Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Herën e fundit në seancë ngrita një shqetësim që vinte nga një investigim i emisionit “Piranjat”, që lidhej me fondet e start-up-ve. Në atë seancë, ministrja Edona Bilali, në përpjekje për të kthyer përgjigje (në fakt, ishte pjesa e parë e denoncimit), tha disa të pavërteta të mëdha, të cilat do të doja të ktheheshin në vëmendje, sepse lidhet me fondet, me paratë publike që jepen nga qeveria shqiptare, me grantet për inovacionin, për teknologjinë dhe për të rinjtë. Në këtë aspekt, emisioni ka nxjerrë disa raste konkrete. Rasti i parë, më i rëndi për mua, lidhet me përfshirjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan…
Lindita Nikolla – Zonja Zhupa, përmbajuni rendit të ditës.
Ina Zhupa – Zonja Nikolla, ka mundësi të vazhdoj, ju lutem? Sepse në këtë foltore… (Ndërhyrje nga salla pa mikrofon.)
Lindita Nikolla – Duhet t’i përmbaheni rendit të ditës.
Ina Zhupa – Po, nuk kam mbaruar. Zonja Nikolla, nuk është hera e parë që jemi në seancë. Nuk është e hera e parë që këtu ka fjalime që nga lufta në Irak…
Lindita Nikolla – Po, pra, nuk ju lejohet. Gaboni.
Ina Zhupa – Unë dua ta mbaroj diskutim tim dhe e di unë se si do të flas për vreshtarinë dhe për verën, apo se ku do të jetë lidhja me to. Ju keni për detyrë të më dëgjoni. E di unë se si e bëj lidhjen me vreshtarinë dhe me verën në fjalën time. A ka mundësi të mos ia merrni kohën opozitës? E keni bërë zakon këtu që na e ndërprisni fjalën sa herë që ne ju denoncojmë.
Kjo është fjala ime dhe se si e ndërtoj unë retorikën time, e di unë. Nuk do të ma shkruash ti fjalimin. (Ndërhyrje nga salla pa mikrofon.)
Hajde, ma shkruaj fjalimin ti dhe ta lexoj unë! (Ndërhyrje nga salla pa mikrofon.) Të lutem shumë, të mbaroj! O zotëri, a ka mundësi të më lini kohën time? Faleminderit!
(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon.) Ju lutem!
Meqë jemi te vera, ju ftoj të shkoni të pini nga një gotë verë, që të qetësoheni, se jeni brenda temës, meqë po flasim për verën. A ka mundësi të vazhdojmë seancën normalisht dhe t’i lini deputetët e opozitës të flasin dhe të bëjnë denoncime për interesin publik, sepse e shikoj që ju djeg?
(Ndërhyrje nga salla pa mikrofon.)
Vazhdo, Toni, se sot kishe edhe festë. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka një anëtar në komisionin që merr në shqyrtim grantet që i jep Ministria e Sipërmarrjes. Ky fondacion, nga ana tjetër, ka krijuar qendra, siç është qendra “Protik”, e cila fiton grantet. Pra, nga njëra anë, është anëtar i komisionit, nga ana tjetër, është fitues i granteve që jep ky komision. Pra, ky është një konflikt i hapur interesi, por, me sa duket, ministrja nuk e shikon, vetë fondacioni nuk e shikon. Pse jam e shqetësuar për këtë moment? Sepse është pikërisht ky fondacion dhe janë pikërisht këta dy CEO të këtij fondacioni, zoti Mata dhe zoti Carapuli, të cilët janë edhe anëtarë të bordit të fondacionit që ka marrë dhe do të menaxhojë për 10 vjet Butrintin. Përderisa kanë model konfliktin e interesit, përderisa kanë model që njëra dorë i jep paratë dhe i merr dora tjetër, unë nuk pres të kenë menaxhim të ndryshëm në menaxhimin e Butrintit. Ky është një shqetësim i madh, sepse është një shqetësim i dyfishtë, një herë për fondet e star-up-ve, që janë abuzuar nga ministrja dhe nga klientë të tjerë, herën e dytë për trashëgiminë kulturore, për pasurinë kulturore.
Ministrja këtu tha: “Ne i kemi kthyer përgjigje emisionit “Piranjat””. Në fakt, nuk ishte e vërtetë. Nuk i kishte kthyer përgjigje emisionit, aq sa emisioni vajti te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili kishte bërë një seancë dëgjimore mes ministrisë dhe emisionit, ku kishte dalë në përfundimin se ministrja e kishte detyrim t’i kthente përgjigje emisionit. Ndërkohë, publiku duhet të dijë që ende sot, qoftë publiku, qoftë emisioni nuk kanë të dhëna se cilët janë përfituesit e këtyre fondeve. Nuk ka të dhëna pse janë klasifikuar si start-up-e këta përfitues.
