Replikë në Kuvendin e Shqipërisë me deputeten Blerina Gjylameti- 30 Maj 2024

Fillimisht mendova se zonja Gjylameti e kërkoi fjalën për t’u bashkuar me rezolutën për zonjat gazetare, të cilat, në fakt, përballen çdo ditë me cenim dhe cenimi më i madh u vjen nga Kryeministri i këtij vendi. Gjithashtu mendova se do t’i tërhiqnit vëmendje Kryetares së Kuvendit, që të mos shkelë Rregulloren e Kuvendit, por, nëse donte ta rrëzonte, me urdhër të Kryeministrit, ta çonte në Konferencën e Kryetarëve, por ju nuk e bëtë këtë, gjykuat gjuhën time.  

Ja po jua shpjegoj: unë, zonja Gjylameti, nuk i them dot e ke lexuar mirë, kur nuk e ka lexuar mirë; nuk i them dot nuk e shkelur Rregulloren, kur e ka shkelur Rregulloren. Çfarë t’i them unë, zonjës Nikolla? Si t’ia shpjegoj që mocionet me debat dhe rezolutat nuk kanë asnjë detyrim për të qenë veprimtari e qeverisë? Ma thuaj ti: si t’ia them? Si t’ia themi bashkë? Zonja Nikolla, mocionet me debat, projektrezoluta dhe rezolutat nuk kanë ndonjë detyrim për të qenë veprimtari e qeverisë… 

Lindita Nikolla – Lexoni Rregulloren dhe atëherë do të dini si të ma thoni. 

Ina Zhupa – Zonja Nikolla, Rregulloren ma lexoni ju, meqenëse e dini: në cilën pikë ndalohet që ne të bëjmë një projektrezolutë për luftën në Ukrainë, sepse e kemi bërë, dhe nuk ishte veprimtari e qeverisë? 

Në cilën pikë, zonja Nikolla, është e ndaluar që ne të bëjmë një rezolutë për masakrën në Srebrenicë, sepse nuk është veprimtari e qeverisë, apo e quani veprimtari të qeverisë, sepse e kemi bërë?   

Ju kanë vënë në një pozitë shumë qesharake dhe mua më vjen keq, ky nuk është sulm ndaj femrës, por është ndaj Kryetares së Kuvendit, që ka marrë përsipër të shkelë Kushtetutën, të shkelë Rregulloren, të shkelë të drejtat e opozitës dhe të vijë e të lexojë një copë letër që, realisht, as vetë nuk e beson, sepse e thotë qartësisht që është Konferenca e Kryetarëve. 

Jeni në kohë, tërhiqeni, edhe votimin që bëtë këtu, sepse e keni në kundërshtim me Rregulloren, dhe bëni një akt për të treguar se ky Kuvend e ka seriozisht çështjen e Rregullores. Lëreni gjuhën parlamentare, joparlamentare, sepse unë as kam fyer dhe as fyej njeri, por të zezën nuk e bëj të bardhë dhe të bardhën nuk e bëj dot të zezë. 

Faleminderit!