Komunikim në seancën dëgjimore me Ministren e Arsimit znj. Kushi në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik | 13 Tetor 2021

Na ka ardhur një njoftim nga sekretarja e komisionit, që vjen nga Ministria, që ministrja ka vendosur një kohë limit 1 orë e 45 minuta për komisionin, ndërkohë që ne jemi 19 anëtarë të Komisionit të Edukimit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që ministrja ose kushdo qoftë i ftuar në seancë dëgjimore, të vendosë kohën që ne duhet të kemi në dispozicion për të ezauruar pyetjet tona.

Kështu që, meqenëse situata është e tillë dhe justifikimi është që ka mbledhje qeverie në orën 12:00, ndërkohë që ne nuk kishim vendosur as ditën dhe as orarin kur do të vinte, ka qenë një zgjedhje e ministres që të vinte ditën e mërkurë në orën 10:00, por prisnim që të zgjidhte një orar, i cili t’i jepte mundësi të qëndronte me ne deri në fund, të merrte pyetjet tona dhe të jepte përgjigjet e saj ezauruese, unë kam dy propozime për komisionin, për ta zgjidhur këtë situatë, jo thjesht për ta ngritur si çështje, dhe një propozim për ministren dhe të biem dakord se kush mund të jetë më efektiv.

Propozimi i parë për ministren, nëse do që ta zgjidhë këtë situatë, është që në mbledhjen e qeverisë të shkojë zëvendësministrja, siç ndodh herë pas here në mbledhje qeverie. Edhe vetë Edi Rama mungon në mbledhjet e qeverisë dhe vendimet i firmos zëvendëskryeministri. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë kam dy propozime për komisionin.

Propozimi i parë është që, për të fituar kohë, zonja ministre të mos lexojë raportin që i ka nisur secilit prej nesh paraprakisht për situatën dhe të fillojmë direkt me seancën e pyetjeve. Pra, ato 15 minuta t’i shfrytëzojmë për të bërë pyetje, sepse materialin e kemi.

Propozimi i dytë, që i drejtohet maxhorancës, është: duke qenë se ne jemi ata që kemi më shumë pyetje, jemi ata që e kemi thirrur ministren këtu dhe promotorët e kësaj mbledhjeje, mund të arrijmë marrëveshje që të ketë dy folës nga opozita dhe një folës nga maxhoranca, sepse në traditë është një me një, në mënyrë që në fund, nëse do të ngelin, të ngelin … Pjesa e maxhorancës e takon shumë shpesh ministren në mbledhje grupi, në evente të Partisë Socialiste dhe mund t’ia drejtojë pyetjet. Këto janë dy propozimet për komisionin dhe një propozim për ministren për ta zgjidhur, pavarësisht se situata nuk është normale që të vendoset limit, kur ne e kemi ftuar për ta dëgjuar dhe hallet e arsimit janë të pafundme. Faleminderit!

Në fakt, gjithsecili ka mënyrën e vet se si i bën pyetjet dhe është jo normale që mos të bëjë një parashtrim të pyetjes, të situatës, se nga vjen kjo pyetje dhe pse bëhet kjo pyetje, kështu që këto dëshira për të bërë mbrojtjen e ministres, kur ajo s’ka nevojë për mbrojtje, se mbrohet vetë, janë të tepruara, mendoj unë.

Zonja Gjylameti, që të kishit kohë sa të donit, ishte në fillim, kur ju munguat…

Zonja Gjylameti, kur ju mungonit dhe nuk ishit këtu, ne morëm leje dhe konkluduam me zonjën ministre, që do të qëndrojë këtu për sa kohë është e nevojshme. Në qoftë se ju keni një punë më të mirë për të bërë sesa të qëndroni në komision për të folur për arsimin e shqiptarëve, jeni e lirë të vazhdoni.

Unë po e prish rendin dhe po e nis me këtë që sapo përfunduat ju: Bordet e prindërve.

Më shumë minuta ka marrë zonja Gjylameti, duke bërë ndërhyrje për procedurë.

