Interpelancë në Kuvendin e Shqipërisë me Ministren e Kulturës Margariti për çeshtjen e dhenies me koncension të Butrintit | 9 Qershor 2022

Gjendem sërish përpara jush për të kërkuar shpjegim nga ministrja e Kulturës në lidhje me kontratën e koncesionit të Parkut Kombëtar të Butrintit, në fakt, jo të parkut, por të qytetit antik të Butrintit, sepse kanë garantuar që Butrintin ta ndajnë në dy copa: në njërën copë qytetin antik, atje ku prodhohen biletat dhe t’ia japin këtë me koncesion një fondacioni në administrim privat; pjesën e Parkut Kombëtar ta ndajnë më vete dhe t’ua japin këtë pjesë-pjesë për resorte disa privatëve të tjerë, duke hequr nga zona e mbrojtur 800 hektarë të peizazhit dhe të Parkut Kombëtar të Butrintit, që është zonë e mbrojtur.

Pyetja ime e parë, për të cilën ende nuk kam marrë përgjigje në këta 2 muaj: si ka mundësi që shteti ynë të heqë dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore, nga mbrojtja e vlerave të tij arkeologjike, historike, mjedisore turistike dhe këto t’ia dorëzojë një privati? Si ka mundësi që shteti ynë, Ministria e Kulturës del e thotë që administrimi i deritanishëm i Butrintit ka dështuar për shkak të politizimit të administratës dhe për shkak të paaftësisë së saj? Këto janë dy argumente pse shteti nuk e administron vetë, por ia kalon atë privatit, si një model menaxhimi më i mirë dhe i vetmi, në fakt, në botë në këtë rast dhe në kundërshtim me konventën e Parisit. Pse nuk vendosin kritere? Pse nuk ndryshohen procedurat në lidhje me administrimin e Butrintit, duke vendosur profesionistë në krye të administratës, duke krijuar borde me anëtarë arkeologë shqiptarë, njerëz të shquar, të cilët kanë kontribuar dhe mund të ofrojnë një administrim cilësor për Butrintin? Por nëse kriter për të dhënë me koncesion diçka është një administratë politike dhe e paaftë, atëherë institucioni i parë që duhet të jepet me koncesion është vetë Ministria e Kulturës, sepse i plotëson të dyja standardet: administratë politike dhe administratë e paaftë. Atëherë, le të votojmë t’i japim me koncesion Ministrinë e Kulturës, të na e administrojë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan ose ndonjë fondacion tjetër. Meqenëse kemi me shumë besim për t’ia dhënë pasurinë kombëtare, botërore të mbrojtur nga UNESCO-ja, atëherë t’i japim të njëjtin besim dhe t’i dorëzojmë Ministrinë e Kulturës, sepse qenka më i aftë sesa vetë shteti për të administruar perlën e trashëgimisë kulturore! Nëse qenka kjo arsyeja dhe ideja, unë jam dakord që të japim Ministrinë e Kulturës me koncesion!

Për herë të parë në historinë botërore të trashëgimisë kulturore dhe të administrimit të trashëgimisë kulturore me marrëveshjen e koncesionit, që ju keni miratuar, në pikën 9/2 të asaj marrëveshjeje shkruhet: “Fondacioni miraton planet vjetore të veprimtarive ekonomike, artistike, turistike dhe kërkimore”. Po ndalem te veprimtaria kërkimore, jo se të tjerat nuk janë të rëndësishme. Kemi një Ministri të Turizmit që është po aq e përfshirë, jo vetëm se është kumbara e vërtetë e këtij projekti, por sepse lidhet me faktin që Ministria e Turizmit është përgjegjëse për planet vjetore turistike të asaj zone.

