Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për raportin vjetor të KLSH | 7 Korrik 2022

Faleminderit e nderuar Nënkryetare e Kuvendit!

Sot marrim në shqyrtim raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që, për hir të së vërtetës, është një institucion që ka bërë një punë dhe ka reflektuar dëmin ekonomik që ka bërë kjo qeveri gjatë vitit 2021. Sigurisht, mendoj se dëmi është shumë më i madh dhe do të duhen më shumë auditime, do të duhen më shumë staf dhe më shumë kohë, megjithatë u referohemi raporteve të KLSH-së sa herë që ne flasim për një aferë të qeverisë.

Raportet e KLSH-së kanë qenë, në fakt, edhe pika referimi për Partinë Demokratike në denoncimet që ka bërë dhe në komisionin hetimor për aferën për inceneratorët. Ishin raportet e KLSH-së që thoshin se kostoja e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston, nuk është 29 euro për ton, por është 41 euro për ton. Ishin raportet e KLSH-së që thoshin se Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja kanë marrë kredi me garanci pronat e shtetit dhe paratë e buxhetit të shtetit. Ishin raportet e KLSH-së që tregonin se vendi ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit ishte ndryshuar dy herë dhe ishte bërë pa plan, pa auditim. Kur ne ju thoshim dhe i referoheshim KLSH-së, konsideroheshin si dokumente të thjeshta rekomandimesh, sepse nuk ju pëlqenin të vërtetat e hidhura që tregonte raporti i KLSH-së.

Sot kemi përpara nesh një skemë që tregon se ku kanë shkuar milionat e shqiptarëve, tregon disa emra fiktivë, sepse marrësit e vërtetë të atyre parave ne i dimë, por SPAK-u ende nuk i ka çuar pas hekurave. Sot që ne flasim për inceneratorin që nuk ekziston në Tiranë, për fushën me bar, ne paguajmë 80 mijë euro çdo ditë, paguajmë çdo ditë për plehrat që nuk digjen, paguajmë çdo ditë për inceneratorin që nuk ekziston. Pavarësisht se çfarë ka thënë KLSH-ja, pavarësisht se ministrja e Financave qenka në dijeni të skemës së evazionit fiskal, thotë që ndodh në të gjithë botën, bëhen edhe filma dhe me këtë justifikohen milionat e eurove që vjedhin nga taksat e shqiptarëve. Kishim dëgjuar, besoj se edhe ju e keni dëgjuar, për nismën që propaganduan “adopto një gjysh”. Në fakt, tani e kuptova nismën realisht. “Adopto një gjysh” paska qenë merr firmën e gjyshërve dhe gjysheve në azile dhe përdore për skema të evazionit fiskal që të vjedhësh milionat e eurove të qytetarëve shqiptarë. Nëna dhe baballarë, të cilët nuk dinin asgjë, të cilët jepnin intervista të tmerruar se si emri i tyre, firma e tyre, ishte keqpërdorur dhe ishte përdorur në skemat e evazionit fiskal, ku kalonin miliona euro. A ka sot ndonjë të arrestuar për inceneratorin e Tiranës? Zero! A ka sot njerëz me pushtet politik, që i kanë garantuar këto skema dhe japin ende para nga buxheti i shtetit? Patjetër. A duhet të jenë mbrapa hekurave?! Është detyra e institucioneve të reja të drejtësisë të reagojnë për inceneratorin e Tiranës, të vënë para përgjegjësisë njerëzit me pushtet politik dhe jo të merren me gjyshin, gjyshen dhe njerëzit e vdekur që iu kanë marrë firmat për skemat e evazionit fiskal, siç u denoncua këto ditë nga zonja Kryemadhi.

Dua të evidentoj, siç e thanë edhe kolegët, se dëmi ekonomik vetëm për vitin 2021 është 6 miliardë euro. E imagjinoni dot vetëm me këtë dëm të evidentuar se sa punë të mira mund të bëheshin për qytetarët shqiptarë?! A e imagjinoni dot se sa para mund të shkonin për investime publike, se sa mund të rriteshin rrogat dhe pensionet?! Kjo nuk është një qeverisje që kujdeset për ju, prandaj në orën 19:00 të gjithë në shesh.

PJESA 2:

Në fakt, negociatat ju i keni hapur që në vitin 2018, keni hapur edhe shampanjë, keni festuar, keni dhënë edhe medalje. Tani i bie që do t’i rihapni çdo vit, por, në fakt, nuk janë hapur ende.

