Fjalim ne Kuvendin e Shqipërisë, reforma territoriale domosdoshmëri. Ksamili të bëhet bashki | 31 Tetor 2022

Ngritëm një komision të reformës territoriale me idenë që të gjitha palët kishin rënë dakord se duhej ndryshuar ndarja territoriale. Çfarë kuptimi ka që të bëjmë një komision për ndarjen e re territoriale dhe të ruajmë ndarjen e vjetër; të harxhojmë kohë; të harxhojmë energji; të harxhojmë para; të harxhojmë kohën dhe mundin e eksperteve dhe të vijmë këtu me qasjen që “ishim mirë kur ishim keq”, 61 qenka numri perfekt, numri i parajsës që nuk u ndryshuaka, sepse paska zgjidhur gjithçka?!

Ndërkohë, ju vetë, duke pranuar ngritjen e një komisioni të posaçëm, keni pranuar se reforma kishte dështuar, keni pranuar se ndarja kishte dështuar. Ndryshe, për çfarë fasade e bëtë këtë komision, për të qenë atje ku ishit, me aq bashki sa kishit?! Pasojat e reformës së vitit 2014 ishin e janë bashki në kolaps të plotë ekonomiko-financiar; shërbime publike të pambuluara financiarisht dhe shumë larg qytetarëve e kërkesave të komunitetit; falimentim të shërbimit të  ujësjellës-kanalizimeve; korrupsion masiv në menaxhimin e mbetjeve urbane (për këtë kemi rastin e famshëm të inceneratorëve); dorëzim para rreziqeve të zjarreve dhe përmbytjeve; falimentim të fermerëve dhe aktiviteteve agro-industriale; shpopullim masiv të territorit të vendit, duke u përqendruar të gjithë në zonat urbane, në qytete të mëdha.

Këtë e mohoni dot ju? Këtë e dinë të gjithë qytetarët, të majtë e të djathtë, të cilët ishin dakord që të bëhej Komisioni i Reformës Territoriale, dhe në zonat ku isha unë, u gëzuan e thanë se u erdhi momenti që kërkesave të tyre t’u përgjigjen deputetët e djathtë dhe të majtë, sepse të njëjtat shqetësime ua kanë ngritur deputetëve të majtë, edhe mua, si deputete e djathtë. Me synimin që të përmirësonim demokracinë vendore, por edhe të rrisnim përfaqësimin qytetar, të adresonim këtë situatë aktuale që kemi, ne kemi ardhur me një propozim, ku numri i bashkive reflekton nevojat konkrete dhe reale të qytetarëve, lidhjet e tyre historike, por, mbi të gjitha, afërsinë e tyre me bashkinë.

Unë do t’ju marr një rast konkret, dhe doja që kushdo nga ju të më kthente përgjigje pse nuk e meriton që të jetë bashki. Rasti konkret është Ksamili, Ksamili si bashki, lider i turizmit. Do t’ju bëj një analizë shumë të thjeshtë. Në vitin 2014 Ksamilit iu hoq komuna, ndërkohë që të gjithë, të majtë dhe të djathtë, kishin dërguar kërkesë në qeveri që të kthehej në bashki. Pra, nga komunë të kthehej në bashki. Jo vetëm që nuk u kthye, por u bashkëngjit me Bashkinë e Sarandës, ia jep taksat Bashkisë së Sarandës, por nuk merr asnjë shërbim nga Bashkia e Sarandës. Ata që japin më shumë për bashkinë, në fakt, janë larg shërbimeve të bashkisë. Dua t’ju sjell disa të dhëna pse mund të ishte bashkia e ardhshme lider në turizëm. Në  Ksamil ka rreth 150 hotele, të cilat akomodojnë rreth 6 mijë veta; në Ksamil ka rreth 400 banesa për akomodim, pra për turizëm, që akomodojnë rreth 3200 veta; ka resorte që akomodojnë rreth 1 mijë veta, po them në kohë turizmi dhe gjatë gjithë vitit, në qoftë se do të ishte një bashki.

Nga analiza jonë, kjo bashki është e aftë të prodhojë nga taksat, nga turizmi dhe nga banorët rreth 300 milionë lekë në vit për të mbajtur veten dhe t’i mbeten. Shpenzimet që i duhen qoftë për paga, qoftë ato që lidhen me pastrimin e qytetit, me karburantin, pra të gjitha llojet e shpenzimeve, nuk shkojnë më shumë se 70 milionë. Del një bashki që jo vetëm mban veten, por garanton që këto para t’i kthejë më pas në investime publike. Kështu, Ksamili duhet të jetë një nga bashkitë perla të turizmit, një nga bashkitë që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve, një nga bashkitë që rritet edhe për atë që ju e keni premtuar, që është Shqipëria turistike.

Pse të mos e kenë bashkinë banorët e Ksamilit? Çfarë problemi paska që 1 mijë banorët e Ksamilit të kenë bashkinë e tyre, siç e duan, të majtë dhe të djathtë? Nuk do të gjeni asnjë të majtë që të thotë se nuk e do Bashkinë e Ksamilit dhe nuk mund të themi se Ksamili voton majtas apo djathtas, sepse nuk e dimë. Ka votuar majtas, por ka votuar edhe djathtas. Nuk po e bëjmë fare politikisht, pra të bëjmë një bashki që të jetë e djathtë apo që të jetë e majtë, sepse kjo varet nga kandidati. Pra, ka ndryshuar, sepse kanë marrë vota kandidatë të majtë, por kanë marrë vota edhe kandidatë të djathtë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sa t’i përgjigjemi një realiteti, të cilin ju e mohoni.

Ju mora rastin konkret, sepse secilin nga deputetët këtu, po ta pyesësh, jua shpjegon me rast konkret, siç iu shpjegova unë Ksamilin, meqenëse është zona ime, cilat janë përfitimet dhe çfarë ndodh në ato bashki. Por ju nuk i dëgjoni, sepse keni marrë urdhrin politik që numri 61 qenka numri i fatit, numri 61 qenka numri që nuk lëvizka, pavarësisht argumenteve dhe kohës së harxhuar! Kjo që bëni ju është një tallje e madhe; është tallje me ata që ju kanë votuar; është tallje me ata që ju dëgjojnë sot nga televizori dhe thonë se si ka mundësi deputetja apo deputeti i tij, të cilit ia ka shprehur këto shqetësime, sot e injoron dhe thotë se këto shqetësime nuk ekzistojnë. Sa herë ju kemi parë teksa bëni analizën e kryebashkiakëve, duke u thënë se do t’ua merrni kompetencat, duke u thënë se nuk janë të aftë për të qenë kryetarë bashkie, sepse po falimentojnë bashkitë? Pra, do të thotë se kjo ndarje që ju keni bërë, ka dështuar.

Tani, pak më parë doli ministrja dhe tha: “Jo, janë shumë të mira, nuk kanë falimentuar, është fake news.” Ju u keni thënë, ju ua keni bërë analizën financiare dhe e mohoni vetëm për t’i qëndruar një projekti politik që mendoni se e keni më të lehtë për të fituar bashkitë dhe e keni më të lehtë që të garantoni fitoren tuaj elektorale në vitin 2023. Po sado që ta bëni numrin e bashkive, ju humbjen e keni të sigurt.

Faleminderit!