Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë | 15 Shtator 2022

Për disa gjëra biem dakord, siç është nevoja dhe vullneti i të gjitha palëve politike për të përfituar nga fondet e Bashkimit Europian, por mënyra se si ju i keni menaxhuar dhe mënyra se ku shkojnë paratë janë ato që na ndajnë.

Në kongresin e fundit të arsimit, ambasadorja e Bashkimit Europian jua tha në sy: “Kemi dhënë 100 milionë euro për arsimin në Shqipëri, që të kishim një arsim me cilësi, por këtë nuk po e shikojmë në realitet”. E thënë me fjalë të tjera, sepse ajo e tha në mënyrë diplomatike, si ambasadore, ku janë 100 milionë eurot e Bashkimit Europian të dhëna për arsimin? Me 100 milionë euro mund të kishte ndryshuar “faqja” e shkollave dhe universiteteve shqiptare. Ndoshta ju, se folët sot edhe për pedagogët, jetoni në një flluskë dhe nuk e dini se çfarë ndodh, por sot kishte një protestë të pedagogëve shqiptarë, të cilët e nisën nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës për ta vazhduar edhe në fakultete të tjera, që kërkonin rritje të pagës. Në këtë krizë ekonomike, pedagogët, por edhe studentët i keni parë si dele të zeza, të cilët nuk duhet të marrin asnjë ndihmë, nuk meritojnë

asnjë paketë ekonomike, nuk meritojnë rritje rrogash, nuk meritojnë rritje të cilësisë së kushteve ku punojnë dhe nuk meritojnë fonde për kërkimin shkencor. Ata sot protestuan dhe kanë vendosur një ultimatum, që viti i ri akademik të mos nisë më 17 tetor, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

100 milionë eurot që përmendi ambasadorja e Bashkimit Europian do të ishin të mjaftueshme për të ndryshuar kushtet e kërkimit shkencor në universitetet shqiptare.

Sot pedagogët kërkuan rritjen e pagës për ata dhe për stafin ndihmës, rritjen e financimeve për kërkimet shkencore, që laborantët të paguhen për rrezikshmërinë që hasin në punë, kërkuan pagesat për vjetërsinë e punës, pagesat për orët shtesë dhe bërjen publike të buxhetit të universiteteve dhe se si menaxhohen ato.

Ministrja e Arsimit ka zgjedhur të mos jetë sot në Kuvend. Me siguri është duke bërë plane se si të rrisë rrogat e pedagogëve! Kjo do të ishte shumë e bukur, por nuk është e vërtetë, sepse strategjia juaj sa herë që ka protesta dhe sa herë që ka kërkesa nga pedagogët apo studentët është “përça dhe sundo”. Pra, merren disa pedagogë takohen me vete, u krijohet ideja se do t’u japin diçka dhe në fund nuk marrin asgjë. Nuk do të funksionojë, sepse mund të funksionojë një herë, dy herë, por me të njëjtat gënjeshtra nuk mundet të gënjeni gjithmonë trupën akademike shqiptare, e cila, realisht, sot është më e varfra, nuk po them në Europë, por në rajon. Mjafton krahasimi me Kosovën për të kuptuar se sa keq është niveli i pagave të pedagogëve shqiptarë dhe jo më krahasimi me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Të gjitha ato që thoni në kongrese, si: europianizimi, ndërkombëtarizimi, digjitalizimi, janë vetëm në letër dhe asgjë nuk është reale me buxhete konkrete, të cilat të shkojnë në këtë drejtim. Ndërkombëtarizim, që pedagogu ta paguaj nga xhepat e tij konferencën, që pedagogu të shkojë me të ardhurat e veta në çdo aktivitet shkencor dhe shteti apo universiteti të mos e mbështesë! Kjo nuk është qasja e Bashkimit Europian. Së dyti, ministrja e Bujqësisë e përmendi, folët për fondet që shkojnë në drejtim të bujqësisë. A ka shembull më flagrant se si vidhen paratë e Bashkimit Europian, kur fondet IPARD i merr drejtori ekzekutiv i inceneratorit të Tiranës?! Sipas medieve, drejtori i inceneratorit

të Tiranës është regjistruar edhe si fermer dhe ka marrë 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD. Ju do të pyesni: Po ku është ferma bujqësore? Në Sharrë. Femra bujqësore është regjistruar në Sharrë, në tokën e inceneratorit, në tokën që shteti ka dhënë për inceneratorin. Pra, jo vetëm që marrin paratë nga taksat e shqiptarëve për një incenerator që nuk ekziston, por duke qenë se aty është fushë, dhe inceneratori nuk është, pse të mos quhet edhe si fermë; të vjedhim dy herë, të marrim edhe paratë e Bashkimit Europian, t’ua heqim fermerëve të ndershëm, të cilët realisht kanë ferma dhe realisht kanë nevojë për ndihmë, 310 mijë euro në Sharrë.

