Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, ky është një ligj tjetër, që tregon se si rrëmbehen kompetencat e Presidentit, sesi kapen dekoratat dhe titujt e nderit, që t’i kontrollojë dhe t’i përdorë Kryeministri për qoka. Kjo duket shumë qartë, besoj se nuk ka njeri që nuk e shikon, edhe për vetë faktin që Rama nuk u shqetësua që ta fshihte, madje e tha edhe publikisht. Kjo bëhet sepse Presidenti i mëparshëm, zoti Meta, ka dhënë shumë dekorata, ka bërë shumë njerëz të kënaqur, ka respektuar shumë personalitete, të cilët mund të ishin mirënjohës ndaj tij dhe mund të përktheheshin në vota për të. Kaq e thjeshtë është. Gjithçka që ju po tentoni të bëni sot është që këtë ta monopolizoni dhe ta kapni, siç keni kapur çdo gjë tjetër në këtë vend. Nuk kishte se si t’ju shpëtonin dekoratat dhe titujt e nderit.
Pse e them këtë? Keni krijuar kancelarinë për urdhrat dhe medaljet, ku kancelari do të emërohet, do të vendoset dhe do të drejtohet nga ana e Kryeministrit. Jo vetëm kaq, por kancelari nuk ka as statusin e nëpunësit civil, ku të ketë më shumë garanci që ai do të respektojë ligjin, ku të ketë më shumë garanci që ai do të ketë një mbrojtje të lartë, të paktën sa nëpunësit e thjeshtë të administratës, por ai do të jetë me Kod Pune, që Kryeministri ta heqë dhe ta vendosë sa herë të dojë, që as të mos i shkojë ndër mend të bëjë ndonjë lëvizje pa dijeninë apo pa pëlqimin e tij.
Projektligji krijon mundësinë që këtë kontroll rigoroz Kryeministri ta mbajë edhe në kolegj, i cili përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët 8 janë të Kryeministrit, pa asnjë dyshim. Po ju kujtoj një prej anëtarëve, që është nga Akademia e Shkencave. Si e kemi ne sot Akademinë e Shkencave? Sot ne e kemi Akademinë e Shkencave të kapur politikisht, që drejtohet nga ish-ministri i fundit i Arsimit i diktaturës, nga ai që e shiti partinë për të bërë koalicion me ju. Ndaj e kupton që edhe ky anëtar do të jetë politik, siç janë edhe anëtarët e tjerë. Presidenti, përfaqësuesi më i lartë i unitetit kombëtar, ka vetëm një anëtar në këtë kolegj. Ky anëtar do të jetë nënkryetar, që nuk do të ketë asnjë kompetencë më shumë apo asnjë të drejtë vetoje për të zbatuar nenin 92 të Kushtetutës, që i jep mundësi Presidentit të japë dekorata. Pra, ju i keni vendosur limite mbi limite për numrin e dekoratave, për sasinë e dekoratave.
Ju doni t’i bëni edhe dekoratat me plan 5- vjeçar. Në këtë rast i keni me plan 1-vjeçar, do ta vendosni se sa dekorata do të jepen, si të jenë planet e kohës së komunizmit, ku vendoseshin sa do të prodhonte kjo ndërmarrje, sa do të prodhonte ajo ndërmarrje. Ju vendosni sa akte heroike do të ndodhin në atë vit, sa akte heroike do të bëjnë shqiptarët atë vit dhe sa dekorata duhet të marrin. Jo vetëm kaq, por Presidentit i keni vendosur vetëm 10% tagër për të vendosur në atë kolegj, nga kuota vjetore që i keni limituar.
Pra, si ta ktheni një President, një pushtet, që duhet të jetë garant i të gjitha palëve, në një kukull, si ta ktheni në një pushtet, që nuk dhuron dot asnjë dekoratë, asnjë titull për merita të larta? Duket qartë pse e bëni këtë, nuk është vetëm ajo që thashë unë, se doni të kapni çdo gjë, por merakun që keni për këto tituj ju e tregoni duke shpikur edhe tituj. Keni filluar fushatën elektorale në çdo bashki, duke dhënë ca tituj nderi nga kryetarët tuaj të bashkive dhe nga Kryeministri: “Njeriu i vitit”, “Njeriu i bashkisë” “Kontribute të larta për qytetin”. Pse i bëni këto? I bëni për t’i shfrytëzuar politikisht. I bëni këto, sepse politikisht doni të thërrisni edhe njerëz që nuk ju vijnë, të cilët vërtet kanë merita dhe janë të respektuar. Kështu doni të bëni PR, kështu doni të krijoni mbështetje, kështu doni edhe të favorizoni sistemin tuaj të patronazhistëve. Kaq e thjeshtë është. Jo vetëm kaq, por ju keni arritur deri aty sa edhe emrat e shkollave dhe të institucioneve publike, sidomos Bashkia e Tiranës, t’i shndërroni në qoka politike.