Në Tiranë para disa ditësh bordet e prindërve mblodhën firma që t’ju bënin ju të ndryshonit mësimin me turne nga dy turne, që e kishit bërë, në një turn për Tiranën. Aq shumë pyeten, sa nuk ishin pyetur fare për mësimin me turne në Tiranë. Sa janë mbledhur bordet e prindërve në këta 2 vjet pandemie? Kur është mbledhja e fundit që ministrja ka bërë me një bord prindërish dhe a mund të na shpjegoni si arritët të merrnit vendimin që mësimi në Tiranë do të bëhej me dy turne dhe si arritët vetëm nga presioni i prindërve të merrnit vendimin për ta kthyer me një turn? A kishit bërë paraprakisht një studim, kishit marrë disa masa dhe kishit arritur në konkluzionin që duhej me dy turne dhe më pas e ndryshuat nga presioni?! Domethënë, ose vendimi i parë është marrë gabim, sepse nuk e keni parë mirë situatën dhe, pasi jua bënë të qartë prindit, e kuptuat dhe u tërhoqët, ose vendimi i dytë është marrë gabim dhe i pari ka qenë i mirë dhe këtë e bëtë vetëm nga presioni, sepse nuk mund të jenë të dyja të sakta në harkun kohor të 5-6 ditëve. Kjo tregon se nuk jeni të saktë në atë që bëni. Po vazhdoj me çështjen e sigurisë, dhe po e ndryshoj rendin për t’ju kundërpërgjigjur, që edhe me këtë gjë po abuzoni. Ju në raportin tuaj thoni, dhe e tha edhe zonja Gjini tani, që zbatimi i projektit “Shkolla të sigurta në arsimin parauniversitar” ka 144 oficerë sigurie. A e dini ju, të paktën ua them shqiptarëve, që në Shqipëri janë 1403 shkolla të arsimit parauniversitar? Domethënë, ju keni një oficer policie për 10 shkolla ose, e thënë në ndryshe, për të gjithë Sarandën i bie të kemi një polic, i cili do të ofrojë siguri. A është e mjaftueshme kjo për të ofruar siguri në shkolla? Sipas investigimit të fundit të bërë nga BIRN-i, pra nga gazetarja Anila Hoxha, 80% e përdoruesve të drogës janë të rinj nga 13 deri në 25 vjeç dhe kjo e bën edhe më të domosdoshme sigurinë në shkolla; kjo e bën edhe më të domosdoshme rolin e psikologut në shkolla. Po ashtu, në raportin tuaj thoni që janë 600 psikologë. Domethënë, në raport me numrin e shkollave që keni, që përsëri e keni publikuar ju, keni 1 psikolog për 3 shkolla. Pra, një psikolog shkon të paktën 1 herë në javë në një shkollë, pra i bie që të ketë kontakt të paktën 1 herë në javë me 1 mijë nxënës dhe është kthyer figura e psikologut në një figurë, tek i cili e çojnë nxënësin, pasi është bërë problematik, meqenëse thonë polici i mirë. Para se ta bëjmë çështje të madhe, e çojmë te psikologu që të trajtojë fëmijën apo nxënësin problematik dhe nuk është bërë një mekanizëm normal mbrojtës që duhet të kenë shkollat shqiptare për traumat e moshës, për abuzimin me substancat narkotike, për mënyrën e marrëdhënieve mësues-prindër, le pastaj mësues-nxënës-prindër dhe më pas psikologët të kenë kohë të merren edhe me mësuesit, sepse me këtë ngarkesë nuk u del koha të merren as me nxënësit. Kjo ishte për të vazhduar atë që ju nisët dhe pyetjet e kolegëve që folën më parë.