A e dini ju si u gjet toka për inceneratorin? Ia dha shteti, me shpronësimet qesharake të qytetarëve. Shpronësimet e qytetarëve kanë qenë me një VKM të botuar në Fletoren Zyrtare më 14 janar 2019 me një çmim 448 lekë për metër, duke vënë në dispozicion një shumë prej 2,3 milionë eurosh.

Ndërkohë, nga të dhënat e siguruara nga BIRN-i, vetëm 4 çështje janë fituar tashmë në gjykatë nga qytetarët që e kanë hedhur në gjyq çështjen e shpronësimit. Ata kanë marrë 74% të fondit total, që mbulojnë më pak se 1/10-ën e pronës së shpronësuar. Nëse të gjithë do t’i drejtoheshin gjykatës, kostoja e këtyre shpronësimeve do të shkonte nga 10 deri në 30 milionë euro. Pra, shpronësime të bëra qesharake, marrja e pronës qytetarëve për ta dhënë për inceneratorin e Tiranës dhe më pas inceneratori i Tiranës t’ia japë punonjësit të vet për ta regjistruar si tokë për fermë dhe të marrë fondet e Bashkimit Europian, 310 mijë euro. A ka skemë dhe mënyrë më skandaloze për të vjedhur, për të marrë fondet e Bashkimit Europian, nga e njëjta dorë që merr edhe fondet, edhe taksat e shqiptarëve? Këtu jeni të drejtë, nuk bëni dallime i vidhni njësoj si taksat e qytetarëve shqiptarë, ashtu edhe taksat e tatimet e qytetarëve europianë, që vijnë në formën e granteve dhe fondeve të Bashkimit Europian. Këtu jeni të drejtë, i vidhni të dyja palët njësoj, aq sa mundeni. Këtu jeni fiks KÇK, kapni çfarë të kapni, çdo lloji fondi; i merrni dhe i shfrytëzoni për të njëjtët njerëz. Më pas thoni se nuk ka fonde, se nuk sjellin mjaftueshëm fonde. Del Kryeministri juaj dhe qahet në konferencat e Bashkimit Europian që nuk na japin mjaftueshëm fonde, madje i kërcënon me lidhjet e tij me Serbinë apo me Rusinë. Ndërkohë, kanë dhënë mjaftueshëm, por nëse nuk do t’i vidhnit, nuk do t’i shpërdoronit, ato do të viheshin në funksion të qytetarëve shqiptarë, të arsimit, të fermerëve dhe të trashëgimisë kulturore.

Dua ta mbyll pikërisht me trashëgiminë kulturore, aty ku realisht më dhëmb.

Jo më larg se dje, ndoshta dhe pardje, ministrja duhet ta dijë më mirë, në Durrës dëgjuam çudinë e radhës: Shqipëria, i vetmi vend në botë që nuk ka nevojë për zbulime arkeologjike. Ministrja thotë: Nuk na duhen zbulimet arkeologjike, sepse nuk do të jetojmë në qytetet e lashta, pasi na zënë vendin; duhet të ndërtojmë pallate, nuk kemi ku të ndërtojmë pallate nëse bëjmë zbulime arkeologjike. E thotë ministrja, me zë dhe figurë. Thotë: Ndonjëherë jemi të detyruar t’i mbulojmë dhe t’i groposim zbulimet, sepse nuk kemi ku të ndërtojmë pallate. Kjo është filozofia e ministres së Kulturës për zbulimet arkeologjike në Shqipëri.

Më gjeni një vend, jo të Europës, por të botës, ku ministrja e Kulturës, që duhet të jetë personi përgjegjës i trashëgimisë kulturore, që duhet të ketë pasionin më të madh për të ruajtur dhe për të zbuluar trashëgiminë kulturore, të thotë: nuk na duhet zbulimet, duhen pallate, sepse nuk do të jetojmë në qytete të lashta, por duam civilizim pallatesh.

Nëse nuk e besoni, në facebook-un tim do të gjeni videon.

Faleminderit!

Fjalimi i plotë: