Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Ju edhe vetë e kuptoni se bëhet fjalë për t’i dhënë mbrojtje dhe garanci Arben Ahmetajt për të lëvizur lirisht, pa kërkim ndërkombëtar, derisa ai të sistemohet; kjo është arsyeja pse e vononi raportin.
Duhet thënë se nuk janë as Arben Ahmetaj, as Lefter Koka ata që sot vazhdojnë pagesat e inceneratorëve. A mund të na thoni: kush i vazhdon sot pagesat e një afere kriminale? A i vazhdojnë këta të dy, që janë në kërkim, apo ata që janë në burg? Jo, i vazhdon vullneti politik i Edi Ramës, i vazhdon qeveria e Edi Ramës. Është kjo qeveri që i vazhdon sot pagesat dhe ky Kryeministër që i vazhdon sot pagesat, i cili duhet të jetë prezent për ato para që vazhdojnë të vidhen edhe në këto sekonda që ne flasim. Arben Ahmetaj në arrati nuk vazhdon t’i paguajë inceneratorët; Lefter Koka në burg nuk vazhdon t’i paguajë inceneratorët; ai që vazhdon t’i paguajë inceneratorët është Edi Rama.
Nëse ne nuk e trajtojmë ashtu siç është: një grup i strukturuar kriminal, që quhet Këshilli i Ministrave, dhe një kryetar grupi, që quhet kryetar i Këshillit të Ministrave dhe Kryeministër, Edi Rama, atëherë ne fshihemi pas të vërtetave dhe thjesht çojmë disa koka turku në burg, të cilët, shumë mirë, le të jenë atje, krijoni edhe atje një grup parlamentar dhe një shoqatë bashkie. Ky parlament deri më sot është me një dhomë, por, nëse doni ta bëni me dy dhoma, një senat në burg dhe një dhomë këtu, që të diskutojmë, atëherë hajdeni të bëjmë një reformë kushtetuese!
Edi Rama e ka detyrim para qytetarëve, e ka detyrim para këtij parlamenti që të vijë këtu dhe të vërë fytyrën, siç ka vënë firmat fap e fap në milionat që merrte, duke filluar me atë të parin dhe të tjerët që fshihen pas kësaj afere. Nuk ka mundësi që një Kryeministër të mos dijë çfarë bën zëvendëskryeministri, çfarë bëjnë ministrat apo çfarë bëjnë drejtorët.
Kur i lexova Kryeministrit në komisionin hetimor për inceneratorët aktakuzën e SPAK-ut për Lefter Kokën dhe i thashë se ka thënë: “Vepro në bashkëpunim”, iku, sepse bashkëpunimi ishte me vetë atë.
Shumë faleminderit, zonja Kryetare!’