Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Ç’është e vërteta, kur dëgjoje Komisionerin, dukej sikur fliste për një realitet që nuk ka lidhje me atë që përjetojnë qytetarët shqiptarë dhe me atë që ndodh në bashkitë e Shqipërisë, kur ka zgjedhje lokale, dhe në institucionet qendrore, kur ka zgjedhje të përgjithshme. Dua të kujtoj këtu se viti i kaluar ishte një vit elektoral dhe, me sa duket, vetëm Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil nuk i ka vënë re fryrjet e bashkive me punësime me kontrata të përkohshme dhe të përhershme, siç në fakt, e kanë nxjerrë raportet e OSBE-ODIHR-it, të cilat ngrenë si shqetësim përdorimin e aseteve, por edhe përdorimin e të drejtave që kanë bashkitë apo institucionet për të punësuar njerëz në shërbim të fushatës elektorale. Janë të dhëna kokëforte, që vijnë nga secila bashki, që tregojnë se çfarë rritjeje të punësimeve kanë sjellë vetëm kontratat paraelektorale dhe ato elektorale. Konkretisht, Bashkia e Tiranës – të dhëna që duhej t’i kishte sjellë Komisioneri – ka bërë 48 kontrata të përkohshme dhe 223 kontrata të përhershme gjatë kohës elektorale; Bashkia e Vorës ka bërë 36 kontrata të përkohshme dhe 40 kontrata të përhershme, përsëri në periudhën elektorale, deri në maj 2023 (maj 2022 – maj 2023); Bashkia e Durrësit ka bërë 73 kontrata të përkohshme dhe 154 kontrata të përhershme; Bashkia e Kukësit ka bërë 33 kontrata të përkohshme, 79 kontrata të përhershme; Bashkia e Matit ka bërë 70 kontrata të përhershme; Bashkia e Pogradecit ka bërë 27 kontrata të përkohshme dhe 93 të përhershme. Kështu ka ndodhur në të gjitha bashkitë e Shqipërisë; përjashtime të vogla bëjnë ato bashki, ku nuk kanë kandiduar kryetarët që kanë qenë në detyrë dhe nuk janë investuar shumë për kandidatin tjetër, për të bërë punësime në emër të tij.
Vihet re se administrata publike gjatë kohës së fushatës elektorale, të cilën nuk e paska vënë re Komisioneri, është detyruar me lista, që janë publikuar edhe në emisione investigative, edhe nga zyrtarë të PD-së, edhe nga raporti i OSBEODIHR-it, që të merrte pjesë në takimet elektorale. Sipas Komisionerit, paska qenë vetëm një rast në të gjithë Shqipërinë gjatë gjithë fushatës dhe ai rast paska qëlluar në ditë pushimi! Kush e beson këtë?! Këtë nuk e beson askush që jeton në Shqipëri, që ka një të afërm apo të njohur në administratën publike, ku u vinin mesazhe me orën dhe vendin, si dhe me mungesat që do të merreshin nëse nuk merrnin pjesë në fushatë elektorale. Bashkia e Tiranës dhe drejtorët e saj, ata që sot janë në burg, ata që vidhnin 100% të tenderave, pra 5 drejtorët “5D” dhe nja 20 të tjerë, si ata që i shërbenin si entourage dhe si pjesë e tenderave, ishin koordinatorë elektoralë të PS-së, të shpallur nga PS-ja, dhe takimet e tyre elektorale për Erion Veliajn kanë qenë takime me administratën e Bashkisë së Tiranës me lista; me grupe në WhatsApp, të cilët duhej t’i sillnin punonjësit në vendin e caktuar për ta duartrokitur Erion Veliajn. Këtë e ka parë e gjithë Shqipëria, por nuk e ka parë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. E kishte afër; nuk po i them të shikonte Bashkinë e Sarandës, Bashkinë e Konispolit apo Bashkinë e Finiqit, sepse ndoshta i ka larg dhe nuk i shihte dot, por Bashkinë e Tiranës, në mes të Tiranës, me denoncime publike, nuk e paska parë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil! Komisioneri përmendi vetë këtu që janë 945 pozicione në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil, të cilat janë me status. Imagjinoni se çfarë bëhet në ato që janë pozicione me kontrata pune, pozicione të përkohshme, jashtë shërbimit civil, të cilat përdoren vetëm për interesa elektoralë të PS-së! Të vetmet raste kur ka pushime nga puna, dhe besoj se do t’i shohim edhe këto, është kur ka ndonjë konflikt apo kur shpallet ndonjë i padëshiruar nga grupi i PS-së; kur shkon ndonjëri në burg dhe, kur nuk u duhen për interesa elektoralë, zëvendësohet me deputetin pasues, që i zë vendin në Kuvendin e Shqipërisë apo me drejtorin pasues në institucionin shtetëror.
