Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Buxheti i arsimit tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverisje, e cila ka ndërmarrë aktet më antikombëtare ndaj shkollave, mësuesve, nxënësve, pedagogëve dhe studentëve.
Asnjë konsultë me sindikatat për këtë buxhet, asnjë konsultë me universitetet për këtë buxhet, asnjë konsultë me shoqatat për këtë buxhet, asnjë konsultë me bordet e prindërve. Të gjitha këto të pranuara prej vetë atyre në Komisionin e Edukimit dhe të Medies. Ky është buxheti i harresës së madhe për arsimin. Ky është një buxhet mjeran, ashtu siç janë mjerane politikat tuaja për arsimin.
Ricikloni çdo fillim mandati premtimin për rritjen e pagave me 40%, ndërkohë asgjë nuk ndodhur dhe nuk ndodh. E ka thënë para 4 vjetëve Lindita Nikolla, më 12 shtator të vitit 2017 nga kjo foltore: “ Do të rrisim brenda mandatit rrogat e mësuesve me 40%” . E tha para disa ditësh Edi Rama të njëjtën fjali copy-paste. Por realisht në 8 vjet rrogat e mësuesve janë rritur vetëm 10 mijë lekë të vjetër.
Po të shikosh normën e inflacionit, që aktualisht është 2,5%, dhe rritjen që parashikon ky buxhet rreth 6% në vitin 2022 e kupton që mësuesit shqiptar realisht nuk i shtohet asnjë qindarkë fuqi blerëse. Ka 8 vjet që mësuesve shqiptarë iu është mohuar dhënia e shpërblimit prej 100 mijë lekësh të vjetër në fund të vitit, shpërblim të cilin e kishin marrë rregullisht gjatë qeverisjes demokratike para vitit 2013. Qeveria e kishte detyrim ligjor, por edhe moral për të vazhduar dhënien e këtij shpërblimi dhe mundësisht rritjen e tij, por zgjodhi ta hiqte fare duke mos e vlerësuar profesionin e nderuar të mësuesit dhe nuk e ka parashikuar as për këtë fund viti 2021 dhe as në buxhetin e vitit 2022. Ju ftoj ta reflektoni! Jeni në kohë, reflektojeni dhe jepuni shpërblim në fund të vitit mësuesve shqiptar! Ata e meritojnë, ata e meritojnë për punën që kanë bëre gjatë një viti pandemik kur janë detyruar të paguanin nga xhepi i tyre internet dhe paketa ekstra për celularët e tyre, për pajisjet po të tyre pasi shteti nuk iu ka dhënë asgjë. Jepuni mësuesve, çojini paratë e shqiptarëve tek shqiptarët dhe jo tek oligarkët!
Fondet e planifikuara në buxhet për trajnimin e mësuesve janë të pamjaftueshme dhe nuk u përgjigjen nevojave paraqet në ligj. Trajnimet e mësuesve duhet të jenë falas, siç parashikohet me ligj dhe jo t’i lihet përsëri barra e pagesës mësuesve të varfër shqiptarë. Ligji përcakton që të paktën 3 herë në vit ata duhet të kenë trajnime, por ata këto trajnime i bëjnë po me paratë e tyre sepse shteti nuk ka para për mësuesit shqiptar.
Shpenzimet e transportit për mësuesit nuk paguhen në masën 100% dhe shpeshherë ato vonohen. Dhe rasti është konkret, është rasti që deputetja e Elbasanit e ka sjellë për Zyrën Arsimore të Belshit, ku edhe sot nuk paguhen mësuesit.
Sipas Bankës Botërore vetëm 47% e shkollave rurale kanë akses në internet, ndërkohë në buxhet flitet me terma të përgjithshëm retorike për digjitalizimin. Digjitalizimi pa internet, pra digjitalizim ku vetëm 47% kanë akses në internet!? Kur e pyesim ministren, ajo na thotë se presin ndonjë donator që t’iu dhurojë ndonjë tablet ose paketë interneti, sepse shteti kaq buxhet ka, kaq e ka mundësinë. Ndërkohë paratë janë, por thjeshtë zgjidhet të mos çohen tek arsimi shqiptar.
