Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, sot shqyrtojmë një raport me rëndësi të veprimtarisë së Avokatit të Popullit, e cila, duhet thënë se, për hir të së vërtetës, ka qenënjë punë e jashtëzakonshme, që ka ardhur në përmirësim nga viti në vit, ashtu siç reflektohet edhe në raportet e Avokatit të Popullit, por edhe në diskutimet dhe në rezolutat e nxjerra nga Komisioni i Ligjeve dhe nga vetë parlamenti.
Avokati i Popullit ka arritur që nëpërmjet rekomandimeve të tij dhe mendimeve të shprehura në procese gjyqësore të vendosë disa standarde të rëndësishme, të cilat unë do të doja t’i ndaja fillimisht me ju.
E para, Avokati i Popullit ka qenë një promotor dhe ka dhënë mendime për padinë në Gjykatën Kushtetuese për të drejtën e emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme. Ju e mbani mend se si me një urdhër arbitrar, Ministria e Shëndetësisë në zgjedhjet e vitit 2021 i ndaloi emigrantët për të ardhur dhe për të ushtruar të drejtën e votës. Unë, si deputete e një zone kufitare, e kam vuajtur kur qytetarët shqiptarë emigrantë nuk lejoheshin të vinin dhe të ushtronin të drejtën e votës në vitin 2021. Kur padia shkoi në Gjykatën Kushtetuese, në opinionet më bazike dhe më të mira në mbrojtje të të drejtës së emigrantëve për të ushtruar të drejtën e votës, ka qenë opinioni amicus curiae i Avokati të Popullit, e cila, në fakt, ishte edhe një padi e fituar për të garantuar që asnjëherë tjetër shteti shqiptar, qeveria shqiptare të mos mohojë të drejtën e emigrantëve për të votuar, pavarësisht rrethanave të ndryshme që ata mund t’i gjejnë si të justifikueshme ose jo.
Pasi bashkohem me atë që tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve që të drejtat e njeriut janë një sfidë, që sot i ke, por nesër mund t’i humbasësh nga veprimet ose nga mosveprimet e qeverisë, në këtë aspekt ashtu ishte edhe e drejta e emigrantëve për të ardhur dhe për të votuar, të cilën e humbën gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, por i takon këtij parlamenti që jo vetëm të garantojë që ata të kenë mundësinë e lëvizjes dhe të ardhjes në zgjedhje sa herë e mendojnë të arsyeshme, por mundësisht të garantojë të drejtën e emigrantëve për të votuar edhe në shtetet ku ndodhen.
Nga ana tjetër, një raport, i cili ka përcaktuar edhe formulën e minimumit jetik, është bazik për të garantuar të drejtat e qytetarëve dhe për të garantuar mbrojtjen e lirive të tyre. Ne sot si parlament do të duhet që këtë raport të Avokatit të Popullit, i cili ka ardhur nga viti në vit duke u shtuar dhe duke u përmirësuar, të mund ta vëmë në punë si dokument pune për të kaluar ndryshime ligjore dhe për të përcaktuar me ligj detyrimin që t’u garantojmë qytetarëve tanë minimumin jetik. Nuk ka më asnjë kuptim që të kemi asistenca sociale, ndihmë ekonomike apo pensione poshtë minimumit jetik, duke i pamundësuar kështu qytetarët që të kenë një jetë dinjitoze dhe më tej sesa thjesht në kushtet e mbijetesës, që buka e përditshme të mos jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve. Përderisa ne e kemi këtë material të prodhuar nga Avokati i Popullit, do të duhet që, realisht, të reflektojmë dhe të marrim vendimmarrje, për aq kohë sa Avokati i Popullit është në tagrat e tij rekomandues për këtë proces.
Ajo që është interesante dhe të cilën unë si nënkryetare e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve” do të doja edhe ta përcillja për publikun, është raporti i veçantë që ka bërë Avokati i Popullit për pensionin ushqimor për fëmijët, për të cilët gjatë procesit të divorcit të prindërve shteti duhet të ofrojë një garanci, kur ende nuk janë ndarë se kush do ta paguajë pensionin ushqimor, babai apo nëna, apo edhe kur prindërit nuk kanë të ardhura të mjaftueshme ekonomike, në mënyrë të tillë që fëmijës t’i garantohet një pension ushqimor i plotë dhe i mjaftueshëm për ushqim, shkollim dhe veshje për të mos cenuar të drejtat e tij. Në këtë drejtim, duhet të jetë pikërisht shteti ai që duhet të marrë barrën për të garantuar interesin e fëmijës. Ne e kemi edhe në Kodin e Familjes që interesi i fëmijës duhet të jetë interes parësor dhe duhet të jetë një nga detyrat themelore që duhet të ketë shteti, për arsye se ata vetë nuk mund të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe nuk mund të jenë palë në ankesat e Avokatit të Popullit, nuk mund të jenë palë në procese gjyqësore, pra duhet të jetë shteti ai që kujdeset për interesin e fëmijës. Në fakt, duhet të jetë edhe detyra e Grupit të Deputetëve “Miqtë e fëmijëve” që këtë raport ta kemi si një dokument pune, për ta përkthyer në politika shtetërore, në garanci për fëmijët, ashtu siç ka edhe raporte të tjera të Avokatit të Popullit pikërisht në këtë drejtim.