Ju thatë se keni bërë mësim plotësues në 2 javët e para të shtatorit. A mund të na thoni sa për qind e nxënësve e ndoqën mësimin përsëritës në klasa? A mund të na thoni a keni zhvilluar teste matëse, pasi ka mbaruar ky mësim përsëritës për të kuptuar se sa efektiv ishte kjo përsëritje në klasë? A mund të na thoni cilën platformë kanë përdorur mësuesit për mësimin online? Ne kemi parë edhe në rrjetet sociale video nga më qesharake në përdorimin e WhatsApp-it, në përdorimin e mënyrave joarsimore për të zhvilluar mësimin online. Do të na thoni sa është mbulimi me internet në të gjithë Shqipërinë? Sa kanë përdorur platformën që keni zgjedhur ju dhe çfarë eficience ka pasur? Sigurisht, duhet të na thoni: sa për qind e programit mësimor është zhvilluar gjatë mësimit online, pasi nuk e kanë pasur të mundur ta zhvillonin 100% të programit mësimor për kushtet se si i zhvillonin dhe gjitha problematikat që sjell mësimi online? Meqenëse e kemi nisur me vaksinimin, ju thoni se 90% e mësuesve janë vaksinuar, arrini të thoni 100%, sepse ky 10%, që nuk është vaksinuar, ose e ka një arsye që ka bërë… Pra, mësuesit janë 100%, ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë thotë se është problematik procesi i vaksinimit, pra vetëm 28% e popullatës është vaksinuar. A janë mësuesit popull, apo është një kategori më vete, ose të paktën si mundet që ky model, që ju e keni bërë me mësuesit 100%, të na perceptohet si një model i suksesshëm që mund t’ia jepnit ministres së Shëndetësisë për të gjithë popullatën? A keni dhënë ju në fillim të këtij viti arsimor qoftë edhe një maskë falas në shkollat e Shqipërisë për nxënësit e Shqipërisë? Në raportin tuaj thoni se janë marrë masat higjienike dhe sanitare? A e dini ju që në shkollat publike të Tiranës, dhe nuk po them në shkollat publike të fshatrave apo në shkollat publike jashtë Tiranës, nuk ka ujë të rrjedhshëm? Nëse nuk e dini, mund të shkojmë së bashku, qoftë edhe në Kombinat, për t’ju treguar dhe demonstruar që nuk ka ujë të rrjedhshëm në shkollat e Tiranës. A janë marrë masa për dezinfektimin e vazhdueshëm, por profesional të shkollave? Pra, në fundjavë, gjatë kohës kur bëhet pushim jo nga pastruesja e shkollës, e cila është mbingarkuar, sepse nuk mund të bëjë dezinfektim profesional, a ka dezinfektim profesional të shkollave nga ekipe të caktuara, të licencuar për këtë gjë, apo kontrata që ju mund të keni bërë? Zonja Ministre, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor për sa i përket arsimit. Qeveria e Shqipërisë vitin e kaluar akordoi për arsimin 43 miliardë e 225 milionë lekë, ose, e thënë ndryshe, 2,3% e GDP-së; në vitin 2019 ka qenë 2,24%, krahasuar me rajonin jemi të fundit. Pra, të gjitha vendet shpenzojnë së paku 4% të GDP-së për arsimin, ndërsa ne shpenzojmë gati dy herë më pak. Dua t’ju them një studim që e ka bërë qendra “Fol”. Nga të dhënat rezulton se nga çdo person, që gjendet në burgjet e Shqipërisë, për vitin e kaluar u shpenzua mesatarisht 9997 euro në vit dhe 833 euro në muaj, ose thënë ndryshe 27,7 euro në ditë, kurse për arsimin u shpenzuan 59 euro në muaj ose 2 euro në ditë, pra në një analizë makro qeveria shqiptare shpenzon 14 herë më shumë për një të burgosur sesa për një të regjistruar në arsimin parauniversitar. Zonja Ministre, a keni ju përgjegjësi për këtë situatë? A mendoni se duhen marrë masa edhe këtë vit të ri shkollor për të ndryshuar buxhetimin që lidhet me arsimin? A mendoni ju se pas 9 vjetësh, që po qeverisni me 3 mandate, nuk keni arritur dot një premtim tuajin të bërë që në vitin 2013? A është ky një dështim në sektorin tuaj të paktën, apo është pjesë e sukseseve? Kontrolli i Lartë i Shtetit, dhe mund t’jua vë të gjitha në dispozicion, në qoftë se nuk i keni, ka gjetur nga auditimi që ka bërë, ju e dini që e keni ndarë në katër drejtori të mëdha rajonale arsimin dhe drejtoria më e madhe është ajo e Durrësit, e cila ka edhe zyrën e Tiranës brenda, se stafi i kësaj drejtorie dhe 12 zyrave vendore të arsimit parauniversitar, që ajo ka në juridiksion, janë pothuajse të gjithë të komanduar dhe janë shmangur procedurat konkurruese. Në raport thuhet: “Nga auditimi i ushtruar, ndër të tjera, rezultoi: 98% e stafit të drejtorisë dhe të 12 zyrave vendore nën juridiksionin e saj ishin të komanduara, pa procedura konkurrimi, çka nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar. Auditi ka gjetur parregullsi të shumta edhe në zgjedhjet e drejtorëve të shkollës, atë modelin e suksesit që ju thatë që pyesni edhe prindërit, këtu tregon se i keni komanduar. Në procedurat për përzgjedhjen dhe shfaqjen fitues të drejtorëve të shkollave të arsimit parauniversitar u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mosrealizimit dhe i moszbatimit të kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor; trajtimin me dy standarde të kandidatëve për drejtor; planifikimin e dobët të zhvillimit të procedurave dhe kuadrin ligjor dhe rregullator të paharmonizuar”, pra këto i thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe jo unë.