Veprimtaria kërkimore Në mënyrë të çuditshme, edhe pse ekziston VKM-ja nr. 208, datë 10.04.2019, organi më i lartë në këtë rast për veprimtarinë kërkimore është Këshilli Kombëtar i Kulturës Materiale. Ju ia keni marrë të gjithë rolin këtij këshilli dhe ia keni transferuar një fondacioni privat. Fondacioni privat, në këtë rast Richard Hodges, zgjedh se kush do të gërmojë në Butrint dhe se kush do të bëjë punë kërkimore në Butrint. Mund të bëjë?! Po, sepse jam shumë e sigurt që do të thotë se mund të bëjë çdo autor shqiptar, çdo arkeolog shqiptar, mund të bëjë edhe Instituti i Arkeologjisë, por me leje nga fondacioni, sepse e miraton fondacioni veprimtarinë e tij vjetore, kërkimore, ekonomike, ndërkohë që nenin 4, germa “b”, të kompetencave të organit më të lartë, Këshillit Kombëtar të Kulturës Materiale, thuhet: “Miraton projektet e mirëmbajtjes, ruajtjes, restaurimit, të pasurive kulturore të hartuara me institucionet e trashëgimisë kulturore” e të tjera. Pra, ia heq kompetencën një organi shtetëror dhe ia jep një fonacioni privat, që besoj të gjithë jemi sot të qartë që ka brenda vetes 4 individë privatë, pa asnjë funksion për shtetin shqiptar dhe vetëm ministren e Kulturës, me një funksion ministre, edhe pse aty del me emër, si zonja Elva Margariti.

Pyetja ime e radhës është: cili duhet të jetë raporti që, sipas ministres së Kulturës, duhet të ketë administrimi i Butrintit si vlerë kulturore, si vlerë arkeologjike dhe historike, përkundrejt administrimit të Butrintit, si burim fitimi dhe si mjet biznesi? Për këto pres përgjigje.

PJESA 2:

Në fakt, jam shumë e qartë, madje jam më se e qartë për atë që do të ndodhë në Butrint. Kësisoj, e gjithë përpjekja ime ka synimin që çdo shqiptar të jetë më se i qartë në lidhje me atë që do të ndodhë në Butrint. Kjo imja është një përpjekje, që çdo socialist, çdo demokrat, çdo njeri që mbase nuk ka votuar kurrë e që jeton në Shqipëri, të jetë i qartë për këtë që po bëhet, për këtë koncesion të cilin realisht nuk keni guxim ta quani në emrin e tij të vërtetë, sepse e kuptoni që nuk ekziston asnjë vend në botë, në këtë botën e qytetëruar apo ku të doni ju, në cilindo cep të botës, që një shtet të nxjerrë pasurinë kulturore, trashëgiminë kulturore në koncesion dhe t’ia dorëzojë atë privatit. Nuk ekziston. Nëse do të ekzistonte, të jesh e bindur se ti e para, do të vije këtu dhe do ta thoshe që është ky model apo ky modeli tjetër, apo një tjetër akoma, e për rrjedhojë është praktika më e mirë ndërkombëtare.

Nuk ekziston, sepse e para, besoj se ligji jo vetëm do të kthehet nga Presidenti i Republikës, por do të atakohet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kjo për arsye se ky ligj është antikushtetues. Ky ligj bie në kundërshtim me Konventën e Parisit, ku thuhet se shtetet duhet të jenë garante për ruajtjen dhe transmetimin e vlerave të trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm, që administrimin e trashëgimisë kulturore nuk e shikojnë si mjet biznesi dhe nxjerrje parash, por si detyrë që e ka shteti për të ruajtur historinë, arkeologjinë, për të ruajtur jo vetëm vlerat që do të transmetojë te brezat e ardhshëm, po edhe te turizmi. Prandaj janë të ndërthurura të dyja me njëra-tjetrën.

