Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për projektbuxhetin e vitit 2023 |10 Nentor 2022

Ky buxhet, fatkeqësisht, i shkon një shprehjeje: “Bir Selmani i nënës, kë të qaj më parë”. Në të gjitha fushat është beter, në çdo drejtim është fatkeqësi dhe retorikës suaj që buxheti është dyfishuar, në fakt, i përgjigjet një e vërtetë: po, janë dyfishuar të gjitha barrat që u bien qytetarëve, paratë që ata japin për arkën  e shtetit, se buxheti i shtetit janë paratë që jepen nga TVSH-ja, nga taksat, nga njerëzit e varfër. Këto po që janë rritur, por kthimi pas tek ata në investime, në paga e në pensione, jo, nuk është dyfishuar, madje është larg rritjeve reale dhe nuk indekson inflacionin real në këtë vend.

Fatkeqësisht, në diskutimin e sotëm njëra palë flet për qytetarët dhe pala tjetër flet për një luftë, që është lufta e oligarkëve ndaj qytetarëve dhe nuk ka lidhje fare me luftën në Ukrainë apo me dy retorikat tuaja të zakonshme për tërmetin dhe pandeminë, jo, ka të bëjë me filozofinë tuaj që paratë do t’i ndani me klientët, me oligarkët dhe nuk do t’ua çoni qytetarëve. Kaq e thjeshtë është dhe asgjë tjetër nuk e shpjegon më mirë sesa kjo filozofi.

Kemi për të paguar 156 milionë nga gjyqet e humbura të Shqipërisë në arbitrazh. Pse po e përmend këtë? Sepse pritet që nga ky buxhet, apo nga buxheti i viteve të ardhshme, kjo kosto të rritet edhe më shumë, për shkak të padrejtësive që ju bëni me vetëdije të plotë.

Dje isha në gjyqin që këto ditë po zhvillohet me prindërit e fëmijëve të kopshtit “Zybejde Hanëm” për të cilin juve ju presin dy gjyqe ndërkombëtare: një gjyq nga biznesi, që e mbyllët me pa të drejtë në arbitrazh, dhe një gjyq tjetër në Strasburg, për të drejtat e njeriut. Sigurisht, këto gjyqe i keni të humbura, por, në fakt, do t’i humbim ne, do t’i humbin të gjithë shqiptarët, të cilët do të duhet të paguajnë kapriçot tuaja.

Gjyqi tjetër do të jetë ai që ka nisur dhe që ka pranuar fillimin e padisë, gjyqi i Radiotelevizionit “Ora” përballë shtetit shqiptar, një mbyllje për një kapriço tuajën, që e keni çuar në konfiskim dhe ku kërkohen 130 milionë euro, të cilat prapë do t’i paguajmë ne, shqiptarët. Na thatë atëherë: “Asnjë lekë nuk do të paguajmë për Beccheti” dje ja prapë një kapriço e Edi Ramës! Kush po i paguan? Ne, shqiptarët. Ato para që mund të ishin rrogat tona, rrogat e qytetarëve shqiptarë, do t’i paguajmë se juve nuk ju pëlqen media e lirë, nuk ju pëlqen kur mediet thotë të vërtetën, sepse duhet vetëm t’i shërbejnë pushtetit, dhe nëse nuk i shërbejnë pushtetit etiketohen si gjobaxhinj, u çohen letra për t’u marrë godinën, u konfiskohet TV-ja; gjithçka.

Nga ana tjetër, keni ndërtuar Agjencinë tuaj të Medies, e cila me këtë buxhet, me 1,17 miliardë lekë, do të shërbejë për like dhe shareFacebook. Ministri i propagandës, Fuga, nuk denjoi as të vinte në komision,  me justifikimin se janë shumë pak para, është shumë pak buxhet. “Pse do të vijmë ne?”, tha zëvendësdrejtori, që erdhi për të zëvendësuar Fugën. 1,17 miliardë lekë nga paratë e taksave për like e share ishin shumë pak para, që nuk meritonin praninë e tij në komision, ndërkohë që e kemi parë të pranishëm në darka luksoze me biftekë 1 mijë eurosh, sepse aty denjon të shkojë dhe sepse aty lëvizen paratë e mëdha të shqiptarëve!

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku unë jam anëtare, për herë të parë, ndryshe nga tradita e komisionit, ndryshe nga qasja proaktive ndaj grupeve të ndryshme të interesit, u votua me dorën lart kundër ardhjes së sindikatave, që ato të mos vinin e të flisnin për buxhetin. Për herë të parë nuk do të vijnë sindikatat e pedagogëve, sepse ata bënë gabimin e madh duke protestuar e duke thënë të vërtetën.

