Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Dëgjova e keqardhur në fakt, që asnjë nga universitetet nuk kishte atë që meritonte, që të kishte buxhetin që meriton, vëmendjen që meriton, trajtimin që meriton nga qeveria, sepse ju duhet të kishit ardhur me një buxhet siç e kërkoni, në një proces bashkëbisedimi dhe bashkërendimi paraprak me qeverinë, ku kërkesat që na i parashtroni neve, të mund t’ia kishit parashtruar në kohë Ministrisë së Arsimit dhe ajo t’i reflektonte në buxhetin e viti 2022, si edhe në planin 3-vjeçar për vitet 2022, 2023, 2024.
Për ne është e qartë, por besoj se edhe për ju është e qartë, pa dashur t’ju politizoj, që prioritet janë të tjera, pa thënë se cilat janë, për të mos ju futur ju në çështje të politikës.
Disa pyetjeve që unë doja të bëja, ju iu përgjigjet në ekspozenë që bëtë. Por ndihem e keqardhur se si fondet e qeverisë për kërkimin shkencor, që duhet t’u jepeshin universiteteve, duke pasur mirëfilli departamentet, pedagogët, gjithë asetet për të bërë kërkimin shkencor, qeveria i merr, i monopolizon, duke ia dhënë AKSH-it, duke ju vënë të gjithëve në një garë përballë njëri- tjetrit. Ndërkohë, duhet të kishit fonde të mirëpërcaktuara, sepse nuk ka pse një fakultet apo një universitetet si ai i Mjekësisë të vihet përballë Universitetit të Tiranës, apo përballë Universitetit Bujqësor, ndërkohë që keni prioritete dhe të gjitha janë shumë të rëndësishme për studentët, për kërkimin shkencor dhe për vendin. Kështu që ju e dhatë përgjigjen për këtë çështje, pa ua bërë unë pyetjen.
Disa nga pyetjet e tjera që kam janë: a keni pasur ndonjë ndihmë nga Ministria e Arsimit, secili nga universitetet, për zbatimin e protokolleve anti-COVID? Ç’është e drejta, në dijeninë tonë vetëm më datë 24 shtator është bërë vendimi, urdhri zyrtar për vaksinimin e detyrueshëm të studentëve, gjë e cila ju gjeti edhe ju të papërgatitur. Edhe Konferenca e Rektorëve e reflektoi edhe në kërkesën për shtyrjen me një javë të hapjes së vitit akademik, sepse ndërkohë qeveria duhej të ishte e bashkërenduar edhe në këtë proces me ju, por thjesht ju njoftuan në momentin e fundit. Të paktën, a ka marrë përgjegjësi financiare për t’ju ndihmuar në protokollet anti-COVID, që ju duhet të keni në universitet tuaja, duke nisur nga dezinfektimi i godinave, nga vënia në dispozicion e alkoolit, maskave, hapësirave, distancave e të tjera?
Pra, a ju ndihmon në këtë aspekt, duke qenë se është një fatkeqësi kombëtare? Patjetër, ju nuk i kishit të reflektuara këto zëra në buxhetet tuaja, në të ardhurat tuaja, sepse është diçka që i ndodhi vendit në mënyrë të papritur. Pyetja tjetër është: a keni pasur mundësi të hapni ndonjë program të ri Bachelor në vitet e fundit? Pse e bëj këtë pyetje?
Sepse e lidh edhe me pyetjen tjetër: a keni pengesa nga ana e qeverisë për hapjen e programeve të reja? Në dijeninë time, po. Unë kam dijeni për Universitetin e Tiranës, megjithatë do t’jua lë juve ta shpjegoni më saktë se cilat janë pengesat që ju vë qeveria dhe pse ju bëni programet e duhura, pagesat e duhura, sepse edhe paguani për këtë dhe ndërkohë nuk keni mundësi të hapni programe të rinj. Pse janë të rëndësishme? Shtojnë numrin e studentëve, shtojnë buxhetin tuaj, shtojnë mundësinë e studentëve për t’u arsimuar në degët që preferojnë. Gjithashtu, e thatë edhe vetë, por unë do ta theksoj se edhe problematikat e tjera, e tha dhe profesor Gjata, kanë të bëjnë me mungesën e aplikimit të ligjit për arsimin e lartë të vitit 2015. Ne e kemi thënë që është një ligj i dështuar, megjithatë, përveç çështjes së pagave të pedagogëve, a ka problematika të tjera që lindin nga ky ligj? A është zbatuar ligji i vitit 2015 apo keni punuar deri tani me VKM, apo duke iu referuar praktikave të mëparshme? Pyetja tjetër lidhet me Universitetin e Tiranës. Kam dy pyetje vetëm për Universitetin e Tiranës.
E para, e tha edhe profesori i nderuar, se për kampusin universitar ju deri tani nuk keni gjetur mundësinë që Ministria e Arsimit t’ju japë një relacion apo t’ju vërë në dijen për atë ç’ka parashikon për kampusin universitar. Duke qenë se unë ia bëra pyetje edhe ministres dhe i thashë që ju keni autonomi financiare, universitetet janë insitucione të arsimit të lartë: si ka mundësi që ju nuk bashkërendoheni me universitetin? Për këtë çështje dua edhe përgjigjen tuaj.
E fundit, e përgëzoj Universiteti i Tiranës, se ka bërë një betejë, në të cilën deri tani e ka fituar pjesën e parë, për Kopshtin Botanik. Ju përgëzoj për betejën ligjore që bëtë, që i shkuat asaj çështjeje deri në fund! Ne jemi në krahun tuaj. Nuk mund ta lëmë pasurinë e studentëve, pasurinë e universiteteve, pasurinë e qytetarëve shqiptarë, ta çojmë në duart e bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar kullat e oligarkëve dhe për ta vënë në qëllimet e tyre të ndërtimit, se nuk po e klasifikoj ndryshe, duke respektuar prezencën tuaj këtu. Momentalisht, beteja për Kopshtin Botanik duket sikur është në anën tuaj, por, a keni ju presione nga qeveria dhe a ju kanë hedhur në një proces tjetër gjyqësor? Sepse me sa shikoj në buxhetet që bën bashkia e Tiranës dhe me retorikën që bën qeveria dhe bashkia e Tiranës, nuk kanë hequr dorë nga gllabërimi i hapësirave të kopshtit Botanik. Ju faleminderit! Uroj që të gjitha kërkesat tuaja të merren parasysh dhe qeveria të mos jetë kaq refraktare, kaq e papërgjegjshme në lidhje me kërkesat që vijnë nga institucionet e arsimit të lartë. Faleminderit!