Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për procesin e paligjshmërisë së zgjedhjes të drejtorit të ri të RTSH, Alfred Peza | 6 korrik 2023

Do të kisha dashur të kishim dëgjuar përgjigjet nga zoti Bungo, por, siç e patë edhe ju vetë, mund të jetë një regjisor i shkëlqyer, por dështoi si aktor.

Më vjen keq se bëhet fjalë për Radio Televizionin Shqiptar, që mbahet dhe paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë. Keni gjithë ditën sot që na flisni se si studentët e mjekësisë marrin taksat e qytetarëve shqiptarë dhe për këtë detyrohen të rrinë këtu, ndërkohë që RTSH-ja, që merr taksat e qytetarëve shqiptarë, nuk prodhon asgjë që mund të prodhojë audiencë, por është kthyer tashmë edhe në një çerdhe të punësimeve politike, të kapjes politike nga ish-deputeti socialist Alfred Peza apo, siç njihet ndryshe, nga deputeti milioner.

Alfred Peza ndoshta sot mund ta ketë çregjistruar nga QKR-ja, por ishte në momentin e zgjedhjes aksioneri kryesor i portalit “Alpenews.al”, siç ishte njohur botërisht, por mund të futeni dhe ta shikoni edhe në Twitter-in e zotit Peza, ku e reklamon vetë këtë gjë.

Alfred Peza ka qenë deputet i Partisë Socialiste në periudhën 2013-2017, pra një nga dy legjislaturat e fundit. Kjo legjislaturë quhet “legjislaturë aktuale”, është ende duke u kryer dhe ka ligje të tjera që na prekin ne për konfliktin e interesit dhe nuk na lejojnë dot që të marrim pjesë në gara për institucione të tjera si drejtorë të RTSH-së, se po të ishte ashtu unë do të kisha preferuar ndonjë deputet tjetër nga ana juaj, që mund të shkonte atje.

Alfred Peza, e dini botërisht dhe mund t’u referoheni edhe kronikave të medies, që ka qenë drejtor i “Panorama Group” deri më 29 dhjetor 2022. Këtë mund ta shikoni tek tatimet, por mund ta keni parë edhe në televizor, kur shante Edi Ramën apo kur anatemonte kryetarin tuaj të grupit pse po prishnin “Prestig Resort”, si një dëm që bëhej ndaj medies së “Panorama Group”.

Ligji ta ndalon të kandidosh në qoftë se ke qenë drejtues apo anëtar i një bordi drejtues i një medie tjetër pa kaluar 6 muaj dhe zotëria jo vetëm që kandidoi, por edhe u zgjodh pa kaluar 6 muaj nga funksioni i tij si drejtor i medies.

Zoti Peza, ashtu si të gjithë kandidatët e tjerë, nuk ka paraqitur asnjë dokument nga Autoriteti i Dosjeve, nëse ka qenë apo jo spiun, apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe këta zotërinjtë e Këshillit Drejtues të RTSH-së duhet ta lexonin ligjin dhe të kërkonin dokumente nëse kandidatët kanë përputhshmëri me ligjin apo jo. Në qoftë se nuk e bëjnë këtë, atëherë ne si parlament kemi të drejtë që ta shkrijmë të gjithë Këshillin Drejtues të RTSH-së, sepse unë po ju vë në dijeni dhe mund t’ia vë të gjitha dokumentet në dispozicion, edhe në mënyrë zyrtare, grupit socialist, edhe pse ju i dini më mirë se unë se kush bën çfarë në këtë vend, se si është shkelur ligji. Nuk ka se si të quhet i ligjshëm një proces, kur nuk është kërkuar dokumenti nëse janë apo jo spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo gjë duhet kërkuar edhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Po ashtu, në mënyrë të padrejtë dy nga kandidatët që kanë konkurruar për drejtor të Përgjithshëm, zoti Roboçi dhe zoti Musai, janë votuar për të mos u votuar. A keni dëgjuar ndonjëherë ju votim për të mos u futur në votim?! Pra, kandidatët ose skualifikohen, se nuk plotësojnë kriteret, siç duhet të ishte skualifikuar Alfred Peza, se nuk plotësonte kriteret, ose futen në garë për t’u votuar si drejtor i Përgjithshëm. Aty ti mund t’i rrëzosh ose jo, sepse ke të drejtën e votës, por nuk mund të bësh një votim për ta futur ose jo në votim. Për herë të parë dy kandidatë janë votuar, që të mos futen në votim. Pse? Sepse kishin frikë nga vota e fshehtë, se mos i bënin ndonjë puç fjalës që i kishin dhënë Edi Ramës se do të zgjidhnin Alfred Pezën dhe dy kandidatët as nuk i futën fare në votim të fshehtë, por i detyruan anëtarët e Këshillit të bënin votim me ngritje dore, që t’i shikonin se nuk do t’i tradhtonin, pra, komplet jashtë ligjit dhe komplet një procedurë në shkelje të ligjit.

