Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, sipas Rregullores së këtij Kuvendi, do të duhej që krerët e këtyre institucioneve të ishin në sallë, që të dëgjonin diskutimet që bëhen nga deputetët, rekomandimet, vërejtjet dhe sugjerimet, por, me sa duket, e kanë kuptuar që rëndësia e këtij Kuvendi nuk është në nivelin e duhur dhe e kanë injoruar këtë Kuvend, pasi shumica e krahut të mazhorancës janë kandidatë në dyert e SPAK-ut, janë kandidatë për të shkuar në qeli, kështu që e kanë më të lehtë t’i takojnë dhe t’i dëgjojnë në zyrat e tyre. Do të kisha dashur të flisnim në mënyrë të ndarë për secilin nga institucionet, megjithatë ju e vendosët, kështu që unë po vazhdoj me pikat kryesore për të pesta institucionet.
Së pari, është problemi i hartës së re gjyqësore. Ajo u aplikua në një moment, kur 44 për qind e trupës gjyqësore ishte shkarkuar prej vetingut, 38 për qind e prokurorëve ishin hequr si pasojë e vetingut, dosjet ishin stok dhe për t’iu përgjigjur kësaj situate, mbyllët gjykata. U vendos që të mbylleshin dhe të bashkoheshin gjykata, që numri i çështjeve të mbetura stok të ishte edhe më i lartë, që aksesi në drejtësi të ishte edhe më i vështirë, që koha për të marrë drejtësi të ishte edhe më e madhe dhe kostoja edhe më e lartë! Kjo ishte arritja më e madhe e vitit 2022, dhe ky duhej të ishte raporti i vetëm që duhej të kishit sjellë për hartën e re gjyqësore, si pasojë e së cilës u mbyllën 18 gjykata!
Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar! Ne sot kemi stoqe të çështjeve, jo vetëm që lidhen me raste që mund të presin, por kemi stoqe të çështjeve të drejtësisë që nuk presin dhe arrijnë deri në vetëgjyqësi. Pra, ka arritur aty, sa qytetarët e kanë më kollaj ta zgjidhin me vetëgjyqësi sesa të presin organet e drejtësisë. Në një vend si Shqipëria, me një popullsi kaq të vogël, ky problem nuk duhej të ekzistonte, por drejtësia duhej të jepte drejtësi sa më shpejt, në mënyrë korrekte, për shkak edhe të numrit të popullsisë që ka vendi ynë.
Së dyti, kemi prokurorinë. Vetëm përpara disa ditësh ne pamë një video, ku rektorja e Universitetit të Shkodrës merrte para. Dua ta përshëndes ministren e Arsimit, e cila veproi në mënyrën e duhur, duke e pezulluar menjëherë rektoren. Por çfarë bëri prokuroria? Prokuroria e la zonjën në gjendje të lirë, të pinte birra dhe të bënte foto me kolegët e saj, të cilët e mbështesnin në këtë veprim. Kjo prokurori fut në burg një zonjë në moshë kur ndërton një kotec pulash, sepse e kategorizon të rrezikshme, por rektoren e Universitetit të Shkodrës, të kapur me zë dhe me figurë në një video të publikuar nga emisioni investigativ, e lë në gjendje të lirë. Minimalisht, ajo duhej të ishte në arrest shtëpie.
Zonja në fjalë, e cila ka qenë kandidate për deputete e Partisë Socialiste (nuk kishte si të ndodhte ndryshe), bën edhe karshillëk, duke dalë dhe duke postuar foto teksa pinte birra, por prokuroria nuk reagon, ndërsa nënën që sapo kishte lindur, e njëjta prokurori (prokuroria e Shkodrës) e merr, e fut në burg dhe e lë fëmijën e sapolindur pa nënë, e cila nuk kishte bërë asnjë krim dhe asnjë shkelje të ligjit. Këto raste janë nga e njëjta prokurori dhe të dyja lidhen me Shkodrën, ku ne shikojmë si reagon ky institucion me dikë që ka pak pushtet dhe që ka lidhje, në raport me dikë që nuk ka as pushtet, as lidhje me një forcë politike, por është një qytetar i thjeshtë në jetën e vet.
