Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Të nderuar kolegë,
Në fakt, sot nuk duhet të kishte temë tjetër përveçse goditjes, atentatit fizik, që është bërë ndaj liderit të opozitës në Shqipëri. Kjo është ngjarja më e rëndë e këtyre 30 vjetëve demokraci. Është ngjarja më e rëndë jo sepse u godit personi, jo sepse u godit politikani Sali Berisha, por sepse, kur goditet lideri i opozitës, liria e çdo qytetari është në rrezik, është në rrezik siguria e çdo qytetari, është në rrezik demokracia në vend, janë në rrezik të drejtat e liritë tona si qytetarë. Kjo është shqetësuese për këdo që banon dhe jeton në Shqipëri dhe për këdo që, ndoshta, mendon t’i rrisë fëmijët në Shqipëri. Siguria në këtë vend është zero dhe urrejtja politike ndaj kundërshtarit dhe atij që bën opozitën reale është patologjike deri në dhunë.
Ju tentuat të bënit gjithçka që të tregonit se përballë kishit një opozitë destruktive, që turma do t’ju merrte përpara dhe do t’ju vinte te këngët e vallet e samitit, ndërsa ne treguam që përballë ju kishit opozitën më konstruktive dhe më të vërtetë që keni pasur ndonjëherë në këto vite, një opozitë që ju qëndroi ballë për ballë, që nuk u tremb, që nuk ra pre e provokimeve, por që vazhdoi betejën e saj, tha të vërtetat e saj në shesh me qytetarët, për qytetarët, tha të vërtetat që ju nuk do të donit kurrë të dëgjoheshin, por që, në fakt, i reflektuan të gjitha mediet ndërkombëtare.
(Bie gongu.)
Koha në dispozicion është 10 minuta, nuk e di se çfarë ndodhi, por, me sa duket, edhe fjala e deputetit është në rrezik.
Sot, mediet janë duke vuajtur një represion të jashtëzakonshëm nga kjo qeveri. Dua ta nis me rastin e fundit. Ministrja mungon, por një investigim i emisionit “Piranja” tregon sesi fondet dhe paratë publike të destinuara për strat-up-et dhe për inovacionin shkojnë te një rrjet klientelist, të lidhur drejtpërdrejt si rrjetë merimange me vetë ministren apo me sponsor të kësaj ministrie dhe të këtyre start-up-eve. Ku shkoi lajmi?! Klikoni në YouTube, nuk e gjeni, e fshiu “ABC News”, kërkoni nëpër medie, nuk e gjeni, mund ta gjeni vetëm në disa portale, të cilat i kanë shpëtuar censurës. Start-up-et, paratë, që duhet të jepen për biznesin për të rinjtë dhe për inovacionin në këtë vend, u jepen 4 rasteve me lidhje klienteliste, duke shkelur ligjin në mënyrë flagrante dhe u zhdukën nga media. Medias tjetër i thuhet: “Ndiqni strategjinë e luftës” dhe ju e dini se cila është strategjia e luftës: “Prituani burimet dhe ata do të dorëzohen”. Këtë keni bërë me “News24”, ku po mundoheni t’ia prisni burimet pronarit, në mënyrë të tillë që në fund të dorëzohet. E filluat në muajin shtator me pishinën dhe u kujtuat 3 muaj më pas që paska edhe hotelin pa leje, por ju nuk e patë në muajin shtator, nuk e dinit. Nuk është kjo e vërteta, sepse e vërteta është që në muajin shtator i bëtë paralajmërimin e parë: “Reago, se të kemi ardhur te dera, po të prishim vetëm pishinat” dhe, në fakt, ai nuk reagoi siç ju donit, që ta kthente në ERTV2, por vazhdoi e tha të vërtetën, vazhdoi e foli për interesin e qytetarëve dhe i erdhi radha e hotelit. Kështu vazhduat me strategjinë tuaj të luftës: “Prituani burimet dhe ata do të dorëzohen vetë”. Kjo është strategjia që po ndiqni me medien, të cilën nuk po arrini dot ta blini me metodat tuaja tradicionale.
