Fjalim në Kuvendin e Shqipësisë mbi Komisionin e Dezinformimit të ngritur nga qeveria, 3 Korrik 2025

Në fakt, 10 minutat e fundit të prezantimit me listën e falënderimeve mund të na i kishit kursyer, sepse është datë tjetër Dita e Falënderimeve. Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe me një material-strategji, që realisht e kam lexuar me shumë kuriozitet për të parë se çfarë do të prodhonte. Objektivat ishin aq klishe dhe aq mikse, sa ngjanin me programin e qeverisë, duke filluar që nga ekonomia, siguria kibernetike, media, gjithçka ishte në strategjinë e dezinformimit për të fshehur atë që është realisht: një komision që u ngrit me një qëllim të caktuar, për të kontrolluar informacionin e medies, për ta pasur si një mënyrë për të ndërhyrë te ky pushtet i pavarur, që është pushteti medietik, dhe që nuk pati kurrë vullnet për të qenë një iniciativë e përbashkët që në momentin që u krijua e deri në momentin që përfundoi me këtë strategji. 

Përkundrazi, kjo draftstrategji ka injoruar gjatë të gjithë procesit Komisionin e Medies, sepse është një komision që drejtohet nga opozita dhe është një komision që nuk kontrollohet dot nga orekset tuaja.  

Siç e parashikoni edhe vetë në strategjinë tuaj, kjo nisi nga memorandumi SHBA-Shqipëri, i datës 15 shkurt 2024.  

Ju njoftoj, të nderuar kolegë, se Donald Trump, Presidenti i SHBA-ve, e cilësoi këtë bord të ngritur të dezinfomimit, me të cilin ju keni pasur marrëveshjen, si një bord ministrie të së vërtetës, duke e krahasuar me strukturat autoritare të kontrollit të fjalës. Donald Trump konkludoi se ishte një përpjekje e administratës Biden për të censuruar opozitën politike në SHBA dhe, veçanërisht, zërat konservatorë.  

Sigurisht, Donald Trump, në komentet e tij tregoi qartësisht se është një mjet i përdorur për të kontrolluar informacionin dhe për të heshtur kundërshtarët, ndaj edhe ky bord u zhbë zyrtarisht me vullnetin e qeverisjes së tij.  

Jua solla këtë shembull për të kuptuar se ku e keni marrë modelin dhe në bazë të cilit memorandum ju e ngrini strategjinë, atë që tashmë është demaskuar nga vetë Presidenti i SHBA-ve, që kishte qëllime krejt të ndryshme nga ato të shpallura zyrtarisht.  Së treti, po, BE-ja ka hartuar një strategji gjithëpërfshirëse, jo të njëanshme, siç e keni ju, për të luftuar dezinformimin dhe ndryshe nga ajo paçavure-strategji që sillni ju, ka fokus në parandalim, në transparencë, në bashkëpunim dhe në edukim mediatik, që ju e keni futur si paragraf të vogël në fund. Strategjia e Bashkimit Europian ka për synim transparencën e reklamave politike, ka për synim heqjen e llogarive false, ka instrumente vullnetare të bashkëpunimit me platformat, ku disa nga platformat janë: TikTok-u, Meta, Google, Twitter dhe ka për synim të identifikojë aktorët e huaj, ndërsa strategjia juaj nuk i ka këto synime, ajo për ka synim të forcojë rolin e qeverisë, rolin e institucioneve shtetërore, kryesisht në ndërhyrjet mediatike, por edhe në fusha të tjera. Pse? Sepse, çdo kritikë legjitime ndaj qeverisë ju mund ta konsideroni si një ndërhyrje e huaj, si interes për të baltosur qeverinë shqiptare, siç e tha edhe parafolësi, zoti Gogu, që ju i hidhni baltë Shqipërisë.  

Pra, çdo kritikë që do të bëhet ndaj institucioneve tuaja do të jetë e monitoruar, sepse është për t’i prishur imazhin Shqipërisë dhe qeverisë. Ndërkohë, këto ndërhyrje legjitime, në një strategji normale, duhet të rakordoheshin me Bashkimin Europian, me NATO-n, por edhe me qendrën për sulmet hibride, në të cilën ne u bëmë anëtar, në Finlandë.   

Në hartimin e kësaj strategjie ju parashikoni një plan veprimi brenda vitit, të cilin po e citoj: “Një plan veprimi, i cili do të mbështetet në burime financiare adekuate dhe do të mbikëqyret nga Kuvendi i Shqipërisë. Një sistem i koordinuar ndërqeveritar, që do të garantojë implementimin e masave përmes një autoriteti të pavarur dhe një institucioni ekzekutiv (pra qeveritar) për koordinimin operacional”. 

