Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Përpara se t’i kushtoj një vëmendje të veçantë digjitalizimit dhe shërbimeve publike online, dua pak minuta vëmendjen tuaj për një çështje që lidhet me studentët shqiptarët, që lidhet me arsimin, që lidhet me të drejtën për të lëvizur dhe me të drejtën për t’u arsimuar. Si anëtare e Komisionit të Edukimit i kam kërkuar shpjegime edhe ministres Evis Kushi, por me sa shoh ky është një projekt i përbashkët edhe me ministren e Shëndetësisë, për t’u hequr të drejtën e lëvizjes dhe të drejtën e profesionit studentëve të mjekësisë, ku dhe si e dëshirojnë ata. Ky është një plan antilogjik, antikushtetues dhe nuk ka të bëjë fare me politika, që gjoja merren në suaza patriotike, sepse nuk është aspak patriotike të vjedhësh; nuk është aspak patriotike të mos e bësh buxhetin e arsimit 5% të GDP-së, siç e ke premtuar; nuk është aspak patriotike të mos mbash asnjë nga pikat e paktit të universitetit, për t’u krijuar kushte dhe standarde studentëve; nuk është aspak patriotike varfëria e pagave; nuk është aspak patriotike varfëria dhe skandaloziteti i kushteve me të cilat duhet të studiojnë dhe duhet të punojnë më pas dhe nuk është aspak patriotik niveli i jetesës dhe pamundësia që kanë për karrierë këta mjekë që formohen në Shqipëri.
Është e paimagjinueshme se si në vitin 2023 një qeveri demokratike pretendon se bën politikë patriotike duke u pamundësuar studentëve që me mundin e tyre, me djersën e tyre kanë arritur të marrin një diplomë, të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre të lëvizjes, të mos e ushtrojnë profesionin e tyre atje ku duan dhe si duan, për shkak se kjo quhet “politikë patriotike”. Meqenëse neve po na ikin shqiptarët, me këtë logjikë, i bie që ne të mbyllim kufijtë dhe të shkojmë drejt një qeverie komuniste. Pra, të mbyllim kufijtë, që të mos na ikin shqiptarët, të mos na ikin noterët, të mos na ikin policët, të mos na ikin njerëzit e nderuar të këtij vendi, ashtu siç na ikin edhe mjekët. Por besoj se e dini, që nuk është as politika ligjore, as kushtetuese dhe as morale, por është politika shtetërore ajo që duhet t’i nxisë të qëndrojnë këtu, është ulja e nivelit të korrupsionit, ku ato 120 milionë eurot, që vidhen nga prokurimet publike, mund të shkojnë në investime për mjekët, për pagat e tyre, për dinjitetin tyre, meqenëse bëhet fjalë për Universitetin e Mjekësisë. Është e paimagjinueshme se si vendoset një pagesë në shifra europiane prej 5200 eurosh ose përndryshe studentëve u mbahet diploma, kur këtu s’ke asgjë europiane. Nuk ka asnjë arsye pse studenti duhet të paguajë një tarifë, e cila nuk u përshtatet kushteve, me anë të të cilave merr mësimdhënien
Në qoftë se ka edhe një hapësirë ku mund të shtrihen shërbimet digjitale, ku mund të shtrihet digjitalizimi në të gjitha format, është pikërisht sistemi arsimor. Kjo është një arsye më shumë pse ne e mbështesim digjitalizimin.
Detyrimi që ju mendoni t’u bëni studentëve të mjekësisë, jua them me bindje të plotë, jo vetëm që tregon mungesën totale të një vizioni qeverisjeje, por tregon edhe mentalitetin me të cilin ju qeverisni, i cili është tërësisht si i pararendësve tuaj, si i partisë mëmë nga e cila keni ndryshuar vetëm emrin, por jo metodat.
Ndërkohë, mjafton t’ju kujtoj Kosovën që mbulon shumicën e shpenzimeve universitare. Kosova ofron mensë. Kosova ofron konvikt me vetëm 35 euro në muaj. Kosova u jep bursa dhe bonuse me 100 euro studentëve, ndërkohë, e vetmja politikë që ju doni të ndiqni, është politika e shtrëngimit, politika e moslejimit e lëvizjes së lirë, politika e tarifave të mbivendosura prej 5200 eurosh më shumë edhe se privati. Në qoftë se meraku juaj është që t’i çoni ata të studiojnë në universitet private, po ia arrini shumë mirë. Në qoftë se keni merak të fuqizoni sektorin privat të ndonjë klienti, po ia arrini shumë mirë. Në qoftë se doni t’i hiqni, që të mos studiojnë këtu dhe të jenë më të gatshëm për të ikur nga Shqipëria që para studimeve universitare, po ia arrini shumë mirë. Hiqni dorë nga këto metoda! Kthejuni shërbimit të qytetarëve! Ka metoda të tjera me anë të të cilave ju mund t’i shtyni studentët, që të qëndrojnë me vullnet të lirë, që të punojnë me vullnet të lirë në Shqipëri në shërbim të profesionit të tyre.
