Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Do të kisha dashur t’ua jepnit fjalën kolegëve të mi për çështje shumë të rëndësishme procedurale, megjithatë, për shkak se ju përdorni çdo marifet për të mbrojtur Mirela Kumbaron nga interpelanca, unë do ta marr fjalën, edhe pse do të kisha shumë dëshirë të dëgjoja paraprakisht kolegët e mi.
Në shkurt të këtij viti, në një seancë të turpshme, në fakt, kaluat ligjin e ri për zonat e mbrojtura, një ligj klientelist, që zhdukte përfundimisht mbrojtjen e këtyre zonave me rëndësi jetike jo vetëm për mjedisin në Shqipëri, por edhe për historinë, për identitetin, për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ministrja e ndërtimit, Mirela Kumbaro, sepse e dini që ka fokus vetëm ndërtimin, e mohoi që do të prekeshin zonat e mbrojtura, por u deshën vetëm 7 muaj që të miratonin plot 9 projektvendime për zonat e mbrojtura, publikuar në datën 27.9.2024 në Fletoren Zyrtare, ku vihet re ulja e mbrojtjes, kalimi i tyre nga shkalla e parë e mbrojtjes në shkallën e tretë të mbrojtjes. Në fakt, Mirela Kumbaro është ministrja më jetëgjatë e kabinetit “Rama” dhe jo rastësisht, sepse është edhe ministrja më duargjatë e kabinetit “Rama”, për të marrë e për të uzurpuar, me interesa klientelistë, toka publike, pasuri kulturore, pasuri natyrore, rekorde që nga ministre e Kulturës, kur ishte ajo që hoqi Ansamblin Kulturor, qendrën e Tiranës, duke i hapur rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar; ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen e parë kuadër me AADF-në për të nisur betonizimin e Butrintit; ishte ajo që bëri projektvendimet, VKM-në e janarit të vitit 2022, për të hequr hektarët nga zonat e mbrojtura, të cilat u kthyen në pika të vogla të investimeve strategjike; është po Mirela Kumbaro që hapi rrugën e investimeve strategjike në zonat e mbrojtura. mbrojtura, keni vendosur që me një deputete të qarkut tim, që nuk shquhet për mbrojtjen e qarkut në këtë Parlament, të shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. Pse e bëni këtë gjë? Sepse ju tashmë me ligjin e përkohshëm, me demek që nga viti 2015, që e keni shtyrë 4 herë dhe programoni ta shtyni për të pestën herë, u keni dhënë 5,8 milionë metra katrorë tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin, pra u keni dhënë investitorëve strategjikë 5,8 milionë metra katrorë tokë në të gjithë vendin. Ju jeni terroristë mjedisorë; ju jeni terroristë mjedisorë. Dhe, pasi e mbaruat të gjithë tokën publike që mund t’u jepnit investitorëve strategjikë, tani keni programuar të hyni në zonat e mbrojtura.
Ndryshimi që propozon zonja, që e ka sjellë ligjin për herë të pestë, në fakt, firmëtarja, sepse propozuesi është Edi Rama, dhe ju të gjithë keni shërbyer ndonjëherë si firmëtarët, është që jo vetëm të zgjatet afati, por deputetja propozon që t’u jepen në përdorim investitorëve strategjikë edhe brigjet e deteve, lumenjve, liqeneve për stacione plazhi. O burra, pasi i morët tokën, i morët detin, merrini edhe ajrin, merrini edhe jetën dhe shkatërrojeni këtë vend, siç po e shkatërroni!
Ju e keni deklaruar, qëllimi i investimeve strategjike do të ishte thithja e investimeve të huaja. Kush ishin këta investitorë të huaj që thithën investimet strategjike në Shqipëri: klientët e pushtetit, familjarët e Olta Xhaçkës, gaztorët e oborrit? Këta ishin investitorët strategjikë? Për këta është e nevojshme të ndërtohet në zonat e mbrojtura? Ju, zonja Kumbaro, u hapët rrugë ndërtimeve dhe investimeve në plazhin e Manastirit, në plazhin e Pasqyrave, në plazhin e Pulëbardhave, në Gjirin e Hartës, në kufirin jugor të Gjirit të Marinës, në Gjirin e Pemës së Thatë. Të gjitha të klasifikuara “zona të mbrojtura” para se të vinte ministrja e ndërtimit dhe e shkatërrimit, Mirela Kumabro. Po ashtu, e tkurre me 15% sipërfaqen në bregdet të zonave të mbrojtura, ku u prekën mijëra hektarë në zonën e Vjosës, Nartës, Velipojës, Divjakës, Karavastasë, si dhe Kunes. Mirëpo dole në atë kohe dhe the se i rrite zonat e mbrojtura me 27%, duke futur në zonat e mbrojtura zona të thella malore, si dhe duke hequr mijëra hektarë nga vija bregdetare me rëndësi strategjike, pikërisht, për t’u hapur rrugë investimeve.
Sot, zonja Kumbaro, dua që në këtë interpelancë të na shpjegoni: si ka mundësi që keni 9 vendime, tashmë të pakonsultuara nga asnjë ekspert? Si parashikoni t’i betonizoni zonat e mbrojtura? Si ka mundësi që, si ministre e Mjedisit dhe e Turizmit, nuk ke bërë një akt të vetëm në mbrojtje të mjedisit, por vetëm në mbrojtje të betonizimit, siç e paraqisni edhe në relacionet tuaja, dhe unë do t’jua them kur të kem kohën e shpjegimeve?

PJESA 2 :
Zonja Kumbaro, dua t’ju them se, sipas Rregullores, mund ta merrni fjalën sa herë të doni dhe nuk është e nevojshme të prisni interpelancat me mua që të kujtoheni të flisni në Kuvend dhe të mos ktheni përgjigje për interpelancën, por të flisni për çdo gjë që ju shkon në mendje. Të dashur qytetarë, e dëgjuat dhe e kuptuat besoj se sa fasadë dhe sa të pavërteta tha zonja Kumbaro. Ju e mbani mend, sidomos ata që janë brez më i hershëm se unë, por edhe brezi im e mbajnë mend një këngë që quhet “Gabimet e Mirelës”. Ka qenë një këngë, e cila duhet transformuar nga “Gabimet e Mirelës”, tani do të bëjmë “Grabitjet e Mirelës”, dhe refreni do të jetë: pikat e vogla në zonat e mbrojtura, ku Mirela i shikon kudo dhe në të gjithë i shikojmë kudo.
Zonja Kumbaro, thatë këtu që keni rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura. Jo vetëm mund ta rrisni, por ju tani mund ta konsideroni të gjithë Shqipërinë një zonë të mbrojtur, sepse të njëjtën mbrojtje kanë edhe zonat e mbrojtura sa ç’kanë kullat në mes të Tiranës. Jo 27%, por 50%, 80%, 100% bëjeni Shqipërinë zonë të mbrojtur, sepse i keni hequr mbrojtjen zonës së mbrojtur dhe nuk ka më asnjë vlerë. U keni hequr zonimin zonave të mbrojtura. Çfarë do të thotë t’i heqësh zoonimin, të dashur qytetarë, që na ndiqni dhe ndoshta ju duken terma që nuk kanë lidhje me përditshmërinë? Është sikur ju të keni një apartament dhe apartamentit tuaj të mos i vini mure ndarëse, ku një hapësirë të jetë për tualetin, një hapësirë të jetë për kuzhinën, një hapësirë të jetë për sallonin, një hapësirë të jetë për dhomën e gjumit, të cilat kanë veçantitë e veta dhe rolin e vet brenda shtëpisë.