Sipas shpërndarjes së fondeve për investime parashikohet një ulje për arsimin e mesëm profesional: minus – 1,8 milionë euro (- 23%), të cilin, në fakt, e propaganduat me të madhe që do ta rilindnit në 2013, por, ringjallet thjesht dëshirën për të braktisur vendin si në eksodin e viti 1991. Kurset më të kërkuara sigurisht janë kurset e gjermanishtes, por jo, sepse ka në Shqipëri vende pune që duhet gjuha gjermane, por, sepse duan të ikin dhe ikin në Gjermani dhe në vende të tjera të Europës.
Kalojmë tek arsimi i lartë, rrogat e pedagogëve janë më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Sot një pedagog paguhet mesatarisht 600 euro dhe me këto para duhet të mbaj familjen, por edhe të paguajë konferencat jashtë, udhëtimet, fee-n, librat. E kupton sa në disfavor është pedagogu shqiptar për të jetuar edhe punuar me dinjitet? Në programin e buxhetit gjejmë terma të mëdha “ndërkombëtarizim”. Ndërkombëtarizim me 600 euro, kur koleget e tij marrin nga 6000 euro dhe kur shteti iu përgjigjet dhe universitetet iu përgjigjen?! Kjo është fytyra reale e qeverisjes tuaj.
Ndërkohë, rrogën praktikisht ia keni ulur me marifet e llogaritjes së orëve. Ata me një njëjtën sasi orësh mësimi marrin më pak se merrnin si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit, e cila më parë kishte koeficientin 2 për leksionin në master dhe 1,5 për atë në bachelor, tani i keni barazuar 1 me 1 dhe ata tani realisht marrin më pak kur bëjnë shumë më shumë mund apo aq mund sa kishin bërë më parë.
Pagesa e orëve suplementare, të realizuara gjatë një viti akademik, bashkohet me pagën mujore, kur lëvrohet kjo shumë dhe, meqenëse bashkë me pagën e atij muaj kalon kufirin përkatës, tatohet 23%. Kjo është vjedhje. Ato orë janë bërë gjatë të gjithë vitit, prandaj ose duhet të jepen gjatë të gjithë muajve, ose nuk duhet të tatohen 23%, sepse nuk ka lidhje me pagën reale të atij muaj, por gjithçka është bërë për të futur dorën në xhepin e pedagogëve të varfër shqiptar.
Asnjë parashikim në buxhet për të ulur tarifat shkollore ose t’iu bëhen falas. Sot Kosova, nuk po marrim vende të tjera të rajonit, i bëri falas tarifat për studentët, i gjeti paratë në buxhet, pra një shtet më i vogël, një shtet me ekonomi më të vogël, por me dëshirën dhe vullnetin për të bërë diçka për studentët gjë që mungon në Shqipëri dhe e keni treguar gjatë të gjithë kohës. Në Shqipëri studentët i paguajnë shumë shtrenjtë tarifat, ndërkohë marrin një shërbim të njëllojtë si para 10-20 vjetësh. Nuk ka ndryshuar asgjë në universitete dhe paratë që duhet të shkonin për studentët, qeveria i djeg në inceneratorë fantazmë dhe PPP-të me pronar offshore. Dhatë një kartë studenti surrogate, si rezultat të protestave të studentëve, por që nuk ofron përfitime konkrete në dobi të studentëve, por tallava, bluza e kafe. Biblioteka digjitale ngeli premtim si një nga të shumtët, kreditë studentore ngelën jetime, jeta sociale dhe sportive e studentëve mbeti një ëndërr e bukur ku qeveria nuk hedh asnjë cent.
Arsimi në Shqipëri është në ditën e tij më të keqe dhe ky buxhet pa buxhet për arsimin realisht vetëm vështirëson situatën dhe nuk jep asnjë zgjidhje reale konkrete për nevojat e shkollave dhe universiteteve shqiptare. Jepni paratë për arsimin, ngrini nivelin e investimeve për arsimin, nivelin për investimet në arsim, çojini paratë për mësuesit, për nxënësit, për shkollat se kështu do të boshatisni edhe burgjet, sepse sot paguani më shtrenjtë një të burgosur se një nxënës.