Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 27 Janar 2022

Sigurisht që termat që kemi dëgjuar në këtë foltore, gjatë këtyre 5 muajve, kanë qenë të ndryshëm për të thënë të njëjtën gjë. Një herë e quajmë borxh, një herë e quajmë marrëveshje huaje, një herë e quajmë marrëveshje kredie, por marrim para dhe nuk dihet se ku shkojnë këto para.

Ne sot kemi ardhur për të diskutuar për një marrëveshje, e cila është faza e katërt dhe nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në tri fazat e mëparshme të kësaj marrëveshjeje, se ku janë çuar paratë që duhet të shkonin për studentët, për godinat e Qytetit Studenti, çfarë është bërë me ato para. Ne sot e dimë, dhe qytetarët e dinë, se rezidenca studentore universitare nr.1 ka një administratë prej 377 personash, ku ndër to janë 8 drejtorë dhe 3 administratorë. Rezidenca universitare nr. 2 ka një administratë prej 165 personash, ku ndër to janë 6 drejtorë dhe 10 përgjegjës të mëdhenj sektorësh.

Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se vetëm kostoja e administratës në këto 2 institucione prej 542 personash është 709 mijë euro në muaj. Pra, vetëm rroga për këta punonjës paguajmë çdo muaj 709 mijë euro; në vit paguajmë 8,5 milionë euro. E dini çfarë thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit?! Thotë që kjo është një administratë e mbingarkuar, që ka dublikime pozicionesh pune, që ju në fund të ditës e keni kthyer në një çerdhe punësimesh të patronazhisteve dhe militantëve tuaj me paratë që duhej të shkonin për investime në godina dhe për studentët. Pse duhet t’jua japim ne të drejtën për të marrë më shumë para, ndërkohë që ju paratë nuk i investoni e nuk i çoni te studentët, por i çoni në drejtime të tjera?! Si kosto totale për 1 vit vetëm paga janë 8,5 milionë euro. Qeveria juaj me VKM-në nr. 1134, datë 24.12.2020, akordoi një fond tjetër prej 13,1 milionë eurosh për rindërtim/rikonstruktim të godinave të rezidencës studentore nr. 1, që janë në shërbim të Universitetit të Tiranës.

Qeveria juaj ka marrë një grant tjetër prej 9 milionë eurosh për rehabilitimin e godinave, ndërkohë në Paktin për Universitetin, paktin e famshëm që e citoi edhe ministrja, ju kishit ndërtimin edhe të një kampusi të ri. Për këtë Kryeministri Rama në vitin 2018 ngriti një grup qendror pune.

Nga viti 2018 dhe deri sot, jemi në janar 2022, nuk dihet se çfarë ka bërë ky grup pune; cilët janë ekspertët që u pyetën; a kemi një plan për kampusin apo do t’i ndërtojmë këto godina pa planin për kampusin. Pra, ju doni vetëm para, hua, ca nga buxheti i shtetit, ca nga donatorët, vetëm e vetëm që t’i keni për t’i përdorur për interesat tuaja.

Të dhënat tregojnë se studentëve në ato godina, që thoni se janë rikonstruktuar, të Qytetit Studenti u janë rritur tarifat me 10-20%. Tarifat mujore në godinat e parikonstruktuara ishin 5000 lekë të vjetër, tani janë 5500-6000 lekë. Pra, a mund ta dimë ne pse ndodh ky ndryshim tarifash, kur këto godina janë financuar nga studentët dhe prindërit e tyre, sepse janë financim nga shteti? Ne i paguajmë një herë nga taksat e prindërve tanë dhe përsëri i paguajnë studentët me tarifa, sepse këta paratë kanë nevojë t’i çojnë tek inceneratorët. A e dini ju se që nga momenti, kur është arrestuar ish-ministri i qeverisë “Rama”, që ka firmosur poshtë Ramës, pra ka firmosur Rama një herë, pastaj ka firmosur Lefter Koka, janë paguar 1,5 milionë euro për inceneratorët?

Ai i arrestuar, ata në kërkim, por paratë shkojnë… Këto para fare mirë mund të ishin shfrytëzuar për godinat e studentëve; mund të ishin shfrytëzuar për të bërë mirë në këtë vend, por jo, shkojnë tek inceneratorët. Ju, me forcën e kartonit, me forcën e mandateve të blera në zgjedhjet e 25 prillit votoni kundër planit për hetimin e inceneratorëve dhe, mbasi votoni kundër planit të hetimit, dilni e thoni pse nuk thërrisni dëshmitarët, ata për të cilët ju keni votuar kundër për të mos i thërritur. Mbasi thoni që doni të hetoni dhe doni të ftoni atje edhe Edi Ramën, nuk patët kurrë kurajën që fjalët tuaja, që i thatë nga zori, t’i çonit në fund në komisionin e inceneratorëve, që ne e propozuam dhe e drejtojmë. Kjo sepse jeni të kapur dhe sepse, në qoftë se hetohen inceneratorët, gjysma e njerëzve që janë këtu mbrapa, duhej të ishin dhe duhet të jenë me zotin Koka atje, ndoshta të bëhen edhe për spital.