Kemi rastin e krimeve zgjedhore. Ka pasur drejtues politikë që kanë qarkulluar me çanta me 500 mijë euro brenda, që ua kanë ofruar kandidatëve për t’u tërhequr nga gara. Ka pasur drejtues politikë, të cilët sillnin bandat gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë që SPAK-u i sekuestronte pasurinë njërit prej banditëve, ai shfaqej në qark me drejtuesin politik të qarkut. Krimi zgjedhor nuk i kap këta drejtues politikë të mazhorancës, por nuk nguron të shpikë prova e të gjejë kazuse kur bëhet fjalë edhe për ndihmësin dhe funksionarin më të largët të opozitës, kudo qoftë, i cili mund të bëjë edhe një telefonatë, duke bashkëbiseduar me shaka për diçka; jo, ai konsiderohet si kriminel zgjedhor. Ndërkohë, këta që lëvizin me çanta dhe para në makinat e tyre për të blerë vota dhe kandidatë, janë drejtues politikë të suksesshëm.
SPAK-u nga ana tjetër heton qytetarët për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm (ky ishte një investigim i gazetarit Ermal Vija), ndërkohë nuk u hetua ndonjëherë a kishte vallë ndonjë ndikim të paligjshëm në lirimin e Saimir Tahirit; pse njerëz me të njëjtat kushte, apo më keq se ish- ministri Tahiri, nuk e lënë dot qelinë kaq kollaj; sesi vetëm para pak ditësh babai i tre fëmijëve, të cilëve u kishte vdekur e ëma, nuk e linte dot qelinë për t’u shërbyer atyre, edhe pse krimi i tij ishte shumë larg të qenit aq i rrezikshëm, sa ai i ish- ministrit!
Ja, pra, SPAK-u dhe drejtësia që ju flisni, është tërësisht me dy standarde. Drejtësia është tërësisht me standarde të ndryshme për njerëzit e pushtetshëm, me para, në politikë dhe me lidhje, por nxjerr dhëmbët dhe bëhet e fortë për ata që janë të pamundur, të cilët, ndoshta, edhe shkeljen e kanë bërë nga pamundësia, varfëria dhe nevoja për t’u dhënë bukën e përditshme fëmijëve.
Nga ana tjetër, ne sot kishim 5 institucione, të cilat të gjitha bashkë, me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë arritur të krijojnë një klimë drejtësie për të miturit në Shqipëri. KLGJ-ja dhe KLP-ja do të duhet që të ushtrojnë presion ndaj gjykatave të rretheve për zbatimin e kërkesave ligjore për ngritjen e seksioneve për të miturit në gjykatat dhe prokuroritë e rretheve. Kur ne nuk arrijmë dot të japim drejtësi dhe të krijojmë akses tek të miturit, te fëmijët, tek ata që janë më të pambrojturit, atëherë ne kemi dështuar, sepse interesi ynë parësor duhet të jetë t’u jepet drejtësi atyre që nuk kanë mundësi të bëjnë vetë drejtësi, ta bëjnë vetë luftën, të kenë akses për të kërkuar të drejtat e tyre; duhet të jemi ne ligjvënësit, siç na e kërkon Kodi i Familjes, që duhet të kemi interes parësor interesin e të miturve.
Zyrat e ILD-së të kryejnë inspektime në gjykata për zbatimin e masave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe të Strategjisë së Drejtësisë Penale për të Miturit 2022-2026. Kjo kërkesë është bërë edhe nga UNICEF-i, është bërë edhe nga unë si nënkryetare e grupit “Miqtë e fëmijëve”, i cili fatkeqësisht mund them se ka 6 muaj që, edhe pse kemi Kryetaren e Kuvendit në drejtimin e tij, nuk zhvillon asnjë aktivitet, nuk zhvillon asgjë pikërisht për rritjen e mundësive të të miturve për më shumë akses në jetën parlamentare, në ligjbërje, në legjislacion, për më shumë garanci ligjore për ta.
Të paktën sot ishte rasti, meqë ishin institucionet e drejtësisë, që ne ta ngrinim zërin dhe të bashkoheshim, pavarësisht nëse jemi majtas apo djathtas, për të kërkuar më shumë drejtësi për fëmijët, për të pamundurit, për ato shtresa, për ata njerëz që e kanë të pamundur ta blejnë drejtësinë, siç e blejnë të pasurit, politikanët, njerëzit me pushtet, që e bëjnë drejtësinë sipas valles që duan vetë.
Shumë faleminderit!