Lista e donacioneve të AADF-së, që na përmendi, nuk e legjitimon dhënien me koncesion. Shumë mirë që një fondacion i nderuar ka dhënë donacione, jep donacione, është i mirëpritur të japë edhe për Butrintin. Kam qenë unë ajo që ju kam propozuar që AADF-në ta fusni brenda bordit të menaxhimit të Butrintit sipas bordit ekzistues, ku institucionet shtetërore sot kanë një bord, janë shtatë institucione shtetërore, mund të futeshin një apo dy përfaqësues të AADF-së, ku shteti do të ishte kryesori dhe do të ishte garant për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Por ju nuk doni këtë model. Keni bërë një fondacion të ri, që nuk është as AADF-ja, për të gjithë ata që mashtrojnë me emrin e AADF-së. Është një fondacion i ri, Fondacion për Menaxhimin e Butrintit, fondacion që ka katër individë privatë, që nuk përfaqësojnë asgjë, që edhe për atë që ju thoni se është përfaqësues i shtetit shqiptar, se kështu e ke caktuar ti, Richard Hodges, ju nuk keni bërë asnjë thirrje publike, që të kërkonit aplikime për anëtarë bordi. Si e zgjidhët ju se kush do të ishte anëtar bordi, që përfaqësonte shtetin shqiptar në një model pa funksione? Nga e mori vesh ky zotëri, që ishte hapur ky aplikim, kur nuk ka pasur asnjë thirrje publike? E keni marrë ju në telefon? E keni përcaktuar? Keni zgjedhur ju njerëzit më të afërt, kientelistë me lidhje antishqiptare, të cilëve do t’u jepnit Butrintin, për të plotësuar interesat e tyre të vjetra që nga viti 1993? Epo ky nuk është modeli i menaxhimit të pasurive kulturore dhe të trashëgimisë tonë kulturore.

Në marrëveshje, në pikën 5.2 të saj, keni thënë: “Ministria deklaron dhe garanton gëzimin e plotë dhe të qetë të pasurisë kulturore nga fondacioni.” Keni thënë edhe “posedon”, që sipas Kodit Civil, – se jam shumë e sigurt se është bërë me vetëdije të plotë – në nenin 304 thuhet që “posedimi është sundimi efektiv mbi atë send, mbi atë pronë.”

Pra, i keni dhënë sundimin efektiv. Nuk e keni shitur, nuk keni si ta shisni, sepse është e paçmueshme, nuk i takon asnjë qeverie, por i takon shtetit shqiptar. Ju ia keni dhënë në zotërim të plotë efektiv, dhe çdo jurist këtu mund ta shpjegojë fjalën “posedim”.

Jo vetëm kaq, i keni dhënë të drejtat ta regjistrojë atë në kadastër, si çdo pronë që regjistrohet, për aq kohë sa ti e ke në përdorim. Në këtë rast, për dhjetë vjetët e ardhshëm dhe me të drejtë rinovimi, siç e keni vendosur ju. Pika 19.1 e marrëveshjes: “Fondacioni merr leje zhvillimore në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë, leje ndërtimi, leje peizazhi, leje për ndërhyrje në pasuritë kulturore, licenca për projektim e zbatim dhe qarkullim të pasurive të luajtshme.”

Ju duket normale që këto t’ia japim një privati? A e dini çfarë do të thotë: “qarkullim i pasurisë së luajtshme”? Do të thotë nxjerrje jashtë shtetit të zbulimeve që bëhen në Butrint. Kush do t’i kontrollojë këto? Fondacioni vetë. Kush do të kontrollojë sa nxirren, sa vijnë dhe kush do të mbajë përgjegjësi? Fondacioni vetë, privatët, ata të cilëve ne u japim Butrintin me çelësa në dorë, edhe me arkën e Butrintit, edhe me 2,1 milionë dollarë, që transferohen nga shteti te ky fondacion privat.