Ndërkohë, kryetari juaj i Bashkisë së Tiranës konviktorët nuk i shikon si qytetarë, i shikon si njerëz që e përdorin qytetin për të ngrënë, për të pirë dhe për të kryer nevoja personale, ndërkohë vetë Veliaj me shumë mundësi ka qenë konviktor në vendet ku ka studiuar, por nuk e dimë nëse e kanë trajtuar kështu, siç ai trajton studentët e konvikteve. Ata studentë, në fakt, i kanë dhënë një histori Qytetit Studenti, që është historia e përmbysjes së sistemit dhe ne jemi sot këtu të gëzojmë nga demokracia, nga e drejta e votës, edhe pse e deformuar, e blerë dhe e keqpërdorur të gjitha këto vite.

Ne jemi në vitin 2022, dhe në vitin 2022 i mbyllim shkollat 3 ditë dhe i hapim ditën e katërt, të enjten, kur termometri tregon të njëjtat temperatura; -2 gradë është edhe sot, por kështu e vendosi ministrja Kushi, pa marrë një vendimmarrje shoqëruese për prindërit, pa shpjeguar arsyet pse e bëri, por thjesht sepse ashtu vendosi. A është Covid-i; a është i ftohti; a është nesër më ngrohtë apo do të jetë muaji shkurt më i ngrohtë, nuk e dimë dhe duhet të pyesim sinoptikanen më të re, ministren e Arsimit, e cila e di se si janë kushtet në të gjithë Shqipërinë dhe si duhet të bëhet arsimi. Në asnjë vend tjetër nuk ndodhin këto gjëra, përveçse kur ka ndonjë fatkeqësi të madhe natyrore dhe arsye shumë objektive për t’i mbyllur shkollat, të cilat, pasi mbyllen, shoqërohen edhe me vendime që të mos bëhen barrë e prindërve. Kurse në Shqipëri, përkundrazi, dalin të dielën pasdite, pasi i kemi denoncuar që nuk kanë marrë vendime dhe thonë se do të marrin një vendim. Edhe sot, kur ka mbaruar ajo periudhë 3-ditore, nuk e kanë thënë dhe nuk e kanë vendosur se çfarë do të bëhet me pagat e këtyre prindërve, ku njëri prind duhet të qëndronte në shtëpi.

 Në fund të fundit, për ju interesi nuk janë kushtet normale në shkolla. Në qoftë se do të ishin këto, me 35 milionë eurot, që kishit harxhuar me Bashkinë e Tiranës buxhet për arsimin dhe nga taksa e arsimit, do të ishin bërë shkolla shumë të mira që, të paktën në Tiranë, të mos mbylleshin, por jo, interesi është pasurimi, interesi është çuarja e parave tek oligarkët edhe me procesin e rindërtimit, me siguri, edhe me këtë proces, ku na kërkoni të merrni 20 milionë euro hua nga banka gjermane. Sigurisht, që ata tenderë do t’i marrin oligarkët e zakonshëm; sigurisht që studentët nuk do të përfitonin asgjë, siç nuk kanë përfituar. Maksimumi do t’ju rriten tarifat, siç ju janë rritur, por kjo nuk është mënyra se si qeveriset dhe nuk është mënyra se si u shërbeni qytetarëve dhe interesit të qytetarëve.

Prandaj, ne në komision kërkuam të na vinin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, të na vinin përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, të na vinin përfaqësues nga universitetet, në fakt nuk erdhi askush; askush nuk erdhi të përballet, as nga Ministria e Energjetikës dhe as nga Ministria e Ekonomisë. Sollën ca drejtorë, sepse vetë nuk vinin dot të përballeshin politikisht për atë çfarë kishin bërë në 3 fazat e para, për atë çka parashikojnë të bëjnë në këtë fazë të katërt, sepse nuk kishin bilanc, sepse nuk kishin si t’i përballonin argumentet me faktet e opozitë; lanë drejtorët aty. Nuk e dimë pse. Mbase për të treguar që i kanë politikë, apo i lanë, sepse nuk kishin këllqe që ta përballonin opozitën?!

Gjithsesi, ne nuk e pranojmë këtë marrëveshje që të bëhet e mundur të vidhet me shumë për t’i paguar më shumë patronazhistët.

Faleminderit!