Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi raportin vjetor te INSTAT për 2022 | 13 korrik 2023

Në fakt, e them pa frikë se Instituti i Statistikave sot është instituti i falsiteteve, sepse mjafton të kuptojmë që bazohet në të dhënat e popullsisë së matur në vitin 2011. Në momentin kur ti nuk mat popullsinë, çdo e dhënë që ty të vjen për papunësinë, çdo e dhënë që ty të vjen për GDP-në për frymë, e ka bazën e gabuar dhe çdo e dhënë që paraqet INSTAT-i ka një marzh shumë të lartë gabimi. Për të mos thënë që është shndërruar si një drejtori statistikash, në funksion të nevojave të propagandës që ka qeveria; kur INSTAT-i thotë se janë rritur shitjet dhe blerjet me pakicë, qytetarët tregojnë se janë më të varfër dhe që blejnë më pak; kur INSTAT-i thotë se janë punësuar…, sukses…, pensionistët…, 500 mijë pensionistë; kur INSTAT-i tregon të pavërteta të një realiteti që qytetarët e jetojnë çdo ditë.

INSTAT-i sot nuk ka arritur dot as standardet e INSTAT-it të qeverisjes së vitit 2011 apo të vitit 2012, pasi ai ende sot punon me të dhënat e censit të popullsisë së vitit 2011 dhe me censin e bujqësisë së vitit 2012, kur drejtohej në mënyrë profesionale nga drejtoreshë Ines Nurja, e doktoruar në Francë, e cila e ktheu këtë institucion në diçka profesionale. Ju jo vetëm që nuk e arrini dot këtë, por nuk arrini dot as standardin e drejtoreshës Milva Ekonomi, e cila bëri edhe më shumë përpjekje, që mund të ishte edhe më politike, por bëri një punë shumë më të mirë sesa ju sot. Pra, ju as standardin e këtyre dy ish- drejtoreshave të INSTAT-it nuk e arrini dot. Edhe pse keni një teknologji shumë më të avancuar, edhe pse keni stafeve profesionale me një përgatitje shumë më të avancuar, madje që janë doktoruar në Shqipëri, përsëri nuk i arrini dot këto standarde.

Në këtë parlament diskutojmë gjithmonë për portalin e-Albania, për teknologjinë, për ecjen përpara në teknologji, ndërkohë keni dy vjet që thoni se nuk keni tableta për të bërë censin e popullsisë. A e kuptoni tani sa fasadë është kjo që ju thoni: “Ne ecim përpara me teknologji avangardë dhe nuk kemi tableta për të bërë censin e popullsisë”?! Pra, që këtu fillon dështimi! Keni dy vjet që nuk blini dot tableta, ndërkohë ju mungon edhe profesionalizmi qoftë për të bërë tenderin, qoftë për të bërë censin. Më pas të gjitha të dhënat vijnë dhe riciklohen nga të dhënat e censit të vitit 2011, ku popullsia ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë, ku ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë mënyra se si duhen bërë këto të dhëna dhe mënyra se si duhen reflektuar këto të dhëna.

Po si është e mundur që ju në raport na përmendët se është sukses që INSTAT-i është cituar kaq herë në televizion dhe kaq herë në portale! Mirë që i keni matur edhe këto! Madje, shpresoj t’i keni matur saktë, jo si gjërat e tjera! Po çfarë tregon kjo?! Po t’i lexoni ato artikuj, gjysma apo treçereku i tyre tregojnë se si të dhënat tuaja nuk përputhen me realitetin. Si i keni matur ju këto të dhëna, sa herë ju ka dalë emri në google search, apo sa herë jeni përmendur për mirë ose për keq? Ju siguroj që më shumë jemi përmendur për keq sesa për mirë, sepse të dhënat që thoni ju, nuk bazohen me realitetin. Këtë duhet të matni.

Ashtu siç e thatë edhe ju kur iu përgjigjët pyetjes sime: e matni numrin e turistëve nga hyrjet dhe daljet në dogana. Pra, keni një fiktivitet shumë të madh në matjen e numrit të turistëve.

Gazetarja investigative kishte bërë një investigim se çfarë deklaronte koncensionari për hyrjet dhe daljet nga Kosova, (sepse nuk besoj që vëllezërit tanë kosovarë vijnë me traget, në shumicën e tyre, por një hyrje përdorin kryesisht), dhe çfarë të dhënash kishte INSTAT-i për njerëzit e ardhur nga Kosova gjatë vitit 2022. Shifrat tuaja ishin totalisht të ekzagjeruara dhe nuk përputheshin me realitetin. Më pas, vjen ministrja Kumbaro këtu, me shifrat tuaja, dhe thotë: “Parajsa e turizmit në Shqipëri! Ja ku i keni shifrat, sa turistë kanë hyrë dhe sa kanë dalë në

Shqipëri, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër gjatë sezonit turistik”. Ndërkohë, jua thashë dhe po përsëris: hyrjet dhe daljet e të njëjtit person nga pika të ndryshme doganore apo në ditë të ndryshme, sidomos gjatë sezonit veror, ju i llogarisni si hyrjet dhe daljet e një turisti, ju e futni në numrin e turistëve, sepse nuk përpiqeni të kuptoni sa është numri i atyre që akomodohen në strukturat akomoduese. Ata janë turistët. Nuk është turist ai që vjen për të takuar nënën e sëmurë dhe ikën për dy ditë. Ai nuk i prodhon të ardhura këtij vendi. Turist është ai që qëndron gjatë në struktura akomoduese dhe që prodhon ekonomi, por këto të dhëna ju nuk i bëni, sepse jeni një institut në shërbim të qeverisë.

Mua më vjen shumë keq që, ju sot nuk ishit e aftë të tregonit se ku jeni me censin e popullsisë dhe ku jeni me censin e bujqësisë. Ky parlament miraton politika për bujqësinë, politika për fermerin, kur nuk e ka idenë se sa të sakta janë të dhënat, sa funksionojnë realisht fermerët, si punohet toka dhe se cilat janë produktet, pra gjithçka që duhet të dihet për bujqësinë.

Në momentin kur ne dështojmë në statistika, dështojmë edhe në politika, sepse politika të ndërmarra me statistika gjysmake, me statistika të pavërteta, me statistika që vijnë si rezultat i mbledhjes së të dhënave sipas kohës së shkuar, atëherë janë statistika që nuk hyjnë në punë për asgjë. Në qoftë se nuk jeni të aftë të bëni censin, në qoftë se nuk jeni të aftë të prodhoni statistika dhe t’i publikoni ato, jo të vini rrengje, që shko atje dhe merr një njoftim për shtyp, por të krijohet mundësia që të merren të gjitha tabelat, edhe në formë excel-ipër të kuptuar si kanë ardhur në ato të dhëna, atëherë, ju po fshini realitetin dhe po përdoreni thjesht si një drejtori tjetër e shumtë e propagandës së qeverisë “Rama”.

Faleminderit!