Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Për procedurë, kam dy çështje të rëndësishme.
E dyta, dhe më e rëndësishmja, besoj se do të na çojë në pezullimin e seancës së sotme.
Çështja e parë ka të bëjë e faktin se jemi komision për dhënie mendimi. Enciklopedia shqiptare, me sa e kuptoj, është çështje e arsimit, prandaj është edhe zëvendësministrja e Arsimit. Është çështje e shkencës, e dijes, për të cilën ky komision është përgjegjës, nuk është për dhënie mendimi. Nuk e kuptoj se si Konferenca e Kryetarëve sërish çështjet që kanë të bëjnë me kulturën, me dijen, me arsimimin i dërgon në komisionet e tjera. Unë e kuptoj pse bëhet, sepse këtu drejtohet nga opozita dhe atje nga maxhoranca, se arsyetim tjetër nuk ka. Megjithatë, është në dinjitetin e këtij komisioni që ne gjithsesi t’ia kërkojmë këtë lloj shpjegimi Konferencës së Kryetarëve: pse ka kaluar komision përgjegjës Komisionin e Ligjeve. Nëse arsyetimi është sepse është ligj, të gjitha ato që bëjmë ne janë ligje, kështu që i bie që të gjitha të shkojnë tek ai komision, çdo marrëveshje tjetër të jetë tek ai komision, prandaj është nonsens. Kjo është e para. Nisur dhe nga eksperienca e Butrintit, nuk besoj se do të ndryshojë gjë, megjithatë ne do ta vëmë në dukje, të paktën të bëjmë detyrën tonë.
E dyta, dhe sot do ta pezullojmë këtë seancë dëgjimore, shohim faktin që ne nuk mundemi sot, të paktën flas për vete, të diskutoj, të bëj pyetje dhe të marr mendime për një marrëveshje që nuk e kam. Kuvendit nuk i ka ardhur marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi vetëm dy dokumente: kemi relacionin dhe atë, që është koka e projektligjit, që thotë: “Neni 1; miratohet. Neni 2 ; hyn në fuqi”. Nëse nuk kemi marrëveshjen, nuk kemi për çfarë të diskutojmë këtu. Çfarë pyetjesh mund të bëjmë? Çfarë mund të diskutojmë, nëse nuk e kemi marrëveshjen? Minimumi, do të kërkoja 3 dokumente nga ju, që do t’i sillni, për të cilat mund të diskutojmë.
E para, është marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisës së Republikës së Kosovës.
E dyta, që kërkoj, është marrëveshja midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe kjo marrëveshje, në dijeninë time, nuk ekziston.
E treta, grupet e punës midis Shqipërisë dhe Kosovës që do të materializojnë këtë marrëveshje. Kur them grupet e punës, kërkoj grupet e punës së akademive, që do të punojnë mbi enciklopedinë, grupin e punës të akademisë shqiptare dhe grupin e punës të akademisë së Kosovës. Mbi këto dokumente, më pas, mund të bëjmë një diskutim, qoftë diskutim që lidhet me pjesën e Ministrisë së Arsimit, qoftë diskutimin që lidhet me pjesën e akademisë. Ne nuk mund ta zhvillojmë sot këtë lloj diskutimi, pa pasur këto materiale, sepse është e pamundur. Ne kemi një rast, një precedent negativ si komision. Besoj se kjo gjë nuk do të përsëritet më, sepse të gjithë kemi nxjerrë mësimet e duhura dhe të gjithë kemi arritur të kuptojmë që duhet të kërkojmë dokumente, sepse komisionet e tjera, ndryshe nga komisioni ynë që e miratuam me një marrëveshje sekrete, e kërkuan marrëveshjen. Ne kërkojmë, të paktën unë kërkoj, besoj edhe kolegët kanë të njëjtin mendim, në emër të opozitës, kërkojmë vënien në dispozicion të marrëveshjes së bashkëpunimit midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, marrëveshjen e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës, si dhe grupet përkatëse të punës të Shqipërisë dhe të Kosovës. Jemi të hapur që nesër të kalojmë një kohë shumë të gjatë vetë duke lexuar edhe natën; jemi shumë të hapur që nga nesër të mund ta diskutojmë këtë gjë. Nuk e di si e kanë përgatitur relacionin. Nuk e di kolegët nëse janë përgatitur, por pa marrëveshjen çfarë do të relatojmë, çfarë do të diskutojmë? Aq më tepër, unë ju ndoqa edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe bëhej fjalë për 260 milionë lekë, tha zëvendësministrja. 2,6 miliardë lekë nuk mund t’i japim pa parë dokumentet, pa kuptuar se çfarë bëhet. Besoj se këtu jemi të gjithë dakord. Edhe maxhorancën e kam parë që është dakordësuar kohët e fundit për transparencën dhe nevojën për t’i diskutuar gjërat. U votua me konsensus; nuk kemi asnjë problem, që, pasi t’i marrim këto dokumente, të jemi edhe ne konsensualë për çështjen e enciklopedisë, ashtu siç do të diskutojmë edhe për fjalorin e për historinë, e cila ka njohuri të thelluara nga ajo që ndodh në Akademinë e Shkencave dhe bashkëpunimi me Kosovën, por në momentin e duhur.
Sot do të diskutojmë për këtë dhe mendoj se është e udhës ta pezullojmë apo ta shtyjmë për një ditë tjetër, kur ta mendoni ju të përshtatshme se mund t’i sillni këto materiale. Sa më shpejt që t’i sillni, aq më shpejt do të diskutojmë dhe do t’ju japim këshilla, sugjerime, patjetër na keni bashkëpunues. Dua t’ju sqaroj, për ta mbyllur, se nuk kemi asgjë kundër enciklopedisë, nuk kemi asgjë kundër këtij projekti madhor. Do të duhet të japim të gjithë bashkëpunimin tonë, por që të japim këtë bashkëpunim, na duhen materialet. Nuk mund të japim bashkëpunim mbi atë që nuk e dimë, sepse mund të kthehet në një abuzivizëm apo në një enciklopedi alla Gjinushi, që nuk mund ta tolerojmë, sepse jemi këtu për të vendosur disa standarde, sepse jemi Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit Publik!
Ju falënderoj shumë!