu dhe do të merremi gjerë e gjatë, do të detyrohemi ne të bëjmë një betejë 1 vit, 1 vit e gjysmë, që të vini ju pastaj dhe të thoni: e kemi bërë gabim! Korrigjojeni që sot, sepse janë mësuesit që kanë më shumë vite eksperiencë dhe punojnë në profesionin e tyre me shumë dinjitet, por ju i nxirrni të skualifikuar dhe u thoni: shkoni jepni provim dhe shkoni paguani para për licensën!  

Pra, ju nuk e keni vullnetin t’u shërbeni mësuesve. Edhe kur sillni një projektligj të detyruar nga opozita, përsëri e keni gjysmak dhe jo për t’u garantuar mësuesve të drejtën e avancimit profesional, kualifikimet e mëtejshme dhe një pagë të drejtë dhe dinjitoze, por për t’i futur përsëri në një spirale përplasjesh me ZVAtë dhe ministrinë, teksa një koleg e përfiton dhe një tjetër jo, teksa disa trajtohen si të nënës dhe të tjerët si të njerkës! (Bie gongu.)  

Të paktën, pranojini amendamentet për ta kthyer ligjin në më funksional, sepse ky që keni sjellë vetëm nder dhe dinjitet nuk u jep mësuesve! Pranojini, sepse është në të mirën e sistemit arsimor, që mësuesit të trajtohen barabar dhe të kenë siguri juridike për atë të drejtë që e kanë fituar dhe ua keni rrëmbyer ju me VKM, me papërgjegjshmëri, duke i lënë 20 muaj pa marrë pagat! 

Për ta mbyllur, korrigjoni edhe pagat e prapambetura, sepse 20 muaj pa marrë pagat është dëm ekonomik, që ua keni bërë atyre mësuesve për një të drejtë që u takonte! Vendosni t’ua jepni ato paga dhe atë dëmshpërblim që u takon për atë që ua keni marrë pa të drejtë!  

Shumë faleminderit!