Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Herës tjetër do të bëj bluzën. Do t’i marr unë leje Elisa Spiropalit se çfarë do të tregoj apo se çfarë nuk do të tregoj, aq më pak pastaj kësaj që nuk ka fuqi të heqë një letër e jo më të reformojë arsimin.
Shumë faleminderit për kohën!
Në fakt, zonja Manastirliu, si gjithmonë e more kohën me patetizma dhe asgjë për arsimin. Karrigen time unë e kam dhe e shfrytëzoj shumë mirë në mbrojtje të interesit publik, por ti karrigen tënde e ke shfrytëzuar vetëm për t’u bërë dëme qytetarëve shqiptarë si në postin e drejtoreshës së QSUT-së, si në postin e ministres së Shëndetësisë dhe tani në postin e ministres së Arsimit. Një ministre, që ka rekorde për hajdutëri, për vjedhje, fatkeqësisht edhe për vdekje, nuk duhet të vijë këtu dhe të bëj moral se si duhet të sillemi ne dhe çfarë gjuhe duhet të kemi ne. Shqiptarët i dëmton më shumë politika jote e kriminelëve, modeli yt i hajdutëve, vjedhja që u bën fondeve publike sesa fjala e një opozitari që mbron interesin publik, që mbron veten dhe që qëndron në emër të votës që i kanë dhënë qytetarët. Ogerta Manastirliu, kur ndodhi fatkeqësia, kuptoi që ishte ministre e Arsimit. Deri në ato momente nuk e kishte kuptuar akoma që ishte ministre e Arsimit për arsye se nuk e kishim parë në asnjë shkollë, nuk e kishim parë të diskutonte për problemet e arsimit, nuk e kishim parë të ngrinte problemin e sigurisë në shkolla, nuk e kishim parë të kërkonte buxhet më shumë për ministrinë e vet, nuk e kishim parë asgjëkundi, e pamë vetëm kur iu rrezikua karrigia e vet, e pamë vetëm kur i kërkuam dorëheqjen. Kur i kërkuam dorëheqjen, e kuptoi se ishte ministre. Çfarë bëri? E gjeti fajtorin. Fajin e ka opozita, fajin e ka TikTok-u, fajin e ka shoqëria, fajin e ka çdo njeri, përveç Ogerta Manastirliut.
Nëse një nga ata të dy djemtë, njëri i plagosur dhe tjetri që nuk jeton më sot, do të kishin fituar një medalje në sport, në arte apo do të ishin shpallur kampion të një gjëje, e para që do t’i merrte meritat do të ishte Ogerta; nëse ata do të kishin dalë fitues diku do të ishte Ogerta në radhë të parë, para prindërve, për të bërë foto; do të ishte Ogerta që do të numëronte se çfarë suksesi të paparë kishte pasur ajo me arsimin, por ama kur ndodh një fatkeqësi, kur ndodh një ngjarje tragjike, kur ndodh një mungesë përgjegjësie e oficerëve të policisë, e drejtoreshës patronazhiste, e psikologes së shkollës, e mësuesve, të gjithë të emëruar nga ty, atëherë Ogerta nuk ka faj. Ogerta jep urdhër që të bëhet like…
Belinda, kjo shoqja e ngushtë e Ogertës na heq dritat në Kuvend.
Dëgjohem, a jam live?
