Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për koncensionin e Portit të Durrësit si një projekt i paracaktuar dhe korruptiv | 24 Nentor 2022

Jo. Në fakt, ne do të votojmë, por do të votojmë kundër kësaj afere, kësaj megavjedhjeje, që është projekti, që na e rikujtoi sot paradite Kryeministri, kur tregoi një foto, e cila, sipas tij, tregonte gjendjen e mjerueshme të portit të Durrësit.

Ky është Kryeministri në vitin 2020, në emisionin “Opinion”, teksa tregon një foto të Sharrës mal me plehra, dhe më pas tregon mrekullinë që do të ishte Sharra me inceneratorin që nuk ekziston edhe sot e kësaj dite, por që gllabëron paratë e shqiptarëve.

Zoti Balla, a ka mundësi t’ia ulni pak zërin futbollit që po dëgjoni?

Në këtë foto është Kryeministri! Mund ta krahasoni me foton e sotme dhe do të kuptoni që flasim njësoj për një aferë; flasim njësoj për një megavjedhje; flasim njësoj për kompani offshore; flasim njësoj për anëtarë të pushtetit, të cilët janë futur kokë e këmbë në aferë.

Konkretisht, të regjistruar në offshore, sipas dokumentacionit që shoqëron kontratën që do të kalojmë në parlament, 60% është një rrjet prej 5 kompanish, të cilat janë me adresë në ishujt Kajman. Bashkimi Europian i ka klasifikuar këta ishuj si “parajsa fiskale”, duke i vendosur në listën gri. Këtë besoj se e dini, sidomos ju, që merreni edhe me procesin e integrimit. Pra, kompanitë që do të marrin pronën publike për të ndërtuar apartamente dhe hotele janë regjistruar në parajsa fiskale.

Çfarë motivi mund të ketë Ministria e Financave, që kontrollon kuponin tatimor nga berberi e prodhuesi, me qëllim që të ndëshkojë devijimin fiskal, që të nxisë që një investim kaq i madh t’i vendosë pronat publike në një skemë biznesi, parajsë fiskale, me bazë devijimin fiskal? Këto duhet të na i thotë ministrja e Financave.

Ligji për investimet strategjike në Shqipëri përcakton shprehimisht se investitori strategjik duhet të dëshmojë 10% të kapaciteteve financiare për realizimin e projektit përmes bilanceve të shoqërisë që merr statusin “strategjik”, kreditimin nga institucione financiare vendase ose të huaja me besueshmëri të lartë ose garantimin e 10% të investimit nga institucione financiare shqiptare ose të huaja me besueshmëri të lartë.

Kompania “Eagle Hills Real Estate Development” ka një kapital prej 10 mijë lekësh, pra nuk e përmbush kriterin për të pasur 210 milionë euro, që përkon me 10% të vlerës së investimit. Ju keni vendosur si garantore kompaninë “NSHMI Development LLC”, dhe një vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike i jep status kësaj kompanie dhe e njeh si garantore.

Po çfarë aktiviteti ka kjo kompani? Kjo është një kompani që merret me ndërtime dhe shitblerje të pasurive të patundshme në Dubai, pra nuk është as institucion financiar dhe as bankë, siç e kërkon ligji. Atëherë, si mundet që i gjithë zinxhiri i grupit negociator, me ekspertë dhe me profesionistë nga politika, të rekomandojë statusin “strategjik” për këtë projekt në shkelje të ligjit?

Si është e mundur që një zinxhir i tërë i administratës publike, në Agjencinë për Zhvillimin e Investimeve Strategjike të rekomandojë dhënien e statusit “strategjik” për këtë projekt?

Si mundet që Komiteti për Investimet Strategjike, i përbërë nga ministra të rëndësishëm, nga Avokati i Shtetit, nga Kryeministri në krye, ta konsiderojë të ligjshëm statusin “strategjik”?

