Ndërhyrje për procedurë në seancën plenare / 5 dhjetor 2024

Se kam hall se kjo Ogerta jep dorëheqjen. 

Së pari, i bashkohem urimit të zotit Çelaj sa i përket inskriptimit si pasuri jomateriale të “Kërcimit të Tropojës”! Uroj që Ministria e Kulturës do ta marrë shumë seriozisht UNESCOn dhe të reflektojë në të gjitha raportet që kërkon UNESCO-ja. 

Së dyti, e kërkova fjalën si kryetare e Komisioni për Median dhe Mjetet e Informimit Publik, sepse jam shumë e shqetësuar që deklaratat tuaja, më në fund politike, tregojnë qartë vullnetin e mazhorancës për të përdorur Komisionin e Dezinformimit për luftë dhe ndjekje penale ndaj mediave.  

 Deklarata    e    djeshme    e    kryetarit     të  Komisionit për Dezinformimin, që i bënte thirrje Prokurorisë që të hetonte dhe të çonte për ndjekje penale të gjithë gazetarët dhe mediet, që kishin guxuar… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ku është procedura këtu, sepse ju e keni mbajtur qëndrimin tuaj publik? Po dezinformojmë publikun edhe nga salla e Kuvendit, më duket. 

Ina Zhupa – Jo, nuk po dezinformoj fare, por po them një të vërtetë, që e dhanë të gjitha mediat. Ju që e ngritët një komision gjoja për propagandën e Rusisë dhe të Kinës, tani po e përdorni pse media shfaq që komunikata e Policisë së Shtetit është e rremë, që u jep zë dëshmitarëve, u jep zë prindërve të Luisit dhe del ai zotëria atje dhe thotë: “Duhet të çohen gazetarët dhe mediat për ndjekje penale”… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, kjo nuk është për procedurë. 

Ina Zhupa – Është për procedurë, sepse kam një kërkesë ndaj jush, zonja Kryetare. 

Elisa Spiropali – Do të kesh shumë minuta gjatë ditës për të folur.  

Ina Zhupa – Do t’i kem, sepse i meritoj ato minuta.  

Elisa Spiropali – Kjo nuk është për procedurë.  

Vijojmë me rendin e ditës, ku ju keni interpelancën, ju lutem!  

Ina Zhupa – Kam një kërkesë ndaj jush: meqë tani u shfaq në publik qartë pse e donit Komisionin për Dezinformimin dhe si do ta përdorni gjatë fushatës elektorale për të gjitha mediat që do të bëjnë lajme, që nuk shkojnë me vijën e komunikatave tuaja, hiqni dorë, mbylleni komisionin, mos vazhdoni në këtë shkelje! Të njoftohen ndërkombëtarët, që ta shikojnë se doli ajo që thamë ne. Këta duan të persekutojnë mediet, të cilat nuk e çojnë ujin te qeveria. 

Faleminderit, zonja Kryetare!