Ja, çfarë ofrojnë shkollat shqiptare. Shkolla
“Riza Spahiu”, “Shyqyri Peza”, Zyra Vendore Kamzë, shkolla “Hasan Ngjela” e me radhë sapo futet live Ogerta Manastirliu, u shkon një mesazh shkollave për like dhe share Ogertës. Pse më shqetëson kjo? Nuk më shqetëson se merr ti like dhe share, se urrejtjen e ke masive, por më shqetëson që një person, që mund të paguhet dhe që paguhet me taksat e shqiptarëve për të bërë një punë, për të ndjekur një nxënës, për të kuptuar më shumë një problematikë të shkollës, ka hallin t’i bëjë like dhe share nga faqja zyrtare Ogerta Manastirliut. Flisni ju për TikTok-un? Flisni ju që të gjithë fushatën e keni bërë në TikTok? Flisni ju për TikTok-un, kur yjet me demek të TikTok-ut rrinë, hanë e pinë dhe bëjnë kosha në zyrën e Kryeministrit? Flisni ju për TikTok-un? Po jo, moj zonjë, sepse siç e thatë, shembulli jepet nga vetja. Shfrytëzoji ti rrjetet sociale dhe teknologjinë për t’u dhënë mundësi të rinjve që të marrin atje leksione, ndrysho ti kurrikulat e të rinjve shqiptarë që të mos kenë vetëm një lëndë, qytetarinë, të cilën e keni bërë vetëm çfarë tregon semafori dhe çfarë është demokracia, por të fusni në shkollat shqiptare edukimin mediatik, të fusni në shkollat shqiptare si ta dallojnë dezinformimin, për të cilin keni bërë këtu një komision 6-mujor. Në shkollat shqiptare çdo njeri të ketë mundësi të shfaqë talentin e vet, çdo nxënës të ketë mundësi të bëjë orë ekstrakurrikulare, shkollat të gëlojnë nga aktivitetet dhe jo të gëlojnë nga krimi, siç e keni bërë ju, shkollat të mos jenë me 2 turne dhe të rrinë vetëm 3 orë në shkollë dhe pastaj nuk dihet se ku i çojnë fëmijët prindërit. Shkolla duhet të jetë institucion, shkolla duhet të jetë atje për t’u dhënë fëmijëve dije, shkolla duhet të jetë për të formuar personalitetet e të ardhmes, shkolla duhet të jetë atje që mësuesi të mos jetë mësuesi i letrave, të mos jetë mësuesi që ka merakun e letrës, por të jetë mësuesi që ka merakun e shpirtit të nxënësit, të mos jetë mësuesi që ka merakun të plotësojë sistemin SMIP, se e detyron ti që ta bëjë personalisht me lekët e veta, pa teknologji, por të jetë mësuesi që ka merakun se çfarë pasionesh dhe çfarë dijesh kërkon nxënësi.
Por që të jetë ai mësues dhe ta ketë mendjen te nxënësi, duhet të jetë, e para, një mësues jopatronazhist, mësues profesionist, ndërsa ju i keni kthyer në patronazhistë. E dyta, duhet të jetë një mësues i mirëpaguar që të mos ketë hallin se çfarë do të hanë fëmijët e tij në darkë, sepse nuk mund të kujdeset dot për fëmijët e të tjerëve kur nuk di se çfarë t’u japë fëmijëve të vet për të ngrënë në darkë. E treta, duhet të jetë një mësues i trajtuar me dinjitet dhe jo një mësues i trajtuar për like dhe share në Facebook-un tënd.
A i bën dot këto të treja ti? Nuk i bën dot këto të treja, se nuk ke as aftësinë dhe as moralin, sepse veprimet e tua gjatë 12 vjetëve e tregojnë qartë që nuk je për atë vend. Ndaj, ngjarja e Martinit nuk është një ngjarje e veçuar, nuk është një fatkeqësi që ndodhi papritur, kur një njeri që merr dhe plas një bombë e nuk ka si ta dijë ministrja dhe nuk ka si ta dijë shteti, kjo është një ngjarje e lajmëruar, e stërlajmëruar, është sindroma e një sistemi arsimor që ka dështuar, është sindroma e një sistemi që me demek funksionon me e-Albania se ku duhet të shkojnë me shkollë, ndërkohë që në shkollën “Fan Noli” gjen si nxënës nga Sauku, si nxënës nga Kombinati, edhe nxënës rreth e përqark. Si u regjistruan atje? Ogerta, si u regjistruan? Si ka mundësi, Ogerta, që konflikti në atë shkollë kishte që ditën e premte, siç ka edhe në shkolla të tjera, të gjithë e dinin se ka dalë audio ku ishin me thika me vete dhe oficeri i sigurisë nuk bëri asgjë? Si ka mundësi, Ogerta? Si ka mundësi, Ogerta, që nuk lajmëroi askush, as drejtoresha, as mësuesi, as psikologu, as oficeri dhe asnjë nga prindërit, Ogerta? Asnjë nga prindërit nuk dinte asgjë. Si ka mundësi? Si ka mundësi që brenda kësaj që ju e quani “perimetri i sigurisë, 50 metra” nuk kishte këmbë njeriu të gjallë nga ata që duhej të ishin oficerë sigurie, apo patrulla, apo ato broçkullat që keni mashtruar ju? Ku ishin? Mirë që nuk i shpëtuan, por të paktën t’u kishin dhënë ndihmën e shpejtë. Ogerta, fatkeqësia