Pika 17/5 e marrëveshjes: “Të ardhurat derdhen në llogarinë bankare të fondacionit”, ndërkohë që fondacioni organizohet si OJQ dhe në statutin e vet e ka, sikundër është edhe normale: “Fondacioni nuk ka auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit”. Pra, heqim një institucion tjetër shtetëror, që në qoftë se do të ishte siç thoni ju, që fondacioni është prapë ministria dhe prapë shteti, atëherë do të qe organ shtetëror dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit do të kishte gjithë mundësinë të bënte auditimin e parave atje. Por jo, të ardhurat derdhen në llogarinë e fondacionit, fondacioni është OJF, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka asnjë rol për të kontrolluar se çfarë, si dhe ku do të shkojnë paratë e Butrintit.

Keni zgjedhur edhe një moto, që “Çfarë ndodh në Vegas, ngelet në Vegas”, çfarë ndodh në Butrint, do të ngelet në Butrint, e pastaj ec e merre vesh çfarë ndodh aty, ndërkohë që nuk ke asnjë institucion shtetëror që e kontrollon, që e monitoron apo që e auditon.

Ndërkohë, në pikën 30,2 të marrëveshjes thuhet: “Ministria do të shpërblejë fondacionin dhe do ta mbajë fondacionin të pacenuar për çdo humbje të çfarëdo lloji, që mund të pësojë fondacioni.”

Pra, i merr përsipër të gjitha risqet. Ashtu sikundër në një pikë tjetër të marrëveshjes thuhet se: “Në rast fatkeqësie natyrore, në rast risqesh të tjera, i merr përsipër qeveria”, edhe çdo risk të kësaj marrëveshje e merr përsipër shteti. Çdo pësim humbjeje që mund të ketë fondacioni, e merr përsipër ta dëmshpërblejë shteti, ndërkohë që çdo fitim e mban fondacioni, çdo të ardhur e menaxhon fondacioni. Pra, e marrin Butrintin, por e marrin vetëm si një aset për t’i nxjerrë maksimumin, për të fituar maksimumin. Nuk e marrin për ta menaxhuar dhe mbajtur përgjegjësi edhe për risqet. Nuk e marrin për të investuar në drejtim të kërkimeve e në drejtim të turizmit e të tjera e të tjera, por e marrin për interesat e veta. Të gjitha këto i përdorin për interesat e tyre katër persona privatë, plus ju përfaqësues të shtetit shqiptar.

Ndërkohë, përmendët këtu dhe pjesën e zonës tjetër të mbrojtur të Butrintit.

Zonja Ministre, ju duhet ta dini se plan i integruar do të thotë që, si qytetin antik, si parkun kombëtar t’i trajtoni në një plan, sepse qyteti antik aty ka kuptim brenda atij parku, ka kuptim me atë mjedis, ka kuptim me atë mbrojtje, si zonë e mbrojtur. Nuk ka kuptim i veçuar, që t’i ta rrethosh me pallate apo me resorte. Ka kuptim ashtu siç është dhe ka mbrojtje e njohje nga UNESCO-ja ashtu siç është. Jo, thoni ju. Na tregoni këtu një hartë me viza të kuqe dhe na thoni se është Ksamili.

Iku ministrja e Turizmit, se e dinte që do t’i dilte emri edhe asaj, kumbarës së projektit. Ja fotoja! Zonë e mbrojtur, zona e “Pemës së Thatë”, zonë e pandërtuar, që nuk lejohej të ndërtohej, zonë e bregdetit shkëmbor, me mbrojtje. Këtu ka ndërtim. Ja ku janë pemët, për këdo që e njeh zonën e “Pemës së Thatë”. Duhej të ishte zonë e mbrojtur. Që të kenë ndërtuar këta, e kuptoni ju se sa kamionë e sa betoniere kanë kaluar, duke gërryer shkëmbin këtu dhe duke prishur, pa i parë asnjë institucion. Ndërton aty kasollen e bagëtive një fshatar, e shikojnë të gjithë dhe ai përfundon në burg. Ky tjetri ndërton në zonë të mbrojtur, nuk e shikon askush, nuk reagon askush, prish bregdetin shkëmbor, prish atë që quhet “macchia mediterranea” me mbrojtje jo vetëm shqiptare, por ndërkombëtare, dhe nuk e shikon askush.