Nga ana tjetër, ne sot diskutojmë për digjitalizimin, për shërbimet publike online dhe për marrjen përsëri të një huaje tjetër, të një borxhi tjetër, për të përmirësuar këto shërbime. Në fakt, fatkeqësisht, kur ne të gjithë jemi dakord se era e digjitalizimit, e ecjes përpara është moderne, të vetmet gjëra që kanë prodhuar realisht kanë qenë tenderat e majmë të AKSHI-t, me qëllim digjitalizimin, por, në fakt, me qëllim final ose destinacion final, pasurimin e atyre që i marrin këto tendera dhe klientëve të pushtetit. Platforma më e mirë e digjitalizimit të kësaj qeverisjeje dhe platforma më efikase online e kësaj qeverie, ka qenë platforma “Aktivisti”. Në fakt, kjo platformë është një platformë shumë e mirë digjitale, në të cilën, në mënyrë online gjithsecili nga aktivistët mund të bëjë share, like, comment qeverinë. Nuk e di nëse ekspertizën për këtë platformë e keni marrë nga AKSHI apo edhe paratë nga tenderat e qeverisë, por e rëndësishme është që kjo platformë është e vetmja gjë funksionale që ka bërë kjo qeverisje. Ndërkohë, në të gjitha dimensionet e tjera të digjitalizimit janë ato probleme që me të drejtë i tha, për herë të parë ndoshta, një anëtar i mazhorancës si zoti Braçe, duke filluar nga kadastra, plaga e shoqërisë shqiptare dhe duke vazhduar me radhë te bujqit dhe te pensionet, gjithçka që është e pamundur për shkak të zhvillimit të shoqërisë, për shkak të aksesit të dobët që kanë në internet, për shkak të njohurive të pakta që ka brezi i prindërve tanë për të aksesuar dhe për t’i kryer në mënyrë personale këto shërbime. Për këtë pamundësi janë krijuar ato zyrat e ndërmjetësimit, ato zyrat e tjera që ofrojnë shërbime private për të kryer shërbimet publike që, në fakt, bëjnë të kundërtën e asaj që duhet të ishte. Pra, në qoftë se digjitalizimin e shërbimeve e krijuam për të ulur kostot, për të mos paguar, për të mos mbajtur radhë, në fakt, këto kostot po paguhen, po paguhen te privati, po mbahet radhë për të kryer këto shërbime, pasi njerëzit e kanë të pamundur që këto shërbime t’i kryejnë në mënyrë individuale.
Ndërkohë, ne mund të fillojmë me aksesimin e internetit, me futjen e metodave të digjitalizimit pikërisht në sistemin arsimor. Ne mund të kërkojmë, do të doja të ishte edhe ministrja e Arsimit prezente, për shembull, për një nga problematikat më të mëdha që ne kemi janë provimet e maturës, kur 10 minuta mbasi shpërndahet teza, ajo është në rrjet, që ndoshta do të ishte më efikase që ne të fusnim tableta “e matura”, që provimet të jepen online të digjitalizuara dhe kështu krijohet mundësia që studentët të marrim përgjigje në kohë rekord, apo edhe në universitet shqiptare. Pra, t’i fusim për atë brez që ka mundësi ta përthithë njohurinë teknologjike, ta përdorë teknologjinë dhe jo t’i fusim si shërbime për pensionistët, për një brez që mund ta kishte opsionale teknologjinë, pasi nuk ka as njohuritë e mjaftueshme dhe as aksesin e mjaftueshëm në internet, i cili sot, ju e dini shumë mirë që paguhet dhe paguhet dhe me tarifa të shtrenjta.
Do të vijë momenti këtu kur ne do të flasim edhe për raportin e AKEP-it, edhe për konkurrencën, në mënyrë të tillë që të kuptojmë tarifimet e internetit dhe tarifat e kompanive celulare, të cilat e vështirësojnë dyfish aksesin në shërbimet publike online. Patjetër, ata e heqin atë që ne themi “pa kosto”, sepse qytetarët kanë një kosto nga marrja e këtyre shërbimeve nga autoritetet private, të cilat jo rrallëherë veprojnë si oligopole në Shqipëri.
Shumë faleminderit!