Pyetjet janë: a e njihni ju këtë raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili është i publikuar? A ushtroni ju vetë kontrolle për cilësinë e personelit që merrni në punë, apo jeni edhe vetë pjesë e dallavereve në arsim? A e kuptoni ju se kështu po e shkatërroni cilësinë e arsimit dhe besueshmërinë e institucionit, të cilin ju e drejtoni?

Zonja Ministre, në listën e bërë publike nga mediet, të cilën besoj se edhe ju e keni të aksesueshme, drejtorët e shkollave, mësuesit e të gjitha niveleve janë kthyer në patronazhistë, domethënë spiunë të Partisë Socialiste. E thotë edhe raporti i KLSH-së, por edhe qasja që ju keni, e cila tregon se arsimin e keni kthyer në një çerdhe punësimi për filizat e Partisë Socialiste. A duhej të ishin shkarkuar patronazhistët, pasi u publikuan listat që janë…

Është pyetje për ministren.

…Apo ata kanë mbrojtjen tuaj dhe janë aty me detyrë parësore për përhapjen e propagandës dhe bërjen për vete të studentëve dhe të prindërve për të votuar Partinë Socialiste, apo për të dhënë arsim cilësor në këtë vend? Zonja Ministre, në shkollat 9-vjeçare mungojnë mësuesit. Vetëm në Tiranë, dhe mund t’jua jap me listë edhe këtë, në qoftë se nuk e dini… (Ndërhyrje pa mikrofon.) A mund të vazhdoj? Vetëm në Tiranë janë 23 vende vakante në shkollat 9-vjeçare emër për emër, në qoftë se ju doni, sepse unë e kam tabelën e printuar. Futen nxënësit me shpresën që do t’ju vijë një mësues zëvendësues, ose futet pastruesja dhe i mban që të mos bëjnë zhurmë, ose shkon ndonjë mësues që kalon aty rastësisht, u thotë ndonjë gjë dhe u jep ndonjë detyrë që të kalojnë edhe ato orë, sa ju të gjeni një mësues zëvendësues. A e mendoni ju se me portalin tuaj “Mësues për Shqipërinë” duhej ta kishit lënë që të fillonte viti shkollor me vakanca? Nuk ka mësues, apo nuk janë gjetur ende sekserët e duhur për t’u futur mësuesit në sistem dhe për të dhënë mësim? Kolegia përmendi fëmijët me nevoja të veçanta. Atëherë, unë po ju them se juve u është drejtuar një peticion, dhe besoj se e dini këtë, në qoftë se nuk e dini, përsëri unë jua vë në dispozicion. Zonja Eglantina Bajrami, drejtoreshë e klubit të fëmijëve me spektrin e autizmit së bashku me prindërit e fëmijëve dhe persona të tjerë, ju kanë drejtuar juve një peticion, duke thënë se nuk ka mësues mbështetës që e fillojnë vitin shkollor, kur fillon viti shkollor dhe jo në mars apo më tutje. Ju kujtoj se në vendin tonë janë 5000 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 1770 prej tyre janë me spektrin e autizmit, sipas peticionit që ka bërë zonja Bajrami drejtuar juve. Mësuesit mbështetës janë me kontratë 1-vjeçare dhe ata çdo vit duhet të riaplikojnë që të zgjidhen në vartësi të nevojave që kanë shkollat. Në fakt, për këtë duhet thënë se ministrja e dikurshme, Lindita Nikolla, kishte bërë një udhëzim, me të cilin gjeti një gjuhë dakordësie me këtë komunitet. Qëkur ka ikur ministrja Nikolla, komuniteti thotë se ky udhëzim është lënë në harresë dhe nuk zbatohet. Pra, ata kërkojnë nga ju që ta zbatoni dhe fëmijët me nevoja të veçanta të fillojnë me mësues mbështetës që në fillimin e shkollës, siç fillojnë edhe nxënësit e tjerë.