Për të gjitha këto shkelje, procesi duhet të zhbëhet dhe është në nderin e këtij Kuvendi që të ushtrojë kompetencat e tij kontrolluese ndaj organeve që ka zgjedhur vetë, siç është Këshilli Drejtues i RTSH-së, për ta kthyer atë në ligjshmëri. Nuk është se neve na mungojnë mundësitë për ta çuar këtë në Gjykatën Administrative, edhe nga vetë kandidatët që janë skualifikuar, apo në Gjykatën Kushtetuese, por ju, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kur njiheni me një shkelje kaq flagrante, a nuk do të reagoni? A nuk do të merrni përgjegjësinë tuaj për të cilën ju kanë votuar, që të jeni garantë të ligjshmërisë së këtyre institucioneve që zgjidhni vetë? Apo do të heshtni, sepse është vullneti i Edi Ramës për t’i dhënë një post të ri pune Alfred Pezës?

Ne nuk kemi pasur ndonjëherë dyshim që RTSH-ja drejtohet në mënyrë politike, por janë siguruar që të mos e shkelnin në mënyrë flagrante ligjin. Nuk kemi pasur ndonjëherë dyshim se

emërimi i Enkel Jotit ishte politik, mjafton ta shikoni sot që është bërë zëvendësministër i qeverisë, pra iku nga pozicioni i drejtorit dhe shkoi si zëvendësministër. Nuk kemi pasur ndonjëherë dyshim se zgjedhja e Thoma Gëllçit ishte po aq politike si një borxh ndaj vëllait të Kryeministrit, por të paktën kriteret ligjore u zbatuan, u bë edhe ligji me porosi për të. Pra, ju mund të zgjidhnit këdo dhe ta kapnit politikisht, sepse keni njerëz që ju shërbejnë verbërisht politikisht, por ju zgjidhni që në mënyrë flagrante të shkelni ligjin dhe të zgjidhni pikërisht atë që nuk zbaton asnjë nga kriteret e ligjit të medies audiovizive, nenit 104 të tij. Më pas në këtë parlament bëhet show nga një drejtues institucioni, që bën sikur nuk ka lexuar, sikur nuk di për çfarë bëhet fjalë, sikur nuk e njeh Alfred Pezën, sikur Alfred Peza ka zbritur sot nga Hëna dhe nuk e dimë se çfarë ka bërë, ku ka punuar dhe çfarë përfaqëson në këtë vend. Është e papranueshme që ne të heshtim, kur shikojmë shkeljen e ligjit.

Është e papranueshme që të bëjmë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dëgjojmë një institucion, si Radio Televizioni Shqiptar, i cili paguhet me taksat tona.

Meqë ra fjala, Këshilli Drejtues i RTSH-së është i zgjedhur në mënyrë po aq politike dhe nuk përfaqëson balancat, sepse duhet të ketë edhe opozitën e vendit. Është e vërtetë që ishte edhe faji ynë, sepse, duke qenë se ne lamë parlamentin, ju arritët të çonit atje përfaqësues të “opozitës”, ndaj sot kemi vetëm një përfaqësues të zgjedhur realisht nga opozita si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së.