Në një vend ku e vërteta është herezi të shpallin tradhtar dhe nuk vjen më në komision që të të jepet hapësirë për të thënë të vërtetën. Nuk vijnë më në komisione sindikatat e mësuesve, të arsimit parauniversitar, sepse kështu e vendosi fuqia e kartonit, ndryshe nga çfarë është traditë, ndryshe nga morali dhe e drejta, sepse kartoni i ka zëvendësuar të gjitha këto. Jo vetëm kaq, por dje, këtu, bashkë me Kryeministrin tuaj, e bëtë Kodin e Etikës leckë e fërtele dhe na legjitimuat që çdo fjalë, që mund të thuhet këtu, është e amnistuar. Ai ka thënë të zezën  dhe, kur nuk reaguat për këtë, nuk keni më asnjë moral e asnjë të drejtë, madje asnjë Rregullore, që të reagoni për çdo fjalë që mund të përdoret me të drejtë kundër jush.

 Sigurisht, këto nuk janë të vetmet fusha që po vuajnë në Shqipëri. Pedagogët, mësuesit, studentët, të rinjtë, nxënësit, fëmijët janë ata që nuk e gjejnë veten në asnjë rresht të këtij buxheti, por do ta gjejnë veten të shumtë, të fuqishëm në shesh më 12 nëntor, në orën 16:00. Do të jenë aty që të dëgjohen, meqë nuk dëgjohen dot nëpër komisione, meqë qeveria nuk i dëgjon dot dhe nuk ka kohë t’i fusë në buxhetin e saj. Do të jenë në shesh dhe ju do të dëgjoni nga sheshi kërkesat e atyre që nuk pranuat t’i dëgjonit në komision, do të jenë në shesh për të protestuar për dinjitet, për të protestuar që kjo Shqipëri të bëhet e jetueshme, për të protestuar që paratë e tyre të shkojnë për ta dhe për fëmijët e tyre.

Të shumtë do të jenë në shesh profesionistët e rinj, mjekët, noterët, farmacistët, dentistët. Pse? Sepse nga zero, ju e keni çuar në 15-23% tatimin, që t’i paguajnë ata, të cilët nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga  biznesi i vogël i lagjes. E dini çfarë ndryshimi kanë? Ndryshe nga biznesi i vogël i lagjes, që mund ta ndërtojë kushdo me pak vullnet dhe pak punë, ata kanë bërë edhe një barrë me shkollë dhe kanë harxhuar para pa fund për të marrë një profesion dhe për t’u shërbyer njerëzve, kurse ju i trajtoni si njerëz që duhet të goditen, i trajtoni si njerëz të cilët duhet të paguajnë miliona për ju, dhe, rrjedhimisht, ata janë të parët që ikin nga Shqipëria. Pse? 17 milionë euro është efekti në buxhet nga paratë që do t’u merrni pikërisht këtyre profesionistëve të rinj, por 17 milionë euro për ata janë shumë, sepse është buka e fëmijëve të tyre, kurse për ju janë sa 1 kilometër autostradë e vjedhur.

Ky është buxheti juaj.

Do të doja shumë të ishte këtu ministrja e Kulturës, sepse dua t’ia kushtoj minutën e fundit edhe kulturës. Të gjithë shqiptarët do të jenë  në protestën e 12 nëntorit edhe për Butrintin, edhe për pasurinë tonë kulturore që vidhet çdo ditë, edhe për trashëgiminë tonë kulturore, sepse përveç 2,1 milionë eurove, që i pranoi me zë dhe figurë ministrja, e cila ia kalon edhe koncensionarit, vetëm këtë vit janë mbledhur 500 mijë euro nga turizmi në Butrint dhe kjo i kalon si pajë koncensionarit. Me të gjitha restaurimet, nga të cilat ju merrni miliona, keni shkatërruar dhe përçudnuar trashëgiminë kulturore si rastet e Kafes së Madhe dhe Gjuhadolit në Shkodër, për të cilat sot jeni në prokurori. Harxhoni miliona për të shkatërruar trashëgiminë tonë kulturore, për të shkatërruar atë që është identiteti ynë, i të qenit shqiptarë. Shqiptarët po largohen, trashëgiminë po jua shkatërroni dhe, në fund, çfarë do të ngelet nga Shqipëria?!

Ndaj ne sot bëjmë një thirrje, që të reagojmë, të reagojmë të gjithë së bashku në shesh, do të reagojmë ndaj këtyre padrejtësive, të reagojmë ndaj këtij buxheti që nuk jep asgjë për qytetarët, më 12 nëntor, në orën 16:00 para Kryeministrisë!

Faleminderit!