Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për raportimin vjetor 2022 të AMA | 6 korrik 2023

Në fakt, zonja Armela duhej të kishte qëndruar në sallë për t’i dëgjuar të gjitha

 diskutimet e deputetëve për institucionin që ajo përfaqëson. Megjithatë, është bërë zakon që nuk zbatohet Rregullorja dhe as institucionet që varen nga Kuvendi, nuk e respektojnë institucionin e Kuvendit; ndoshta duhet të vijë një moment që të marrim masa edhe ndaj këtij fakti.

Zonja Krasniqi, unë e kam thënë dhe e them, është po aq politike sa cilido nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ky institucion në të vërtetë duhej të ishte një institucion i pavarur dhe i pakapur politikisht, të paktën kështu thuhet në ligj, për të rregulluar mjedisin mediatik, kurse zonja Armela ka qenë e njohur për pozicionet e saj politike, ku triumfon ai i zëdhënëses politike të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama. Pse ka rëndësi ky fakt?! Ky fakt ka rëndësi, sepse e ndjek gjatë gjithë aktivitetit të saj në krye të institucionit, në politikat e punësimit në institucion, në sjelljen e saj me administratën e AMA-s, në sjelljen e saj ndaj medies proqeveritare dhe ndaj asaj joqeveritare dhe në të gjitha detyrimet që i jep stafit të saj. Unë ia kam vënë në dukje edhe në komision se të dhënat e paraqesin atë si një nga njerëzit e loguar në aplikacionin “Aktivisti”, ku shfaqet me mbiemrin Imeraj dhe ka plot 14525 pikë, duke u bërë “like”, “share” dhe “coment” shefave të qeverisë, Edi Ramës, deputetëve dhe rezulton shumë aktive gjatë fushatës elektorale. Në fakt, edhe një nga detyrat që ka koordinatori i digjitalizimit brenda AMA-s, përveç digjitalizimit të medies, është që të garantohet se punonjësit e kanë instaluar në celularin e tyre aplikacionin “Aktivisti” dhe të jenë shumë aktivë gjatë fushatës elektorale.

Zonja tha një të pavërtetë. Pyetja ime nuk ishte a e keni shtuar ju Drejtorinë për Çështjet e Integrimit, sepse atë jua miratuam ne, edhe duke shkelur ligjin (për ta saktësuar këtë, ua miratuat ju, se, kur themi “ne”, duket sikur e kemi votuar edhe ne). Me këtë ligj jua kemi rritur strukturën me 20 punonjës të rinj, gjë që nuk mund të kalonte me kaq lehtësi për vetë faktin se ligji e ndalonte, por Drejtoria Juridike dhe Drejtoria e Financave janë shkrirë, sepse nuk ekzistojnë më, siç deshi të mbrohej zonja duke thënë se ato ekzistojnë, këto drejtori janë shkrirë, sepse të gjithë punonjësit, të cilët ishin para 7 muajve në atë institucion, nuk janë më. Nuk janë më në atë institucion për arsye të ndryshme, sepse dikush dha dorëheqjen, dikush u hoq nga puna, dikush u “këshillua” të jepte dorëheqjen dhe dikush iku, se “u mbush kupa”.

Kjo situatë nuk flet për një sistem menaxhimi të mirë dhe për një kryetare të AMA-s që zbaton ligjin, sepse janë dy drejtoritë themelore: Drejtoria Juridike dhe Drejtoria e Financave të cilat zbrazen, dhe zonja në komision nuk kishte dot ndonjë arsye pse kishin ndodhur këto zbrazje, por arsyeja është e qartë pse ka ndodhur kjo zbrazje. Ajo ka ndodhur prej të gjithë presionit për të firmosur ato që nuk duhen firmosur ose për t’u sjellë më shumë politikisht sesa e kërkon ligji dhe detyrat e tyre në këto funksione. Unë i mora zonjës Krasniqi shembullin e këshilltares së saj, e cila ka meritën që është anëtare e Partisë Socialiste dhe ka qenë zëdhënëse në dy ministri, por, në fakt, nuk ka përfunduar ende shkollën. Pra, zonja Krasniqi e ka zgjedhur në atë pozicion pikërisht prej qasjes së saj politike, se nuk besoj se ka për çfarë ta këshillojë një njeri që nuk i ka mbaruar ende studimet universitare.