Zonat e mbrojtura kanë zonimet e veta, kanë rëndësinë për të gjithë zonën, për habitatin, për kafshët, për bimët, për llojin e ruajtjes që duhet të kenë. Këta propozojnë që zonat e mbrojtura të jenë një shtëpi pa mure, ku banja, kuzhina dhe salloni të jenë njësh, të bashkuara, që oligarku të vijë të ndërtojë ku të dojë brenda shtëpisë suaj, brenda zonave të mbrojtura, sepse zonat e mbrojtura janë shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, dhe ju, nga shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, doni ta ktheni në vila private të një grupi oligarkësh, dhe këtu nuk përfitojnë banorët.
Çfarë përfitojnë banorët e Shushicës, meqenëse janë pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës. Çfarë përfitojnë? Përfitojnë atë që do t’u merrni ujin që t’ua çoni resorteve të oligarkëve; përfitojnë që do të ikin dhe do të lënë vendin e tyre, se nuk do të kenë më resurset natyrore për të jetuar aty. Ja këtë përfitojnë komunitet. Po mirë, zonja ministre e ndërtimit, merre fjalën pas meje dhe më thuaj një vend në botë, një, të sfidoj, që i ka dhënë parkut kombëtar të tyre lumor, siç është Vjosa, mbrojtje të gjithë parkut, përveç deltës. Më gjej një në botë dhe unë do të kërkoj ndjesë publike, një ku parku qenka pa deltën brenda, ku delta është pjesa më e madhe, është koka e parkut dhe ka rëndësinë më strategjike për vetë parkun. Ma gjej një, e hajde ma thuaj këtu, në minutat që do të kesh pas meje! Nuk e gjen dot. “Modeli juaj”, thotë zonja Kumbaro. Shumë krenare për modelin tonë, zonja Kumbaro, sepse modeli ynë në mjedis ka qenë një model që zbatonte standardet e Bashkimit Europian, modeli ynë në mbrojtjen e mjedisit nuk ka qenë modeli i inceneratorëve, modeli ynë në mbrojtjen e mjedisit ka qenë respektimi i Konventës së Bernës, që, në fakt, është një marrëveshje e Këshillit të Europës, që ju tërheq vëmendjen të ndaloni me betonizimin e me shkatërrimin që po bëni në Vjosë e Nartë me qëllim aeroportin, që ju bën thirrje të rishikoni ligjin e ri, sepse preken peizazhet e mbrojtura, të rishikoni ligjin e ri sepse u hapni rrugë ndërtimeve pa kriter! Çfarë bëni ju? Ju vazhdoni me kokëfortësinë e një njeriu që ka si qëllim zgjatjen e duarve për të grabitur pasurinë publike.
“Modeli juaj”, zonja Kumbaro? Ju përmendët Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Tani është bërë zakon të hapen tendera e të mbyllen pa fitues, këtë e bëjnë shumë, derisa të arrijnë të bëjnë tendera, të cilët t’i marrin me shumën maksimale e me klientë preferencialë. Shikoni tenderin që hap Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që më pas e ka anuluar, por, së pari, shikoni për çfarë e ka hapur, pasi kjo përbën tragjedi në këtë vend. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur tender prej 200 mijë eurosh, që një firmë private t’u bëjë vlerësimin e monumenteve të natyrës. Pra, agjencia që ka detyrë të vlerësojë monumentet e natyrës, e jo vetëm kaq, por edhe t’i mbrojë, dashka t’i dhënka 200 mijë euro një privati, që të vlerësojë se cili monument i natyrës vlen e cili duhet hequr nga lista. Me pak fjalë, të jetë privati ai që vendos se ku ia vlen që ai të ndërtojë, dhe ku nuk ia vlen të ndërtojë. Në cilin vend të botës ndodh që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura hedh një tender të tillë, që të vijë një privat dhe të bëjë bilancin e zonave të mbrojtura, për të caktuar se cilat duhen hequr e cilat duhet të rrinë? Ju e anuluat sepse nuk mori pjesë një privat. Tani pres që ta hapni prapë me 250 mijë euro dhe të zgjidhni klientin tuaj të preferuar, zonja Kumbaro: “Fusha” sh.p.k. Pse them “të preferuar”? Sepse e kishte Kumbaro me vete kur ishte ministre e Kulturës dhe ia veshi teatrit, ndërsa tani shikoj që më del në Syrin e Kaltër, më del ekspert për zonat e mbrojtura dhe që “Fusha” sh.p.k. ka marrë tenderin në Syrin e Kaltër, sepse, me sa duket, ka shumë ekspertizë për të ndërtuar edhe në zonat e mbrojtura, se është ajo qasja që ju them unë: mund të ndërtosh njësoj si në mes të Tiranës, si në zona të mbrojtura, se kështu e ka bërë ministrja e ndërtimit, Mirela Kumbaro!