Cilët kanë qenë masha tuaja, mund të kenë emrin e një shkolle të Republikës së Shqipërisë, ku mësojnë fëmijët tanë. Ata do të pyesin: çfarë kontributi ka dhënë ky zotëria? Kontributi i këtij zotërisë është se ka mbrojtur Ramën në televizion. Tani duhet të keni dhe një limit në gjërat që bëni, por, mesa duket, limiti është shuar si koncept dhe ju limit nuk njihni dhe nuk keni për të njohur ndonjëherë.
Meqenëse zonja, ministrja e Kulturës, ikën nga salla sa më shikon, mund t’i jepni edhe asaj ndonjë dekoratë, dekoratë për antishqiptarizëm. E meriton ajo plotësisht dhe unë jam shumë dakord që t’i jepni atë lloj dekorate, sepse zonja zhduket kur duhet të japë përgjigje për Urën e Zogut, zonja zhduket kur duhet të japë përgjigje për denoncimin e fundit të bërë jo më larg se dje nga emisioni “Fiks fare” për kishën Shën Nikolla ku janë ikonat murale të vetë Onufrit dhe djalit të tij Nikolla, që është monument kulture, ku uji futet nga çatia, por nuk preokupohet askush. Preokupohen për festa dhe thoni se ne do të marrim nga shkëlqimi im. Po nga cili shkëlqim? Nga shkëlqimi i vjedhjes, i hajdutërisë, antishqiptarizmit? Dhe pastaj kërkoni respekt. Por respekti duhet të fitohet dhe pastaj të merret, nuk mund t’i jepet respekti një antishqiptari.
Kështu që keni plot arsye për të përdorur politikisht dekoratat, sidomos kur jemi në prag të fushatës elektorale. Shfrytëzoni çdo ditë të plotësoni kuotën. Madje, Presidentit të Republikës unë i bëj thirrje ta kthejë ligjin në identitetin e vet, ta kthejë ligjin për të mbrojtur kompetencat e veta, ta kthejë ligjin, sepse i takon të ketë prerogativa për të dhënë dekoratat pa limit, dhe, siç i arsyeton ai dhe stafi i tij, kuptohet për merita të veçanta dhe të personaliteteve publike. Pra, unë mendoj se duhet ta kthejë ligjin se, nëse nuk e kthen, tregon se është ushtar dhe edhe atë 10% që i kanë lënë i kanë lënë shumë se nuk duhet t’ia kishin lënë se nuk i meriton.
Kështu që është një test edhe për Presidentin e Republikës nëse do ta ruajë dinjitetin e vet duke e kthyer këtë ligj që i merr kompetencat, duke e kthyer këtë ligj që e kthen në një paradhomë të Kryeministrit, ku duhet të marrë leje, duhet të pyesë dhe duhet të vendoset nga një kolegj nëse meriton ose jo dekoratën, ndërkohë që e dimë që Kryeministrat në çdo vend të botës janë njerëz politikë, që përfaqësojnë një maxhorancë, ndërkohë që Presidenti, duhet të jetë mbi palët duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Edhe dekorata duhet të përfaqësojë këtë të fundit, duhet të përfaqësojë atë që reflekton vlerat, që ka merita të veçanta për të gjithë vendin, jo për një maxhorancë, jo për një patronazhist, jo për një që ka punuar shumë që Edi Ramës t’i bëjë PR-in. Këtu është dallimi i madh midis atyre që bëjnë ligje për qytetarët, që i shërbejnë interesit publik dhe atyre që bëjnë ligje për të ndërtuar një mekanizëm që vërtetë respekton personalitet e këtij vendi me ata, si këta këtu mbrapa, që bëjnë ligje vetëm për të ushtruar çdo lloj kompetence sado honorifike qoftë ajo, sepse duan t’i kenë të gjitha edhe sot.
Faleminderit!