Konferencë me ekspert dhe profesionist për të shpjeguar dëmin e shkaktuar nga qeveria pas miratimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura| 23 shkurt 2024

Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë

Ky është muri i turpit! këta janë 12 deputetë, shumica e të cilëve nuk kanë folur kurrë në parlament, të cilët nuk sjellin ndonjë projektligj në dobi të atyre zgjedhësve që iu kanë dhënë votën apo që iu kanë blerë votën këta, por sjellin një projektligj të cilët po t’i kapësh personalisht as nuk dinë për çfarë kanë shkruar sepse aty kanë vënë vetëm firmën.

Disa nga këta nxjerrin edhe video në rrjetet sociale se si të mbrohet mjedisi apo se si të mos hidhen qese në rrugë, ndërkohë që firmosin se si të shfarosen mijëra hektarë pyje, se si të zhduken kafshët e egra në Shqipëri, se si të shkatërrohet flora e fauna, shëndeti i shqiptarëve, historia natyrore e kulturore e shqiptarëve.

Këta fshihen, por janë ata që përdoren në mënyrën më të keqe të mundshme nga kjo mazhorancë që deputetët i kanë kthyer në njerëz kartona dhe që nuk kanë dinjitetin të mbrojnë as atë që firmosin vet.

Ligji i zonave të mbrojtura që kaloi dje në parlament ka 3 momente kryesore:

1- Nuk ka më zonim të zonave të mbrojtura. Në çdo pikë të zonave të mbrojtura ti mund të ndërtosh, mjafton që të marrësh miratimin në KKRT, mjafton që Këshilli i ministrave, Edi Rama të të japë firmën fap e fap dhe ti mund të ndërtosh në cilëndo zonë të mbrojtur të Shqipërisë. Ti mund të ndërtosh në Butrint, Karavasta, etj.

Është hera  e parë që një ministre mjedisi të mbrojë shkatërrimin e mjedisit. Është hera e parë se si mund të justifikohet që për turizëm u dashka betoni dhe jo natyra.

Është hera e para që ti mund të dënohesh se si vret kafshët e egra, por ti je i lejuar të shfarosësh kafshët e egra duke iu shkatërruar të gjithë habitatin, në qoftë se ti je investitor strategjik. Dhe kjo është bërë me një të rënë të lapsit, pa konsultime publike, pa iu dëgjuar zëri organizatave të mjedisit që kanë protestuar edhe dje para kuvendit të Shqipërisë, pa i marrë parasysh ekspertët, pa bërë një proces konsultimi publik, pa dëgjuar rekomandimet e BE, pa konsultuar konventat në të cilën është pjesë Shqipëria, dhe është bërë vetëm duke dëgjuar një rreth personash që ishin oligarkët që kishin bërë gati planet ndërtimore për zonat e mbrojtura.

2- Ky ligj heq nga vendimmarrja ekspertët, pushtetin lokal, planet e menaxhimit të këtyre zonave dhe i çon ato një në një nivel politik, i çon ato të Këshilli i Ministrave. Tani vendimmarrjet do t’i marrë Këshilli i Ministrave se ku ndërtohet dhe ku nuk do ndërtohet në zonat e mbrojtura.

Dje, Mirela Kumbaro, ku mund të them se mbetet padyshim ministrja më e dështuar e kabinetit Rama, thoshte që me këtë ligj nuk do  të ndërtohet në zonat e mbrojtura. Në qoftë se do të ishte kështu nuk kishte nevojë fare pse të ndryshohej ligji i vitit 2017, sepse me atë ligj nuk ndërtohet në zonat e mbrojtura.

3- Ky ligj sjell një dëm shumë të madh, të jashtëzakonshëm, jo vetëm në aspektin ligjore dhe kushtetuese që ka brenda, që lidhen me konceptin e interesit publik, që lidhen konceptin e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që ne jemi pjesë. Janë të gjitha shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ai shkel në mënyrë të hapur interesin jetësor dhe shëndetësor të shqiptarëve.

.