Meqenëse jemi te Syri i Kaltër, i drejtova një kërkesë zonjës Kumbaro, ministrisë së saj, dhe i thashë: duke qenë se në zonë të mbrojtur keni vendosur një tren, i cili nuk ka ndonjë thirrje, që nuk ka treguar sesi e ka fituar ai zotëria që e ka marrë, edhe pse gjithë Saranda, i gjithë Finiqi, i gjithë Konispoli e dinë dhe flasin për lidhjen me nënkryetarin e Bashkisë së Sarandës… Megjithatë, unë mendova t’i drejtohesha zyrtarisht. Përgjigjja që më solle, të cilën do t’ia shpërndaj medies, ishte: treni është shumë i bukur; tren nëpër zona të mbrojtura ka edhe në botë; turistët e kanë klasifikuar si jashtëzakonisht shumë interesant! Pra, mungonte vetëm fjalia: me trena bëhen edhe filma. Këtë nuk e kishte futur, sepse e kishte ezauruar dikush tjetër përpara. Nuk tha asgjë: ku u hap tenderi, ku u bë thirrja, pse e fitoi kjo kompani? E fitoi sepse është kompania e nuses së nënkryetarit të Bashkisë së Sarandës apo jo? Cilat ishin eksperiencat e mëparshme të kësaj kompanie? A ishin vetëm fusha e taksive, dhe e shtoi në QKB para se të merrte tenderin? Nuk na i sqaroi fare këto. Nuk më sqaroi dot se si ka mundësi që djali i Tërmet Peçit marrka lejet për plazhet publike! As këtë nuk ma sqaroi zonja Kumbaro. Nuk ma sqaroi as se si ka mundësi që si drejtor të zonave të mbrojtura zgjedh një njeri të akuzuar për vjedhje. Çfarë do të bëjë ai? Po, do të bëjë zakonin në detyrën që i jepni ju, çfarë tjetër do të bëjë! A m’i shpjegon dot ti këto, zonja Kumbaro? Sepse ti jep shpjegime vetëm kur të thërrasim ne në interpelancë apo kur ke ndonjë projektligj, të cilin duhet ta prezantosh nga halli, por s’vjen ndonjëherë t’i qasesh Kuvendit me diskutime e me arritje, se nuk i ke. Ti ke arritje vetëm në fushën e oligarkëve, klientëve të pushtetit, dhe kjo, po e nënvizoj, të ka bërë ministren më jetëgjatë.
