Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në mungesë së dhënies së fjalës për replikë me zotin xha Sulo nga filmi “Kapedani”, alias Erion Braçe, dua të them: po, zoti Braçe, keni një problem të madh me gjatësinë, por nuk ta zgjidh dot unë këtë problem. Unë nuk i dëgjoj ata nën një metër e pesëdhjetë, është e vërtetë.
Nuk e di kush ta jep të drejtën që të më quash “si ruse”, sepse unë nuk ia jap vetes të drejtën të të quaj “kone”, edhe pse të quajnë të gjithë. Megjithatë, kjo është çështje personale.
Të them të drejtën, nga anët e mia, nga unë vij, fëmijët ne i trajtojmë me shumë respekt dhe i mbajmë mirë. Kur futen në çështje të të mëdhenjve, ne kemi një shprehje dhe u themi: “O Erion t’u rrit boja, sa shumë m… të ha goja”.
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ina Zhupa – Rilindasit… (Ndërhyrje pa mikrofon)
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju bëj thirrje juve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të përmbaheni, ju lutem… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ina Zhupa – E meriton plotësisht…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Elisa Spiropali – Nuk është e hijshme kjo… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem, nuk është e hijshme kjo…
Ina Zhupa – Zonja Spiropali dhe zonja Balluku, se bëtë dje një tryezë…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem, ju bëj thirrje…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ina Zhupa – Zonja Spiropali dhe zonja Balluku, keni bërë dje një tryezë për dhunën gjinore dhe lejuat këtu që deputeti Braçe të etiketonte parfumin, thonjtë, gjatësinë dhe ti nuk reagove.
Ti që mbajte dje një fjalim për parfumin… (Ndërhyrje pa mikrofon)
Ta mbash një fjalim. Nëse nuk reagoni, mbajeni edhe këtë se e meritoni plotësisht.
Çështja për të cilën e kam thirrur këtë interpelancë është një çështje shumë më serioze sesa zotëria, që e meritonte plotësisht. Është një ngjarje tragjike, është ngjarja e humbjes së jetës së Martinit dhe plagosjes së Luizit. Ajo ishte një ngjarje për të cilën çdo njeri normal nuk do të bënte zhurmuesin këtu, duke u prekur nga një thënie, por duhet të ishte prekur nga ngjarja.
Ajo zonjë, e cila u zgërdhi në Parlament nga ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së 14-vjeçarit, është shumë më e irrituar nga shprehjet popullore, të popullit tonë të dashur dhe të mençur.
(Ndërhyrje pa mikrofon) Ndërsa Manastirliu ishte mësuar si mësuese e…
(Ndërhyrje pa mikrofon) Ikni, ikni vazhdoni. (Ndërhyrje pa mikrofon) Ndërsa Manastirliu ishte mësuar… (Ndërhyrje pa mikrofon) Vazhdoni përjashta, ju lutem! Të gjithë jashtë! Të gjithë të korruptuarit jashtë! Të gjithë hajdutët jashtë! Nuk meritoni të rrini në këtë sallë, kur flitet për vdekjen e një 14-vjeçari. Përjashta të gjithë! Dilni përjashta të gjithë, ju, të korruptuar, ju, hajdutë, që nuk meritoni të jeni këtu kur flitet për vdekjen e një 14-vjeçari!
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem, do të bënit mirë të kërkonit falje dhe jo t’i thellonit këto fyerje! Zonja Zhupa, ju lutem!
Ina Zhupa – Jam në të drejtën time.
Zonja Spiropali, vazhdojmë me kohën. Zonja Manastirliu ishte mësuar si ministre e Shëndetësisë që t’u bënte gjëmën shqiptarëve dhe vdekjet nuk i bënin përshtypje, dhe si ministre e Arsimit po bën rekord në këtë drejtim, duke e krahasuar veten me ministren e Shëndetësisë. Në fakt, kur vë një të paaftë në krye, mbetet sërish i paaftë, dhe froni i shërben vetëm për të nxjerrë më shumë në pah injorancën e vet, siç ka ndodhur me ministren Manastirliu.
Por, a kanë përgjegjësi institucionet për këtë ngjarje? A është kjo ngjarje një rast i veçuar? A kanë fëmijët tanë sot siguri në shkollat publike? A janë investuar institucionet shqiptare me buxhet për të siguruar oficerë sigurie në shkolla? A janë investuar institucionet shqiptare me psikologë për t’i trajtuar në mënyrën e duhur konfliktet midis nxënësve në shkolla, që të mos shkojnë te pasoja që ne pamë? Në fakt, përgjigjja që duhet të japë ministrja sot, për të cilën e kam thirrur në interpelancë, por që jam shumë e bindur se nuk do të ketë përgjigje, sepse do të jetë më shumë e indinjuar nga shprehjet popullore sesa nga vdekja, është e rëndësishme për secilin prind, është një përgjigje që e pret secili prind i Republikës së Shqipërisë që i ka fëmijët në shkollat publike, është një përgjigje që e kërkojnë prindërit që kanë protestuar për dorëheqjen e Ogerta Manastirliut, sepse dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi kur humb jetën një fëmijë në dyert e shkollës; dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur plagoset një fëmijë… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ku është ministrja?