Rasti tjetër ishte kur fondin e merrte djali i babait, djali i kryetarit të Fondit Shqiptar për Zhvillim, për inovacion në restorantin e tij. Rasti tjetër ishte kur fondin e merrte për inovacion një zyrë konsulence kontabiliteti. Rasti tjetër ishte kur babë e bir merrnin (me zyrën në të njëjtin vend) financim për dy start-up-e të ndryshme në të njëjtën hapësirë. Ky është abuzim i pastër me fondet publike; abuzim i pastër me paratë që ishin të destinuara për rininë, që ne i kemi përshëndetur dhe i kemi votuar, duke menduar se rinisë do t’i jepet një mundësi për të krijuar një biznes dhe për të mbështetur një biznes inovativ, që të qëndrojë në Shqipëri. Ky biznes mund të ishte edhe në fushën e verës dhe të vreshtarisë, meqë e ka merak ministrja. Ky biznes start-up-i mund të ishte edhe për metodat inovative të prodhimit të verës, zonja Ministre, se e kishe merak, por ju nuk i jepni fondet sipas meritës, nuk i jepni sipas projekteve që sjellin qindra të rinj, të cilët vijnë me shpresën për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, por i jepni me miq, me shokët e partisë, me ata që punojnë me ju, me ata që janë në lidhje klienteliste me ju. Në fund pastaj humb shpresa, të rinjtë marrin gomonen dhe ikin nga Shqipëria.
Ky duhej të ishte shqetësimi ynë më i madh, sepse vërtet ne do ta votojmë sot të gjithë pro projektligjin për vreshtarinë dhe për verën, dhe për këtë ka të drejtë ministrja, por pse do ta votojmë pro?! Sepse u jep mundësinë të rinjve të punojnë në Shqipëri; i jep mundësi prodhimit të verës shqiptare; jep mundësi të ketë më shumë vende pune. Pra, për mua është më e rëndësishme që kjo foltore të përdoret për fondet e vjedhura dhe për mundësitë e hequra sesa për një kompromis, për të cilin ne kemi rënë dakord në të mirë të qytetarëve. Ky ishte rasti që ministrja të vinte, e cila nuk ka ardhur, dhe të kthente përgjigjet: pse nuk e bën publik përfituesin; pse nuk e sheh konfliktin e interesit kur ajo u jep kolegeve të saj, me të cilët ka bashkëpunuar, si rasti i Kamela Haskos; pse nuk jep përgjigje për rastin “Skytech” dhe rastin “3D Sky”; pse nuk jep përgjigje për rastin më të rëndë të qendrës “Protik”; pse nuk jep përgjigje për rastin e Flladi Agollit? Kjo na intereson të gjithëve, se bëhet fjalë për 400 aplikues për projekte rinore, inovative dhe teknologjike, që u skualifikuan, jo se nuk e meritonin, por se rrjeta e merimangës, rrjeti klientelist, rrjeti i pushtetit, çerdhja e militantëve, patronazhistët e radhës, ishin ata që duhej të përfitonin në kurriz të të rinjve të talentuar, që duan të jetojnë në Shqipëri, që kanë ide dhe duan që këto ide t’i vënë në funksion.
Së fundi, do të doja që ky parlament të shqetësohej dhe t’i vendosë para përgjegjësisë ministrat sa herë që denoncohen vjedhje të hapura të fondeve apo abuzime me fondet dhe grantet. Këtu mungon ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, së cilës do t’i drejtoj një kërkesë: të monitorojë si punën e komisioneve, ashtu edhe të parlamentit dhe se si i përgjigjen ministrat detyrimit të tyre ligjor për të raportuar në komisione. Jo më larg se dje, ministrja e Kulturës, e cila përsëri nuk ka denjuar të vijë në seancë, refuzoi të vinte në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, me pretendimin se nuk e kishte kuptuar që e kishin thirrur për seancë dëgjimore. Mendoi se e kishim njoftuar për qejf, për qokë dhe nuk erdhi, edhe pse ishte njoftuar që në datën 5 dhjetor dhe kishte dhënë konfirmimin në datën 7 dhjetor. Nuk erdhi, se nuk e kishte kuptuar! Kjo është paaftësi ose neglizhencë. Nëse nuk e ka kuptuar, kjo është një arsye e mjaftueshme për të shkarkuar disa njerëz, që nuk kuptojnë, por drejtojnë e menaxhojnë. Nëse e ka neglizhuar dhe e ka injoruar Kuvendin e Shqipërisë, kjo është përsëri një arsye për ta shkarkuar, se po injoron legjitimitetin e popullit shqiptar. Këto duhet t’ju shqetësojnë edhe ju, ashtu siç shqetësojnë çdo qytetar që kërkon përgjigje sot si nga ministrja e Sipërmarrjes, ashtu dhe nga ministrja e Kulturës, të cilat kanë zgjedhur të mos jenë sot të pranishme. Edhe një herë, vota do të jetë pro projektligjit “Për vreshtarinë dhe verën”, meqë e kishit merak.
Faleminderit!