Meqenëse na e përmende, zonja Kumbaro, çfarë thotë raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë, dalë para afro një muaji? Çfarë thotë? A nuk të bëri përshtypje se çfarë thotë? Thotë:
“Ndryshimet e fundit në ligjin “Për zonat e mbrojtura” janë bërë pa u konsultuar palët e interesuara. Shqipëria duhet të përmirësojë ndjeshëm përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit europian, sidomos në vlerësimin e ndikimit në mjedis”, sepse vlerësimi i ndikimit në mjedis është shuar. Çdo projekt nuk shikohet si ndikon në mjedis, por shikohet se si do të ndikojë në xhepat e atyre që e japin dhe atyre që e marrin, ndërkohë që ministria ka detyra të tjera për të bërë. Mirëpo nuk e shikon, e jo vetëm nuk e shikon – sepse dua të ndalem e t’i kthehem sërish raportit – por burokratët e ministrisë së ndërtimit të zonjës Kumbaro, e thonë edhe në relacione. E dini si thonë në relacione për këto vendimet që përmenda unë, në lidhje me të cilat nuk tha asnjë fjalë, se pse e uli mbrojtjen nga shkalla e parë në shkallë të tretë, pse e hoqi zonimin dhe pse po u hap rrugë ndërtimeve aty? E dëgjuat që nuk tha asnjë fjalë, por vetëm foli: na ishte njëherë. Burokratët e ministrisë shkruajnë në relacion, të cilin e keni publik: “Pranojmë se përfshirja e lartë e aktiviteteve të lejuara në peizazhet e mbrojtura është pasojë e drejtpërdrejtë e nevojës për zhvillim intensiv ekonomik të kohëve të fundit.”
Pra, meraku i Ministrisë së Mjedisit është zhvillimi ekonomik. Le ta shkrijmë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ta bashkojmë me superministrinë e Belinda Ballukut. Zonja atje merret me ekonomi, me infrastrukturë, me energjetikë, sepse të gjitha projektet për zonat e mbrojtura i ke projekte infrastrukturore, aeroporte si në rastin e Vlorës, projekte energjetike, resorte me pesë yje. Të gjitha këto hyjnë në kompetencat e zonjës Balluku. Le të shkrihen, se të paktën nuk paguajmë njerëz që na vjedhin e që bëjnë tendera pa fund, por të paguajmë vetëm një. Më mirë një hajdut sesa dy hajdutë, sepse kjo do të ishte më e dobishme në lidhje me kursimin e parave publike.
Zonja Kumbaro, vura re se keni vënë një çelës në xhaketën tuaj. Më tërhoqi vëmendjen, pasi, në fakt, është simboli i mënyrës se si i keni kthyer zonat e mbrojtura në një han pa porta e pa nevojën e çelësave të asnjë lloji. I keni kthyer në atë gjendje, sa kushdo mund të bëjë çdo gjë, ndërkohë që çelësin e ke vetëm ti. Tek ti e gjejnë çelësin për të hyrë në zonat e mbrojtura, vetëm tek ti! Vini dorën dhe çelësin e keni te Mirela, e cila e ka vënë si simbol edhe te xhaketa e saj.
I rikthehemi raportit të Bashkimit Europian, pasi është një raport i besueshëm për mua e për zonjën Kumbaro, sepse zonja ministre nuk e përmend dot. Nuk e përmend dot, sepse aty nuk thuhet asnjë lavdërim për ministrinë e saj, nuk thuhet asgjë e mirë për ministrinë e saj. Aty thuhet se inspektimet dhe kapaciteti i zbatimit të tyre duhet të forcohen, që të trajtohen në mënyrë efektive krimet mjedisore, të cilat ju i keni lejuar me dashje e me qëllim; flitet gjerësisht për cilësinë e ajrit në Shqipëri, që lidhet drejtpërdrejt me atë që ju doni të bëni me zonat e mbrojtura.
Zonja Kumbaro na tha: ju shkoni në DrilonTushemisht. Unë shkoj, të them të drejtën, shkoj edhe për të parë sesi e keni katandisur. Zonja Kumbaro, a nuk të bëri përshtypje – se ke qenë edhe ministre e Kulturës – raporti i fundit i UNESCO-s, që thotë: do ta nxjerr Ohrin si pasuri në rrezik, për shkak të ndërtimeve që ju po bëni me ADF-në në Drilon-Tushemisht? A nuk të bëri përshtypje fakti që, sipas UNESCO-s, nuk janë të dobishme parkingjet nëntokësore dhe ndërtimet e hoteleve aty, sa ç’është e dobishme ruajtja e trashëgimisë dhe e habitatit natyror aty? Për këtë duhej të kërkoje falje e të thoshe: bashkë me zotin Gonxhe do të tërhiqemi. Por jo, ti thua: unë jam krenare që do të ndërtoj parkingje nëntokësore, jam krenare që do ta betonizoj dhe do ta bëj Ohrin dhe Drilon-Tushemishtin pasuri në rrezik.