Çfarë bëhet për këtë? Bëhet hapi tjetër: hiqet nga zona e mbrojtur, që të mos i prishet, hiqet nga zona e mbrojtur kjo pjesë prej 800 hektarësh, duke i hapur rrugë që edhe ky ta gëzojë i qetë si fondacioni Butrintin, por të ketë edhe mundësi ta zgjerojë, për të pasur edhe resorte të tjera në këtë zonë, e cila do të duhej të qe zonë e mbrojtur.

Pra, kjo është filozofia, sipas të cilës ju e keni ndarë atë që nuk duhej të ndahej në dy pjesë, gjë që e keni bërë që të përfitonit nga të dyja pjesët: të përfitonit maksimumin nga qyteti antik, dhe të përfitonit po aq edhe nga pjesa e parkut kombëtar. Këtë nuk e mohoni dot. Po të doni, jua jap unë foton, tregojani edhe Kumbaros, çojeni në IKMT dhe na thoni nëse ishte zonë e mbrojtur, është zonë e mbrojtur dhe a do të duhej të ndërtonte ky këtu.

Ndoshta ju, si ministre e Kulturës, nuk keni lidhje me këtë, por ju keni qenë personi që e keni mbështetur edhe heqjen nga zona e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ndërkohë, është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se mungesa totale e transparencës e ka shoqëruar këtë koncesion që nga dita e parë e deri më sot. Kjo mungesë transparence ka ardhur për faktin e thjeshtë se asgjë nuk është bërë në zbatim të ligjit e në mbrojtje të interesit publik. Mbrojtja e interesit publik nuk bëhet kurrë nga një privat, mbrojtja e interesit publik nuk bëhet duke dorëzuar trashëgiminë kulturore te një fondacion me katër individë privatë. Pyetjet që lindin natyrshëm, por që kanë edhe përgjigje po aq të natyrshme janë: çfarë e lidh shtetin shqiptar dhe interesin publik me Aleksandër Sarapulin, Martin Matën, Richard Hodges dhe Fiona Boriçin? A quhen këta përfaqësues të shtetit? A janë këta garantë të mbrojtjes së interesit publik të trashëgimisë kulturore? Si ka mundësi që Planin e Menaxhimit të Butrintit e bënë po të njëjtët njerëz që morën fondacionin e Butrintit? Si ka mundësi që kjo Ministria e Kulturës nuk arritka dot të bëka planin e menaxhimit të sitit që prodhon 2,1 milionë dollarë? Kur nuk bën dot planin e menaxhimit të Butrintit, që është pasuri e UNESCO-s dhe që garanton këto të ardhura, si mund të kem besim unë si qytetare dhe si deputete, që do të bëjë planin e menaxhimit për pasuritë e tjera kulturore, të cilat nuk prodhojnë paratë që prodhon Butrinti?! Si ka mundësi që këta që marrin fondacionin, këta që i bëjnë planin, janë edhe ata që kanë bërë ligjin “Për trashëgiminë kulturore”, duke i hapur rrugë marrjes nga privati të çdo trashëgimie kulturore? A ka konflikt interesi këtu, kur i njëjti entitet ndryshon ligjin, i bën planin se si duhet të menaxhohet dhe e merr po vetë? A ka njeri që e mohon këtë konflikt interesi dhe që e quan një çështje normale? A ka njeri që mendon se minimalisht Butrinti nuk meriton administrim shtetëror? A ka njeri që mendon se, nëse do t’ia jepnim një privati, do të duhej të hapnim një konkurs, që të shikonim se kush do të ishin privatët që do të vinin? Mbase do të ishin fondacione shumë më prestigjioze, britanike, amerikane, të cilat mbase do të ofronin edhe më shumë para, më shumë eksperiencë. Në qoftë se donim t’ia jepnim privatit, të paktën të na jepnin mundësinë që të kishim një lloj konkursi edhe për privatin. Por jo, sepse gjithçka është e paracaktuar me lidhje klienteliste e me njerëz me emra, jo funksione, sepse interesi nuk është trashëgimia, nuk është Butrinti, por janë paratë dhe biznesi, që vijnë nga Butrinti.

