Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, pak kohë lini për qytetarët, por do ta shfrytëzojmë maksimalisht.
Ky Kuvend ka kaluar në një puçist të Kushtetutës, ku gjithçka bëni, por vetëm zbatimin e Kushtetutës nuk e njihni. Rregulloren e Kuvendit e keni kthyer në një freskuese për t’u bërë fresk djersëve që i shkojnë Edi Ramës nga skandalet, që i plasin çdo ditë. Sa herë opozita shfrytëzon hapësirat kushtetuese apo të Rregullores për të kërkuar mocion me debat, për të kërkuar interpelancë, për të kërkuar seanca dëgjimore në komisione, ju nuk keni argument, ju nuk keni asnjë lloj të drejte, por vendosni votën mbi ligjin, vendosni arrogancën mbi Kushtetutën, vendosni të bëni humor me hallet e shqiptarëve dhe talleni me Kushtetutën e me Rregulloren. Rasti i fundit ishte rasti kur zonja Spiropali mori atributet e kryetares së Komisionit të Medies dhe e vendosi veten si një kryetare mbi Kushtetutën, mbi Rregulloren dhe u dha urdhër deputetëve të tjerë, të cilët, në fakt, duhej të ishin ofenduar nga urdhri, por janë mësuar gjithë jetën të nëpërkëmbur, e u tha: “Nuk do ta pranoni kërkesën që ju sjell deputetja e opozitës për të bërë një seancë dëgjimore në komision”; një seancë diskutimi për lirinë e medies në Shqipëri, për gjuhën që përdor Kryeministri Rama me mediet në Shqipëri, por tashmë e ka shtrirë edhe në Itali. Në fakt, ky duhej të ishte turpërim për Shqipërinë. Nëse ka një moment, kur duhej të turpërohej Shqipëria, ishte për sjelljen që ka Kryeministri Rama ndaj pushteteve të pavarura në Shqipëri dhe jashtë saj.
Aferat e qeverisë nuk janë aferat e Shqipërisë. Edi Rama mund të jetë Skënderbeu për Elisa Spiropalin, por nuk është Shqipëria për ne. Nuk e ka baltosur njeri Shqipërinë; nuk i ka baltosur njeri shqiptarët, por ato që kanë dalë në dokumentarë, janë vepra dhe afera që do t’i gjeni në dosjet e prokurorisë; do t’i gjeni në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit; do t’i gjeni në raportet që bënte Guardia di Finanzia; janë thjesht një realitet shqiptar që e jetojnë shqiptarët dhe që e dinë shqiptarët. Sa më shumë ju fshiheni pas gishtit, aq më shumë bëheni puçistë të Kushtetutës dhe këtë model më pas e transfuzoni tek të gjitha institucionet e tjera të pavarura, që, duke parë sjelljen tuaj me Kushtetutën, ndihen të legjitimuar që të mos e zbatojnë Kushtetutën. Kur nuk e zbatojnë Kryeministri, Parlamenti, qeveria, pse duhet ta zbatojë një drejtor i RTSH-së? Pse duhet të vijë Alfred Peza, kur e detyrojnë të vijë në komision dhe kur e thërret Komisioni i Edukimit edhe me votat e mazhorancës për të ardhur? Nuk vjen. Shkruan e-mail dhe thotë: “Nuk dua të vij”, pavarësisht se me nenin 80 të Kushtetutës, pika 3, do të duhej të vinte, e ka detyrim, por e shkel, sepse e shkelni ju, e shkel edhe ai, por askush nuk merr masa.
Del Skënder Gjinushi nga Akademia e Shkencave dhe thotë: “Pse të vijë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të na auditojë ne? Ne kemi liri akademike”, pavarësisht se KLSH-ja auditon paratë e buxhetit të shtetit dhe jo çfarë mençurish apo broçkullash shkruajnë ata. E shkel edhe ai Kushtetutën, sepse ju ka ju model, pra ju që bëtë një ligj me porosi për të, kështu që normal që ndihet mbret aty që ta shkelë Kushtetutën. Pra, keni krijuar një model që e reflektoni nga vetja juaj dhe tek të gjithë krerët e institucioneve, që i keni zgjedhur po ju, që Kushtetutën, Rregulloren, ligjin ta bëjmë leckë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarëve ta nëpërkëmbim sa më shumë që kemi mundësi, por keni harruar që keni përballë një opozitë që do t’ju ndjekë këmba-këmbës dhe këmba-këmbës do të mbrojë interesin publik të shqiptarëve, me të gjitha mjetet dhe me çdo kusht.
Shumë faleminderit!