jote e ka ndjekur të gjorin Martin, sepse ti kur ishe ministre Shëndetësie (i bëj thirrje ministres së Shëndetësisë që ta ndryshojë atë urdhër dhe të mos merret me idiotësirat që ka lënë zonja), i ke detyruar që urgjencat të shkojnë sipas ditëve të caktuara në spitale të caktuara. Martini mund të ishte gjallë nëse do ta kishin dërguar në urgjencën që ishte afër QSUT-së, por me ato që ke bërë ti (i duhen vite kujtdo që t’i rregullojë ato që ke lënë ti), e detyruan që ta merrnin nga shkolla “Fan Noli” dhe ta dërgonin në Spitalin Ushtarak, sepse ishte dita që i takonte Spitalit Ushtarak. Këtë sistem keni ndërtuar ju, keni ndërtuar një sistem ku nuk është prioritet jeta, por është sistemi i burokracisë, sistemi i propagandës, sistemi i urdhrit të ministrit, sistemi ku mësuesi, besoj se duhet ta dish, se ndoshta ke marrë informacion, i liron një orë para, u thotë ikni se do të bëjmë ne një mbledhje se ashtu kemi ne një punë. Edhe atë ditë dolën një orë para. A keni ju përgjegjësi? Apo ti ke vetëm përgjegjësi të marrësh paratë e shqiptarëve, t’i përdorësh mësuesit për fushatë, t’i përdorësh shkollat si ambiente fushate, të bësh like dhe share në rrjetet e tua sociale dhe të mos përgjigjesh për atë për të cilën të paguajnë shqiptarët? A e di Ogerta, ta kam thënë, që është edhe investigim i medias, se vetëm 27% e shkollave drejtohen nga individë të certifikuar? Po këta drejtorët e tjerë çfarë janë? Patronazhistë. Po këta mësuesit çfarë janë? Patronazhistë. Sepse kanë merakun që t’i përgjigjen jo nxënësit, por kanë merakun t’i përgjigjen Ogertës se i fshin, se i uron si ai tjetri “Suksese në jetë”. Ogerta, çfarë bëre ti për mësuesit që mësuesi të ishte i qetë dhe të shikonte a kishte ndonjë problem Martini dhe Luizi, apo Martinët dhe Luizët e të gjithë Shqipërisë? Ministret para teje e kanë një meritë, sepse kanë pasur udhëzime një herë në vit ose një herë në dy vjet për kualifikimin dhe për ecjen përpara të mësuesve. Pse? Që t’u garantonin pak qetësi dhe ta dinin se cilat ishin standardet për të cilat rrinin në punë. Ti je e vetmja ministre që bëri tri udhëzime brenda 4 muajve, sepse nuk e ke idenë se si funksionon. Harron se kishte edhe mësues mbi 25 vjet…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Po, ka idenë vetëm se si vidhet, po aty nuk po i dilte llogaria.
I harroi ata mësuesit, e ndryshoi prapë, harroi mësuesit e tjerë, e ndryshoi prapë. Kjo u jep qetësi mësuesve për të parë se çfarë bëjnë nxënësit apo u jep stres për t’u marrë me shkresat, për të cilat nuk kam fjalë t’i përshkruaj, që lëshon ajo ministri?
Çfarë bëri tjetër Ogerta? Meqenëse paga u rrit, i futi një të ulur pagës për kategori dhe uli kategoritë e mësuesve, të cilët kishin mbaruar “Master profesional”, që kishin mbaruar shkollë dhe jepnin në të njëjtat shkolla me mësuesit e tjerë, por tri kategori vendosi t’i trajtonte ndryshe dhe dy kategori vendosi t’i trajtonte ndryshe. E pyetëm në komision: pse vendose ta ulësh pagën dhe përfitimin sipas kategorive dhe sipas cikleve, pra grupi i diplomës së parë, grupi i diplomës së dytë dhe grupi i diplomës së tretë, kur më parë të tria grupet kanë marrë 14 mijë lekë? Tani vetëm grupi i diplomës së parë merr 14 mijë lekë dhe dy grupet e tjera marrin 12 mijë dhe 10 mijë lekë. Kjo reflektohet në pensionin e tyre, në vjetërsinë e tyre dhe në çdo gjë. Çfarë tha zonja Manastirliu për mësuesit? U kemi rritur rrogën. Çfarë do të thotë që u keni rritur rrogën? U ke rritur rrogën dhe duhet t’u ulësh këtë që u takon, duhet t’u heqësh një të drejtë të fituar, një të drejtë kushtetuese?
Ja, pra, pse i solla këto. I solla për të treguar që ju nuk keni fare interes për arsimin, ju nuk keni fare interes për ecjen përpara të fëmijëve shqiptarë në shkollat shqiptare, ju nuk keni fare interes që të investohen para, e pamë te buxheti që sollët për arsimin. Tek arsimi ju keni interes të investoni para tek tenderat e shkollave me trefishin e kostove, të investoni para në shpenzime operacionale, të investoni para në zyra, të investoni para në shtimin e stafeve të zyrave që nuk japin mësim, por që bëjnë komente dhe share, kjo është politika që ju keni për arsimin, në fakt, ky është dështimi për qytetarët shqiptarë.