(Bie gongu.)
Prandaj, do të doja përgjigje në lidhje me pyetjet që ju drejtova. Njëkohësisht, do të ishte e udhës që, së paku, të tërhiqeshit nga emërtimi i ministrisë…
Elisa Spiropali – Përfundojeni, zonja Zhupa!
Ina Zhupa – …meqenëse nga ministria jo, pasi i duhesh zotit Rama.
Faleminderit!
PJESA 3:
Zonja Kumbaro, bëre mirë që e kujtove Princin, sepse, në fakt, të gjithë ju po jetoni si princa e si princesha, duke vjedhur paratë publike shqiptare.
Sa për mua, kot, për merak, nuk kam qenë akoma në asnjë post publik, e kësisoj s’kam pasur mundësi as të jap e as të marr ndonjë lloj tenderi në Shqipëri. Pra, mund të jesh e qetë në lidhje me këtë.
Sa u takon tenderave në lidhje me të cilët ju pyes, për trenin e për drejtorin e zonave të mbrojtura, jeni ju përgjegjëse. Nëse doni ta ruani atë pozicion, ju duhet të mbani përgjegjësi jo para meje, por para shqiptarëve, të cilët japin taksat e tyre për pagën tënde.
Jam krenare për qarkun e Gjirokastrës – thotë, a thua se unë e kam thirrur si drejtuese politike e qarkut Gjirokastër! Unë e kam thirrur në cilësinë e ministres së Turizmit dhe Mjedisit.
Nuk duhet të ndihesh shumë krenare për punën që ke bërë atje. Të paktën në zgjedhjet lokale e more një përgjigje, sado që e deformove dhe u detyrove të fusje kandidatë të kriminalizuar. Besoj se përgjigjen tjetër do ta marrësh në maj 2025. Sa i takon të bukurës për ju dhe të bukurës për ne, në fakt, ka një ndryshim shumë të madh: e bukura për ne është ajo që përmbledh Gjiri i Manastirit, është Pema e Thatë, është Plazhi i Pasqyrave, është Butrinti, ndërsa e bukura e Mirela Kumbaros, e bukura me prova, janë pikat e vogla të resorteve, Manastiri-resort, janë qofteritë në Butrint, është shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, është heqja e zonave të mbrojtura përgjatë gjithë vijës bregdetare, aty ku ti dëshiron të vësh pikat e tua të vogla. Këtu kemi të bëjmë me një ndryshim shumë të madh. Në fakt, nuk është ndryshim midis të bukurës dhe të shëmtuarës, sepse këtë do t’ia falnin qytetarët, por është ndryshimi midis atyre që vjedhin, atyre që grabisin, atyre që masakrojnë pasurinë publike shqiptare, atyre që e përdorin pasurinë kombëtare për të shtuar pasuritë individuale të oligarkëve dhe të klientëve, dhe atyre që punojnë, mendojnë dhe qëndrojnë për pasurinë kombëtare, për historinë, për identitetin…
(Bie gongu.) …për mbrojtjen e tyre, për standardet ndërkombëtare, për UNESCO-n, për Bashkimin Europian, gjëra të cilat ju nuk i përmendët dot gjatë atyre 23 minutave që folët këtu, pasi nuk keni asnjë arritje, asnjë fjalë të mirë, as nga Bashkimi Europian, as nga UNESCO, arsye për të cilën nuk do të merrni asgjë të mirë as nga shqiptarët në maj të vitit 2025. (Bie gongu.)
Shumë faleminderit!