Pra, jeni vënë të gjithë në funksion të kësaj marrëveshjeje, siç u vutë në funksion të inceneratorëve ministri më ministri, dhe në fund ata që janë në burg janë përfaqësuesit e Komitetit të Prokurimeve Publike, ata që bënin garën. Nëse ka vullnet për hetime, që këtu, me këtë marrëveshje, ata shkojnë në burg për shpërdorim detyre.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që Kuvendi e ka ratifikuar me ligjin nr. 9590 në vitin 2006. Në nenin 70 të MSA-së thuhet: “Shqipëria njeh rëndësinë e përafrimit të legjislacionit ekzistues shqiptar me atë të Komunitetit Europian dhe zbatimit të tij me efektivitet. Ndër fushat kryesore të përafrimit janë: prokurimi publik, konkurrenca, transporti detar dhe tokësor, duke u kushtuar vëmendje standardeve mjedisore, si dhe aspekteve sociale”.

Referuar nenit 71 të MSA-së, marrëveshjet me sipërmarrjet, të cilat kanë si objektiv apo pasojë shtrembërimin e konkurrencës, ndikojnë në mosfunksionimin e MSA-së dhe në tregtinë e Komunitetit me Shqipërinë.

Ndër detyrimet e shtetit shqiptar, referuar nenit 74 të MSA-së, është liberalizimi i kontratave publike në bazë të parimit të mosdiskriminimit dhe reciprocitetit. Kompanitë e komunitetit gëzojnë të drejtën e fitimit të kontratës në Shqipëri, sipas kuadrit ligjor për prokurimin publik, duke mos marrë asnjë trajtim më pak të favorshëm nga ai që u është dhënë shoqërive shqiptare.

Çfarë ndodhi? Bëtë garë ju? Hapët garë ndërkombëtare për portin e Durrësit? Si i lindi dëshira këtij investitori strategjik? Pati një dëshirë, mori “llambën e Aladinit” dhe pastaj e pyeti se ku do të shkonte të ndërtonte një port, dhe llamba i sugjeroi Shqipërinë?! Shqipëria nuk ishte pa port, ajo është pjesë e MSA-së. Si ka mundësi që një ditë të bukur erdhi një ofertë e pakërkuar?! Si ka mundësi që i jeni lutur këtij investitori dhe nuk kërkuat ndihmë nga kompanitë e shteteve të BE-së?! Pra, që këtu kuptohet se kemi të bëjmë me një çorbë të gatuar aty ku hahen biftekë, sepse, me sa duket, aty ku hahen biftekë, u bëkan edhe çorba në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Nga ana tjetër, projekti zhbën tri koncesione të tjera, që funksionojnë tashmë në portin e Durrësit, pa folur dhe pa negociuar me kompanitë. Kjo do të thotë kosto miliona euro në arbitrazh, se nuk ta fal njeri që ti nga sot, nesër, të ndryshosh projektin.

Thelbi i projektit, në fakt, është zona e madhe rezidenciale. Marina është dytësore në projekt. Mjafton të shikoni, hapësirën, sipërfaqen, koston dhe paratë që vihen në dispozicion, nga njëra anë, për zonën rezidenciale dhe, nga ana tjetër, për marinën. Por këtu e keni quajtur “Marina dhe jahtet”, sepse doni ta shisni këtë sikur nuk është thjesht një projekt ndërtimi dhe pastrimi parash, por me demek i shërben strategjisë së madhe për të sjellë këtu jahtet nga bota.

“160 milionë euro”, thotë investitori; 80 milionë euro do t’i vendosë vetë dhe 80 të tjerat do t’i marrë nga bankat. Të gjitha këto janë 6,8% e shifrës 2,1 miliardë euro që është projekti. Por si vazhdon projekti, kur nuk kanë paratë? E kanë zgjidhur, thonë që projekti do të jetë në varësi të shitjeve. Pra, i bie që projekti është fiks siç e tha Blendi Klosi: “Në dorë të Zotit”, “në varësi të shitjeve”. Po pati shitje, ecën projekti; po nuk pati, i bie që do të shpallin falimentimin dhe do të na ngelë gropa atje, sepse nuk kanë vendosur asnjë mekanizëm që të na garantojnë se kur mbaron dhe si garantohen paratë!

E thënë me pak fjalë, meqenëse edhe koha në dispozicion është në përfundim, kjo është një gropë e madhe e financave shqiptare; kjo është një gropë e madhe, ku përfituesit dihet se kush janë, janë ata që kanë lëvizur të gjitha strukturat shtetërore për të garantuar këtë paligjshmëri me marinën, me jahtet, por, mbi të gjitha, me shkatërrimin e një porti 3000-vjeçar, siç është porti i Durrësit.

Faleminderit!