Ajo që vlen për t’u nënvizuar sërish, është rritja në mënyrë eksponenciale e njohjes së Avokatit të Popullit si institucion me standarde nga organizmat e huaj. Është e rëndësishme të thuhet se Avokati i Popullit është zgjedhur nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur nga institucioni i BE-së, Fundamental Rights Agency, pra ka aplikuar dhe është zgjedhur nëpërmjet një konkursi për të qenë ai institucioni i cili do të hartojë raportin vjetor të zbatueshmërisë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për Shqipërinë për llogari të Bashkimit Europian. Pra, që një institucion shqiptar të zgjidhet nga institucionet e BE-së që të kryejë punë, është një arritje shtetërore. Edhe ne duhet të jemi pjesë e kësaj krenarie kur institucionet tona, të zgjedhura nga Kuvendi, me vota nga Kuvendi, përfaqësohen, marrin tagra dhe fitojnë të tilla të drejta për të përpiluar një raport në emër të Shqipërisë.
Po ashtu, Komiteti i Parandalimit të Torturave i ka besuar Avokatit të Popullit kërkesën dhe detyrën për të hartuar një raport të veçantë në emër dhe për llogari të tij. Ky raport, po ashtu, është shumë profesional dhe me standarde.
I thashë këto, sepse është e rëndësishme që të kuptohet që institucioni ka arritur një nivel të besueshëm profesionalizmi dhe krahasohet me organizma të tjerë, të ngjashëm në vendet e BE së, ku ne kemi dëshirë dhe perspektivë për të aderuar.
Dua të ndalem te fakti që ne si Kuvend kemi bërë një zgjedhje para 6 vjetësh, pra kemi zgjedhur një juriste/avokate si zonja Erinda Ballanca në krye të këtij institucioni, dhe unë besoj se ka qenë zgjedhja e duhur, pavarësisht se në atë kohë nuk kam pasur mandat apo të drejtë vote. Zonja Ballanca nuk e ka hedhur kandidaturën për një mandat të dytë, pavarësisht se po vazhdon të punojë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, duke arritur edhe këto standarde, por është detyra jonë si Kuvend që të garantojmë vazhdueshmërinë e këtij procesi, pra zgjedhjen e njeriut të duhur, për të vazhduar me të tilla standarde profesionalizmi në krye të Avokatit të Popullit. Është përgjegjësia jonë, si propozues, pra e deputetëve të opozitës, por edhe e deputetëve të mazhorancës të arrijmë dakordësinë që të votojmë njerëz profesionistë, të cilët mund ta përfaqësojnë në mënyrë të denjë institucionin e Avokatit të Popullit në rritjen dhe në konsolidimin e këtyre standardeve që janë vendosur tashmë për të. Personalisht mendoj se institucionit i bën mirë zgjedhja e njerëzve me formim juridik, sepse, duke u nisur nga fakti që janë përballë betejave ligjore dhe çuarjes së opinioneve në Gjykatën Kushtetuese, janë pjesë aktive e proceseve të organeve të drejtësisë dhe, po ashtu, janë pjesë aktive e hetimeve administrative që kanë të bëjnë thelbësisht me gjykimet për ligjshmërinë e institucioneve, patjetër që një formim i tillë do ta forconte kryetarin apo kryetaren e ardhshme të Avokatit të Popullit, të cilët do të kenë mekanizmat e duhur për të ushtruar edhe presionin, por për të dhënë edhe rekomandimet e duhura për institucionet në drejtim të tablosë ligjvënëse dhe institucionale.
Për ta mbyllur, Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut duhet të jetë edhe sfida jonë në vazhdim, sepse është e rëndësishme që, kur bëhet fjalë për arritjen e standardeve të BE-së, pse jo, të jemi proaktivë dhe të kërkojmë që të arrijmë t’i përshpejtojmë hapat, dhe detyrimet që do të na vijnë më pas me anëtarësimin të mund t’i vëmë në vijë që tani, gjatë proceseve tona legjislative, siç është edhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Shumë faleminderit!