Zonja Ministre, kur unë kam qenë nxënëse dhe besoj edhe të gjithë, regjistri ishte një gjë e madhe në klasë, por edhe autoriteti i mësuesve. Pse nuk e vini në eficiencë përsëri regjistrin, si një instrument në dorën e mësuesit për të ndjekur ecurinë e nxënësit? Në qoftë se keni bërë një studim, na i thoni se çfarë studimi keni bërë, që nuk ia vlen regjistri që të jetë funksional në këtë drejtim. Tani që ne po bëjmë seancën, në shkollat e Durrësit është duke u zhvilluar një protestë dhe fëmijët kanë bojkotuar mësimin, sepse thonë nuk kemi pushim mes orëve të mësimit. Ata nuk janë robotë që ta bëjnë mësimin pa asnjë ndërprerje dhe të mos kenë mundësi që të bëjnë një pushim, qoftë për të ngrënë diçka, qoftë për të marrë frymë që të rifillojë procesi, sepse ju po ankoheshit për mbledhje të gjata në komision. Imagjinoni 6 orë mësimi rresht se si duhet të ndihen fëmijët.

Zonja Ministre, unë përfaqësoj Sarandën dhe po ju sjell këtu një problematikë që është specifike e Sarandës, por do t’ju sjell edhe nga rrethe të tjera. Zonja Ministre, para 3 vjetësh në Sarandë ka përfunduar një godinë që quhet Eco Campus-i, e cila duhej të ishte vënë në funksionim, që ata të mos bënin mësimin me turne, siç janë duke e bërë edhe në këto momente që ne flasim. Është një godinë e mbaruar dhe e bërë gati, por asnjë nuk kujtohet, as pushteti lokal dhe as ju, që të çojë banka dhe të çojë instrumente mësimore, që ajo të kthehet në një godinë funksionale. A e keni harruar këtë godinë dhe, nëse e keni harruar, kujtohuni që të keni mundësi që ta mbushni?! Po ashtu, ka një mungesë totale në shkollat 9-vjeçare të palestrave dhe ju kishit edhe një drejtor, që merrej me sportin. E kuptoj që ka qenë periudhë pandemie, e kuptoj që nuk ka qenë vëmendja, ndoshta te sporti, por mënyra më e mirë se si mund ta çlirosh gjithë atë energji negative dhe stresuese që sjell pandemia është pikërisht sporti. Ju mund të na thoni se si e keni planin për t’i vënë në funksion palestrat, për të shtuar orët mësimore të sportit, ndoshta për të marrë mësues ndihmës apo për të vënë edhe sportin si një element të detyrueshëm në shkollat shqiptare.

Nga sa jeni njohur edhe me denoncimet e Partisë Demokratike, po jua tregoj me foto, këta janë nxënësit në Babicë të Vlorës, të cilët po bëjnë mësim në lokalin e fshatit. Kjo është foto dhe nuk tregon një situatë normale për arsimin. Po ashtu, në Theth shkolla nuk funksionon dhe është denoncuar nga Partia Demokratike, nga deputetët e Partisë Demokratike. Po ashtu, në Dibër shkolla të tëra nuk funksionojnë dhe janë denoncuar nga Partia Demokratike.

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, mësuesi, dhe me këtë e mbyll. A keni menduar ju kur mund të na e paraqisni, që të keni një paketë të veçantë për statusin e mësuesit? A i keni paguar në kohë dhe a keni buxhet të mjaftueshëm për t’i paguar mësuesit shqiptar për orët shtesë, për orët normale, për shpërblimet që meritojnë, sepse herë pas here ne kemi denoncime dhe mund t’jua them edhe me fakte. E fundit ishte në Belsh që mësuesit nuk paguhen.

(Ndërhyrje pa mikrofon.) Ajo ishte e fundit dhe herë pas here vijnë të tilla denoncime dhe ju mund të na thoni: a e keni garantuar këtë kapacitet financiar për mësuesit shqiptar në fillimin e vitit të ri shkollor? Për ta mbyllur, pasi i kam hequr vetes shumë pyetje. (Ndërhyrje pa mikrofon.)

