Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 3 Shkurt 2022

Faleminderit, zonja Kryetare!

Sot po diskutojmë dhe do të votojmë konventën që lidhet me dhunën në ambientet e punës. Sigurisht, nga të dyja anët e këtij parlamenti nuk besoj se do të ketë kundërshtime për ta votuar këtë konventë dhe do të votojnë pro saj.

Unë besoj se problemi në Shqipëri nuk ka qenë votimi i konventave apo i ligjeve, sepse këtu kem rënë dakord për miratimin e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën ndaj gruas apo për çështjet e fëmijëve, por është zbatueshmëria e këtyre bazave ligjore që ne miratojmë këtu, mbikëqyrja që ne si parlament duhet t’u bëjmë institucioneve që kemi nën vartësi se si po e zbatojnë ligjin. Por kemi zgjedhur që të mos ta bëjmë, të paktën deri tani nuk e kemi bërë detyrën aq sa duhet, edhe si mbikëqyrës të institucioneve që kanë për detyrë të zbatojnë ligjin.

Dhuna në institucionet e punës nuk është ajo dhuna tradicionale që ne mund të supozojmë, siç është dhuna fizike, por lidhet me ngacmimet e formave të ndryshme, edhe ato morale. Për shembull, përçmimi, ofendimi, injorimi, siç e keni parë edhe në këtë Kuvend, i bërë nga punëdhënësi Kryeministër apo punëdhënëset ministre.

Kemi parë skena, edhe kur unë nuk kam qenë në këtë parlament, ku ministret mbrapa meje kanë qarë nga ofendimet e bëra nga Kryeministri. Pra, ne jo vetëm që duhet të miratojmë konventa, por duhet të jemi edhe shembull se si duhet të sillemi, se si duhet të shmanget dhe të mos përdoret asnjë formë e dhunës, ngacmimit, shqetësimit, sidomos ndaj targetgrupit më të prekur, grave.

Gratë janë më të dhunuarat dhe më të kërcënuarat jo vetëm në vendin e punës, por edhe në familje, fatkeqësisht. Në 8 vjetët e fundit janë vrarë 120 gra dhe vajza në Shqipëri.

Fatkeqësisht, Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë me këto statistika. Sipas një raporti të publikuar nga zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, Shqipëria është në nivelin më të lartë për numrin e vrasjeve të grave dhe vajzave nga partnerët e tyre, pra brenda dyerve të mbyllura të shtëpisë.

Rreth 8 mijë gra dhe vajza denoncojnë çdo vit dhunën në familje. 90% e krimeve seksuale janë kundër fëmijëve, kryesisht vajzave. Vetëm në 3 vjetët e fundit 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 janë vajza.

I sjell këto të dhëna për të kuptuar që kemi një problem serioz; i sjell këto të dhëna për të kuptuar që në këto raste është shumë mirë të funksionojë një ndërgjegjësim pa krah politik dhe të kemi mundësi të bëjmë më shumë për ta ndryshuar këtë realitet. Edhe një mekanizëm i ri që është ndërtuar, siç është Aleanca e Grave, sigurisht që duhet ta ketë në fokus, apo jo, zonja Ministre? Sepse kur çështja është kaq sensitive, minimumi që mund të bëni është të dëgjoni.

Kategoritë që ne trajtojmë sot në punë, sigurisht janë të patrajtuara në statistika, sepse deri më sot në Shqipëri, siç ka munguar konventa, kanë munguar statistikat e mirëfillta se sa është përqindja e dhunës, e ngacmimeve dhe e shqetësimeve në punë.

Komisioneria antidiskriminim ka ngritur një shqetësim, që nuk është reflektuar, por ndoshta duhet ta reflektojmë më vonë në legjislacion, për sa i përket terminologjisë. Pra, duhet ta shmangim terminologjinë “ngacmim” dhe ta zëvendësojmë me terminologjinë “shqetësim”, sepse është më gjithëpërfshirës dhe u jep më shumë mundësi grave, vajzave dhe kujtdo tjetër, që është i prekur, për të gjetur të drejtën dhe zbatueshmërinë e tij.