Nga ana tjetër, dihet që keni nisur një sulm digjital për të hakeruar faqen e një televizioni e një portali, i cili llogariste 650 mijë ndjekës, siç ishte “Syri Tv”. Keni konfiskuar dhe ushtroni presion ndaj pronarëve të “Ora News” dhe televizionit “RTV Ora” dhe jeni në prag të një gjyqi në arbitrazh, siç e humbëm me televizionin “Agon Chanel”. Pra, gjithçka bëhet për të kontrolluar informacionin që marrin qytetarët dhe për t’ua mbyllur gojën.
Kur në Komisionin e Medies, anëtare e të cilit jam, kemi kërkuar në muajin shtator që të bëjmë dëgjesë me gazetarët, pronarët apo kryeredaktorët e grupit mediatik “Fokus Media” a e dini cila ka qenë përgjigjja e nënkryetarit të komisionit?! “Do t’i çojmë shkresa që të na sjellin përgjigje”, por jemi në muajin dhjetor dhe nuk pranojnë t’i dërgojnë shkresën, që kanë thënë vetë se do t’ua dërgojnë dhe i çojnë shkresë vetëm IKMT-së. Se çfarë pune ka Komisioni i Medies që t’i çojë shkresë vetëm IKMT-së dhe të mos pranojë t’i çojë shkresë medias, e cila është goditur, për t’u pyetur dhe dëgjuar, këtë e di vetëm një Zot dhe ju që merrni urdhra politike që t’u mbyllni gojën edhe atyre gazetarëve të lirë.
Ndërkohë, emisionet në “ABC News” po mbyllen. Ato që nuk ndjekin linjën tradicionale të ERTV-së, ata që nuk marrin SMS-të nga agjencia që ne paguajmë, (agjencia e Endri Fugës, që e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe është në shërbim të propagandës qeveritare), po mbyllen. Ky është realiteti. Pastaj, janë edhe ato mediet e kontrolluara dhe të blera, të cilat në punë sekondash shfaqin si me probleme shëndetësore dhe mendore agresorin, antetatorin ndaj liderit të opozitës, janë mediet që ju i kontrolloni me SMS, janë mediet që ju i keni në “xhep” dhe ua çoni në whatsapp se çfarë dhe kur duhet ta nxjerrin. Mediat kishin informacion se kush ishte atentatori, çfarë bënte, ku ishte raporti dhe si duhet të ishte strategjia e mbrojtjes për atentatin ndaj liderit të opozitës. Pra, kjo është një arsye më shumë për të vërtetuar që mbrapa kësaj jeni ju jo vetëm frymëzuesit e dhunës, por edhe hartuesit e planit të mirëfilltë sesi të provokonin opozitën në ditën e samitit ndërkombëtar për t’i mbyllur gojën dhe për të trembur, siç ju e mendonit, opozitarët dhe qytetarët shqiptarë që protestonin aty me thirrjen e viteve 1990: “E dua Shqipërinë si të gjithë Europa”, sepse sot, fatkeqësisht, jemi shumë larg Europës. Edhe pse ne flasim për standarde europiane, ju, me të dyja këmbët, në mënyrë të përsëritshme shkelni Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit, në mënyrë të përsëritur shkelni konventat ndërkombëtare. Rasti i fundit për të cilin, fatkeqësisht, nuk na mjafton koha është rasti i aeroportit të Vlorës, ku komiteti i përhershëm i konventës së Bernës doli dhe u tha hapur, shprehimisht: “Pezulloni punimet në lagunën Vjosë-Nartë, sepse po shkelni konventën që keni ratifikuar, ku progresraporti i Bashkimit Europain jua ka thënë vit pas viti dhe jua tha përsëri, se jeni duke shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare që keni ratifikuar, por ju çfarë bëni?! Ju bëni atë që ju intereson më shumë dhe atë që i keni premtuar klientelës suaj, bëni gjithçka për të na larguar sa më shumë nga standardet europiane, nga rruga drejt integrimit europian dhe nga ballafaqimi me vlerat dhe liritë që duhet të kenë qytetarët, po të ishin qytetarë që i bashkoheshin BE-së dhe familjes europiane. E gjitha kjo nuk është rastësi, por është një autokraci, që sot ka marrë formën e saj më të rrezikshme ndaj çdo qytetari dhe preku edhe vetë liderin e opozitës.
Shumë faleminderit!