Komisioni i Prokurimeve Publike duhet të thotë disa të vërteta të mëdha, që, në fakt, duhet t’i themi edhe ne.

Asnjëherë nuk ka marrë masë për të vendosur gjoba ndaj autoriteteve kontraktore, qofshin këto njësitë përgjegjëse, qofshin personat përgjegjës në rastet e abuzimeve me ofertën e zgjedhur fituese. Përkundrazi, siç e thanë edhe kolegët, Komisioni ka qenë në shumicën e kohës ratifikues i abuzimeve. U ka vënë pikën abuzimeve që u bënë me ofertën më të lartë, pa garë, dhe me të gjitha mënyrat se si ju sot jepni tenderët e paracaktuar në këtë vend. Megjithatë, unë do të doja të përfitoja nga rasti,,,,Më vjen keq që… (Ndërhyrje pa mikrofon) Oh, paska ardhur ministrja e Arsimit, më vjen mirë! (Ndërhyrje pa mikrofon) Faleminderit që erdhe! Zonja Ministre e Arsimit e dinte shumë mirë që do të vinte momenti i maturës shtetërore. Në fakt, desha të përfitoja nga rasti për t’ju bërë me dije edhe juve, por besoj se të gjithë qytetarët e dinë, se janë 32 mijë maturantë që kaluan procesin e maturës shtetërore, ku, sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit dhe pikërisht pikës 11 të nenit 26, korrigjuesit janë të pagabueshëm.

Pra, ka dy gjëra të pagabueshme, Zoti dhe korrigjuesit e Ministrisë së Arsimit!

k ka të drejtë asnjë maturant të ketë mundësi për të bërë rivlerësimin e notës së tij. Pra, nëse një maturant gabon, ai merr një notë më të ulët. Nëse një korrigjues gabon, maturantit i ngelet prapë nota më e ulët.

Më vjen mirë që avokatja, zonja Gentjana Qëndro, ka ngritur edhe padi për këtë.

Më vjen mirë që ka një lloj sensibiliteti “pas pilafit”, themi ne, por e rëndësishme është që ju të kuptoni se me këtë rregullore që keni bërë, keni shkelur nenin 42 të Kushtetutës “E drejta për shkollim” dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor, keni shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut; keni shkelur Kodin e Procedurave Administrative, që flet për të drejtën e ankimimit; keni shkelur vetë ligjin e arsimit të lartë, por, mbi të gjitha, keni shkelur mbi dinjitetin e atyre maturantëve, të cilët shikonin se teza e tyre ishte e korrigjuar gabim, që mund të ishin harruar qoftë edhe nga lodhja (nuk po e marr fare me tendencë të korrigjuesit), qoftë edhe nga mbingarkesa, kishin harruar pyetje pa korrigjuar, i kishin korrigjuar gabim dhe u thoshit: “Po, është korrigjuar gabim, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Nota nuk ndryshohet, se kështu e ka vendosur rregullorja e Ministrisë së Arsimit”.

Kjo është pa sens, kjo nuk duhet ndryshuar për vitin tjetër, por duhet ndryshuar që sot. I keni të gjitha mundësitë. I keni të gjitha vetë në dorë që t’i jepni të drejtën maturantit. Mirë tezat i bëtë si i bëtë, i nxorët në treg, por, të paktën për sa i përket korrigjimit, maturantët të kenë të drejtën e tyre për të marrë notën që u takon Ky ishte një shqetësim që unë doja ta ngrija, edhe pse në diskutim kishim Komisionin e Prokurimeve Publike, por, realisht, kur vjen puna te prokurimet publike, të gjithë i dimë vjedhjet që bëhen dhe se si zgjidhen tenderët.

 Kështu që, faleminderit!

PJESA 3:

Edhe unë për procedurë e kam kërkuar fjalën. Neni 48, që citoi zoti Balla, me sa kuptoj, vlen vetëm për përfaqësuesit e opozitës (tani duan të na shkruajnë edhe fjalën, çfarë të themi dhe si duhet ta themi), ndërkohë që të gjithë ministrat flasin për çfarë të duan, siç bëri zoti Peleshi tani, i cili foli për shqetësimin më të madh që ka maxhoranca, për protestën e orës 19:00, që nuk ka lidhje me Komisionin e Prokurimeve Publike. Kështu që, të paktën këtu të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin dhe të kuptojmë se ne flasim për hallet e qytetarëve, kurse ju keni hallin e protestës. Faleminderit!