Unë dua t’ju kujtoj që ka edhe një dhunë tjetër, ajo që quhet “dhuna strukturore”. Ne që studiojmë shkenca politike ua themi edhe studentëve se dhuna strukturore është fyerja, nëpërkëmbja ndaj nevojave themelore të njeriut, duke ulur nivelin real të plotësimit të tyre dhe këtë e bëjnë institucionet dhe shteti. Mjafton të kujtojmë vdekjet që kanë ndodhur në vendin tonë nga mungesa e energjisë elektrike. Vdekja e Liljanës në Fier para pak ditësh nuk është e vetmja, pasi kemi edhe vdekjen e nënë Barbullës nga Lezha. Shteti nuk garanton as plotësimin e nevojave më minimale të energjisë elektrike, por është aty vetëm për ta prerë energjinë elektrike dhe për t’i lënë ato në kushte të mjerueshme. Kjo është dhuna strukturore, nga e cila shkaktohet edhe vdekja.

Mjafton të kujtojmë spitalet tona, të cilët kanë mungesë ilaçesh, nuk kanë as termometër, që është gjëja më minimale. Sigurisht, mund t’i blesh vetë dhe këtë dhunë mund ta tejkalosh nëse ke disa miq dhe para më shumë.

Të kujtojmë dhunën ndaj fshatarëve dhe atyre që jetojnë në fshat, të cilët nuk ngrenë dot qoftë edhe kasollen e dhive pa leje, sepse u shkon policia, që nuk shkëmbejnë dot mallin me fshatarin tjetër, pa faturë dhe kupon tatimor, sepse u vjen shteti, ndërkohë që kalojnë maunet, nuk dihet se sa banane konsumojnë shqiptarët, që me sa duket janë të miksuara me drogën dhe nuk kuptohet se ku fillon banania dhe ku mbaron droga.

Nxorët me gaz fëmijët e shqiptarëve. A ka dhunë më të madhe se sa ajo që bëtë tek Astiri?! A ka dhunë më të madhe se sa kur policët, pa numra identifikimi, si vandalë nxirrnin artistët nga Teatri Kombëtar? A ka dhunë më të madhe se sa ajo që ju po bëni te “5 Maji”? A ka dhunë më të madhe se ajo që ju bëni te banorët e Shkozës? Ja, pra, shteti, me dhunën e tij strukturore, fizike dhe policore, u tregon qytetarëve të tij shembullin se si më i forti mund të dhunojë më të dobëtin në këtë vend.

 Për aq kohë sa ne flasim për dhunën ndaj grave, ndaj fëmijëve, në familje dhe në punë, duhet ta fillojmë nga vetja, duhet ta fillojmë nga ky parlament, nga kjo qeveri dhe nga shembujt se si jetën e qytetarëve tanë të mos e nxijmë dhe të mos e bëjmë të pamundur për ta jetuar, ku azili të jetë e vetmja shpresë. Pra, të ikësh si refugjat në vende të tjetra dhe të kërkosh azil ekonomik, duke lënë në vendin tënd familjen dhe njerëzit e dashur. Besoj se për asnjë nuk është e lehtë, por është një detyrim që t’i shpëtosh kësaj dhune strukturore, e cila përditë merr nga jeta e tyre, nga mirëqenia e tyre, nga qetësia e tyre familjare dhe shpirtërore.

Ndaj, ju ftoj që të reflektojmë të gjithë bashkë, edhe ne, për çdo gjë që mund të kishim bërë më mirë kur kemi qenë në pushtet, si forcë politike dhe jo si individë, sepse forca politike është shumë më e madhe se individët dhe do të jetë atje kur ne apo individë të tjerë të mos jenë. Pra, edhe ne kemi pjesën tonë të fajit, si forcë politike, për atë që nuk kemi bërë kur kemi qenë në pushtet, por kjo nuk mund të na ndalë që sot së bashku të kërkojmë që të bëjmë më shumë për pjesën e dhunës, sidomos ndaj grave dhe fëmijëve.

Ky është apeli im, meqenëse sot miratojmë këtë konventë të rëndësishme, por që nuk është asgjë nëse nuk e shoqërojmë me legjislacion, nëse nuk e shoqërojmë me masat e duhura për këto institucione, që në fund të ditës t’u kërkojmë llogari se sa e kanë zbatuar, se çfarë kanë bërë dhe se cilat janë masat.

Ne e kemi trajtuar në një tryezë bashkë me Kryetaren e Kuvendit se çfarë kotësie ka urdhri i mbrojtjes për gratë, të cilat vriten edhe pse e kanë marrë urdhrin e mbrojtjes. Ky urdhër nuk është asgjë, është një copë letër, që u thotë: qëndro larg, ndërkohë që jetojnë në një shtëpi. Pra, këto kotësi nuk duhet t’i lejojmë më, por të gjithë bashkë duhet të bëjmë disa ndryshime me vullnet të mirë, për të mirën e grave, të vajzave dhe fëmijëve shqiptarë.

Faleminderit!