Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zonja Kryetare, keni shkelur rregulloren e parlamentit në mënyrë të vazhdueshme si në seancën e kaluar, si në këtë seancë, duke i mohuar të drejtën deputetëve të Opozitës për të zhvilluar një mocion me debat me kryeministrin e Shqipërisë për një aferë që nuk flet vetëm Shqipëria, por flet e gjithë bota.
Në vendet e të gjithë botës kanë njohur njerëz të korruptuar, kanë tradhëtarë, por ajo që ndodh me Shqipërinë është që ne kemi një tradhëtar të korruptuar, që ka cënuar sigurinë kombëtare, një tradhëtar i cili na ka vënë në dyshim aleancën me SHBA, me partnerin tonë strategjik.
Një tradhëtar i cili na ka vënë në rrezik stabilitetin tonë si shtet partner i NATO-s dhe një tradhëtar të korruptuar. Korruptoi dhe dha paratë që vjedh nga shqiptarët për të blerë lobim. Për të goditur Opozitën e këtij vendi. Për të pasuruar oligarkët që vetë fshihet pas tyre. Për të bërë biznes me rusët, me Deripaskën, ku ne si vend që kemi marrë të njëjtat sanksione për luftën në Ukrainë, duhej që sot të mos i trajtonim si investitorë strategjik. Duhej që sot Deripaska të mos rezultonte në QKB si aksioner i kompanive shqiptare.
Ku e keni kryeministrin Rama ju që të japë shpjegime për të gjitha këto që kërkon Opozita? Ku e keni kryeministrin ju për mocionin me debat? Ku fshihet? Cila është kjo flamë që e ka zënë, që e bën të pijë kafe në zyrë, por nuk vjen dot në parlament të japë shpjegime para qytetarëve shqiptarë, sesi, ai një tradhëtar i korruptuar ka arritur që emrin e Shqipërisë ta baltosë në mënyrën më të pështirë të mundshme.
Ne jemi shqiptarë dhe ne na dhimbset Shqipëria, dhe dua që tradhëtarin e korruptuar ta sillni këtu. Të përballet me Opozitën, me të vërtetat. Të na tregojë të gjitha takimet.
14 herë përmendet në aktakuzën e ngritur nga Juria e Madhe në SHBA dhe të vijë të flasë këtu, për miqtë e tij shqip, apo anglisht, për miqtë e tij rusisht, apo shqip. Le të vijë Edi Rama këtu, sepse ndryshe seancë normale nuk mund të ketë.