AMA duhet të luante një rol aktiv dhe duhet të ndërhynte sa herë që bëhej fjalë për një gjuhë joetike, për cenimin e dinjitetit dhe të integritetit të personave në media. Nëse kjo nuk është detyrë e AMA-s, nuk e kuptoj se detyrë e kujt është! Sa herë që në mediet audiovizive cenohet dhe preket integriteti i personave apo përdoret një gjuhë aspak etike në çdo orar në televizionet shqiptare, në emisione nga më tallavatë, të cilat ndiqen që nga fëmijët dhe deri te më të moshuarit, duhej të ishte përgjegjësi e AMA-s që të merrte masa ndaj këtyre medieve, përgjegjësi të cilën AMA nuk e merr, sepse këto televizione që kanë këto licenca kombëtare dhe kanë këto lloje formatesh, janë televizione proqeveritare, të cilat i përdorin këto formate në shërbim të propagandës së partisë në pushtet dhe të vetë Kryeministrit, ndaj edhe zonja është në pozicionin: “nuk shikoj, nuk dëgjoj dhe nuk flas”, sepse vjen nga forca e saj politike, të cilën e përfaqëson denjësisht edhe në krye të një institucioni të pavarur.

Në rezolutën e vitit të kaluar AMA-s i kemi kërkuar, gjithashtu, ia kemi ritheksuar edhe në këtë rezolutë, se duhej të ishte shumë e kujdesshme kundrejt raporteve të Komisionit Europian dhe raporteve që vijnë nga “Reporterët pa kufij” për çështjen e medies, por ajo jo vetëm që nuk është e kujdesshme, por u kujdes që të bënte edhe gabime në raport teksa citonte raportet e Komisionit Europian të një viti më parë, pa e ditur se kishte dalë raporti i vitit 2022. Ky ishte një shembull për të kuptuar se sa kujdes kanë ata ndaj qasjes europiane dhe në fund thonë se do të ndërtojnë një drejtori, e cila do të kujdeset për çështje të europianizimit apo të përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe acquis communautaire.

AMA duhej të ishte më aktive dhe të reagonte më fort ndaj dhunës që ushtrohet ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së funksioneve të tyre. AMA ka reaguar vetëm një rast, ndërkohë që janë të paktën me dhjetëra raste të dhunimit të gazetarëve dhe operatorëve gjatë kryerjes së funksioneve të tyre, sidomos në emisionet investigative, por ajo nuk ka qenë promotore për kërkimin e të drejtave dhe të reagimit publik për cenimin e të drejtave të operatorëve dhe gazetarëve që punojnë në mediet audiovizive.

Pyetjes për pronësinë e medies iu përgjigj duke thënë se të dhënat e raportit të fundit të “Open Data” nuk ishin të sakta, sipas saj, por, në fakt, ato janë publike dhe për ta vërtetuar nëse ishin apo jo të sakta, do të duhet të na bëjë publike cilët janë pronarët e medieve, emrat dhe aksionet. Ky është një detyrim që i rrjedh nga ligji, dhe e ka detyrim që t’ia sillte edhe Kuvendit në raportimin e AMA-s për vitin 2022. Absolutisht, ju mund ta shikoni se jo vetëm që detyrimin ligjor nuk e kanë zbatuar, por bëjnë gjithçka që të mos dalin të drejtat televizive, licencat që marrin, transmetimet që marrin, kur lidhen me platforma digjitale, ku transferohen të drejtat e blera nga një televizion apo rrjet kabllor në tjetrin, në varësi të faktit që kanë pronarë apo ortakë të njëjtë. Pjesë e këtyre skandaleve shumë herë ka qenë edhe vetë RTSH-ja. Zoti Bungo ka meritën që e ka denoncuar këtë fenomen, ku të drejtat televizive të blera nga RTSH-ja kalonin dhe u jepeshin platformave të tjera digjitale, vetëm sepse kishin ish-punonjës të tyre drejtorë të RTSH-së. Pra, ky mjedis mediatik që kemi sot, është edhe për shkak të mosfunksionimit siç duhet dhe të mungesës së paanshmërisë në kryerjen e funksioneve të AMA- s, bordit të AMA-s, kryetares së AMA-s, e cila, siç e thashë, e them dhe do ta them gjithmonë, nuk duhej të ishte në atë pozicion, jo për shkak të CV- së apo për shkaqe personale, por për shkak se është një person politik dhe ligji e ndalon zgjedhjen e një personi politik në krye të këtyre institucioneve, sepse më pas vijnë edhe të gjitha problematikat që unë ju listova këtu.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *