Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për ndryshimet në qeverinë Rama | 14 shtator 2023

Në fakt, ky Parlament u mbyll në datën 20 korrik me një seancë turpi, e cila ishte një seancë se si nuk duhet të funksionojë Parlamenti, ishte një seancë ku u votua, në shkelje të çdo procedure, një ligj për të kapur institucionet e pavarura, siç është Akademia e Shkencave, një ligj për kanabizimin e vendit, si dhe një ligj për ndalimin e të drejtave kushtetuese të studentëve shqiptarë. Siç u mbyll, ashtu edhe u hap. Kryetarja e Kuvendit i ndaloi të drejtën opozitës të fliste qoftë për procedurë, qoftë për të shpjeguar votën kundër, një e drejtë e rregulluar nga Rregullorja e Kuvendit. E quajti të panevojshme, a thua se Rregullorja është një libër që mund ta interpretojnë sipas dëshirave personale një kryetare apo një nënkryetare.

E nisët me disa emërime dhe shkarkime ministrash, të cilat, në fakt, ndryshojnë vetëm emrat, kostumin dhe ndoshta edhe gjatësinë, por nuk ndryshojnë korrupsionin, nuk ndryshojnë vjedhjen dhe stilin e paligjshëm të emërimit të tyre. Po e filloj me atë që votuat sot, Ervin Meten. Ervin Mete është në funksionin e tij tashmë si ministër antikushtetues. Ne votuam sot një dekret antikushtetues të Presidentit të Republikës, i cili me juristët e tij duhet ta kuptojë kur duhet të heshtë dhe kur duhet të flasë, por me sa duket juristët e Presidentit heshtin, kur ju shkelni ligjin dhe i kalojnë ligjet fap e fap në heshtje dhe nuk presin, kur duhet të presin, që ju t’i zbatoni ligjet, siç duhej të priste Presidenca, derisa të shkarkohej Ervin Mete dhe më pas ta emëronte dhe të bënte dekretin për ministër. Presidenti i Republikës bëri ministër drejtorin e AMF-së, bëri ministër kreun e bordit ekzekutiv të AMF-së. Ai i kishte të gjitha pozicionet, kur Bajram Begaj vuri firmën me juristët e mençur të Presidencës, që nuk i shikojnë shkeljet, kur ka shkelje kushtetuese dhe i shikojnë ato, kur shkeljet janë në shërbimin të tyre. Ervin Mete mund të ketë qenë edhe pjesë e planeve tuaja, në fakt, për ta djegur, për ta bërë ministër pa e bërë, sepse mandati i tij, sigurisht, do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të rrëzohet nga ajo gjykatë, sepse në Kushtetutë thuhet: “Askush nuk mund të bëhet ministër, në qoftë se nuk i plotëson kriteret për të qenë deputet”. Në atë moment, në papajtueshmëri të tij me funksionet, nuk mund të ishte as deputet dhe as ministër, si drejtor i AMF-së.

Po kulmi nuk është Ervin Mete, por Ogerta Manastirliu. Si mundet kjo qeveri, që zonjën “abuzimi” (në mesazhet që më vinin dje thoshin: “zonja vrastare”), në fakt mua nuk më pëlqen dhe nuk e përdor, edhe pse do të ishte e vërtetë, por zonja “abuzimi” është 100% e vërtetë, sepse kështu thuhet në të gjitha kontrollet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në fakt, Ogerta Manastirliu ishte kandidate e shkëlqyer për SPAK-un, por ju në vend që ta çonit në SPAK dhe t’ia linit drejtësisë, e bëtë ministre të Arsimit për ta shkatërruar arsimin shqiptar, për t’i bërë prindërit për ilaçe dhe për ta çuar sistemin arsimor në koma. Ky është modeli që u dërgoni të rinjve shqiptarë: promovohet një ministre, e cila nuk thotë dot një sukses në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndër ligjet e fundit që sollën në këtë Parlament ishte edhe ligji për kanabizimin e vendit. E detyroi ministren e Arsimit, Kushi, që për problemet e veta, që nuk i zgjidhte dot, pra që të garantonte mjekë në sistemin shëndetësor, të fuste në valle Ministrinë e Arsimit, të mbronte Evis Kushi paaftësinë e Ogerta Manastirliut dhe pastaj ta zëvendësonte Ogerta Evisin, dhe faturën ta merrte Evisi. Këto janë skemat tuaja, skemat se si Partia Socialiste lan duart me ata që i vë të bëjnë krime. Ogerta Manstirliu, sot në krye të arsimit, mund të sjellë vetëm një gjë: dhënien me koncesion dhe me PPP të universiteteve shqiptare. Në fakt, për këtë ka fjalë, ka edhe ndryshime ligjore për këtë, dhe besoj se po, se ka eksperiencë nga koncesioni i chek up-it, nga PPP-ja e dializës, nga PPP-ja e sterilizimit; ato po, i qan. Në qoftë se e keni zgjedhur për këtë, po, do ta qajë edhe këtë, por do ta shkatërrojë, do ta vjedhë, do të abuzojë, si dhe do të bëjë që rinia shqiptare të ikë më shumë sesa ka ikur deri më sot.

Nga ana tjetër, na sollët Arbër Maznikun. Arbër Mazniku, i famshëm që nga faturat e Shkëlqim Fushës në hotele, pasi dha për shkatërrim Teatrin Kombëtar e deri tek inceneratorët, qenka modeli se si e duam pushtetin vendor. Pra, mënyra se si ka abuzuar Mazniku me pushtetin, si nënkryetar bashkie, qenka mënyra se si ne duam t’i bëjmë të gjitha bashkitë e vendit dhe e promovojmë ministër të Pushtetit Vendor. Çfarë mund të thuash më shumë për këtë? Të vjedhin dardha, kumbulla dhe mollë jo pas krahëve, por të promovuar në ministra, përgjegjës që t’u mësojnë të njëjtat stile edhe bashkive të tjera, që të jenë po aq të suksesshme. Ndoshta blejnë edhe ndonjë artikull në gazetat e huaja për t’i bërë reklamë korrupsionit, siç ishte ajo e fundit e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Kemi ndryshimin tjetër, atë që vërteton se si ne i shkelim të gjitha kriteret e Bashkimit Europian, Albana Koçiun, që duhej të ishte shembulli i njeriut të depolitizuar që drejtonte Departamentin e Administratës Publike. Në fakt, ne kemi thënë që është çerdhe e patronazhistëve, të punësuar vetëm politikisht dhe shumë për fushatë elektorale. Jo, – thoshit ju, – është e depolitizuar. Ja ku e keni, sa është e depolitizuar, ministre e qeverisë “Rama”. Fiks, pozicioni më i depolitizuar, ministre.

Ndërkohë që Bashkimi Europian e ka një nga kriteret më themelore se si administrata publike të drejtohet larg politikës dhe të jetë eficiente. Me sa duket, Bashkimin Europian, integrimin, ju i keni vetëm kur ju duhet për të marrë disa para dhe për të vjedhur, si Frida Krifca, që, në fakt, ishte ndryshimi i vetëm që duhej bërë dhe duhej të ishte bërë sa më shpejt. Frida, në fakt, nuk duhej të ishte bërë kurrë ministre me rekordet që kishte, sepse zhduku fondet e Bashkimit Europian, na futi në listën e zezë, teksa fermeri vuante, atje ku unë dhe Anila jemi deputete, në Konispol, në Finiq, në Delvinë, dhe Frida nuk ia kishte idenë. I jepte paratë për vila dhe për resorte, ndërsa tani ia kërkojnë mbrapsht. Nuk ka se si t’i kthejë mbrapsht, se ka ndërtuar vilën, vetëm po t’u japë ndonjë orendi, se edhe ato janë të shtrenjta. Frida vinte këtu dhe mburrej, prodhonte disa broshura, të cilat na i shpërndante si trakte nëpër tavolinat tona të Kuvendit, duke na treguar sukseset e bujqësisë, ndërkohë që sukseset e bujqësisë shiheshin në terren, nuk shiheshin te broshurat me fotoshop të Fridës. Sukseset shihen në terren, aty ku sot i bëj thirrje ministres Denaj: mandarinat në Konispol janë të goditura nga breshëri, prandaj, ju lutem, kthejini sytë, se ajo përpara jush nuk dinte t’i kthente, dhe mos bëni të njëjtat gjëra që bëri zonja Krifca!

Kjo qeveri e rimodeluar nuk është asgjë më shumë sesa shëmbëlltyra e Edi Ramës. Memet, që me të drejtë e japin qeverinë të gjithë me kokën e Edi Ramës, por me trup të ndryshëm, janë realiteti, sepse, në fund të ditës, asnjë nga veprat penale për të cilat janë dënuar ministrat e tij, asnjë nga veprat penale për të cilat akuzohen ministrat e tij, nuk mund të bëheshin pa bekimin dhe pa miratimin e tij personal. Askush nga këta nuk e ka të drejtën që në fund të mbledhë qeverinë dhe të firmosë një VKM në emër të qeverisë, por vetëm ai, Edi Rama, i cili, në fakt, sot nuk duhej të ishte Kryeministër në një vend normal, por ja që e kemi, do ta përballojmë dhe, sigurisht, do ta rrëzojmë.

Faleminderit!