Fjalim për procedurë me drejtuesen e seancës mbi zbatimin e rregullores së Kuvendit – 6 qershor 2024

Zonja Kryetare, e keni bërë rrugë, dhe është normale në republikën e narkosit, që të shkelni Rregulloren dhe Kushtetutën e këtij vendi.  

Nuk është nevoja të na sillni Gardën e Republikës, sepse jemi deputetë të zgjedhur nga qytetarët, jo nga krimi. Në fakt, ju jeni deputetë të zgjedhur nga narkosi dhe nga krimi, jeni deputetë që përfaqësoni… 

Lindita Nikolla – Kujdes me fjalorin, zonja Zhupa! 

Ina Zhupa – Ju përfaqësoni klanet e drogës. 

Lindita Nikolla – Të kujtoj etikën. 

Ina Zhupa – Etikën kujtoja edhe Elisa Spiropalit, që foli këtu pa minutazh dhe tha: “Ushtria e turpit” e çfarë nuk tha, por nuk ia kujtove. Etika ose duhet të jetë për të gjithë, ose nuk duhet të jetë për asnjërin, ndaj, na dëgjoni deri në fund. 

Zonja Kryetare, kur ju vjen një shkresë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike keni për detyrë thjesht ta lexoni atë dhe jo të zgjidhni pikat që doni të lexoni. Ju nuk mund të lexoni pikën 1 dhe të lini pa lexuar pikën 2, se nuk ju pëlqen. Ku e gjeni të drejtën që të censuroni shkresat e Partisë Demokratike? Ju nuk keni asnjë të drejtë të merreni me çështje të brendshme të Partisë Demokratike. Ky Kuvend nuk mund të merret me partitë politike. Ju duhet të merreni vetëm me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, me kryetarin e grupit, zotin Bardhi, dhe kur ju vjen një shkresë keni për detyrë vetëm ta lexoni. 

Sali Berisha është kryetar i Partisë Demokratike, është anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dhe këtë nuk e ndryshoni dot as ju, as Edi Rama dhe as republika juaj e narkosit. Harrojeni! E lexoni apo nuk e lexoni ju, këtë do ta lexojnë shqiptarët, do ta lexojnë demokratët, që e kanë zgjedhur dhe që i kanë dhënë mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Zbatoni Rregulloren!  

Ju bëheni shkak që këtu të ketë përplasje. Ne duam një seancë normale, duam mocion me debat për atë që u shfaq me zë dhe me figurë në “Rai 3”, por edhe në të gjitha gazetat dhe revistat e botës. 

Për çfarë flasin gazeta “BILD” dhe të gjitha gazetat e tjera? Për një republikë që ne e ndiejmë çdo ditë; për një republikë ku vendosin koordinatorët e mafias se kush do të punësohet; për një republikë ku vendosin koordinatorët e mafies se çfarë shkresash duhet të lexoni ju.  

Ju keni frikë nga Sali Berisha, ndaj nuk e lejoni të vijë në Kuvend; ju keni frikë nga Sali Berisha, saqë nuk i lexoni dot as emrin në shkresat e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. 

Zonja Nikolla, zbatoni Rregulloren, jepini mundësi këtij Kuvendi që të debatojë për atë mocion me debat që ka sjellë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe lexojini shkresat siç të kanë ardhur, se nuk keni asnjë autoritet mbi Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Nuk je ti ajo që mund të na tregosh se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë, atë e kanë vendosur shqiptarët, ata që do t’ju marrin përpara juve dhe këtë narkorepublikë që keni ndërtuar. 

Faleminderit!