PJESA 3:

Në fakt, të krahasosh Butrintin me lodrat e liqenit, përbën një nivel shumë mediokër krahasimi, po nejse. Që të jemi të qartë në fund të kësaj interpelance, vetë ministrja e pranon se plani i menaxhimit është bërë i integruar, duke pasur parasysh edhe Parkun Kombëtar, edhe qytetin antik. Atëherë, si shpjegohet që plani i menaxhimit bëhet i integruar, ndërsa menaxhimi jepet i ndarë, jepet vetëm qyteti antik?! Si shpjegohet që nga koncepti se duhet të jenë bashkë dhe kanë një plan menaxhimi të bashkuar, ne ia japim menaxhimin një fondacioni privat vetëm për qytetin antik dhe jo në mënyrë të integruar siç ishte plani i menaxhimit?!

Miratimi në parlament, zonja Ministre, s’do të thotë se nuk është klientelist dhe s’do të thotë se nuk është ligj me porosi. Transparency International thotë: “Në Shqipëri korrupsioni bëhet me ligj.” Dhe janë ato që quhen ligje speciale, ligje me porosi. Edhe ligjin për teatrin, zonja Ministre, ju e sollët dhe e miratuat në parlament, ligjin special “Fusha”, që jua rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Të njëjtin fat do të ketë edhe ky ligj i koncesionit të Butrintit. Do t’jua rrëzojë Gjykata Kushtetuese, sepse jeni duke bërë një ligj që nuk është në mbrojtje të interesit publik, jeni duke bërë një ligj, përmes të cilit ju e trajtoni trashëgiminë kulturore si mall tregtar, zonja Ministre.

Ju thoni se është e hapur thirrja për drejtor ekzekutiv, ndërkohë që unë s’ju pyeta fare për drejtorin ekzekutiv, pasi është bordi ai që merr vendimet për fondacionin. Drejtori ekzekutiv është thjesht menaxheri i radhës. Bordin ju e keni vendosur dhe e keni paracaktuar. Thirrje për bordin, se kush duhej të përfaqësonte shtetin shqiptar, që e keni vënë se shtetin shqiptar e përfaqësuaka një studiues anglez, për atë duhej të kishit bërë thirrje të hapur për arkeologët shqiptarë. Si ka mundësi që del Akademia e Shkencave dhe thotë: unë nuk di asgjë, unë nuk jam pyetur, unë mora vesh nga mediet lidhur me këtë projekt, pasi u bë publike afera në parlament? Mos ju duket institucion i parëndësishëm Akademia e Shkencave? Ju duket më i rëndësishëm një fondacion privat? Ju duken më të rëndësishëm punonjësit e ministrisë tuaj, që i keni pyetur? Jo pra, duhej të pyesnit Akademinë e Shkencave, duhej të pyesnit ata arkeologë që kanë gërmuar, që kanë shkruar për Butrintin, të cilët duhej të ishin burime reference ndërkohë që ju bënit planet e menaxhimit dhe kur ndërtonit fondacione për Butrintin.

ndërtonit fondacione për Butrintin. Sigurisht që historia do të na gjykojë dhe sigurisht që kjo do të jetë një betejë e fituar në Gjykatën Kushtetuese. Do të jetë një betejë e fituar jo vetëm për mua, jo vetëm për opozitën, jo vetëm për ne që kemi qenë kundër, po për ju, për t’i shpëtuar fytyrën edhe ministrisë suaj, që fëmijët tuaj të kenë mundësi të gëzojnë një pasuri kulturore të shtetit shqiptar.

Faleminderit!