Zonja Ministre, ditën e hënë fillon universiteti. E di që nuk e kemi sot për ta trajtuar universitetin, në fakt, duhej ta kishim, sepse më e mira është që t’i trajtojmë përpara dhe jo pasi të bëhen problem dhe çështje. Kjo është kërkesë. Dua që me mirëkuptimin tuaj, ne do t’ju nisim edhe një kërkesë, që të paraqiteni sa më shpejt në komision për çështjet e arsimit të lartë dhe të nisjes së vitit të ri akademik, ndoshta edhe javën tjetër, duke ditur që të hënën fillon viti akademik. Pikërisht pyetjet janë të shumta. Nëse thoni janë 90% e mësuesve, te vaksinimi i pedagogëve nuk është e njëjta gjë; te vaksinimi i studentëve nuk është e njëjta gjë. Duke filluar me këtë çështje, pa vazhduar me çështje të tjera të zakonshme të arsimit universitar, pjesë të së cilës unë i njoh, jam edhe vetë, shpresoj të gjej përgjigjet e duhura për pyetjet e bëra. Një gjë është e sigurt që nuk i harroj pyetjet që kam bërë, prandaj dua përgjigjet. E fundit, më fal, se e harrova procesin e rindërtimit, keni thënë se keni suksese të tjera, por ngjarja e fundit te gjimnazi “Çajupi”… Janë dy gjimnaze të mëdha “Sami Frashëri” dhe “Çajupi” me problematika. Gjimnazistët kanë nevojë edhe për ambiente, mësuesit kanë ngarkesë arsimore. Të gjitha këto arsye mund të kenë mbartur edhe atë konflikt atje. A keni ju zgjidhje, që të paktën të gjenden godina të reja për të bërë mësimin, për këto gjimnaze apo shkolla të mesme, të cilat janë bashkuar dy në një apo tre në një, siç janë rastet e shkollave të Kombinatit që janë edhe me turne? Nëse keni zgjidhje, pse nuk e ofruat për këtë vit shkollor, apo prisni sa të rindërtohen shkollat? Shkollat që rindërtohen nga Bashkimi Europian mbarojnë më shpejt, janë me kosto më të ulët dhe janë më efektive sesa ato që parashikonit se do t’i bënit ju. Si shpjegohet kjo gjë?

PJESA 2:

Dy kanë folur nga ju, dy kanë folur nga ne. Ju nuk keni pyetje, është çështja juaj, por si numër keni folur: dy ju, dy ne.

Shumë shkurt. Menduam se ramë dakord të gjitha palët për diçka, edhe ministrja, edhe ne, që buxheti për arsimin, të cilin do ta diskutojmë edhe më vonë, është i pakët. Ne kemi kërkuar shpesh, edhe gjatë kohës së pandemisë, të rialokohet buxheti, që fondet të mos shkonin për inceneratorët, të mos shkonin për oligarkët, por për qytetarët dhe për arsimin. Ju bëj thirrje juve, si ministre, që në mbledhjet e qeverisë, nëse Rama ju dëgjon, të bëni kërkesë për rritje të buxhetit të arsimit. Thatë se bëtë konferencë donatorësh, dhe është gjë shumë e mirë, por ju duhet të kishit fondet tuaja për t’iu përgjigjur pandemisë. Duhet të kishit më shumë para, duhet të kishit arritur objektivin prej 4%-ësh, që kishit vendosur vetë. Të paktën këtu duhet të dakordësohemi: ju duhet të bëni pjesën tuaj, nëse ju dëgjojnë. E dyta, Ministria e Shëndetësisë ju imponoi mësimin me dy turne dhe më pas mësimin me një turn brenda një kohe prej tri ditësh. E thënë ndryshe, nuk kishte ndryshuar asgjë, sepse për tri ditë nuk ndryshon asgjë, as në numër. (Ndërhyrje pa mikrofon.) Ishte për 5 ditë. (Diskutime pa mikrofon.)

 Ditët nuk janë çështje matematike. (Ndërhyrje pa mikrofon.) A mund ta mbaroj fjalën?

Ministria e Shëndetësisë dhe Komuniteti i Ekspertëve treguan edhe një herë që i mbyllin kufijtë për fushatë dhe i marrin vendimet duke parë se si t’i shërbejnë më mirë piarit dhe politikës së partisë, dhe jo se si t’i shërbejnë shëndetësisë. E fundit, një pjese të mirë të pyetjeve të mia ju nuk iu përgjigjët, por nuk ka problem. Kur i referohem Kontrollit të Lartë të Shtetit, besoj se ju e dini që ky institucion nuk kontrollohet nga opozita. Ata i dinë shumë mirë ligjet dhe rregullat, dhe nuk mendoj se ka keqkuptime për mënyrën se si i bëjnë raportet për punësimet tuaja. E fundit, sot bëmë 5 orë, dhe unë ju falënderoj për kohën dhe faktin që dërguat zëvendësministren në mbledhjen e qeverisë, dhe qëndruat vetë gjithë kohën, por, siç e thanë edhe kolegët, kërkojmë të vini sa më shpejt për vitin e ri akademik. (Ndërhyrje pa mikrofon.) E di, është e vështirë, por edhe të jesh ministre nuk është e lehtë. (Diskutime pa mikrofon.)

Nuk po shkojnë për …(nuk dëgjohet), por po shkojnë në xhepat e oligarkëve.