Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 30 Qershor 2022

Të nderuar qytetarë, Ne sot kalojmë një akt normativ, i cili edhe një herë tjetër tregon interesin e kësaj qeverie, të kësaj maxhorance për t’u kujdesur posaçërisht për ata që janë më të pasurit, për ata që marrin kontrata publike, për ata që kanë më shumë mundësi për të përfituar dhe për të harruar ata që janë më të pamundurit, më të varfrit, ata që realisht preken nga kriza ekonomike që po kalon Shqipëria.

Dua të rendis para jush disa nga arsyet se përse duhet të protestojmë në datën 7 korrik.

                Së pari, për çmimet e ushqimeve. Shqipëria është vendi me inflacionin më të lartë nga të gjitha vendet e rajonit dhe nga të gjitha vendet e BE-së për sa u përket kategorive: bukë dhe drithëra; qumësht, djathë dhe vezë, pra në ushqimet tona bazë.

Konkretisht, në kategorinë bukë dhe drithëra inflacioni është 11,8%, në kategorinë (gjithmonë sipas të dhënave të INSTAT-it), qumësht, djathë dhe vezë, inflacioni është 18,4%, në kategorinë e vajrave dhe yndyrave është 29,4%. Nuk është rastësi që nuk ju bën fare përshtypje rritja e çmimeve dhe pamundësia e qytetarëve shqiptarë për të blerë ushqimet bazë, sepse, po t’ju bënte përshtypje, do të ndryshonit TVSH-në që paguajnë për ushqimet bazë.

Një nga arsyet pse duhet të protestojmë është t’i bëjmë presion kësaj qeverie që të ndryshojë TVSH-në për ushqimet bazë, të cilën ne e kemi 20%; Serbia e ka 10%; Kosova e ka 8%; Mali i Zi e ka 7%, Maqedonia e ka 5%. Pra, ne paguajmë më shumë TVSH për ushqimet bazë se çdo vend tjetër i rajonit dhe normalisht që do ta ndiejmë krizën më shumë se kurrë, por të ardhurat e qeverisë nuk janë ulur, sepse 20- përqindëshi, kur e blen qumështin më shtrenjtë, është më i rëndësishëm se 20-përqindëshi kur e blen më lirë.

Folët këtu për fermerët, për bujqësinë, por ata do të jenë të parët që do të dalin në protestën e datës 7 korrik.

Bëtë një festë gruri dhe pashë që kishin shkuar të gjithë deputetët e qarkut të Fierit, por edhe deputetë të tjerë. Thashë po e shoh se kushedi çfarë bëkemi ne për grurin dhe sa shumë e subvencionuakemi! Vlera e subvencionit për sipërfaqe: Kosova jep 474 euro për hektar, Mali i Zi jep 250 euro për hektar, Maqedonia e Veriut jep 200 euro për hektar, Serbia jep 68 euro për hektar, kurse Shqipëria jep plot zero. Asnjë lekë subvencion për grurin, por festojmë të lumtur festën e grurit, pasi i keni lënë fermerët të harruar. Ndaj, fermerët do të jenë atje për të protestuar që zëri i tyre të dëgjohet, që hallet e tyre të merren parasysh.

Fermerët i ndani në të njerkës dhe të nënës, të cilëve u keni vënë fasha oraresh për të aplikuar për subvencionin e naftës dhe në bujqësi.

Më 7 korrik do të protestojmë për pagat. Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Europë dhe rajon dhe askujt nuk i shkon mendja që, me këto çmime të larta, me këtë krizë ekonomike, të ndryshohet paga minimale dhe të ndihmohen qytetarët shqiptarë. Shqipëria është e fundit në rajon dhe në Europë me 244 euro pagë minimale. Këto janë të dhëna zyrtare, janë të dhëna të nxjerra nga INSTAT-i, institucion zyrtar shtetëror, dhe krahasimi është bërë nga Eurostat-i.

Ne kemi arsye për të protestuar, sepse do të protestojmë për pamundësinë e pensionistëve, ndaj edhe pensionistët do të jenë aty për të protestuar. Kolegët tanë folën për çmimin e qershive dhe qershitë që hidhen në plehra se nuk ka treg. Takova nënë Feridenë dhe më tha që nuk e kishte provuar qershinë për këtë sezon, sepse është 250 lekë kilja dhe nuk i del të paguajë edhe ilaçet, edhe dritat dhe të ketë luksin të provojë qershinë.

Zonja Ministre, këtë pyetje e kam konkretisht për ju dhe uroj të reagoni pozitivisht. Për tre muaj u keni dhënë 30 mijë lekë shtesë pensionistëve, në fund të qershorit mbarojnë këta tre muaj. Po në muajit korrik, gusht, shtator dhe në vijim si do t’ia bëjnë pensionistët? U ulën çmimet?! Nuk kemi më krizë ekonomike?! Janë më mirë tani?! Çfarë ndryshoi? Duhet të na kishit sjellë një akt normativ, ku të votonim për t’u dhënë pensionistëve jo 30 mijë lekë, por 60 mijë lekë. Atëherë po, do të bashkoheshim të gjithë dhe do t’ju mbështesnim, sepse janë vërtet njerëzit më në nevojë, të cilët, pa ndihmën e fëmijëve të tyre, e kanë të pamundur të shtyjnë muajin dhe ta mbyllin me dinjitet, pavarësisht viteve të tyre të punës dhe sigurimeve shëndetësore e shoqërore që kanë paguar.

Meqë jemi te shëndetësia, shëndetësia është një nga arsyet pse ne duhet të protestojmë në datën 7 korrik.

Kam një shembull të freskët, që e sjell gazetari Erion Skëndaj: urgjenca e sëmundjeve të brendshme në QSUT ka një rekord shtrimesh, prej 325 pacientësh. A e dini sa shtretër ka? Ka vetëm 20 shtretër, ku duhet të akomodohen këta pacientë, ndërkohë që urgjenca përballë për të sëmurët me COVID-19, e cila ka vetëm dy raste në ditë, fatmirësisht, është bosh. Siç thotë gazetari, të sëmurët me COVID-19 nuk mund të qëndrojnë edhe atje, pasi dy skanerët janë prishur dhe këshillohet direkt hospitalizimi në spitalin COVID 3.

Ja pra, kjo është shëndetësia që duam, shëndetësia falas, shëndetësia që të lë dyerve për të vdekur në mëshirën e fatit. Një arsye tjetër pse do të protestojmë në datën 7 korrik është edhe kjo shëndetësi, që është bërë vrastare për qytetarët.

Të rinjtë kanë shumë arsye të protestojnë në datën 7 korrik. Arsimi është arsyeja kryesore. Bëtë një maturë shtetërore për të të ardhur keq dhe turp, arritët deri aty sa korrigjuat në kohë rekord testin e gabuar, jashtë programit të biologjisë, brenda dy ditëve, siç nuk kishte ndodhur ndonjëherë, vetëm e vetëm për të shuar protestën dhe, duke shtuar një apo dy nota, do të arrinit të kamuflonit dëmin që kishit bërë. Ideja nuk është si të manipuloni studentët, të shtoni një apo dy nota, por se si të bëni teste, që matin realisht atë që kanë mësuar studentët, se si të shkojë haka tek i zoti, se si të arrijnë të marrin degët që duan me meritën e tyre.

Të gjitha testet, pa asnjë dallim, dolën gjatë kohës që po zhvilloheshin: testi i letërsisë, testi matematikës, të gjitha ishin në kohë reale në rrjetet sociale, sepse ishin dërguar për të marrë kopje. Sistemi ynë i garantimit të meritës në sistemin arsimor ka dështuar.

Sigurisht, të rinjtë janë ta parët që duan të ikin nga sytë këmbët nga Shqipëria, dhe, sipas statistikave, grupmosha që dëshiron të largohet apo që ka braktisur vendin është 20 deri në 35 vjeç, 60% në krahasim me grupmoshat e tjera. Nuk duhet ta braktisni vendin, por duhet të jeni aty për të protestuar, që zëri dhe kërkesat tuaja të dëgjohen.

Për ta mbyllur, dua t’ju them që, nëse nuk flasim, nuk kanë si të na dëgjojnë, nëse nuk kërkojmë, nuk kanë si të na japin, nëse nuk i shkundim, nuk kemi si i shembim dhe nëse nuk përballemi, nuk kemi si të fitojmë.

Faleminderit!