Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për mbrojtjen e identitetit të trashëgimisë kulturore dhe ceshtja e albanologjise | 5 qershor 2023

Për herë të parë dua të ndaj nga ky Kuvend një lajm të mirë: vendosjen e datës 15 qershor, ora 10:00,  si  seancën  e  parë  plenare  publike,  për padinë e bërë nga një grup deputetësh opozitarë, konkretisht 36 deputetë, kundër koncesionit të Butrintit. Seanca e parë do të zhvillohet më 15 qershor dhe është hera e parë kur në Gjykatën Kushtetuese bashkohen 4 institucione të pavarura të këtij vendi. Është hera e parë që 36 deputetë opozitarë kanë marrë parashtrimet e Presidentit të Republikës, të Avokatit të Popullit, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në mbështetje të kërkesës së tyre. 4 institucione të pavarura të këtij vendi mendojnë se duhet rrëzuar koncesioni i Butrintit, ashtu siç unë e them prej 1 viti, në betejë publike parlamentare me ministren Margariti. Të vetmit, që thonë se koncesioni duhet të vazhdojë, janë ata që e kanë dhënë dhe e kanë marrë, pra Ministria dhe fondacioni. Asnjë institucion tjetër publik, i pavarur, kushtetues i këtij vendi nuk ndan këtë mendim, siç mendojnë ai që e ka dhënë dhe ai që e ka marrë, Ministria dhe fondacioni.

Ky është një lajm i mirë dhe besoj se beteja në Gjykatën Kushtetuese do të jetë një betejë e fortë për mbrojtjen e identitetit të historisë e trashëgimisë sonë kulturore, një betejë aspak politike, sepse e kam thënë që në krye të herës se beteja për Butrintin nuk është betejë politike, nuk është betejë ideologjike, nuk është mes të majtës dhe të djathtës, por është betejë për historinë, për identitetin, për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Një betejë tjetër e saponisur, për të cilën do të kemi rast të flasim gjerësisht të enjten e ardhshme, për shkak se unë kam thirrur në një interpelancë ministren e Arsimit dhe Sportit, zonjën Evis Kushi, është mbyllja në mënyrë të papërgjegjshme, antihistorike, e Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA sot përfaqëson institucionin përgjegjës të studimeve të historisë, të gjuhësisë, të letërsisë, të antropologjisë, të shtetit shqiptar. Kjo vendimmarrje, me një të rënë të lapsit, për të plotësuar orekset e kryetarit të Akademisë së Shkencave, ish-ministrit të fundit të diktaturës, Skënder Gjinushit, është totalisht e papranueshme, antishqiptare, dhe sigurisht edhe kjo do të ndiqet në të gjitha instancat parlamentare, por edhe jashtëparlamentare, që nga Gjykata Administrative deri te Gjykata Kushtetuese. Nuk mundet me një të rënë të lapsit të zhdukësh 100 profesorë, të zhdukësh Akademinë e Studimeve Albanologjike, të zhdukësh thelbin e asaj që është shteti shqiptar dhe ta fusësh atë në dyert e mbyllura të një mbistrukture, që vetëm shkencë nuk bën, si akademia e ish-politikanëve të dalë në pension, të cilët janë mbledhur nën tutelën e Skënder Gjinushit. Vetë BIRN thoshte sesi ish-deputetët e Partisë Socialiste në një moshë të caktuar bashkoheshin si anëtarë të Akademisë së Shkencave. Kjo do të jetë një betejë, për të cilën të enjten tjetër do të kemi interpelancë, por, sigurisht, nuk do të mjaftohemi me kaq, sepse është e njëjta gjë: nuk bëhet fjalë për individë, por bëhet fjalë për histori, për identitet dhe unë nuk mbroj individët, edhe pse ata e meritojnë mbrojtjen tonë, por mbroj institucionin, mbroj institucionin e studimeve albanologjike, me një rektor të dekretuar nga Presidenti i Republikës, një institucion i njohur ndërkombëtarisht, me 45 marrëveshje kombëtare dhe ndërkombëtare, i cili shuhet, sepse Skënder Gjinushi ka një reformë për të bërë. Kjo është e papranueshme dhe të gjithë bashkë ne këtu nuk duhet të ndahemi kur vjen puna për historinë, për identitetin, për trashëgiminë. Kur bëhet fjalë për Butrintin, duhet
e njëjta qasje që kanë pasur organet kushtetuese. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi ministres së Arsimit: “Jo, ju jeni shumë më lart se Skënder Gjinushi! Nuk mundet që reformat në këtë vend t’i bëjë akoma ish-ministri i fundit i diktaturës! Ju
jeni Ministre e Arsimit dhe ju duhet të mbani përgjegjësi për arsimin në këtë vend!”. Ta kthejmë Akademinë e Studimeve Albanologjike, ta kthejmë atë vendim të marrë me shpejtësi të mërkurën e kaluar, kur u mblodhën vetëm e vetëm për të vrarë albanologjinë! Gjithçka tjetër nuk ka kuptim, nëse ne nuk mbrojmë dot identitetin, historinë, gjuhësinë shqiptare!
Faleminderit!