Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Ishte kënaqësi që të vizitoja dje Ekspozitën “Hebrenjtë në Shqipëri”, të çelur në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë Në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, 27 janar 2023. Së bashku, me Petrit Zorbën, shkencëtar i vërtetë dhe Kryetari i Shoqatës Shqipëri -Izrael, dhe të shoqëruar nga zv. Drejtoresha e palodhur, Dr. Etleva Domi, kaluam vërtet çaste të paharruara tek përqendroheshim tek eksponatet plot vlerë, ku shfaqeshin dëshmi të shkruara të një historie të jashtëzakonshme mbështetjeje shpirtërore dhe shpëtimi.
Ne shqiptarët jemi të gjithë krenarë që, në ditën më të zezë të historisë, shpëtuam jo vetëm hebreasit tanë, por edhe jetën e atyre qindra të tjerëve që mundën të vinin me çdo mjet në Shqipëri e Kosovë.
Si deputete e Sarandës, ku ndodhen rrënojat e njërës ndër sinagogat më të hershme në Mesdhe, isha personalisht shumë e interesuar për të parë ekspozitën në BKSH. Kisha dijeni edhe për komunitetin e vogël dhe historik hebreas të Delvinës. Dhe ja ku pashë në eksponatet e BKSH-së të ekspozuar, librin e famshëm të Josef Jakoelit “Izraelitët në Shqipëri”, me dy dorëshkrimet e autorit, në shqip dhe italisht, si dhe librin e Harvey Sarner-it, “Hebrenjtë në Shqipëri”. Dhe pashë aty të reflektuar edhe historinë e popullit të Delvinës dhe Sarandës në vitet e pushtimit. Sipas Jakoelit, në Delvinë ka pasur 3 famile hebrease, Jomtov, Kohen dhe Levi, dhe gjatë luftës, “familja e Menahem Jomtovit nga Delvina, kaloi në zonën e çliruar të Theollogos të rrethit të Sarandës dhe aty qëndroi deri në çlirimin e të gjithë vendit. Kurse familja e Josef Kohenit nga Delvina u strehua në zonën e çliruar në Dhivër të Sarandës.”
Ishte po ashtu kënaqësi të shihje në eksponatet e BKSH-së dokumente për familjen e Johanna Gerecheter Neumann, [1930-2017] të dhuruara nga familja, përfshirë librin e saj “Escape to Albania”, kopjen e një pikture të rrallë të Sheshit Skënderbej në vitin 1944 nga i jati i Johannës, Siegfried Gerechter, etj. Familja e Johanna Neumann dhe vetë ajo deri sa vdiq u kthyen në ambasadorë të vërtetë të vullnetit të mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke mbështetur shqiptarët e Kosovës gjatë shtypjes së Millosheviçit në vitin 1999, dhe duke i treguar botës mbarë, në SHBA, Gjermani, Zvicër e kudo, mirënjohjen e tyre për popullin tonë, që u mundësoi shpëtimin e jetës dhe ndërtimin e saj në Amerikë.
Për gjithë këtë kontribut të rrallë, në vitin 26 prill 2012 Kryeministri Berisha i akordoi Johanna Neumann-it një nderim të veçantë në emër të mbarë popullit tonë.
Ishte po ashtu surprizë të shihje në eksponatet e BKSH-së dokumente e artikuj të shumtë për aktin madhor të shpëtimit të hebreasve nga shqiptarët, përfshirë një letër në kohën e Mbretit Zog nga ana e Fuad Asllanit, Ministër fuqiplotë i Mbretërisë në Londër, dërguar z. Herman Bernstein, mik i tij dhe ish-Ministrit fuqiplotë amerikan në Tiranë. Gjej rastin të përmend këtu se ishte pikërisht ministri me prejardhje hebrease Bernstein që në ditën e largët të 4 marsit 1933 u bë ndofta amerikani i parë që vizitoi Butrintin, dhe që qysh atëhere ngriti zërin për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka Butrinti për historinë e kombit tonë…
Por aty pashë edhe artikujt e mrekullueshëm të Kancelarit të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës, fort të përndershmin Atë Arthur Liolin, si dhe të Shirley Cloyes DioGuardit, gruas së ish-kongresmenit Joseph J. DioGuardi, i cili përveç punës kolosale që ka bërë për çështjen shqiptare, tani po na ndihmon edhe në kauzën madhore të Butrintit.
Gjej rastin së fundi të vlerësoj dhe lëvdoj punën vërtetë vetmohuese të drejtuesve dhe mbarë personelit të BKSH-së. Duhet ta themi se të gjithë ata punojnë si milingonat, me zell e dashuri të veçantë, dhe në kushte që mund të quhen spartane, për ruajtjen e fjalës së shkruar shqipe, për shpëtimin dhe ruajtjen për brezat e ardhshme të librit shqip, të shkruar relativisht vonë dhe me histori sakrificash të papërshrueshme e të panumërta, që e bëjnë atë të jetë ndofta më i persekutuari libër në histori.
Duke e mbyllur, pra, me falenderim e mirënjohje të veçantë për gjithë personelin e BKSH-së për ekspozitën e mrekullueshme “Hebrenjë e Shqipërisë”, premtoj se do ta vizitoj prapë BKSH-në, dhe angazhohem që, si deputete anëtare e Komisionin të Edukimit, t’i kushtojmë në të ardhmen kujdes e vëmendje të veçantë mbarëvajtjes dhe forcimit të Bibliotekës sonë Kombëtare.