Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zoti Ministër, turp të të vijë ty, që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi!
Turp të të vijë ty, që, si, zëvendësministër i Brendshëm, nuk i je përgjigjur thirrjes që të ka bërë Këshilli i Lartë Gjyqësor për ndihmë!
Turp të të vijë ty, që sot nuk mban përgjegjësi, bashkë me kolegen tënde, për vrasjen në sallën e gjyqit të një gjyqtari që jepte vendim në emër të Republikës së Shqipërisë, të një gjyqtari që po ushtronte funksionin atje! Kur Policia e Shtetit thotë: nuk kam kapacitet për të mbrojtur një gjyqtar dhe për të mbrojtur njerëzit e drejtësisë, çfarë kapaciteti keni ju për të siguruar jetën e qytetarëve shqiptarë?! Çfarë garancie duhet të kemi ne te kjo qeveri, te ju, si ish-zëvendësministër i Brendshëm dhe sot i promovuar pikërisht për këto dështime, pikërisht për papërgjegjshmërinë ndaj qytetarëve shqiptarë? Çfarë garancie kanë sot qytetarët për jetën, kur në sallën e gjyqit, ku duhej të kishte tri palë kontrolle, vritet ai që jep vendim në emër të republikës?
Këto janë rezultatet e reformës në drejtësi që thua ti?!
Këto janë rezultatet, që njerëzit shkojnë në vetëgjyqësi dhe vritet gjyqtari në sallën e gjyqit?!
Këto nuk janë rezultatet e reformës në drejtësi, por janë rezultatet e keqqeverisjes suaj, janë rezultatet e një qeverie që nuk i çon policët të mbrojnë shtetin, por i bën vegla dhe mashë për interesat tuaja politikë!
Sot qytetarët janë të tronditur, se e dinë që në rrugët e Sarandës, atje ku jam unë, dhe në rrugët e Konispolit nuk ua hedh njeri sytë, kur në mes të Tiranës, në Gjykatën e Apelit, vritet gjyqtari!
E pra, ne 1 minutë heshtje mund ta mbajmë dhe duhet ta mbajmë në respekt të tij, por nuk do të thotë që ky Kuvend duhet të heshtë, nuk do të thotë që heshtja duhet ta pllakosë Shqipërinë, kur ndodhin vrasje më të rrezikshme se në shtetet që kanë definicionin si shtete autokrate, shtete të mafies, shtete të drogës! Ju i keni tejkaluar! Ju keni tejkaluar çdo skenar, ju i keni tejkaluar, siç thoshte ministrja juaj, edhe ato që bëheshin filma, sepse Shqipëria sot është në një realitet ku nuk ofrohet siguri.
Dhe ju të dy, ministri i Brendshëm dhe ministrja e Drejtësisë, apo siç jeni, ministrja dhe ministri, që jeni…
Nuk është fare për të qeshur, se, në fakt, jeni skandalozë në qëndrimet që mbani dhe në përgjegjësinë që duhet të keni para shqiptarëve!
Kuvendi duhet të flasë për sigurinë! Kuvendi duhet të flasë për jetën e njerëzve! Kuvendi duhet të mbajë qëndrim për këto ngjarje!
Dhe ju që të dy, ti edhe si ishzëvendësministër i Brendshëm, edhe zonja ministre, duhet të ikni, të jepni dorëheqjen dhe ky Kuvend të ketë mundësinë të diskutojë, të marrë masa, që nga siguria dhe deri tek ajo pseudoreforma në drejtësi!
Shumë faleminderit!