Elisa Spiropali – Seanca duhet ndërprerë edhe kur fyerjet nga kjo foltore janë të pashembullta, zoti Bardhi. Fyerjet janë të pashembullta! Kjo histori ka kaluar në një nivel krejt tjetër dhe do t’i kërkoja zonjës Zhupa që të kërkonte një ndjesë. Nëse nuk do ta kërkojë për deputetin, ta kërkojë për publikun, sepse këtu flasim me publikun. Këtu nuk flasim vetëm për njëri-tjetrin, flasim edhe për publikun…
Ina Zhupa – Kur të kërkojë ndjesë ai, se unë thashë një shprehje popullore. Zonja Spiropali, le të mos vijë zonja Manastirliu…
Elisa Spiropali – Ju lutem, e ndërpres seancën…
Gazment Bardhi – Ja, këtë tha Ina! Çfarë ka ky më shumë sesa Ina?!
(Deputeti Gazment Bardhi vendos një audio: “Ti gruas sime dhe familjes sime i ha atë që nuk thuhet”.)
Elisa Spiropali – Zoti Bardhi…
Gazment Bardhi – Këtë tha Ina…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Elisa Spiropali – Ju lutem, zoti Bardhi, zonja Zhupa, zoti Vasili nuk ka nevojë të rrini aty! Nga kjo foltore janë dëgjuar çudira, për të cilat të gjithë deputetëve duhet të na vijë turp. A ka mundësi të ngrihemi në një nivel të ri diskutimi, narrative me njëri-tjetrin dhe të mos përdorim këtë fjalor as sot dhe as kurrë më, në mënyrë që të mund të zhvillojmë një interpelancë normale apo seanca normale në Kuvendin e Shqipërisë?!
Zonja Zhupa, mbaroni minutazhin tuaj.
Ina Zhupa – Unë jam përgatitur dhe vazhdoj edhe pa Ogertën.
Faleminderit, Kryetare, edhe për minutazhin, se m’i heqin… (Ndërhyrje pa mikrofon)
Nuk ka nevojë për ministren, sepse ministrja nuk ka përgjigje. Ministrja ka tri javë që nuk jep një përgjigje. Ministrja shyqyr që gjeti një rast, që ofendoi zoti Braçe, që të ikte. Ministrja i është fshehur protestës së qytetarëve, i fshihet opozitës, i fshihet Kushtetutës, por ama duhet ta dijë se prindërit e fëmijëve shqiptarë nuk e falin papërgjegjshmërinë e saj, nuk e falin zgërdhirjen e saj dhe nuk e falin kriminalizimin e arsimit.
A e dini ju se vetëm në dy muaj ka humbur jetën një i mitur; është plagosur një tjetër; është mbyllur një universitet privat që shiste diploma false; janë arrestuar 7 pedagogë që merrnin para në provime; është kapur një pedagoge që komunikonte me bandat në “Sky ECC” dhe “EncroChat”; janë dënuar 14 mësues që vendosnin nota fiktive për nxënës të çregjistruar dhe është përdorur shkolla e braktisur e Vaut të Dejës si shtëpi bari? Ju keni kriminalizuar arsimin! Do të duhet një platformë për dekriminalizimin e arsimit, sepse me në krye një ministre që ka modelin e kësaj mazhorance, ku kriminelët ecin para, bëhen deputetë, drejtorë dhe që bëjnë fushatën, e keni bërë arsimin një çerdhe të njerëzve të inkriminuar…
(Bie gongu.)
Elisa Spiropali – 7 minuta ishin, zonja Zhupa.
Nuk ju mora kohë, sepse, kur flas unë, ndërpritet koha juaj. Nuk ju marr juve nga koha, por vijon koha normalisht. Përfundojeni fjalinë, ju lutem!
Ina Zhupa – Po, fjalinë do të përfundoj.
Ndaj do të doja, sot, në emër të qytetarëve, jo për ne, në qoftë se ka kurajë të nxjerrë ndonjë fjalë nga goja, zgërdhimtarja Manastirliu, të na thotë se çfarë ka bërë për dekriminalizimin e arsimit, pasojë e…
Elisa Spiropali – Po fyeni sërish. Koha ka mbaruar.