Pra, çdokush e kupton qartësisht se do të ngrihen institucione. Ndaj edhe ekonomisti apo ligjvënësi më i dobët e kupton se kur një projektligj ka kosto financiare duhet ta shoqërojë edhe me një raport financiar, duhet ta shoqërojë detyrimisht me një analizë financiare. Në pjesën e fundit të projektligjit, për strategjinë, nuk e përfshini një gjë të tillë dhe nuk e keni pjesë të projektligjit, që është një shkelje edhe e Rregullores, edhe e ligjit në Shqipëri. Kjo tregon se ju e keni bërë këtë strategji sa për të hedhur hi syve dhe në një kohë shumë të shpejtë, duke mos ju dhënë mundësinë ta bëni siç e doni. Republika e Shqipërisë, thoni ju, do të angazhohet për të ndërtuar startup-e, për të analizuar kontrollin e fakteve dhe të informacionit. Pra, kontrollin mediatik do ta bëjë Republika e Shqipërisë, qeveria shqiptare, nëpërmjet stratup-eve. Qeveria do të zgjedhë se kujt do t’i japë fonde për të ndërtuar startup-e, të cilat, sigurisht do të jenë në interesin e atij që i jep fondet, më pas do të duhet të verifikojnë lajmet dhe cilësinë e lajmeve për dezinfomimin në Shqipëri. Nuk e di ku e keni gjetur si model, por paradoksi i madh është kur ju thoni se shteti do të mbështesë gazetarinë investigative. Pra, gazetaria investigative, të dashur qytetarë, që ka për qëllim kryesor të zhveshë shtetin nga propaganda, të kërkojë llogaridhënie e transparencë dhe të nxjerrë në pah skandalet publike nga abuzimi i fondeve publike e gjithçka tjetër, do të investohet nga qeveria. Kjo gazetari investigative mundësisht do të investigojë skandalet e atyre që do t’ua presë kokat Edi Rama, ndonjë kryebashkiaku, mundësisht ndonjë skandal të opozitës ose ndonjë skandal që i intereson qeverisë. Një gazetari investigative me financim nga shteti vetëm në strategjinë tuaj mund ta gjejmë. 

Unë nuk kam kohë të pakufizuar dhe nuk e di se si do t’ia dal t’i them të gjitha, por objektiv të parë keni çështjen e financimit në zgjedhje. Ndërkohë, jeni ju mazhoranca që keni futur krimin dhe paratë e pista në zgjedhje, jeni ju që nuk mund të flisni për zgjedhjet dhe jeni po ju që vini si objektiv të parë financimin e burimeve të pastra në zgjedhje, kur nuk dihet se ku i kanë gjetur kandidatët tuaj paratë dhe ata 28 kandidatë të mbështetur nga krimi dhe si janë mbështetur në fushatën elektorale.  

Objektivi i dytë, janë sulmet kibernetike ndaj të dhënave, siguria kibernetike. Ju kujtoj se sulmi më i madh ndaj të dhënave në Shqipëri është bërë nga Partia Socialiste me urdhër politik, për të nxjerrë gjithë listën e të dhënave personale në publik duke i përdorur ato për patronazhistët e qeverisë. Pra, ju jeni të parët që duhet të sulmoheni nga kjo strategji, për shkak se cenoni edhe këtë siguri kibernetike të të dhënave personale. 

Objektivi i tretë, mbrojtja e ekonomisë. Më fal, a jeni ju ajo mazhorancë që nuk pranoni të votoni projektligjin e opozitës që të mos ketë offshore në marrjen e koncesioneve në Shqipëri dhe të ardhurat të jenë të deklaruara? Ku janë këto investime të huaja në Shqipëri, për të cilat ne duhet të ngremë një strategji? Të vetmit investitorë strategjikë në Shqipëri janë gastorët e oborrit dhe klientët e pushtetit. Kur u bë problem ardhja e investitorve të huaj, të cilët janë të lidhur me Rusinë, për të cilët ne si Kuvend të ngremë një strategji për këtë problematikë që nuk ekziston?!  E fundit, për  shkak të kohës, objektivi i katërt është mjedisi mediatik, të cilin e përmenda te startap-et dhe gazetaria investigative, por ka  edhe një problem tjetër, për këtë ju kërkoj vetëm 30 sekonda, zonja Kryetare, që është regjistrimi i medieve online. Regjistrimi i medieve onlineështë një çështje komplekse, sepse paraprakisht duhet llogaritur se cili institucion do të merret dhe si do të përdoret për të qenë një institucion i pavarur, që nuk i prek mediat online. Sigurisht, nuk është AMA sot autoriteti, mund të jetë nesër AMA autoriteti, pra është për t’u diskutuar, por gjithmonë duhet parë sipas standardit të Këshillit të Europës dhe duhen marrë rekomandimet e Komisionit të Venecias. 

Të dashur kolegë, kjo strategji që keni sjellë këtu është një përpjekje e dëshpëruar për të thënë që… 

Elisa Spiropali – Ju lutem, përfundoni. 

Ina Zhupa – Po, fjalia e fundit. 

Faleminderit! 

Është një përpjekje e dëshpëruar për të thënë që ky komision nuk u ngrit kot, por prodhoi një material, i cili tregon qartësisht se keni qenë pa një objektiv të qartë në këtë drejtim dhe objektivi i vetëm ka qenë ajo që tha edhe Donald Trump, objektivi për të minuar fjalën e lirë dhe për të cenuar opozitën.  

Faleminderit!