Ky është realiteti.
INSTAT-i tregonte që vetëm në fund të vitit 2022, pra para fushatës elektorale (se fushata elektorale nuk është vetëm në muajt prill dhe maj, por është edhe parafushata, sepse ndërkohë e dinë që do të kandidohen dhe që do të merren me zgjedhjet), pati një rritje 8%, më e larta në 5 vjetët e fundit, të punësimeve në administratën publike, kur në realitet Shqipëria po shpopullohet; njerëzit po ikin, shtresa e mesme, ata që janë më të zotë, po e lënë Shqipërinë, sepse nuk gjejnë mundësi, kurse ju e mbushni administratën publike me patronazhistë. Si ka mundësi që për një sistem, që u fol gjatë e gjerë në media, që u pranua vetë nga PS-ja, siç ishte aplikacioni “Aktivisti”, për t’u përdorur nga nëpunësit e administratës publike, nuk gjeje dot një fjalë nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil?! Atë që e pa e gjithë Shqipëria dhe që duhej ta ngrinte me të madhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil nuk e gjejmë në asnjë germë të tij. Platforma “Aktivisti” nuk ishe gjë tjetër veçse një platformë, ku në orarin zyrtar, por edhe jashtë tij, nëpunësit e administratës publike u bënin like, share, komente të eventeve të Kryeministrit, të eventeve të titullarëve, pra bënin fushatë elektorale në kohën e punës. Kjo është fushata moderne, përdorimi modern i administratës publike që, përveçse i ulni në karrige që të duartrokasin, tani duartrokasin edhe online, duke i bërë like, share dhe komente Kryeministrit. Madje, e keni bërë agjendë të mbledhjeve të qeverisë, ku gjykohet puna e ministrave se sa like dhe share kishin ata në Facebook, që është bërë transparente nga një ish-zëvendësministër, që ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
Duhet thënë se procedurat e rekrutimit në administratën publike janë procedura, të cilat në shumicën e rasteve janë të paracaktuara – dhe unë e kam të provuar nga shumë prej studentëve ekselentë, të cilët aplikojnë me shpresën se mund të bëhen pjesë e administratës publike, që sjellin fakte e prova se njerëzit vihen paraprakisht në punë, ndonjëherë me kontratë të përkohshme, ndonjëherë pa kontratë dhe procedura vihet vetëm për të përmbushur nevojën që ka ligji për ta bërë këtë procedurë, sepse është paracaktuar që në fillim se kush e ka dhe kush do ta marrë vendin e punës.
E gjithë procedura e rekrutimit në administratën publike ka një parim bazë: të jesh patronazhist i PS-së. Nëse e kalon këtë kriter, atëherë mund të fillosh me procedurat e tjera. Nëse nuk e kalon këtë kriter, harroje se ti mund të kesh një vend në administratën publike apo në shërbimin civil në Shqipëri. Por, as këtë nuk e ka parë Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, pra nuk ka parë që procedurat e rekrutimit janë bërë si kostume me porosi, që vihen në bazë të gjatësisë, preferencave dhe si i shkon personit, i cili e ka të taksur tashmë vendin e punës nga titullari i institucionit, për më tepër që viti 2023 ishte një vit elektoral, për më tepër që ka dokumente të besueshme, siç është raporti i OSBE-ODIHR-it, që i ngre këto problematika, prandaj Komisionerja duhej të ishte shumë më serioze në paraqitjen e raportit dhe në paraqitjen e problematikave reale që ka sot administrata publike dhe shërbimi civil në Shqipëri. Ndërkohë që ka ndryshuar qasja e pushimeve të padrejta, për arsye se keni 12 vjet në pushtet dhe ju i keni vënë ata në punë dhe është shumë e vështirë që ende të gjesh sot në administratën publike njerëz që kanë nga 30 vjet në administratë, të cilët e njohin mirë ligjin dhe administratën, por janë shtuar punësimet, të cilat u shërbejnë vetëm interesave elektoralë të PS-së dhe interesave elektoralë të titullarëve të institucioneve.
Për ta mbyllur fjalën time, ne po hyjmë në një vit elektoral dhe është e pritshme që e njëjta metodë do të vazhdojë edhe në këtë vit elektoral, teksa do ta përdorni administratën publike për fushatë, do ta përdorni për të mbushur sallat, për vota dhe do t’i përdorni punësimet në administratë në të njëjtën mënyrë, ndaj e ftoj Komisionerin që të mos vërë një fashë në sy kur të sjellë raportin, por të paktën të tregojë aq sa mundet dhe me aq sa i lejohet nga partia në pushtet, realitetin.
Faleminderit!