Gjithashtu, ne kemi kaluar në Komisionin e Edukimit (për këtë i drejtohem edhe kryetarit të grupit) një kandidaturë të mrekullueshme, siç është zoti Ndriçim Xhepa. Unë nuk e kuptoj përse nuk e kalojmë në seancë plenare për ta votuar, sepse, edhe pse është një kandidaturë që i takonte mazhorancës, për shkak të vakancës së krijuar, gëzonte edhe mbështetjen e opozitës për shkak të integritetit që ka figura e zotit Ndriçim Xhepa.

Ne duhet të kemi përgjegjësi për këtë këshill drejtues, bashkë me kryetarin, i cili e tha edhe vetë, ka qenë denoncues i aferave të drejtorëve që i ka zgjedhur vetë, dhe unë e kam vlerësuar dhe e kam mbështetur për denoncimet që bënte, sepse janë të jashtëzakonshme dhe lidhen me abuzimin me taksat e qytetarëve shqiptarë. Nëse hyni në faqen e uebit, të cilën edhe ne që jemi deputetë, nuk e aksesojmë dot, nuk shikohet se sa shpenzime bëhen për festivalet dhe për projektet e RTSH-së. Zoti Peza sapo erdhi në institucion instaloi një sistem kamerash me lekët e buxhetit të shtetit, vetëm e vetëm që ta kthejë zyrën e tij në një “Big Brother” për të parë se kush hyn dhe kush del. Në fund duhet të paguajmë me taksat tona atë, që është dëliri i madhështisë së një personi që ndodhet përkohësisht në vendin e drejtorit të Përgjithshëm. Pra, duhet të ketë një transparencë të shpenzimeve të RTSH-së, se ku shkojnë paratë, si bëhen punësimet dhe si shfrytëzohen këto në drejtim të informimit publik, mision për të cilën ekziston RTSH-ja.

Ne e kemi për detyrë, sepse, nëse ne nuk marrim përgjegjësi për institucionet që zgjedhim vetë, atëherë nuk ka kuptim t’i bëjmë këto seancat e kontrollit dhe t’i dëgjojmë çdo vit për ligjshmërinë e tyre, kur paligjshmërinë e kemi përballë: zgjedhjen e Alfred Pezës si drejtor i RTSH-së.

Faleminderit!

REPLIKË:

Nuk kam dalë të kërkoj këshilla, aq më pak nga Taulant Balla. Edhe unë, edhe zoti Bardhi i turremi gënjeshtrës, pavarësisht se kush e thotë. Ne nuk kemi asnjë kompleks moshe, përkatësie apo ndonjë kompleks tjetër, për aq kohë sa zotëria ka ardhur si kreu i një institucioni që ka shkelur ligjin dhe ka zgjedhur një individ që nuk përputhet me kriteret për t’u zgjedhur në krye të atij institucioni.

Njerëzit, të djathtë apo të majtë, gëzojnë respektin tim nëse kryejnë veprimtari të ligjshme

dhe janë brenda rregullave e ligjeve që ka vendosur ky parlament, pra të ligjshëm dhe të paligjshëm, nuk ka rëndësi nëse janë të djathtë apo të majtë, nuk është kjo ndarja ime.

Ndërsa nga ju prisja të thoshit diçka në lidhje me paligjshmërinë e zgjedhjes së drejtorit të ri, zotit Alfred Peza, por, me sa duket, ju ndani të njëjtin mendim si ne, sepse, kur sugjeroni shkrirjen e Radiotelevizionit Shqiptar, e keni si një mënyrë për ta lënë pa punë Alfred Pezën, por, ngaqë nuk e hiqni dot, sepse i dilni kundër Edi Ramës, mendoni për shkrirjen e institucionit. Ndërsa unë mendoj ndryshe, mendoj ta reformojmë atë institucion, ta bëjmë një institucion që t’u përgjigjet kërkesave dhe interesave të publikut. Në fakt, ai që duhet të ikë nga ky institucion, është Alfred Peza, i cili ka shkelur ligjin. Ne si parlament mund t’i japim ligjshmëri atij institucioni, pse jo, të kemi më shumë rol në mbikëqyrjen e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar dhe të veprimtarisë së tij.

Faleminderit!