Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Përpara se të flas për marrëveshjen që kemi në rendin e ditës, në fakt, edhe si ish-anëtare e komisionit hetimor për inceneratorët, dua të denoncoj publikisht nga foltorja e Kuvendit shkeljen e ligjit nga kjo mazhorancë, nga anëtarët e zgjedhur nga kjo mazhorancë në Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar për kapjen e Radiotelevizionit Shqiptar duke emëruar në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje flagrante të ligjit ish-deputetin e Partisë Socialiste, anëtarin e Partisë Socialiste, zotin Alfred Peza.
Ligji nr. 97/2013 ka disa kushte për atë që kërkon të bëhen drejtor, por edhe pse zoti Alfred Peza i shkel të katërta kërkesat e ligjit, ai zgjidhet në mënyrë të paligjshme. Ligji nr. 97/2013 në nenin 104, për papajtueshmëritë dhe konflikti i interesave në zgjedhjen e drejtorit të RTSH-së”, thotë që drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së nuk lejohet të jetë anëtar i partive politike, sekretar i partive politike, siç është Alfred Peza, i cili është edhe anëtar i Asamblesë Socialiste; nuk lejohet të jetë i zgjedhur kandidat për deputet apo i zgjedhur i tillë gjatë 2 legjislaturave të fundit, siç ka qenë zoti Peza në legjislaturën 2013-2017; nuk lejohet të jetë një person që ka në pronësi pjesë kapitali apo aksione të shoqërive tregtare apo të drejta të tjera në fushën e transmetimeve audiovizive, reklamës apo përmbajtjes së transmetimeve audiovizive, por zoti Peza është pronar i portalit “AlpeNews”; nuk lejohet të jenë persona të punësuar gjatë vitit të fundit në organe të tilla të transmetimit audioviziv apo këshillues të këtyre subjekteve, por deri para disa muajve Alfred Peza ka qenë drejtor i medies “Panorama”. Pra, Alfred Peza i prek të gjitha shkeljet: drejtor i një media që nuk duhej të ishte gjatë vitit të fundit, pronar i një media tjetër, si “AlpeNews”, që nuk duhej të ishte anëtar i deklaruar i Partisë Socialiste, që nuk duhej të ishte ish-deputet i Partisë Socialiste, që nuk duhej të ishte…
Kjo është një zgjedhje në vazhdën e zgjedhjeve për të kapur institucionet e këtij vendi, për të kapur medien, për të vendosur një ERTV 2, 3 dhe 4 për ta kthyer Radiotelevizionin Shqiptar në një mekanizëm të punësimeve politike dhe për ta forcuar atë në kapjen politike. Zoti Peza ka qenë zëdhënës i Partisë Socialiste, siç ka qenë edhe kryetarja e AMA-s.
Nëse ju i bëni ligjet për t’i shkelur dhe për të vendosur mashat tuaja atje, më mirë ta ndryshojmë ligjin nr. 97/2013 duke i hequr të gjitha kushtet për papajtueshmëri, në mënyrë që ju të mund të vendosni në ato poste ish-deputetët dhe ish-ministrat. Pra, ose ndryshoni ligjin ekzistues, meqenëse i keni votat, ose mos e shkelni. Ne jemi të detyruar që këtë çështje ta ndjekim edhe në gjykatë. Është e papranueshme që Radiotelevizioni Publik Shqiptar, i cili mbahet nga taksat e qytetarëve, të kapet në shkelje flagrante të ligjit.
Një javë më parë, kur Këshilli Drejtues ishte në Komisionin e Medies, unë u thashë se do të zgjidhin në mënyrë të paligjshme një Alfred, një njeri politik. Gjithashtu, u thashë të mos presin që këta njerëz, të cilët do t’i zgjedhin në mënyrë të paligjshme, ta qeverisin dhe ta menaxhojnë Radiotelevizionin në mënyrë të ligjshme, sepse siç janë zgjedhur, ashtu edhe do të sillen, me të njëjtën paligjshmëri, se atë kanë kutin e tyre.