Atë protestë qytetare të prindërve, të cilët kanë 8 kërkesa, ju nuk mund ta injoroni, sepse duke e injoruar tregoni thelbësisht qasjen tuaj antiarsim, tregoni thelbësisht se ju duhet të ikni një sekondë e më parë, sepse i injoroni prindërit. Si ka mundësi që në gjithë ato takime me prindërit nuk doli një prind që të thoshte: ka një faj edhe qeveria, ka një faj edhe Ogerta Manstirliu. Latë nam duke bërë gjëra false, duke zgjedhur prindërit me detyrim se kush do të marrë pjesë, duke u treguar se çfarë do të thonë dhe pretendoni se kështu po zgjidhni problemet! Kështu thjesht po e fshihni problemin dhe nuk po vini gishtin në plagë.
Faleminderit!

PJESA 3
Ina Zhupa – Për çfarë dhembshurie flet ti, Ogerta, që zgërdhiheshe me Mirelën dhe
Belindën? Për çfarë dhembshurie flet ti, Ogerta, që nuk e ndërpreve mësimin në shkollën “Fan Noli” as ditën pas vrasjes? Për çfarë dhembshurie flet ti, Ogerta, kur mësuesit nuk i përgjigjen as në telefon prindit?
Zonja Spiropali, ku e ke ministren?
Elisa Spiropali – Përfundojeni fjalën, zonja Zhupa.
Ina Zhupa – Çfarë…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ina Zhupa – Hajde, hajdute, se po të presim! (Ndërhyrje pa mikrofon)
Jo, jo, nuk vazhdoj unë, t’i dëgjosh të vërtetat.
Elisa Spiropali – Përfundoni, zonja Zhupa, keni 3 minutat e fundit! Mirë që 7 minutat e para i keni shpërdoruar duke fyer kolegët deputetë, tani, ju lutem, përfundoni fjalën tuaj!
(Ndërhyrje pa mikrofon) Ina Zhupa – Zonja hajdute…. (Ndërhyrje pa mikrofon) Zonja hajdute, a mund të na thuash…
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju tërheq vëmendje, nuk mund ta përdorni atë fjalë!
Ju tërheq vëmendje dhe një herë dhe do t’ju heq të drejtën e fjalës po e ripërdorët.
Ina Zhupa – Mund ta përdor, sepse e lejon
Rregullorja t’i thuash të bardhës e bardhë.
A është akuzë, zonja Manastirliu, që në shkollat e Tiranës, të Durrësit dhe të Fierit prindërit paguajnë 10 mijë lekë në muaj për rojën? A është akuzë, apo është e vërtetë? Është e vërtetë, sepse nuk e garanton ti rojën. A është akuzë, apo e vërtetë, zonja Manastirliu, që prindërit paguajnë në shkollat e Shqipërisë për ngrohjen? A është akuzë, apo e vërtetë, që duke filluar nga çerdhja dhe deri në gjimnaz prindërit paguajnë për rojën, për ngrohjen, për gjithçka. A e ke lexuar se çfarë të thotë INSTAT-i, që, me gjithë gënjeshtrat që ka INSTAT-i, nuk e fsheh dot se sa shumë paguajnë për atë që është me Kushtetutë: arsim publik falas. Në vitin 2023 një familje shqiptare vetëm për arsimin parauniversitar pagoi mesatarisht 3 200 lekë në muaj dhe 38 mijë e 500 lekë në vit, dhe u rritën shpenzimet e familjeve 21%. Pse? Sepse i vjedh ti paratë. Pse? Sepse paratë të duhen ty për zyra komode, për kondicionerë dhe nuk i çon dot te fëmijët, te rojat, tek ata që duhet të përgjigjen, te mësuesit. Mësuesi, që ti i rrite pagën, por që i ule kategorinë, ia ule me 4 mijë lekë kategorinë, e paguan vetë tabletin, e paguan vetë internetin; mësuesi paguan vetë gjithçka për të të plotësuar ty sistemin SMIP, që ti të thuash se jemi me standarde europiane. Në fakt, mësuesit shqiptarë bëjnë ende mësim me dërrasë të zezë, me shkumës, kur bota e bën me AI dhe me teknologji.
Zonja Manastirliu, unë e di që ti nuk ikën po nuk iku Edi Rama, kështu që ne duhet të heqim Edi Ramën, që të ikësh ti dhe 17 hajdutët e tjerë këtu. Ka një shprehje: një hajdut është hajdut; dy hajdutë janë dy hajdutë; kurse 17 hajdutë janë qeveria e Republikës së Shqipërisë.