Do ta ndërpres seancën, sepse kjo është e paprecedent. Kjo është shumë e rëndë. Fyerjet që u bënë në foltoren e Kuvendit… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem, uluni! (Ndërhyrje pa mikrofon) Zonja Zhupa e përfundoi fjalën, ju lutem! Doni përgjigje, apo doni të flisni vetëm ju? A e doni ministren në sallë? (Ndërhyrje pa mikrofon) A e doni ministren në sallë, apo jo? (Ndërhyrje pa mikrofon)
U bëj thirrje të gjithë deputetëve të përmbahen në fjalorin që përdorin, sepse kjo është e pamendueshme! Ju lutem! Tani, a doni përgjigje, sepse zonja Zhupa e përfundoi 7minutëshin e saj? Doni të përgjigjet zoti Peleshi, në vend të zonjës Manastriliu?
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Po uluni, sepse duhet thirrur, duhet ndërprerë… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem, uluni në vend! Zoti Peleshi, ka kërkuar fjalën.
Niko Peleshi – Në emër të Grupit
Parlamentar të Partisë Socialiste, mbështetur në Rregullore, në moralin qytetar, kërkoj që kjo seancë të ndërpritet, derisa deputetja të kërkojë ndjesë publike…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ne këtu nuk përfaqësojmë vetëm veten, familjen apo kulturën tonë personale, por ne këtu përfaqësojmë edhe moralin e shoqërisë….
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, mos ju afroni deputetit Peleshi, ju lutem! Mos ju afroni fizikisht deputetit, sepse nuk ka kuptim kjo gjë.
Uluni në vend!
Niko Peleshi – Duam apo nuk duam ne, ne e modelojmë shoqërinë me sjelljen tonë, dhe nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të dëgjojnë këtë gjuhë dhe të modelohen nga ne, që supozohet të jemi elita shoqërore. Kërkojmë ndërprerjen e seancës, derisa të kërkohet falje publike.
Elisa Spiropali – Seanca ndërpritet 10 minuta…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Zoti Bardhi, si kryetar i grupit.
Gazment Bardhi – Së pari, zonja Kryetare, ju si grua do të duhej të ishit indinjuar jo për fjalët e Ina Zhupës, që i ktheu përgjigje një deputeti pleh, që i tha një kolegeje, një gruaje…
Elisa Spiropali – A ka mundësi të mos e thelloni…
Gazment Bardhi – I tha një kolegeje, një gruaje “ruse”, dhe ti si një zonjë nuk reagove…
Elisa Spiropali – Ju lutem, a ka mundësi të mos e thelloni më fjalorin tuaj?!
Gazment Bardhi – Ina Zhupa nuk tha asgjë më shumë sesa Kryeministri juaj:
(Deputeti Gazment Bardhi vendos një audio: “Ti gruas sime dhe familjes sime i ha atë që nuk thuhet”.)
Këtë tha Ina Zhupa, ndërsa fjalën “ruse”, që ai ia tha një kolegeje grua, nuk ka guxuar askush ta thotë në këtë Parlament, dhe duhej të kishe reaguar ti e para. T’ju vijë turp për këtë inskenim që bëni! Një deputet pleh që i drejtohet një femre me fjalën “ruse”! T’ju vijë turp!
Elisa Spiropali – Ka mundësi të mos e thelloni fjalorin.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Mbaj qëndrim në çdo rast kur ka fyerje dhe më ka shkuar goja pas veshit sa herë që dëgjoj këtu një fjalor që nuk ka vend në Kuvendin e Shqipërisë…
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Zoti Bardhi, përtej rastit të dy deputetëve, Zhupa dhe Braçe, dua të them në parim se ju dhe të gjithë deputetët që përdorin…
(Ndërhyrje pa mikrofon) A ka mundësi, zoti Bardhi? Po pse inskenoni? Të gjithë deputetët që fyejnë, duhet të kërkojnë falje. Po kërkoj unë falje në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për të gjithë deputetët, në emër të të gjithë deputetëve… (Ndërhyrje pa mikrofon) Ju lutem, zoti Bardhi!
Po e kërkoj unë faljen në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për të gjitha ato që qytetarëve u kanë dëgjuar veshët nga kjo sallë, qofshin të djathtë apo të majtë. Kushdo që fyen nga kjo sallë, duhet të marrë dënim, dhe për këtë duhet të biem të gjithë dakord.
Seanca ndërpritet, sepse jemi në mes të një interpelance dhe ka nevojë që interpelanca të zhvillohet sipas Rregullores.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Zonja Zhupa e parashtroi interpelancën gjatë 7 minutave. Po e ndërpres seancën për të marrë masat që kjo interpelancë të vijojë.