Sigurisht, lidhjet e shumëfishta dhe mbyllja që ju i bëtë çështjes që ai kishte në SPAK si gazetar apo deputet miliarder, e kanë favorizuar në kapjen që i keni bërë personit në fjalë për t’i shërbyer verbërisht kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri, por kjo nuk është arsye që e njeh ligji. Ligji ka kushtet cili duhet të jetë dhe cili nuk duhet të jetë drejtor, të cilat zotëria i shkel të gjitha. Ka edhe një moral kjo gjë. Ju keni shumë njerëz, të cilët mund t’i vendosnit atje për ta kapur politikisht institucionin, por nuk e kuptoj pse e kapni në mënyrë kaq flagrante dhe në shkelje të ligjit. Kjo është një metodë për të treguar që ju nuk pyesni për shtetin ligjor.
Të njëjtën gjë po bëni edhe me marrëveshjen që kemi sot për diskutim. Unë kam qenë anëtare e komisionit hetimor për inceneratorët. Si mund të flasim sot për sukses të inceneratorëve, ndërkohë që një ish-ministër dhe një ish-deputet janë në burg, kur të tjerë zyrtarë të lartë janë në burg, kur Partia Demokratike ka vërtetuar dhe ka çuar në SPAK të gjithë kupolën drejtuese të shtetit për veprime dhe mosveprime të qëllimshme për të çuar para tek inceneratorët që nuk ekzistojnë?
Në qoftë se në Fier do të shikoni një bunker, në Sharrë do të shikoni një fushë me lule, e cila paguhet për incenerator. Nga ana tjetër, e njëjta fushë merr fonde edhe nga Ministria e Bujqësisë si fermë, por më të njëjtin administrator, i cili diku shfaqet si administrator i inceneratorit të Tiranës, kurse te Frida shfaqet si administrator ferme. Unë jam shumë e sigurt që do t’ia dëgjojmë krismën kësaj çështjeje, se nuk mund të talleni në këtë mënyrë dhe të vidhni kaq hapur fondet e Bashkimit Europian. Ndërkohë që fermerët e ndershëm të këtij vendi nga qarku i Fierit, qarku i Vlorës dhe nga të gjitha qarqet e tjera nuk arrijnë të marrin dot asnjë subvencion të vetëm, fantazmat në mes të Tiranës marrin paratë që u takojnë fermerëve. E vetmja gjë e vërtetë është fusha me lule, ndërkohë që duhej të ishte një incenerator. Pra, taksapaguesit e Shqipërisë paguajnë për një incenerator që nuk ekziston. Çdo ditë nga taksapaguesit shqiptarë paguhen 86 mijë euro për menaxhimin e mbetjeve të Tiranës, për incenerimin e tyre, se është kosto akumulative, por, në fakt, inceneratori nuk ekziston dhe janë krijuar male me plehra.
Ju po sillni sot një marrëveshje për të na treguar se si do të menaxhohen mbetjet, ndërkohë që modeli i vetëm që kemi, është ai i administratorëve në arrati, i ministrave në hetim dhe i ish-ministrave në burg.
Çdo gjë tjetër që thuhet për modele është e kotë, sepse modeli i vetëm është shkelja në mënyrë flagrante e ligjit; vjedhja e taksave të shqiptarëve dhe mosndalimi i kësaj edhe kur ne dhe organet e kanë faktuar se po bëhet një vjedhje. Ju vazhdoni t’i paguani administratorët në kërkim. Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë në kërkim, kurse ju u kaloni paratë në konton bankare.
Çfarë logjike ka kjo në një shtet ligjor? Si nuk mund ndalohen pagesat çfarëdolloj gjëje që të ndodhë? Kjo është një kontratë antishqiptare, sepse paratë, në fakt, shkojnë në offshore. Paratë kanë destinacion final këta që duhej të ishin këtu, të cilët nuk rrinë këtu sa herë diskutohen marrëveshje për paratë e shqiptarëve dhe afera se ku do të shkojnë taksat e radhës. Janë para të marra borxh, hua, quaje si të duash, të cilat mund të viheshin në shërbim të qytetarëve, jo duke i vjedhur qytetarët dhe duke mos u dhënë pas asnjë shërbim, sepse inceneratorët që ju propaganduat nuk ekzistojnë.
Çdo gjë që ju thoni sot dhe çdo votë pro që jepni, tregojnë se ju jeni pro vjedhjes dhe vazhdimit të grabitjes së taksave të qytetarëve shqiptarë. Sigurisht, ne jemi kundër dhe do të jemi gjithmonë kundër.
Shumë faleminderit!